Mendime
Idriz Zeqiraj: Fitorja e Pecit, akuzat shpifëse dhe blofi politik i PDK-së!
E enjte, 20.11.2025, 06:51 PM
FITORJA E PECIT, AKUZAT SHPIFËSE DHE BLOFI POLITIK I PDK-SË!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Rundi i parë i zgjedhjeve
lokale, ishte dëshmi e forcës partiake të subjekteve politike. Rundi i dytë,
balotazhi, u karakterizua nga pazare të pista e bënë "mish-mash"
procesin zgjedhor, me koalicione hiç parimore. Ka ardhur koha të rishikohet çështja
ligjore e balotazhit. Procesi zgjedhor, në përgjithësi, ishte i rregulltë dhe
pa shkelje serioze. Që nga mbushja e kutive e votimit, me formular-vota për
PDK-në, në Drenicë, më 2010, me 120 % votues! Një turp i tillë, nuk është
përsëritur më, të paktën, në atë përmasë.
Edhe pse PDK-ja u ankua, deri
në kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve, në komunën e Mitrovicës, rundin e
dytë të votimeve, të gjitha nivelet e gjykatave refuzuan hapjen e një procesi
të ri, si të panevojshëm. Ndërsa asnjë reagim nuk pati nga përgjysmimi i votave
të Mërgatës, të shpallura si të pavlefshme, ndërkohë që rrugaçëria e PAN-it e
bëri namin, për 75 vota në Mitrovicë, edhe pse shumica u përkiste, pikërisht,
PDK-së.
Blofi i zhurmshëm në procesin
zgjedhor në Mitrovicë, turpëroi, madje me fund, Kryesinë dhe eksponentët e
PDK-së, të cilët nga një gabim teknik, të aparatit shumëzues të fletë-votimeve,
bandat partiake të PDK-së, u tubuan pranë qendrës së votimit, të gatshme për të
filluar vandalizmin brenda qendrës së votimit. Edhe pse nga rinumërimi i
serishëm i votave, gjithsejtë 75 fletë-votime rezultuan të pavlefshme, anëtari
i KQZ i PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi proces të ri zgjedhor në komunën e
Mitrovicës! Qëllimi ishte humbjen me votën zgjedhore në kuti, ta kthejnë në fitore
në tavolinë!
Rezultatet kanë qenë pothuaj se
të ekuilibruara për tri partitë kryesore, ndërsa AAK ka treguar stabilitet në
rezultatin e saj, tamam si një parti familjare e harmonishme, duke i ruajtur
edhe bastionet klasike, të cilat i mban nga zgjedhjet në zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje zgjedhjet
lokale i fitoi për herë të parë, duke i marrë tri komuna më shumë nga zgjedhjet
e shkuara lokale. Ndërkohë që PDK dhe LDK i humbën nga dy komuna.
Garat zgjedhore prodhuan
befasira, madje u shënuan edhe thyerje bastionesh. Befasi më të mëdha ishin
komunat e Prishtinës, Mitrovicës, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Drenasi.
Interesimi dhe impenjimi më madh ishin Prishtina metropol dhe Mitrovica
strategjike. Diferencat nga fituesit me humbësit ishin në shifra simbolike,
çfarë dëshmon për kandidatët garues ishin të përzgjedhur. Propaganda lehaqene e
anal-banalistëve të PAN-it, ishte skajshëm e sforcuar dhe shpifarake, për
damkosjen e Përparim Ramës në Prishtinë dhe Faton Pecit në Mistrovicë. Pra, në
shënjestër u vunë LDK-ja dhe LVV. Të gjitha akuzat e stisura dhe shpifëse, iu
kthyen në bumerang subjekteve politike të koalicionuara në PAN.
Befasia e zgjedhjeve: Përmbysja
e rezultateve dhe thyerja e bastioneve
Befasi e radhës ishte shtrirja
në gjeografinë e komunave dhe rritja në numra e LVV. Në të 12 komunat e
balotazhit, LVV shtoi praninë e saj. Dhe kjo është arritja premtuese e saj, që
demanton bindshëm lukuninë mercenare mediatike 24 orëshe të PAN-istëve të
frustruar, deri në pashpresë për ta marrë pushtetin. LDK-në që nuk e lidhë
asgjë me PAN-in e kriminalizuar duhet të distancohet qartazi, njësoj siç bëri
LVV. Sepse jo vetëm nuk bëri asnjë përçapje për reformim dhe spastrim nga
elementët kriminalë, përkundrazi, i rehabilitoi duke i kandiduar për kryetar
komunal, por që u refuzuan, madje neveritshëm nga populli.
Sulmi i organizuar kundër
arkitektit londinez, Përparim Ramës, për mos punë; hallakamë dhe bllokim të
rrugëve dhe shesheve në Prishtinë; premtime të mëdha, por të parealizuara, edhe
pse të arsyetuara për sabotim nga pushteti, e vunë në dyshim mandatin e dytë në
Prishtinë. Kalkulimet me balotazhin, thyen bllokadën dhe Rama është kryetar
meritor. Për një metropol, kryeqytet të bllokuar, si Prishtina, fillimisht nga
injoranca e planifikimit urbanistik, në dekada më parë. Dhe, rishtazi, nga
komandantët uzurpatorë të pronave-tokë shtetërore, mujsharë e kriminelë të
dëshmuar, që kulmon edhe me vrasjen e arkitektit Rexhep Luci, vullneti i mirë i
kryetarit Përparim Rama, nuk duhet të injorohet apo të refuzohet, aq më pak të
stopohet!
Arsyetimet bajate me "Zona
Arkeologjike" apo kulte fetare, me emra cinikë pushtuesish, janë
marrëzira, të bëhen pengesë e rregullimit të një kryeqyteti bashkëkohor. E
kaluara nuk guxon ta mbajë peng të tashmen. Duhet parë se kulturë e kujt është
ajo arkeologji, të zhvendoset dhe të ruhen eksponate, nëse janë në interes të
trashëgimisë kombëtare. Duket se Arkitekti Rama shije, njohuri vizion dhe duhet
mbështetur në mjeshtërinë e tij fisnike. Mësohuni, o njerëz të mirë, të
vlerësoni vlerat që ju ofrohen, sepse "vera një herë vjen kah dera",-
thotë urtësia.
Fushë Kosova ishte ndër
bastionet e gjithmonshme e LDK-së. Por, kësaj radhe u mund nga LVV, gjë që nuk
pritej. Ishte një angazhim si në "goditjet e përqendruara", siç
quheshin aksionet vullnetare të kohës të monizmit enverist, në Shqipëri. Këtu
ndikoi edhe plani ideal i kandidatit të LDK-së, Besnik Osmani, siç ishte
ndërtimi i një rruge paralele, me atë ekzistuese Fushë Kosovë-Prishtinë, për ta
lehtësuar trafikun e stërngarkuar të kësaj linje.
Hapja e kësaj linje të re,
prekte shumë prona dhe biznese të banorëve vendorë dhe ardhacakë rishtarë, të
vërshuar nga komuna tjera të Kosovës, për t`iu afruar metropolit Prishtinë.
Përndryshe, zoti Osmani ishte i pakontestueshëm, qoftë si drejtues me përvojë,
qoftë si "babaxhan" komunikues, i përkushtuar për punë të mbara dhe
ndershmëri unike, i pranueshëm nga komuniteti vendorë, pavarësisht besimit,
ngjyrës dhe përkatësisë etnike, sepse në ketë komunë "është përzier
gjithfarë ujemi",- siç thoshte një shkrimtar i yni mortor.
Krye befasia e zgjedhjeve të
fundit lokale është komuna e Drenasit, e identifikuar me Ramiz Lladrovcin -
kampion. Premtimi i tij paraprak, se nëse dështoj për ta marrë Drenasin, heq
dorë nga politika, meriton respekt! Një zotim kaq ekstrem i zotit Lladrovci, ka
një bazë rezervë sigurie absolute për fitore. Realisht, kryetari Lladrovci
dinte më shumë se sa duhej, për të -bëmat- kriminale të krerëve partiakë të
PDK-së. Dhe, neutralizimi i tij, "mbyllja e gojës" duhej bërë me
favore të veçanta. Përndryshe, nuk i vinte radha as për t`u bërë ambasador dhe
as kryetar komune, pavarësisht doktoraturës së tij unike!
Incizimi i pabesë i një bisede
private, të bërë Edwin Rama-Ramiz LLadrovci, ishte kurdisje e poshtër e
kryeministrit shqiptar Rama, të cilën e zbuloi në publik. Në këtë kurdisje
intriguese, ishte pjesë, hiç më pak se Hashim Thaçi. Një bisedë e shpenguar e
ambasadorit, ishte diskredituese për atë. Kjo bëhej për goditje të Ramizit, me
qëllim që ai të bëhet vasal besnik i shefit të tij Hashim. Mjeshtri i
dinakrive, intrigimeve dhe të pabesive serike, Hashim Thaçi, e rehatoi Ramiz
Lladrovcin, pikërisht, atje ku ai deshti - kryetar i komunës të Drenasit. Dhe,
kjo u bë në këmbim, të paktën, të varrosjes të përjetshme të një sekreti rrast
komprometues, madje bindshëm penalizues. Rrjedhimisht, SHIK-u intim i Hashimit,
me nëntokën e tij, i jep forcë e siguri kampion Ramizit, për ta sfiduar bandën
aktuale të PDK-së, madje me shantazhin kërcënues se "s`ka bir nane që më
largon nga partia, PDK-ja"!









