E hene, 15.09.2025, 10:07 PM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: Si një film bardh e zi në shekullin plot ngjyra

E hene, 15.09.2025, 06:54 PM


SI NJË FILM BARDH E ZI NË SHEKULLIN PLOT NGJYRA

Nga Llesh Ndoj

Jo se kisha ndonjë dyshim, as edhe ndonjë shpresë të madhe, por me vete thosha se në sezonin e ri parlamentar dhe në mandatin e ri qeverisës, të katërtin në radhë për Edi Ramën, të paktën sa për “syun e keq” diçka do të mund të ndryshonte për mirë që në nisje të sezonit. Por jo! Politika shqiptare nuk zhgënjen kurrë, sidomos kur bëhet fjalë për ato ndryshime që mund të sjellin ndonjë përmirësim të dukshëm për njerëzit dhe përparim real të vendit në fushën e integrimit evropian, jashtë atij përparimit propogandistik apo edhe formal në këtë fushë. Nuk kisha pritje në këtë drejtim edhe sepse në skenë janë të njejtët aktorë politik tash mbi tridhjetë vite, edhe se sundon e njëjta mendësi, ndoshta kjo më shumë se shekullore në qeverisjen e shqiptarëve. Nuk kisha ndonjë pritshmëri të madhe edhe se, si e thotë populli, dita e mirë duket që me mëngjes. E “mëngjesi” i një sezoni parlamentar dhe i një mandati qeverisës janë zgjedhjet, të cilat nuk është se sollën ndonjë risi, as parë nga ana sasiore, as vështruara nga ana cilësore, as për nga qëndrimi që aktorët politik në vend mbajtën ndaj tyre. Shoqëria jonë, në aspektin e zhvillimeve që diktojnë trendin dhe agjendat, fatkeqësisht vazhdon prap me parimin “partia mbi të gjitha!”

Rama mblodhi si soziet e veta një ditë para konstituimit të kuvendit dhe i “befasoi” ata me programin madhështor, me fjalimin pak programatik e shumë propogandistik që mbajti, duke e prezantuar veten jo vetëm si liderin absolut, por edhe si njeriun që i di të gjitha: njeh arsimin aq sa edhe bujqësinë, njeh industrinë aq sa e njeh edhe diplomacinë, njeh teknologjinë po aq sa njeh turizmin, njeh mjedisin po aq sa ekonominë, politikën sigurisht po e po, por i njeh pak, ose nuk don t’i njoh fare realitetet mbi të cilat po qeveris vendin në vitin e trembëdhjetë radhazi, ku krahasimi ishte - është me vitin 2013 vlen vetëm për historinë, ndërsa krahasimi si është në raport me atë që duhet të ishte, ze pak vend në repertorin e politikës qeverisëse të tij. Edhe “pasaporta evropiane” tashmë është bërë “bajate” pasi shqiptarët, ata që duhet të jenë forca aktive e ndryshimit të vendit, tashmë janë evropianë, ndërsa aziatikët vijnë në Shqipëri edhe pa qenë ne me atë pasaportë, bile shumë herë më lehtë se po të ishim anëtarë të Bashkimit Europian. Si soziet e kryeministrit, të mahnitura nga vizioni i pagabueshëm i liderit, veç sa e duartrokatën atë, sepse kaq dinë të bëjnë, sepse për këtë janë përzgjedhur shumica e tyre në postet që mbajnë, ndërkohë që populli, i mësuar të ushqehet edhe me bar veç udhëheqja të jetë mirë, po ashtu e duartroket çdo gjë, qoftë edhe të zezën e vet, ndërsa bota bën sikur nuk sheh e nuk dëgjon, e fokusuar në hallet e veta e nevojën për një stabilitet fallco!

Opozita nga ana tjetër, edhe ajo mbetet e njejta! Mblidhet si me komandë, dëgjon liderin e pagabueshëm dhe vendos pro gjithshkaje që i vjen asaj përshtat, si fjala vjen pjesmarrja në kuvend, aty ku i duhen pagat dhe financimet nga taksat tona, por nuk e njeh kuvendin! Më hapur nuk ka: njohim grabitjen e popullit nga pozita e opozita, por nuk e njohim popullin në verdiktin që ai ka dhënë në zgjedhjet e 11 Majit 2025. Edhe këta njohin vetëm Saliun. Varjanti “edhe bar hamë” është zëvendësuar për këtë kategori me “edhe gjithmonë rrimë në opozitë vç Salu të na rrojë!”

I njejti film përsërit veten zgjedhje pas zgjedhje, dekadë pas dekade. “Ne dhe armiqtë tanë” është titulli i filmit bardh e zi që shqiptarët e kanë parë live dhe si propogandë, të paktën që nga pushtimi otoman i këtij vendi e deri në ditët tona, dhe ky film, përjashtuar ngjyrave të injektuara pa shije e stil, ishte po i njëjti edhe tani. Asgjë e re, përveç asaj shpallje rrufe të Ramës, pa asnjë parapërgatitje institucionale, apo qoftë edhe brendapartiake, për një vullnet që e adreson mazhorancën drejt një kuvendi me maksimumi 101 përfaqësues, i vetmi vizion që duhet përshëndetur seriozisht, ndonëse dyshoj fort se edhe ky vjen thjesht dhe vetëm në kuadrin e propogandës, stil i njohur e i trashëguar në të gjitha qeverisjet, pasi ata, të dyja polet e politikës, e dinë mirë pozicionin refraktar të shoqi – shoqit, sa herë që bëhet fjalë për reforma që mund t’ia lehtësojnë barrën sadopak të qeverisurve prej tyre. Që është propogandistike, pa pritur ta vërtetoje koha e vërtetoi vetë kryetari i PS-s që me shpalljen e qeverisë Rama - 4. Asnjë masë për shkurtimin e barrës qeverisëse nuk u shpallë prej tij, edhe pse “Diella” zbriti si rrufe në ditë të kthjellët dhe u bë anëtare e qeverisë, duke mahnitur edhe botën me gjetjen e tij “suis generis”.

Edhe në parlament asnjë zhgënjim. E njejta situatë, e vetmja që i detyron të mblidhen në skenë “armiqtë” e betuar kundër njëri - tjetrit, për t’na dhuruar të njejtën shfaqje që na e kanë dhënë që prej 35 vitesh, një shfaqje me ndeshje gladiatorësh gjasëm me na mbush mendjen neve se ata janë besnikë të elektoratit e nuk e falin kundërshtarin, ndërkohë që në prapaskenë janë bashkëpunues të hapur e të fshehur në favor të ruajtjes së status quosë e privilegjeve që u jep pushteti, qoftë në qeveri qoftë edhe në opozitë. Shfaqja e shëmtuar e opozitës me bllokim foltorje e tregim muskujsh, në mungesë të kokës, vazhdon ashtu siç vazhdon edhe heshtja shurdhuese e pozitës me dirigjim qendror, që nuk ofron asnjë perpektivë që ky kuvend të sjellë gjë të re për shoqërinë tonë e cila sa bën një hap përpara, bën dy hapa prapa.

Të njëjtat fytyra janë, edhe në se kanë ndryshuar emrat, të njëjtat sjellje mbeten, edhe në se kanë ndryshuar fytyrat! Se është i njëjti film, veçse janë futur pak ngjyra që mbeten artificiale në shiritin e vjetër e të konsumuar dukshëm, jo vetëm si ofertë e sotshme por për fatin e keq edhe si (pa)perspektivë e nesërme, e dëshmon gjithshka, edhe vetë fytyrat pa dritë të deputetëve të emëruar nga kryetarët respektiv të pozitës dhe të opozitës. Bile ata as që kanë nevojë për ngjyra! Shumë prej tyre, edhe pse janë të aftë, mbeten njerëz të djallëzuar e të indoktrinuar dhe asgjë të re s’do të sjellin dot edhe në këtë sesion në përmbajte, përveç ndonjë skenografie ndryshe që do të tentoje t’na krijoje ne si zgjedhës imazhe fallso, kurse pjesa tjetër si ajo e “60 mijë mandateve”, janë për të vënë duart në krye. As nivelin e zgjedhësit mesatarë nuk e përfaqësojnë shumë prej atyre që u ulën në ulëset e kuvendit e shumë shpejt, gjithnjë në se ua lëshojnë foltoren ndonjëherë gjelat e vjetër, do t’u dalë boja në sytë e atyre që s’i njohin që më përpara.

Po qeveria? I njëjti film, i njëjti spektakël edhe këtu: shumë ministra që as vetë nuk e besojnë se u lexua emri i tyre për atë post dhe që as e kanë idenë se ç’punë e sfida ka sektori të cilin i ka ngarkuar Rama për të ngroh kolltukun, se ministër është ai dhe vetëm ai në të gjitha ministritë me e pa portofol, ndërsa ata janë sozitë e tij, por pa frymën dhe intiligjencën që ai e zotëron, të tjerët janë burra e gra ndoshta edhe të zotët, por aty janë si specialistë thjesht për të orientuar fluksin e parasë aty ku u duhet atyre dhe jo aty ku duhet për vendin. E vetmja e re është Diella, kjo gjetje propogandistke për t’mos iu bë “mësyshë” qeveritarëve. E mbani mend besoj kohën kur nga nënat tona në kopshte vihej ndonjë sukull i pavlerë mbi një shkop të shtrembër, sa për me i tremb sorrat! Kështu është edhe kjo Diella qeveritare, veçse kjo është e pashme, një bukuri që nuk vret, por që tret… Tret vëmendjen nga hallet reale dhe përgjegjësinë nga njerëzit real!

Po fundi cili do të jetë? - më pyet drejpërdrejt e seriozisht një mik intelektual, socialist i thekur e kuadër i njohur gjithë jetën.

Fundi është si përpara fillimit, si fillimi, si vazhdimi, si… Në fund të tunelit do të jenë po këta, me të njëjtën mendësi, por politikanët shumë më të pasuruar e më dominant se sa sot, edhe ne do të jemi po të njëjtët, veç edhe më të varfër se sot, të plakur po e po, por gjithnjë të lumtur për udhëheqjen që “iu shkurtoftë drita e pushtetit!”

Dmth prapë “do të hamë edhe bar”, veç udhëheqja të na rrojë! - konkludoi bashkëbiseduesi im rastësorë.

Lezhë, më 12 shtator 2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjon Keka: ShBA dëshiron të na ndihmojë të bëhemi shtet i lirë, demokratik dhe europian Florim Zeqa: Kurti dhe Osmani, shembulli i papërgjegjshmërisë shtetërore! Llesh Ndoj: A mund t’i vijnë veshët qeverisë me Diellën? Ben Blushi: Pse qenka i ndershëm Albin Kurti? Idriz Zeqiraj: Ecejaket e Hashimit në SHBA, përçanë Lobin Shqiptar dhe lobonte ndarjen e Kosovës! Arbana Xharra: Kosova ka në krye një komunist, anti-amerikan shumë të rrezikshëm! Milazim Zeqiraj: Kosova ka institucionet e veta demokratike, prandaj protestat popullore në rrugë janë të paarsyeshme dhe paraqesin rrezik për shtetin Florim Zeqa: Kosova shtet i çudirave! Florim Zeqa: Paradoksale, deputetët pasivë angazhojnë asistentë personalë! Idriz Zeqiraj: Imazhin e UÇK -së e ka përmjerrë PAN-i me OVL-ë e tij provinciale! Florim Zeqa: Me ADN-në për shtetin e Kosovës! Hysen Ibrahimi: Ibrahim Rugova - Integrimi i Kosovës në NATO, prioritet qendror në partneritet me SHBA-në dhe Perëndimin Refik Hasani: Grafitet me emrin e Ratko Mlladiqit në Bujanoc – gjuhë urrejtjeje, provokim dhe kërcënim ndaj shqiptarëve Ndue Dedaj: Kompleki i asaj çka (s')ke qenë dje Llesh Ndoj: Është koha të flasim, ose të heshtim dhe të pranojmë sundimin e absurdit përgjithmonë Nexhmedin Saqipi: Gjuha e urrejtjes, minë e fshehur në themelet e shoqërive Klajd Kapinova: Partia marksiste amerikane ia ka shitur veten të çmendurve të së majtës ekstreme dhe mega-donatorëve Florim Zeqa: Zgjedhje për ndryshime rrënjësore! Kalosh Çeliku: Armiku i dukshëm Aurel Dasareti: Shqiptarët gjenden në cepin më të errët

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx