Mendime
Idriz Zeqiraj: Ecejaket e Hashimit në SHBA, përçanë Lobin Shqiptar dhe lobonte ndarjen e Kosovës!
E shtune, 13.09.2025, 03:36 PM
ECEJAKET E HASHIMIT NË SHBA, PËRÇANË LOBIN SHQIPTAR DHE LOBONTE NDARJEN E KOSOVËS!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Është rast unik që një Gebels i
Ballkanit, në zemër të Kontinentit të vjetër, Evropës, vazhdon të mbijetojë në
politikë, madje President i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka favorizuar
gjeopolitika e këtij çerek-shekulli. Evropa, në përgjithësi, Amerika, në
veçanti, jetësisht të interesuara për ta shkëputur Serbinë nga lidhjet e
shumëfishta me Rusinë, kanë toleruar dhe vazhdojnë ta mbështesin Serbinë edhe
në raport me Kosovën. Pikërisht për këtë po e pëson Kosova, padrejtësisht,
madje në shumë aspekte.
Serbia
e di mirëfilli këtë hall të Evropës dhe të SHBA-së. Andaj, mashtron se ruan
miqësinë me të dy blloqet, se gjoja është në mes tyre, pa anësi të hapur.
Realisht, Serbia parësinë e ka në karrigen e Rusisë. Për këtë ka dhënë prova,
pa lënë hapësirë për hamendje. Presidenti Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës
modern i politikave të Kremlinit, duke sfiduar, madje vrazhdësisht, Evropën dhe
supërfuqinë e parë botërore, SHBA.
Presidentja
e Kosovës, Vjosë Osmani, në intervistën dhënë televizionit polak, TVP, e
etiketon Vuçiqin "mjeshtër të propagandës". Një gjetje adekuate për
këtë tellall të Rusisë agresore. Lobi serb në Amerikë, ka depërtuar thellë në
Administratën amerikane. Ndërkohë që Lobi shqiptar atje është dobësuar shumë.
Këtë alarm e japin bashkëshortët Joseph John DioGuardi dhe Shirley DioGuardi,
bashkë drejtues shumë të suksesshëm të Ligës Shqiptare në Amerikë.
Ecejaket
e Hashim Thaçit, në bashkëveprim me ambasadën tonë atje, në përpjekje për të
shpëtuar vetën me komandantët e tij, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në
Hagë, ai me lobuesit e zëshëm të dikurshëm bashkëkombës, për Kosovën, tani
trokisnin në zyrat e senatorëve dhe të kongresmenëve, miq të Kosovës, me
kërkesën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, në këmbim të ndarjes të Kosovës.
Kumbarë
të kësaj ideje satanike, u bënë kryeministri shqiptar, Edvin Rama dhe vetë
presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Këtë tradhti të parët e denoncuan veprimtarët
e Ligës Shqiptare, të cilët e akuzuan presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për
përçarje të Mërgatës tej Oqeanit dhe lobimin fatal për ndarjen e Kosovës! Janë
pazaret e pista që bëri Hashimi me Vuçiqin:
1)
Veriu i Kosovës t`i jepet Serbisë;
2)
Të zhbëhet Gjykata Speciale;
3)
Të falën krimet reciproke serbo-shqiptare;
4)
Të bëhet pajtimi serbo shqiptar!
Këtë
projekt të hartuar në Beograd dhe të aprovuar në Prishtinë, me porosinë e
presidentit Thaçi, e shpalosi dhe e përsëriti tri herë radhazi, brenda 6
muajve, për ta përgatitur opinionin, këshilltari trefishtë i Thaçit, Ramës dhe
Vuçiqit, agjenti Baton Haxhiu. Moderatori i T7, Pressing, Leonard Kërçuku, duke
shprehë habinë, ndërhyri: "Në veri është Liqeni i Ujmanit?!" Batoni
reagoi serbez:"Ani çka, ne e kemi Liqenin e Kukësit!!!"
Ishte
Amerika dhe shtetet e Quintit, me Prokurorin amerikan Xhack Smith, me akuzën e
bazuar, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale arrestuan Hashim Thaçin me shokë,
duke e stopuar ndarjen e Kosovës. Presidenti Trump akuzoi shefin e
Sigurisë të SHBA, John Bolton, për përgatitjen e ndarjes të Kosovës "prapa
shpinës time"! Por, Bolton u mbrojt se "ndarjen ma kërkuan Hashim
Thaçi, Edvin Rama, Aleksandar Vuçiq!" Megjithatë, Trump e shkarkoi atë nga
posti.
Vuçiq "mjeshtër propagande", "Zajednica"
agjendë e "botës serbe"
Vërtet, Aleksandar Vuçiq, tashmë,
njihet si një "mjeshtër propagande" në zemër të Ballkanit, sepse ka
një përvojë tej tri dekadave në këtë profesion, duke filluar në vitet`90-a, për
ta vazhduar edhe sot suksesshëm. Propagandën e filloi në luftën e shefit të
tij, Millosheviq, kundër Republikave jugosllave, të cilat kërkuan shkëputje nga
Federata jugosllave, për ta vazhduar jetën e ndarë në paqe. Por, Serbia u
shpalli luftë, me arsyetimin "e marrjes të territoreve kudo që ka
komunitet serbë", me synimin për ta krijuar "botën serbe", përkatësisht,
"Serbinë e madhe!"
Për
ta arritur qëllimin megalloman të "botës serbe", Vuçiq nuk e pushon
propagandën fashizoide, në funksion të kësaj ideje. Ende pa u shëruar plagët e
një lufte të përgjakshme, të shkaktuar nga Serbia, Vuçiq provokon popujt
ballkanikë në stilin e Rusisë për krijimin e "botës ruse", e cila
vazhdon përgjakjen e popullit të pafajshëm të Ukrainës dhe ta kërcënojë edhe
Evropën me luftë!
Perëndimi
edhe pse i vetëdijshëm për mjeshtërinë e tij propagandistike në Ballkan, vazhdon
ta tolerojë Vuçiqin, për hirë të një stabiliteti artificial! Për çudë e tmerr,
Perëndimi e dinë mirëfilli qëllimin e Serbisë, pse ngulmon krijimin e
Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili është "kancer i
Kosovës", megjithatë, i bashkohet Vuçiqit dhe Serbisë së tij, në këtë
kërkesë, sa të padrejtë, aq edhe kriminale.
Vërtet,
pushtetarë të shantazhuar me dosje krimesh, nënshkruan marrëveshjen e
Asociacionit. Por, duke parë katandisjen bllokuese të Bosnjes, me Asociacionin
e 14 komunave me shumicë serbe, të përfunduar me themelimin e "Republika
Srpska"; Krimenë e Ukrainës, me një lloj autonomie, prej nga mori shkas
Rusia, për ta pushtuar me tanke, është e mjaftueshme që Kosova të mos e pranojë
kurrë, pavarësisht padrejtësisë të sanksioneve, që, gjithsesi, është e dëmshme
për Kosovën, por, turpëruese për BE-në moderne të sotme! Shefi i BE-së,
Sorensen, sillet e mbështillet dhe i bie në gjunjë kriminelit Vuçiq, duke e
joshur e përkdhelur Serbinë, me bërjen e dhunshme të Asociacionit, krejt njësoj
si pararendësit e tij, Borell e Lajçak. E turpshme dhe kriminale! Kundërshtia e
Kosovës me -J0- e Asociacionit, duhet të jetë e madhe sa bjeshka!
"Strategjia e re nga mbrojtja, në
parandalim",-thotë Presidetja Vjosë.
Krijimi i Fondit për Ushtrinë, domosdo!
Aleksandar
Vuçiq, dikur në krye të propagandës fashizoide, përgjatë luftërave në
ish-Republikat jugosllave, si Kroaci, Bosnje, së fundi, në Kosovë, tani,
në cilësinë e presidentit të Serbisë, krizat e brendshme, planifikon t`i bartë
në shtetet fqinjë Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, gjithnjë, me synimin e krijimit të
"botës serbe", në modelin e "botës ruse". Rusia qëndron
prapa kësaj ideje, e cila Ballkanin Perëndimor të trazuar, donë ta përdorë për
shtrirje të konflikteve në Evropë. Aleanca Rusi, Kinë, Iran, tashmë, e njohur
si "trekëndshi i djallit", janë të gatshme ta shtrijnë përgjakjen tej
Ukrainës, pra, në Evropë.
Në
menaxhimin e krizës në Serbi, siç janë protestat të nismuara nga studentët, me pjesëmarrje
masive të popullit serb, kundërshtia e butë e Perëndimit, po e favozizon
autokratin kriminel, Vuçiq. Sepse shoqëria serbe është rrast e kontaminuar me
nacionalizëm primitiv, gjithnjë, me ëndrrën e "Serbisë së Madhe",
andaj, Perëndimi toleron Vuçiqin, duke u mashtruar vetëdijshëm, me hipokrizinë
klasike të tij, ngaqë nuk shohin partner të besueshëm e serioz për bashkëpunim.
Ndërkohë, në raport me Kosovën, Serbia vazhdon të miklohet, përkëdhelet dhe
duke e sanksionuar, krejt padrejtësisht, Kosovën, madje me akuza bajate,
"për mos gatishmëri koordinimi dhe bashkëpunim me BE-në!"
Lufta
hibride, përmes fushatës dezinformuese propagandistike, Serbia vazhdon pengimin
e njohjeve të Kosovës, anëtarësimin në BE. Madje, në një kohë kur Kosova është,
pothuajse, barrikadë e vetme, të paktën, denoncuese e lidhjeve Rusi, Kinë,
Iran, si "trinom i djallit". Kosova deri më tani "nuk ka lejuar
as zëro ndikim rus, kinez, iranian dhe nuk do të lejojë as në të
ardhmen",- deklaron sakt e bindshëm, Presidentja dinjitare, Vjosë Osmani.
Ky zotim i qytetares së parë të vendit, Vjosë, është mirëpritur dhe aprovuar
nga shumësia absolute e popullit të Kosovës dhe shqiptarët botërorë.
Edhe
pas tri dekadave Vuçiq nuk ka bërë asnjë lëvizje pozitive. I vetmi ndryshim i bërë
është se ai këtë propagandë e përdorë, tani, edhe kundër popullit të tij. Dhe,
për çudë, propaganda e tij ende vazhdon të jetë opium për një pjesë të
shoqërisë serbe, e cila organizoi edhe kundër-protesta në mbrojtje të nxënësit
të Millosheviqit, pra, të "mjeshtërit të propagandës", Vuçiq!
Përballë
politikës destruktive dhe nxitjes të tensioneve të Serbisë në rajon,
"Kosova duhet të ndërrojë strategjinë, duke bërë hapa para, kalimi nga
mbrojtja në parandalim të hershëm", siç rekomandon, porositë edhe
Presidentja e artë, Vjosë Osmani. Të gjitha strukturat shtetërore, pushtetare,
partiake, organizatat e tjera të shoqërisë kosovare, për ta bërë
"parandalimin të hershëm", të revanshit agresiv në rritje të
fashizmit serb, kundër Republikës të Kosovës, duhet të bashkohen, të
organizohen, mençurisht e vendosmërisht, për konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Realisht,
Kosova është dobësuar dhe dëmtuar me largimin nga vendi e gjysmës së popullsisë
të Kosovës. Kush e fshehë këtë të vërtetë, nuk i bënë nder vendit. Por, siç
thuhet: "Çdo e keqe, ka edhe një të mirë". E mira e kësaj të keqeje
qëndron në faktin e punësimit dhe fitimit të parave në mërgim, tashmë, ekonomik
dhe jo politik. Një organizim i mirë, i ndershëm, patriotik i qytetarëve të
kësaj Mërgate ekonomike, derdhjen e kontributeve në një Fond të kontrolluar nga
shteti, respektivisht, Komision, me pjesëmarrje të partive parlamentare, të
destinuar, ekskluzivisht, për mbrojtjen e Atdheut-Kosovë, me armatimin modern
të kohës, është ajo strategjia, për të cilën Presidentja Vjosë fton të
angazhohen të gjithë shqiptarët vendorë dhe të përbotshëm, pavarësisht se ku
dhe kur kanë lindur ata. Kur Mërgata filloi begatimin e Fondeve për mbijetesën
e Kosovës, në vitin 1991, punonte vetëm kryefamiljari dhe pak nga gratë e tyre.
Ndërsa tani, kanë, të paktën, nga tri e katër anëtarë të punësuar. Paraja nuk
mungon, duhet vetëm organizimi i vjeljes së tyre.
Modeli
i organizimit të Fondit Shtetëror, i shprehur në 3 % obligagtiv, në fakt,
fakultativ dhe rrast i sabotuar nga kuqaloshët e LPK-së, ka qenë ideal dhe pa
mundësi abuzimi, sepse ka qenë me kontroll bankar të dyfishtë: Nga banka
gjermane dhe ajo e Qeverisë së Kosovës, ku inkasoheshin paratë e mërgimtarëve.
Edhe paratë e vjelura ndryshe, jashtë Fondit, siç janë "Aksioni ta
ndihmojmë Kosovën për Vetëmbrojtje", më 1991; "Aksioni për
Drenicën"; "Aksioni për blerjen e amëve" dhe të tjerë, më pak të
rëndësishëm, janë shumëzuar në mijëra kopje dhe ne, veprimtarët i posedojmë
listat përkatëse dhe dorëzimet e tyre në Qeverinë në Egzil, gjithnjë, me fatura
të rregullta.
Huaja
e marrë nga Qeveria, në këmbim sigurie, me -Bona-, letra me vlerë, me prerje:
500, 1000, 2000 marka, ka qenë dhe mbetet hua, borxh, i dhënë nga populli,
mërgimtaret dhe mërgimtarët shqiptarë, kudo që ata punonin dhe jetonin në botë.
Heshtja për një çerek-shekulli, e një huaje faktike, është e turpshme, madje,
për të gjitha qeveritë, që kanë pasuar njëra-tjetrën. Fundja, duhet të
pyeteshin dhënësit, nëse duan kthimin apo faljen e borxhit? Përndryshe, heshtja
e mëtejme është mashtrim, vjedhje zyrtare.
Fondi
i 3%-it edhe sot mund të kontrollohet dhe të verifikohet, madje, deri në
qindarkën e fundit. Akuzat për abuzim e vjedhje, të bëra në adresë të
kryeministrit Bujar Bukoshi dhe ministrit të Financave, Isa Mustafa, janë
paushalle dhe hiç reale. Paratë Fondit të 3 %-it dhe të "Vendlindja
thërret", janë grabitur nga komandantët pa ushtarë, por me banda të
bollshme, mujsharë e kriminelë të Rognerit dhe të vilave të Bllokut të Zi të
Tiranës social-komuniste, me tytat e kallashëve kinezë. "E shpëtova Bujar
Bukoshin nga një atentat i sigurt në Kukës",- ka deklaruar, publikisht,
anëtari i Shtabit të UÇK-së të LPK-së, Xhavit
Haliti, me seli në Tiranë.
Dy
Fondet e nismuara për begatimin e mbrojtjes, së pari nga kryeminisri Ramush
Haradinaj, më pastaj, nga ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, pa i paragjykuar
për ndonjë abuzim, nuk ishte model i duhur. Sepse askush nuk është i detyruar
t`i besojë një individi apo një partie politike. Kjo bëhet me marrëveshje
paraprake, me Komision kredibil, fort të besueshëm dhe me transparencë e
llogaridhënie Komisionit Kuvendor Shtetëror. Le ta provojë këtë shteti i
Kosovës dhe kam bindjen se do ta stopojë, bllokojë dhe tmerrojë Serbinë
megallomane dhe kampione propagandistike, më sakt, lehaqene.