E enjte, 27.11.2025, 11:12 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve

E enjte, 27.11.2025, 06:54 PM


Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve

Nga Albert Vataj

E kush nuk ka dëgjuar për “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romanin e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili nga gazeta e njohur e “Parisit Le Monde” u knsideruar si një ndër “100 librat e shekullit XX”.

Vepra frymëzoi dhe u përshtat në zhanre të tjera të artit, si filmi "Kthimi i ushtrisë së vdekur" i Dhimitër Anagnostit dhe përshtatja në filmin dramatik "Il Generale dell'armata morta" të italianit Luciano Tovolit më 1983. Subjekti, rreth 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, kur Europa jetonte nën ethet e Luftës së Ftohtë, në një anë të bllokut, një gjeneral italian emërohet me një mision po aq të vështirë, por edhe të ndershëm në kërkim të eshtrave të ushtarëve të italian të rënë në Shqipëri. Simbolikisht një gjeneral që kthehet të marrë ushtarët e tij të vdekur, për t’i kthyer ata pranë familjes, pranë të dashurve, në prehjen e qetë të vendlindjes.

Por histori e Lucia Pisapia Apicella nuk është një histori romani, as një ekranizim, por një vepër humanizmi e përmasave që tejkalon faqet e një libri dhe lavdinë e një filmi, për të qenë një e vërtetë ngjethëse në vërtetësinë e vet të dhimbshme.

Ajo nuk do të mundte të ndryshonte fatin e kobshëm të luftës, as nuk do t’ua kthente nënave që prisnin bijtë e tyre, as grave s’ua kthente dot burrat, vendlindjes dhe kujtimeve nuk do të arrinte t’ua kthente dot shpirtin që ju dha një lufte absurde, një kobi që mori miliona jetë. Por ajo bëri atë që nuk do të guxonte dhe nuk do të mund ta bënte askush. E vetme, ajo mblodh vdekjen me duar, jetët e shuara e të shpërndarë në fushbetejë dhe u dha një varr, u tregoj se një nënë do të mundtte të bënte edhe këtë. Dhe ajo e bëri, sepse e ndjeku, sepse dontë që shpirti i saj do të gjente qetësi, vetëm kur pushimi i këtyre bëjve të nënave do të gjente një prehje në paqen e përjetësisë.

Lucia Pisapia Apicella ishte më shumë sesa një nënë e përkushtuar për dy fëmijët që solli në jetë me bashkëshortin Carlo, me të cilin u martua në vitin 1912. Ajo u bë, në mënyrë të pazakontë dhe të paharrueshme, nënë për mbi 700 djem të tjerë, të cilët, ndryshe nga fëmijët e saj, i përshkonte vetëm një e përbashkët e trishtë: të gjithë ishin të vdekur. Qysh nga viti 1943, Lucia nisi të “adoptonte” ata që lufta i kishte sakrifikuar dhe braktisur në heshtje.

Pas zbarkimit të Aleatëve në plazhin e Salernos më 8 shtator 1943 dhe betejave të përgjakshme në kodrat e Cava de’ Tirreni, trupat e ushtarëve të rënë, aleatë dhe gjermanë, mbetën të shpërndarë në fusha dhe përgjatë rrugëve, të pavarrosur e të harruar. Prioritetet e banorëve ishin mbijetesa: buka, strehimi, mbrojtja. Autoritetet vështirë se mund t’i përballonin detyrat e ditës, e aq më pak nderimin e të rënëve. Por Lucia, e lindur në Cava më 18 nëntor 1887, kishte një natyrë të papërkulur. Qysh fëmijë, prindërit e quanin “briganta”, një shenjë e kokëfortësisë së saj të butë: çdo ditë shkonte fshehurazi në spitalin e qytetit për të ndihmuar të sëmurët, duke mos i dëgjuar ndalimet e familjes.

Me vetëm tre klasë shkollë, por me një inteligjencë të mprehtë dhe një zjarr të pashtershëm fetar, Lucia e kishte dhimbjen busull të shpirtit. Ajo u drodh përbrenda kur pa një grup fëmijësh që luanin futboll me kafkën e një ushtari, një skenë e barbarisë që lufta shpesh e ngjiz edhe tek të pafajshmit. Ajo natë i solli një vegim: tetë kryqe mbi një fushë të heshtur, tetë djem të rinj me sy të lyer prej lotësh, që i kërkonin t’i kthente tek nënat e tyre. Ishte pikërisht ai çast që shënoi fillimin e misionit të saj.

Më 16 korrik 1946, pasi mori lejen nga kryetari i bashkisë, Lucia nisi kërkimin e eshtrave nëpër fushat, kodrat dhe shpatet përreth Cavas. Dy varrmihës që e shoqëronin u tërhoqën shpejt, të tmerruar nga mjetet e pashpërthyera shpërthyese që gjendeshin pranë kufomave. Por ajo vazhdoi e vetme, nën vështrimin e një turme të habitur që e ndiqte nga një distancë e sigurt. Ngjitej në shtegje të thepisura, zbriste në gremina, përballonte vapën, shiun, erërat, vetëm për të gjetur dhe mbledhur ata që lufta i kishte flakur si sende të pavlera.

Përmes kursimeve të veta bleu kutitë e zinkut ku vendosi eshtrat e mbi 700 të rënëve, të cilat i sistemoi me përkushtim në Kishëzën e vogël të Shën Jakobit në Cava. Gjermanë, amerikanë, polakë, për Mama Lucian këta djem nuk kishin komb. Ata kishin vetëm një emër, një jetë të ndërprerë dhe një nënë diku larg që i priste. Ajo mblidhte jo vetëm trupat e tyre, por edhe nderin e tyre të humbur.

Veprimi i saj i qetë, këmbëngulës dhe thellësisht njerëzor u bë shpejt i njohur nga shtypi kombëtar e ndërkombëtar, sidomos ai gjerman. Në vitin 1951, gjatë një udhëtimi në Gjermani për t’i dorëzuar familjes Ëagner eshtrat e djalit të tyre 22-vjeçar, ajo mori dekoratën më të lartë të Republikës Federale të Gjermanisë, Kryqin e Madh të Meritës. “Mama Luzia”, “die Mutter der Toten”, “Nëna e të Vdekurve”, ishte tashmë një figurë e miqësisë dhe pajtimit midis popujve. Në vitin 1959, ajo u nderua gjithashtu nga Papa Piu XII dhe Presidenti i Italisë, Giovanni Gronchi.

Vitet e fundit të jetës i kaloi në qetësinë e devotshme që e kishte shoqëruar gjithmonë. Deri pak para se të mbyllte sytë më 27 gusht 1982, vazhdonte të kujdesej për Kishëzën e Shën Jakobit, duke u treguar brezave të rinj se tmerri i luftës nuk matet me betejat, por me fatet njerëzore që ajo shkatërron.

Lucia Pisapia Apicella mbeti një figurë e jashtëzakonshme e humanizmit të heshtur, një nënë që nuk kishte nevojë për tituj për të qenë monument. Mjaftonte zemra e saj, që ishte më e madhe se çdo luftë.

Dhe kështu, në heshtjen madhështore të Kishëzës së Shën Jakobit, aty ku qindra kuti zinku rreshtohen si radhë lutjesh të pambaruara, misioni i Lucia Pisapia Apicella-s merr kuptimin e vet të plotë. Ajo që nisi si një grua e thjeshtë, një nënë me dy fëmijë, u shndërrua në një urë drite mes së shkuarës së përgjakshme dhe së ardhmes që kërkon të harrojë, por nuk guxon të mohojë kujtesën.

Lucia nuk luftoi me armë, por me zemër. Nuk pati ushtri pas vetes, por pati virtytin e pashterrshëm të një nëne që e kuptoi se nderimi i të vdekurve është forma më e lartë e nderimit të jetës. Me duart e saj të lodhura, ajo riktheu dinjitetin aty ku lufta kishte lënë veç pluhur, frikë dhe harrim. Me hapa të vegjël, ajo ndërtoi një monument që nuk e gërryen koha, një monument që nuk është prej guri, por prej dhembshurie, besimi dhe guximi.

Në librat e mëdhenj, heronjtë kanë uniforme. Në filmat e mëdhenj, heronjtë kanë tituj. Por në historinë e njerëzimit, heronjtë më të rrallë dalin si ajo: të heshtur, pa zë, pa lavdi. Veprat e tyre janë aq të mëdha, sa nuk mbahen dot brenda një romani, një filmi apo një kapitulli historie. Ato mbahen në kujtesën e të gjallëve.

Ashtu si gjenerali i Kadaresë udhëtoi për t’ua kthyer ushtarëve të vet një prehje të merituar, Lucia udhëtoi e vetme drejt përjetësisë, duke i kthyer nënave të panjohura një copëz qetësie. Ajo nuk kërkoi falënderim; ajo kërkoi vetëm që asnjë djalë të mos mbetej pa një emër, pa një varr, pa një nënë që të lutet për të.

Dhe ndoshta, në atë vend të shenjtë ku ajo prehet sot, 700 shpirtërat që ajo mblodhi një e nga një, i rrinë rreth si një ushtri dritash. Sepse nuk ka lavdi më të madhe sesa të jesh nënë edhe për ata që bota i harroi.

Lucia Pisapia Apicella mbetet dëshmi se njerëzimi nuk shuhet, sa kohë që ekzistojnë zemra që guxojnë të ndriçojnë errësirën. Ajo mbetet, përgjithmonë, Nëna e të Vdekurve, por edhe një nënë e pavdekshme e paqes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart Albert Vataj: Ronald Tolkien dhe Edith Bratt, një histori dashurie në kufinjtë e legjendës Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut Albert Vataj: Lotët që mbajnë ende të gjallë edhe sot pas 600 vjetësh pikëllimin biblik Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi Albert Vataj: Arnat në rroba, kujtesë e një kohe që vjen për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia Albert Vataj: Pavlina Mani – aktorja që i dha ngjyra artit shqiptar Albert Vataj: George Orwell tregon "Pse shkruaj" në një ese të vitit 1946 Albert Vataj: Tre brezat e familjes Ajnshtajn në një foto Albert Vataj: Kush është Gloria Steinem, gruaja e sfidave të pamundura që u shndërrua një ikonë e feminizmit Albert Vataj: I përkas asaj vetmie Albert Vataj: Mary Ellen Pleasant, gruaja me ngjyrë që punonte si shërbyese dhe ndërtoi një perandori Albert Vataj: Abdurrahim Buza, piktori që shkroi me penel historinë e shqiptarëve Albert Vataj: Helena Citronová dhe Franz Wunsch, dashuria e pamundur që u lind në zemër të ferrit Albert Vataj: Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin Albert Vataj: Atje ku shkojmë me përulje e pendim, e lutemi: "Paçin dritë e diell!" Albert Vataj: “Gazeta e Sportit”, sot kremton 100-vjetorin e kurorëzimit në Shkodrën e mbretërimit të fjalës dhe shpirtit të garës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx