Mendime
Florim Zeqa: Për ta kthyer jetën, duhet të rikthehet dashuria mes njerëzve!
E premte, 24.10.2025, 06:56 PM
Për ta kthyer jetën, duhet kthyer dashurinë mes njerëzve!
Shkruan: Florim
Zeqa
Pa dashuri nuk ka jetë, pa dashuri nuk ka shpresë, pa
dashuri nuk ka gjallëri dhe riprodhim, pa dashuri nuk ka respekt dhe
mirësjellje ndërmjet njerëzve. Dashuria është nje
motiv i jetës dhe i shpresës. Dashuria është ndjenjë e fuqishme shpirtërore për
familjen, për rrethin shoqëror, për komb dhe atdhe.
Dashuri e tretur mes njerëzve në Kosovë
Të gjithë jemi dëshmitarë të humbjes së dashurisë mes
njerëzve në vendin tonë, të humbjes së respektit dhe moralit njerëzor!
Për ta kthyer dashurinë e tretur duhet larguar djallin
(dreqin) apo urretjen mes njerëzve, e cila e ka arritur kulminacionin në
shoqërinë tonë!
Djalli i moçem tek shqiptarët, edhe pse i vjetër sa vetë
lashtësia e kombit tonë, asnjëherë nuk ka qenë me aktiv sesa në ditët e sotme!
Shkaku i plakjes, djalli nuk po mundet me shkuar largë,
ka mbetur mes vëllezërve të një gjaku, në të shumtën e rasteve mes vëllezërve
të të njejtëve prind biologjik!
Ky nuk është fenomen i ri ndër shqiptarë.
Për ta kuptuar më mirë dhe më qartë punën e djallit, po
ua tregoj një ngjarje të vërtetë të fillimviteve të '90-ta.
Ishte koha kur të Pamet për raste të vdekjeve të familjarëve
mbaheshin me nga 3-4 ditë e deri një javë, e në disa raste edhe me nga dy javë,
varësisht prej rajonit apo rrethanave familjare.
Ne nga fshati ynë shkuam në mënyrë të organizuar për
ngushëllime në një fshat të Lugut të Baranit (komuna e Pejës).
Ishte e Pame e madhe, ishte një hoxhë në mesin e
pritësve, i cili sipas zakonit ju drejtua kryeplakut të fshatit tonë që ta
merrë fjalen, por ai nuk deshi të flas! Mirepo hoxha insistonte dhe nuk e linte
rehat, duke e nxitur që të flas.
Me mençuri e shtini folë prijësin tonë, duke ju drejtuar
me këto fjalë, po citoj: "Mixhok a e din kur ka me u ba mirë në Kosovë?"
Kryeplaku ynë, ia kthejë: "Jo nuk e di hoxhë"!
Pastaj hoxha i tha, po citoj: "Atëherë kur të
zgjohesh në mengjes, e sheh vellaun tënd në oborr, i thue mirëmëngjesi, por të
duket pak kjo përshendetje dhe shkon dhe e përqafon"!
Në atë moment kryeplaku ynë bërtiti me zë të lartë:
"Haj medet për neve çka na paska gjetë, po s'paska me u ba mirë kurrë, se
edhe 100 vjet mos u largoftë Serbia prej këtuhit unë vellaun tim nuk e
përqafoj"!
Në atë moment u krijua një situatë e paparashikueshme
gazmore në të Pame!
Urrejtje dhe xhelozi e pashpjegueshme
mes shqiptarëve në trojet etnike
Vërtetë asokohe nuk kam mundur ta imagjinoj se do të vie
dita që vëllezerit dhe kusherinjët do të armiqësohen kaq shumë me njëri-tjetrin
në Kosovë!
Sa herë që dëgjoj për ngatërresa dhe mosmarrëveshje mes
vëllëzërve, më kujtohet ajo ngjarje ironizuese e viteve të '90-ta!
Në atë kohë ishte një unitet biblik mes shqiptarëve, i
vëllezërve në veçanti!
Asokohe ishim më unik dhe më të bashkuar më
njëri-tjetrin, më solidar me rrethin shoqërorë, kurse sot kanë ndryshuar gjërat!
Më të lidhur janë njerëzit nga largësia përmes rrjeteve
sociale sesa vëllezërit dhe fqinjët në të njëjtën lagje apo fshat!
Kanë mbetur pak dhe të perçarë në baza partiake dhe
fetare!
Janë shumë faktor socio-ekonomik që kanë ndikuar në
humbjen e dashurisë dhe respketit të ndërsjellë midis njerëzve!
Por, përtej këtyre ka ndikuar edhe zhvillimi i hovshëm
teknologjik, e mbi të gjitha këto, është një urrejtje dhe xhelozi e
pashpjegueshme e kthyer në armiqësi vëllezërore mes shqiptarëve në të gjitha
trojet etnike!
Sot janë të rralla familjet që kanë harmoni mes tyre!
Dikur ishin '99 fije' që i bashkonin shqiptarët, sot
është e kundërta!
Aq të pakëta dhe të rralla janë vizitat dhe kontaktet mes
fqinjëve dhe vëllezërve, saqë duhet të bie një 'mort' për t'u ç'mallur me
njeri-tjetrin!
Kjo të kujton e shkuar, kur gratë (gjinia femrore) e
kishin të ndaluar daljen jashtë pullazit të shtëpisë, andaj me gëzim dhe
kurreshtje e prisnin kur ndodhte ndonjë rast vdekje jashtë rrethit të ngushtë
familjarë për t'u takuar shoqet mes vete!
Nga ajo kohë ka mbetur ajo thënja famoze e grave
"shyqyr që ra kjo dekë e u pamë".
Tani, burrat e mjerë, të mbyllur në levozhgën e tyre
sikur ta kishin vrarë djallin, e mirëpresin një lajm mortor per t'u takuar mes
vete në funeralin e mikut të mikut apo dikujt tjetër!
Kaq dashuri dhe respekt ka mbetur mes njerëzve në Kosovë!
Morali është kthyer më maskarallëk njerëzor!









