Kulturë
Kadri Tarelli: Kuvend letrar në shkollën 9-vjeçare “Fushë-Prezë”
E hene, 10.11.2025, 06:58 PM

Kadri Tarelli shkruan:
Nuk ishte
fat. Ishte besim, këmbëngulje dhe një dashuri e thellë për artin tim. Mësova se
nuk ke pse të jesh si dikush tjetër për të shkëlqyer. Thjesht duhet të
rezistosh, të përgatitesh dhe të kesh guximin, të tregosh zemrën tënde. Al Paçino
KUVEND
LETRAR NË SHKOLLËN 9-VJEÇARE “FUSHË-PREZË”
Takim me shkrimtarët nga Durrësi: Kadri Tarelli
dhe Ali Balliu.
Në
kuadër të “Muajit të Letërsisë”, shkolla 9-vjeçare “Fushë-Prezë”, Qarku Tiranë,
zhvilloi një takim letrar me dy
shkrimtarë nga Durrësi, Kadri Tarelli dhe Ali Balliu, të njohur në fushën e
letrave jo vetëm në Durrës, por në mbarë trevat Arbnore.
Shkrimtari
Kadri Tarelli, ish mësues dhe drejtues shkollash, është autor i njohur i disa
veprave letrare për fëmijë dhe të rritur. Botues i qindra artikujve në gazetat
e Tiranës dhe nëpër botë, SHBA, Suedi, Londër, Zvicër, Dardani, ku përfshihen
studime, reportazhe, analiza letrare, monografi, poezi dhe së fundi një libër
me tregime, ku ndjehet pulsi i kohës që jetojmë.
Së
bashku me të ishte edhe Ali Balliu, specialisti i bujqësisë, mësues, drejtues
shkolle, kandidat për deputet, drejtues i pushtetit lokal për disa vjet me
radhë. Më tej i vlerësuar nga organet Europiane si drejtues për afro 20-vjet i
grupit të Kontrollit Ushqimor në Portin e Durrësit. Ai tashmë i përfshirë edhe
në shkrimtari dhe krijimtari letrare.
Biseda
ishte e ngrohtë, plot emocione dhe këshilla të vlefshme për të gjithë nxënësit
dhe të rinjtë që duan të këndojnë, të mësojnë apo të shkruajnë.
Të
dy autorët, si mësues dhe drejtues të vjetër nuk e patën të vështirë të
bashkëbisedojnë me nxënësit e shkollës, ku pyetjet ishin pafund, por edhe
përgjigjet ishin plot vlera urtësie, si porosi dhe mësime të vyera për
nxënësit, të cilët duhet të investojnë për vete, familjen, shoqërinë dhe mbarë
kombin.
Këto
ishin fjalët e mirëseardhjes mbajtur nga drejtore Jetmira Basha, si nismëtare e
këtij kuvendi letrar, mbajtur në shkollën që ajo drejton, në këto ditët e
fundit të Tetorit, muajit, të letërsisë.
Të
pranishëm ishin grupi i mësuesve: Shpresa Carungu, mësuese gjuhë-letërsie, Alfred
Dhaskali mësues i gjuhës anglisht, Drita Kulli, mësuese gjeografie, Klodeta
Begolli, mësuese matematike. Në mes tyre edhe mësuesët e Ciklit të Ulët: Bajram
Zyberi, Fatime Ahmati, Elda Guza.
Më
tej kuvendi mori udhën e një bashkë-kuvendimi të ngrohtë, ku nxënësit bënin
pyetje dhe ne përgjigjeshim, natyrisht duke iu përshtatur moshës së tyre.
Megjithatë duhet nënvizuar interesi i tyre i shtuar, por edhe niveli i
kënaqshëm i pyetjeve, që nuk kishin fund.
Po
rendis disa nga pyetjet që na drejtuan, natyrisht duke i dhënë përgjigje, herë
të gjata dhe herë të shkurtra, për të shuar kureshtjen, por më shumë për të
dëgjuar, se, si lind dhe shtrohet udha e krijimtarisë, e shkrimtarisë dhe
poezisë, e cila nuk është as e thjeshtë, as e lehtë, sepse kërkon dije, durim,
talent dhe vullnet të fortë.
-
Ju vini nga Durrësi, por duam të dimë pak më shumë: kur dhe ku keni lindur? Më
tej edhe dega e studimit në shkollën e lartë, Universitet.....? - pyet
Arjonela Krasniqi
Përgjigje: - Kam lindur në rrethine Devollit të Qarkut të Korçës,
ndërkohë që në Durrës erdha në moshë fare të vogël, duke mbaruar arsimin
7-vjeçar dhe më pas gjimnazin. Më tej Universitetin e Tiranës në degën Histori-gjeografi,
që hapi udhën e mësuesisë, duke shërbyer në disa rrethe të vendit dhe në shkolla
të ndryshme, 8-vjeçare dhe të mesme.
. Kur filluat të shkruani
dhe pse? – Amarda Çaka.
Përgjigje: – Nisa të shkruaj vonë. Bëhet fjalë për letërsi. Ndërsa
pyetja “Pse?”, është e tepërt për të gjithë krijuesit, pasi letërsia dhe poezia
nuk bëhen me urdhër, ato lindin si nevojë e brendshme e gjithsecilit për të thënë
diçka me shoqëri, duke shprehur mendimet, ndjenjat, g[zimet dhe shqetësimet. Poeti
i ndritur Dritero Agolli, thotë diku: - A mund të ndalet teshtitja..? - Dhe
vazhdon: - Ashtu nuk ndalet dot poezia dhe krijimtaria. Nuk ka më bukur, kur kohën e mbush duke
krijuar.
. Cila është vepra juaj
më e dashur? – Rivja Cika.
Përgjigje: Nuk mund t’i ndaj dot, pasi secila ka vlerën e
vet. Por më duket sikur më tërheq më shumë libri “Misionarë në udhën e dijes”,
pasi është shkruar për mësuesit e Durrësit, të vlerësuar si “Mësues i Popullit”
dhe “Mësues i merituar”. Edhe mësuesit
tuaj e dinë po kaq mirë, se “Mësuesia” nuk është vetëm profesion, por më shumë
“Mision” ndaj brezit të ri, mëmëdheut dhe kombit. E gjitha ka të bëjë jo vetëm
mësim, por më shumë edukim dhe vetë-edukim. Dhe, edukimi nuk përfundon në një
orë mësimi, as në një ditë, as edhe në një vit, sepse është proces që zgjat,
shpesh edhe gjithë jetën. Mësuesi udhëheq, kontrollon, drejton, këshillon dhe
më shumë frymëzon.
. Nga merrni frymëzim për
shkrimet tuaja? – Egla Mici
Përgjigje: - Nuk ka përgjigje
të prerë, por ngacmimet vijnë nga problemet dhe ngjarjet e ditës, apo të kohës
që jetojmë, shpesh edhe nga një gëzim, shaka apo mërzitje çasti, ndodh që edhe
nga një libër i bukur që më tërheq. Lexoni tregimet në librin “Filxhani me buzë
të kafshuar” dhe do të bindeni.
. Cilat tema i trajtoni
më shpesh në veprat tuaja? – Jugera Disha.
Përgjigje: - Nuk ka asnjë përjashtim. Bota e letrave është pa kufi,
sepse mund të përfshihen krijime letrare, poezi, intervista, monografi, studime
dhe analizë librash historik, shkencor..., etj, etj. Më tërheqin librat,
veçanërisht ku ka tema historike. Shumë shkrime u përkasin atyre veprave dhe
autorëve të nderuar.
. A përdorni përvojat
tuaja personale në shkrime? – Endri Muhadri
Përgjigje: - Pa tjetër. Madje mund të shtoj se stili dhe cilësia e
shkrimeve përsoset me kalimin e kohës. Përvoja të ndihmon, shpesh edhe të
drejton.
.
Sa kohë
ju merr të shkruani një poezi ose një tregim? – Leonard Sinanaj.
Përgjigje: - Koha është e pamundur të përcaktohet. Një poezi mund të
shkruhet për disa minuta, kur vjen frymëzimi, ndërsa tregimi harxhon më shumë
kohë, sepse ndodh që shpesh duhet t’i kthehesh, për ta ndrequr fjalinë, frazën,
shprehjen dhe mendimin.
. Si e zgjidhni titullin
e një vepre? – Asja Ciku.
Përgjigje: - Me sa di unë, ka dy mënyra: Disa mbarojnë shkrimin dhe
vrasin mendjen të gjejnë titulli. Unë gjej titullin dhe pastaj shkruaj. Titulli në vetvete shpreh thelbin e librit, tregimit apo
romanit dhe novelës. Prandaj shkrimtari e vret mendjen, që kreu të jetë jo
vetëm i bukur e goditës, por edhe përcjellës i kumtit letrar. Kështu i hapet
udha edhe frymëzimit.
. Si e perceptoni
ndikimin e veprave tuaja tek shoqëria? – Enri Caka.
Përgjigje: - Askush nuk mund ta përcaktojë sa ndikim ka te këndonjësi.
Gjithsesi, kur lexuesi e krijuesit merren me librin tënd, duke shkruar apo
komentuar, madje duke porositur të tjerët, ky është një lloj testimi, se libri
yt paska vlerë. Madje vlerat e vërteta janë kur librit tënd i kthehen pas
kalimit të viteve.
. Cili ishte shkrimtari
që ju frymëzoi më shumë gjatë rinisë? – Tarja Laka.
Përgjigje: - Në rininë tonë lexohej shumë. Çdo njeri nga ne duhet të
bënte mik apo mikeshë librashitësen, që librat e Kadaresë, Agollit, Fatos
Arrapit, Kongolit, Xhevahir Spahiut,...... etj, etj, t’i ruante poshtë banakut
se ndryshe nuk i gjeje dot. Sot ka ndryshuar koha. Teknologjia sikur po e zbeh
leximin. Kam përshtypjen se ky është një dyluftim që do zgjasë shumë. Por libri
nuk do të shuhet kurrë. Megjithatë emrat që kanë vulën e kohës, si Samiu Naimi,
Fishta, Mjeda, Kadare, Agolli, Vilhelme Vrana Haxhiraj, janë ikona e letërsisë
shqipe, që frymëzojnë shpirtin dhe mendjen.
.
A keni
ndonjë veprim rutinë të veçantë, kur shkruani? – Alvi Abazi.
Përgjigje: Zakonisht unë ulem dhe shkruaj, pas orës 21.00, ose 22.00,
kur bisedat dhe programet televizive nuk më tërheqin. Krijimtaria kërkon
qetësi. E vetmja gjë që mund të shoqërojë është muzika me zë të ulët.
. Si reagojnë lexuesit
ndaj veprave tuaja? – Endri Muhadri
Përgjigje:
- Pyetje e bukur....! Po përgjigjem thjesht: Në librat që kam sjellë për Bibliotekën
e shkollës suaj, kam marrë edhe librin “Në botën letrare të Kadri Tarellit”,
shkruar nga shkrimtarja dhe studiuesja e njohur vlonjate Vilhelme Vrana
Haxhiraj. Besoj nuk është pak...... Një libër që i bën jehonë krijimtarisë
sime.
. A keni marrë pjesë në
ndonjë konkurs ose festival letrar? – Sindi Kulli.
Përgjigje: Po jam i pranishëm në konkurse letrare si në Durrës, Tiranë,
Bajram Curi (Tropojë), Përmet, Kukës, Lezhë, Burrel (Mat), më tej në Dardani:
Prizren, Istog, Pejë, Gjakovë, Drenas, Guri Plakës, Therandë, etj, etj. Po
kështu edhe në Itali. Disa herë jam vlerësuar me çmime.
.
Cilat janë planet tuaja për shkrimet e ardhshme? – Armin Mesi.
Përgjigje: - Janë në dorëshkrim edhe pesë libra gati të përfunduar.
Mbetet të gjej financim për t’i botuar. Shpresoj......!
. Çfarë mesazhi dëshironi
të përcillni te lexuesit? – Bjorni Tarja.
Përgjigje: - Besoj është pyetja më e vështirë....! Mesazhi, apo më
mirë në shqip “kumti”, të mos jetë thjesht një këshillë sa për të kaluar
radhën. Mirë është të dëgjohet veçanërisht nga ju të rinjtë: - Mos ju ndani
librit. Lexoni dhe mësoni sa më shumë. Ky është investimi më i bukur që i bëni
jetës suaj. Dijet hijeshojnë dhe fisnikërojnë jetën dhe shpirtin, për të
dashur e nderuar familjen, shoqërinë, mëmëdheun dhe kombin”.
Në
këtë linjë vlerësimi ishte edhe kolegu Ali Balliu, i cili falënderoi
drejtoreshën Jetmira Basha, kolektivin mësimor dhe nxënësit, sa të bukur, aq të
hijshëm e të dashur, të cilët na dëgjuan me vëmendje deri në fund, na dhuruan
buzëqeshje e kënaqësi, pavarësisht se koha kishte vrapuar pa pyetur askënd nga
ne.
Dashje
pa dashje kuvendi mori formën e një lloj interviste të shkurtër mbi
krijimtarinë tonë. Dikujt mund t’i shërbejë si model pune dhe frymëzimi. Do na
pëlqente të ndodhë kështu......!
Urime
dhe suksese në udhën e dijes dhe të edukimit....!
Jeta
e shkollës zbukurohet dhe merr pamje e përmbajtje të re.....!
Sa
më shumë takime dhe kuvende të tilla letrare!
Mirënjohje!
Kadri
Tarelli
30,
vjeshta e dytë, 2025.
Shënim:
1.
Unë dhurova disa libra: “Kur lexoj një libër”, “Vjeshta në vargje”, “Hytbi Tarelli.
Mjeshtër i penelit dhe daltës”, (Monografi), “Filxhani me buzë të kafshuar”. (Tregime),
dhe “Në botë letrare të Kadri Tarellit”, shkruar e botuar nga Vilhelme Vrana
Haxhiraj.
2.
Ali Balliu dhuroi librat: “Rrugët me kalldrëm të jetës time” dhe “Ditari i kujtimeve”.
3.
Fotografitë u bënë nga mësuesja Elda Guza. Meriton falënderim.....!












