Mendime
Albert Zholi: Gëzim Tushi - Shtypi i shkruar mbetet një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe më e qëndrueshme për të orientuar publikun
E hene, 10.11.2025, 06:53 PM
Flet "Mjeshtri i Madh", Gëzim Tushi:
Pavarësisht
vështirësive të diktuara nga ndikimet "imperialiste" të kohës jeta ka
evidentuar nevojën e domosdoshme të shtypit të shkruar.
-Shtypi
i shkruar mbetet një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe më e qëndrueshme për
të orientuar publikun.
-
Ka një lidhje të fortë ontologjike midis zhvillimit të vendit dhe lidhjen me
leximin e shtypit.
-
Vendet e zhvilluara Sh.B.A, Korenë e Jugut dhe Taivani janë vendet në të cilat
ka një numur të madh titujsh gazetash, të emetuara në tirazh të madh dhe të
tërhequra së tepërmi nga lexuesi...
-Shtypi
ka disa epërsi që nuk i ka pjesa tjetër e medias tradicionale apo moderne,
televizive, dixhitale dhe elektronike.
-Shtypi
i ka më të qëndrueshme vëzhgimet, analizat dhe reflektimet për vlerësimin e
kornizës sociale të jetës shoqërore, dhe shoqërinë në tërësi.
Kur
tentohet të ketë krizë në shtyp, mbi të gjitha nuk është sinjal i mirë për
shëndetin e demokracisë.
Shtypi,
gazetari, opinioni publik-një marrëdhënie në "krizë" apo...
Pse
Francis Fukuyama e lidh zhvillimin e vendit me leximin e shtypit?
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Liberalizimi i shoqërisë, individualizimi i jetës dhe ndikimi i
tyre mbi marrëdhëniet e cënuara me shtypin dhe tregun mediatik në përgjithësi,
kanë sjellë një situatë shqetësuese me shkaqe, arsye, lidhje të brendshme me
natyrë deontologjike dhe në të njëjtën kohë edhe marrëdhëniet sociale
kontroversale. Herë pas here kudo flitet për një "krizë" të shtypit
të shkruar. Dhe kjo perifrazohet me mendjelehtësi si slogan formal e aspak
shqetësues, kur në të vërtetë nëse futemi në thelbin, shkaqet e përmasat e
kësaj krize, duhet të pranojmë se, më shumë se një plagë endemike e saj, kriza
e shtypit, mbi të gjitha nuk është sinjal i mirë për shëndetin e demokracisë.
Personalisht gjithnjë më ka shqetësuar kjo situatë kritike e medias së shkruar.
Brenda këtij shqetësimi të personalizuar është fakti, që ontologjinë dhe
fenomenologjinë e kësaj situate e kam analizuar në librin tim
"Intelektuali, Media dhe Shoqëria".
Si do ta
cilësoni shtypin shqiptar? A ndikon në opinionin popullor dhe a shihet si
domosdoshmëri informacioni në popull dhe jo vetëm?
Sipas mendimit tim, në këtë
"kolizion krize", janë përzjerë shumë shkaqe e faktorë të brendshëm,
që lidhen me cilësinë e gazetave dhe profesionalizmin e gazetarëve si
"aktorë" e profesionistë të tij. Por janë edhe shumë faktorë të
jashtëm që kanë lidhje me ndërhyrjet dhe orientimet tematike dhe politike, duke
ndikuar në cënimin e cilësisë, pavarësisë dhe profesionalizmit. Realitetet e shtypit,
niveli i qarkullimit dhe shitjes së gazetave, mbyllja e vazhduar dhe dalja nga
tregu i shumë titujve, është një realitet empirik, që nuk ka shumë nevojë për
instrumenta sociologjikë për ta kuptuar dhe interpretuar. Padyshim shqetësues
është rritja në përmasa kritike e indiferentizmit të lexuesit,
"veljes" dhe largimit prej tij jo aq për shkak të çmimit të gazetave.
Mungesa e cilësisë dhe mungesa e besimit për pavarësinë e shtypit, janë
thelbësore për të shpjeguar këtë situatë.
Në pamje të parë, dhe në
mënyrë sempliste e sipërfaqësore, situata e shtypit duket se është në
vështirësi nga evolucioni jetës sociale, pretencioziteti kulturor i lexuesit,
sidomos kjo e lidhur në mënyrë substanciale, të qënësishme me realitetet që
vijnë nga konkurenca e botës virtuale të informacionit. Shtypi dhe gazetarët
duhet ta kuptojnë dhe brendësojnë në "lëkurën" e tyre këtë realitet
të ndryshuar, në marrëdhëniet shtyp-gazetar-opinion publik. Koha ka bërë të
vetën në ndryshimet që kanë ndodhur në realitetin konceptual, perceptues dhe
analizues, për të cilat shtypi duhet të reflektojë, jo aq në funksionin e vet
të informimit dhe komunikimit, por sidomos të funksionit si "ndihmëse
sociale" e përmirësimit të shumëfishuar të impaktit në marrëdhëniet e
njeriut me shoqërinë. Kjo do të thotë, se shtypi është përballë me qëndrimin
dhe vlerësimin e personalizuar të lexuesit, i cili nuk është qënie passive, por
qytetar aktiv, që edhe përmes shtypit gjykon, bën krahasime, kritikon, e
mbështet duke qënë i bindur se në shoqërinë tonë ai është një "ndërmjetës
social" në procesin qytetërues, duke shërbyer si katalizator për
transformime pozitive në jetën e përbashkët sociale. Pavarësisht vështirësive
të diktuara nga ndikimet "imperialiste" të kohës dhe epokës së
dixhitalizimit të informacionit on-line, jeta ka evidentuar nevojën e
domosdoshme të shtypit të shkruar, si një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe
më e qëndrueshme për të orientuar publikun.
Gazeta është sinkretike,
sepse materiali i pasqyruar në të është dy kahësh: edhe si "objekt një
përdorimësh", por edhe si objekt për reflektime më sintetike, afatgjata,
me qëllime analize, ballafaqimi dhe padyshim edhe synime studimore të
zhvillimit historik e bashkëkohor, të ndryshimeve që kanë pësuar realitetet
politike e sociale në shoqërisë tonë. Shtypi ka disa epërsi që nuk i ka pjesa
tjetër e medias tradicionale apo moderne, televizive, dixhitale dhe
elektronike. Shtypi i ka më të qëndrueshme vëzhgimet, analizat dhe reflektimet
për vlerësimin e kornizës sociale të jetës shoqërore, më të sigurta bazimin në
parimet boshtore të komunikimit publik, me njeriun individualisht dhe shoqërinë
në tërësi.
Dobësimi i interesit për
shtypin e shkruar, një patologji sociale që vjen nga "presioni
imperialist" i rrjeteve sociale apo komunikimit të informacionit elektronik,
nuk është shenjë për t'u përshëndetuar duke e konsideruar në mënyrë sempliste
si tregues dhe afirmim të modernitetit. Braktisja e shtypit nga lexuesi, edhe
pse është e drejtë individuale për ndërtimin e një raport të personalizuar me
të gjitha llojet e mediave tradicionale e moderne, në mënyrë sintetike është
shprehje e faktit të pranuar dhe të vërtetuar, se ky qëndrim social tregon një
shoqëri të "sëmurë", kur pushon së lexuari dhe diskutuari për
shëndetin e vetes. Sepse shtypi i ka mundësitë më të gjëra, për të trajtuar në
mënyrë sistemike problemet e kohës që jetojmë me të cilat po përballen njerëzit
dhe shoqëria jonë. Një qëndrim më interaktiv me shtypin, është tregues i
pjekurisë sociale, shprehje e paradigmës moderne, e cila kërkon jo të sillemi si
vëzhgues, por të hyjmë brenda saj. Dhe gazetat janë instrumenti, që pavarësisht
paragjykimeve, me siguri kalimtare, e bëjnë më mirë këtë detyrë qytetare, e
luajnë në mënyrë më të sigurt këtë rol social. Shtypi i shkruar ka një meritë
që është ontologjikisht e lidhur me specifikën e tij, Në kohën kur ka marrë
përparësi vlera e individit dhe filozofia e individualizmit, gazetat janë mjet
ndërkohor dhe mundësi e pakufizuar në hapësirë dhe kohë për përdorim personal.
Me synime informimi, argëtimi, studimi apo ballafaqimi.
Por shtypi shqiptar ka
mangësitë dhe patologjitë e veta, të cilat të vlerësuara në sasinë dhe cilësinë
e tyre, janë bërë shkak për cënimin e identitetit ekzistencial. Ai ka filluar
të "infektohet" nga sëmundjet determinante të informacioneve on-line
dhe në jo pak raste, bie në "kurthin" e rrezikshëm, kur edhe ai e
"bombardon" shoqërinë me shqetësime sterile dhe ndjenja të alarmit
fals. Kjo dëmton rëndë sistemin e besimit të qytetarit me shtypin e shkruar.
Dhe kjo është një nga arsyet e rënies së interesimit qytetar për shtypin e
shkruar.
A është i
sigurt shtypi në ekonominë e tregut, realist dhe a ka pavarësi shtypi shqiptar
në përgjithësi ndaj problemeve dhe fenomeneve? A vrapon populli tek
gazetat dhe sa shpresë ngjall ai tek masa popullore?
Doemos shtypi është i
inkorporuar në botën e ndërlikuar të ekonomisë së tregut, e ballfaquar
egërsisht me rregulat e tregut. Sipas mendimit tim, kjo situatë delikate e
uljes së autoritetit publik të shtypit, është e lidhur në mënyrë direkte apo të
tërthortë, me faktin se shpesh deteriminimet sasiore të logjikës së tregut kanë
ndikuar që shtypi të "humbasë veten".
Kjo situatë është e lidhur
edhe me cilësinë, statusin deontologjik e profesional të gazetarëve të shtypit
të shkruar. Në të ka autoritete të padiskutueshme morale, sociale e
profesionale, që përbëjnë bërthamën, shtyllën mbajtëse të gazetave shqiptare,
ashtu sikurse nuk mungojnë edhe ata, që kanë gabur "derën e hyrjes",
që nuk gëzojnë autoritet apo që shfaqin shenja të dukshme naivizmi dhe mediokriteti
gazetaresk. Shtypi është palca e "industrisë së informacionit"
publik. Ajo kërkon profesionistët e saj, me nivel të lartë kulturor, dije të
gjëra e kulturë sociale e profesionale, për të përballuar sfidat e gazetarisë
profesionale dhe pretenciozitetin cilësor, gjithnjë e më shumë në rritje të
publikut. Nuk bëhet koncerti (gazetaria) me pianistë (gazetarë) fillestarë dhe
kulturalisht dhe profesionalisht të paorientuar.
Ndër patologjitë e shfaqura
kohët e fundit në shtyp është një zgjerim i prirjes konformiste të tij, nën
ndikimin e interesave të caktuara politike, sociale apo edhe ngushtësisht
personale. Gazeta është mjeti public përmes të cilit duhet të rrjedhë guximi i
denoncimit qytetar të së keqes sociale. Qytetari nuk ka nevojë, madje bezdiset
dhe e neverit mendimi gazetaresk konformist. Ai kërkon të lexojë në gazetë të
interpretuar qartë, saktë dhe elokuencë jo vetëm atë që duket, është evidente,
mediatikisht është bërë e bujshme, por sidomos atë që ndodh nën sipërfaqen e
jetës politike dhe natyrën eterne të polikrizave të shoqërisë tonë. Sepse
shoqëria shqiptare sot, ndoshta si kurrë më parë është përballë nevojës
të dallimit midis të shëndetshmes dhe patologjikes. Koha që jetojmë e ka
të nevojshme që shtypi të gjejë rrugën e duhur, për të shkuar tek qytetari dhe
për t'u bërë aleati i sigurt, i natyrshëm i tij. Aq më tepër tani kur
zhvillimet e vrullshme të shoqërisë shqiptare plotësisht postmoderne e
turbokapitaliste, kanë krijuar anomali dhe herë pas here edhe kriza konceptuale
në opinionit publik si institucion legjitim dhe rregullator social i normave të
përbashkëta të shoqërisë.
Një shtyp me koherencë
sociale, kompetencë profesionale mund të bëhet instrument me influencë pozitive
në jetën e shoqërisë, tashmë plotësisht liberale e individualiste, të ndihmojë
duke i kthyer faqet e tij në hapësirë për të shpjeguar me korrektesë, nevojën
që kemi për të ndërtuar mënyra të ndryshme jetese të qytetëruar. Ky do të ishte një plotësim nga shtypi
i nevojës, për të ndikuar pozitivisht si antidote socio-mediatik, për të qënë përballë kaosit shpirtëror dhe
konfuzionit moral që ka mbërthyer shoqërinë.
Koha kërkon nga shtypi
angazhim të ri, një shikim ndryshe të realiteteve socio-politike, në mënyrë që
të kemi atë shtyp të shkruar që vendos lidhjen dhe pasqyrimin e duhur, objektiv
dhe pa pasione negative e qëndrime subjektiviste midis ngjarjeve politike e
sociale dhe rezonancës së tyre mediatike. Padyshim, shtypi dhe gazetaria si
profesion në tërësi, është përballë një ambiguiteti, sepse sot është duke u
shfaqur plotësisht tendenca e jetës postmoderne, e shoqëruar me zgjerimin e
tendencës së konturimit, sikurse thotë intelektuali i shquar Jasques Attali
(Zhak Atali) një lexues dhe publik me strukturë sociale të ultrapersonalizuar.
Të cilit është vështirë t'i afrohesh mediatikisht në mënyrë adekuate. Shtypi i
ka të gjitha mundësitë, që në këtë situatë sociale kaotike, të bëhet një aktor
i besueshëm, për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në një shoqëri, në të cilën
janë bërë të vështira evidentimi dallimeve të cilësive sociale, vlerave binare,
që ndajnë të drejtën nga e gabuara, të mirën nga e keqja.
Kjo është një sfidë e madhe
deontologjike, për të forcuar komplementaritetin midis ngjarjeve politike e
sociale nga njëra anë, dhe rezonancës mediatike e gazetareske. Ky është
parakushti, thelbësor, sipas mendimit tim, për ta mbrojtur dinjitetin e
shtypit, autoritetin publik dhe mediatik, nga një lloj agresiviteti të
transparencës perverse, që po shfaqet si patologji e dëmshme. Është koha që
media e shkruar, por edhe ajo moderne elektronike e dixhitale, të kuptojnë se
nuk vlen më gazetaria cinike dhe hipokrite. Shoqëria nuk ka nevojë, për ato
media që krijojnë dhe shpërndajnë iluzione për shoqërinë. Media e shkruar nuk
është thirrur për të përhapur utopi dhe iluzione sociale, që ndonjëherë e bëjnë
"ilaçin mediatik" më keq se sëmundjet që ka shoqëria. Përkundrazi,
shtypi do e rritë autoritetin e vet social, nëse synon të bëhet nxitës për
ndërgjegjësimin qytetar. Në këto kushte është ultimative që gazetaria dhe gazetat,
ndoshta më shumë se kurrë nuk kanë nevojë për gazetarë e analistë pa dinjitet,
konformistë e oportunistë. Gazetaria ka nevojë për gazetarë dinjitozë, me peshë
publike dhe jo "agjentë moralë" të opozitës apo "shërbëtorë të
pushtetit".
Një gjë nuk duhet harruar.
Ka një lidhje të fortë ontologjike midis zhvillimit të vendit dhe lidhjen me
leximin e shtypit. Nuk është rastësi që filozofi i kohës sonë Francis Fukuyama,
vendos në krye të vendeve të zhvilluara Sh.B.A-në, Korenë e Jugut dhe Taivanin.
E dini pse? Sepse përveç të tjerash ato janë vendet në të cilat ka një numur të
madh titujsh gazetash, të emetuara në tirazh të madh dhe të tërhequra së
tepërmi nga lexuesi...









