Faleminderit
Hysen Ibrahimi: Prof. Prenk (Jak) Gjetaj – Intelektual i përmasave kombëtare
E hene, 03.11.2025, 06:56 PM
Prof. Prenk (Jak) Gjetaj – Intelektual i përmasave kombëtare dhe veprimtar i shquar në fushën arsimore, politike e shoqërore në Dardani
Nga
Hysen Ibrahimi
Homazhe pranë varrit të
Prof. Prenk Gjetajt
Në nderim të
veprës dhe kontributit të Prof. Prenk (Jak) Gjetajt, një figurë e shquar e
arsimit, politikës dhe jetës shoqërore në Kosovë, Mr. Fadil Geci, Prof. Osman
Ahmetgjekaj dhe z. Hysen Ibrahimi, në shoqërim të vëllezërve Pjetër dhe Anton
Kola[1], zhvilluan homazhe pranë varrit të
tij. Me këtë rast, ata vendosën buqeta me lule të freskëta në kujtim të
ish-kryetarit të Komunës së Klinës dhe ish-kryetarit të Komisionit Qeveritar
për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Republikës së Kosovës — institucion
përgjegjës për evidentimin e personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 në
Kosovë. Ceremonia u mbajt me rastin e “Ditës së të Gjithë të Shenjtërve”.
Prof. Prenk Gjetaj
ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, në një periudhë kur ai vazhdonte të ishte i
domosdoshëm për jetën publike e institucionale të Kosovës, për komunën e
Klinës, për fshatin e tij të lindjes, Budisalc, si dhe për mbarë shoqërinë
kosovare.
Formimi arsimor dhe veprimtaria e hershme
I lindur në një
familje me tradita të theksuara atdhetare, Prof. Prenk Gjetaj u edukua në
frymën e dashurisë për kombin dhe për vlerat e historisë shqiptare. Ai
përfundoi studimet e larta në fushën e historisë, me qëllim të njohjes më të
thellë të historiografisë shqiptare. Që në moshë të re, Gjetaj ndërgjegjësohet
për padrejtësitë e regjimit komunist jugosllav ndaj shqiptarëve dhe për
politikën e tij shtypëse e diskriminuese.
Pas themelimit të
Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989, ai, së bashku me
bashkëveprimtarë si Ismet Rraci, Anton Kolaj e të tjerë, muarën iniciativën për
themelimin e degës së LDK-së në komunën e Klinës (23 janar 1990), nën
mbështetjen e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Prof. Gjetaj dha një kontribut të
jashtëzakonshëm në këtë proces dhe gëzonte respekt të veçantë brenda Kryesisë
Qendrore të LDK-së, veçanërisht nga Presidenti Rugova.

Kontributi në arsim dhe kulturë kombëtare
Si pedagog dhe
arsimtar i dalluar, Prof. Prenk Gjetaj kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e
arsimit shqip në Kosovë, duke i qëndruar besnik misionit të tij për edukimin e
brezave të rinj. Ai shërbeu për shumë vite si profesor historie në gjimnazin
“Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe ishte ndër të parët që dhanë mësim në lëndën e
historisë në “Gjimnazin Luigj Gurakuqi” në Klinë, periudha kur arsimi kombëtar
ishte nën presionin e pushtetit serbo-sllav.
Në rrethana të
vështira politike, kur institucionet arsimore shqiptare detyroheshin të
pranonin planprogramet serbe, Prof. Gjetaj qëndroi i palëkundur në mbrojtje të
arsimit shqip. Vendosmëria e tij për të ruajtur identitetin arsimor dhe
kulturor të shqiptarëve në Kosovë përbën një nga shtyllat e rëndësishme të
kontributit të tij kombëtar.
Veprimtaria politike dhe institucionale
Përveç angazhimit
në arsim, Prof. Gjetaj ushtroi funksione të rëndësishme politike e shtetërore.
Si kryetar i Komunës së Klinës dhe më vonë si kryetar i Komisionit Qeveritar
për Personat e Pagjetur, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në procesin e
dokumentimit të krimeve të luftës dhe në evidentimin e personave të zhdukur
gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Nën drejtimin e
tij, Komisioni luajti një rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të kujtesës
kombëtare, në përkujtimin e viktimave dhe në ngritjen e memorialeve për nder të
tyre. Ai ishte ndër zërat më të fuqishëm që kërkonte drejtësi për viktimat e
luftës dhe insistonte në transparencën e institucioneve shtetërore në trajtimin
e kësaj çështjeje humane dhe kombëtare.
Bashkëpunimi me mërgatën shqiptare dhe dimensioni kombëtar i veprimtarisë
së tij
Prof. Prenk Gjetaj
gëzonte respekt të gjerë edhe në radhët e mërgatës shqiptare në Suedi,
Gjermani, Zvicër, SHBA dhe në vende të tjera të Evropës. Ai kishte krijuar ura
të qëndrueshme bashkëpunimi me diasporën, duke ndërtuar një rrjet të gjerë
solidariteti dhe mbështetjeje për çështjen kombëtare. Sinqeriteti dhe
përkushtimi i tij e shndërruan në një figurë me autoritet moral e
institucional, e cila gërshetoi dimensionin intelektual me atë human e politik.
Kontributi i Prof. Prenk Jak Gjetajt në zbardhjen e së vërtetës historike ka pasur një rol thelbësor në evidentimin e personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Ai është shquar si një nga zërat më të qëndrueshëm në kërkimin e drejtësisë për viktimat e luftës, duke theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e transparencës institucionale dhe të dokumentimit të saktë të fakteve historike.
Përveç kësaj, Prof. Gjetaj ka qenë një ndër
iniciatorët kryesorë të përkujtimit të viktimave shqiptare të vrara nga
pushtuesi serbo-sllav. Nën drejtimin e tij janë zhvilluar një sërë aktivitetesh
për nderimin e viktimave të luftës, përfshirë ceremonitë përkujtimore dhe ngritjen
e memorialeve që ruajnë kujtesën e tyre kolektive. Falë përkushtimit të tij,
çështja e personave të zhdukur është mbajtur në qendër të agjendës
institucionale dhe kombëtare, duke u trajtuar si një detyrim moral dhe
shtetëror.
Prof. Prenk Jak Gjetaj është vlerësuar lart
nga bashkëkohësit, si brenda vendit ashtu edhe në mërgatë, për integritetin
moral dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj çështjes kombëtare. Ai është
perceptuar si një atdhetar i devotshëm dhe njeri me ndershmëri të lartë, i cili
ka vepruar në funksion të interesit publik dhe drejtësisë historike, pa u
udhëhequr nga përfitime personale apo politike.
Në veprimtarinë e tij intelektuale e
institucionale, Prof. Gjetaj ka dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e
kujtesës kolektive të shqiptarëve. Ai ka marrë pjesë në konferenca shkencore,
botime dhe nisma kulturore që synojnë të forcojnë identitetin kombëtar dhe të
dokumentojnë periudhat e errëta të historisë sonë.
Të gjithë, në mënyrë unanime
— Mr. Fadil Geci, Prof. Osman Ahmetgjekaj, z. Hysen Ibrahimi, si dhe Pjetër dhe
Anton Kola — ishim të një mendimi se prof. Prenk (Jak) Gjetaj ka qenë dhe
mbetet një intelektual i përmasave kombëtare, si dhe një veprimtar i shquar në
fushën arsimore, politike dhe shoqërore në Dardani.
Kujtimi i Prof. Prenk Jak
Gjetajt do të mbetet i paharruar, si shembull i përkushtimit ndaj së vërtetës,
drejtësisë dhe atdheut.
Hysen Ibrahimi
Komuna Klinë, Budisalc, 31.09.2025









