| E hene, 15.09.2025, 06:54 PM |
SI NJË FILM BARDH E ZI NË SHEKULLIN PLOT NGJYRA
Nga
Llesh Ndoj
Jo
se kisha ndonjë dyshim, as edhe ndonjë shpresë të madhe, por me vete thosha se
në sezonin e ri parlamentar dhe në mandatin e ri qeverisës, të katërtin në
radhë për Edi Ramën, të paktën sa për “syun e keq” diçka do të mund të
ndryshonte për mirë që në nisje të sezonit. Por jo! Politika shqiptare nuk
zhgënjen kurrë, sidomos kur bëhet fjalë për ato ndryshime që mund të sjellin
ndonjë përmirësim të dukshëm për njerëzit dhe përparim real të vendit në fushën
e integrimit evropian, jashtë atij përparimit propogandistik apo edhe formal në
këtë fushë. Nuk kisha pritje në këtë drejtim edhe sepse në skenë janë të
njejtët aktorë politik tash mbi tridhjetë vite, edhe se sundon e njëjta
mendësi, ndoshta kjo më shumë se shekullore në qeverisjen e shqiptarëve. Nuk
kisha ndonjë pritshmëri të madhe edhe se, si e thotë populli, dita e mirë duket
që me mëngjes. E “mëngjesi” i një sezoni parlamentar dhe i një mandati
qeverisës janë zgjedhjet, të cilat nuk është se sollën ndonjë risi, as parë nga
ana sasiore, as vështruara nga ana cilësore, as për nga qëndrimi që aktorët
politik në vend mbajtën ndaj tyre. Shoqëria jonë, në aspektin e zhvillimeve që
diktojnë trendin dhe agjendat, fatkeqësisht vazhdon prap me parimin “partia mbi
të gjitha!”
Rama
mblodhi si soziet e veta një ditë para konstituimit të kuvendit dhe i “befasoi”
ata me programin madhështor, me fjalimin pak programatik e shumë propogandistik
që mbajti, duke e prezantuar veten jo vetëm si liderin absolut, por edhe si
njeriun që i di të gjitha: njeh arsimin aq sa edhe bujqësinë, njeh industrinë
aq sa e njeh edhe diplomacinë, njeh teknologjinë po aq sa njeh turizmin, njeh
mjedisin po aq sa ekonominë, politikën sigurisht po e po, por i njeh pak, ose
nuk don t’i njoh fare realitetet mbi të cilat po qeveris vendin në vitin e trembëdhjetë
radhazi, ku krahasimi ishte - është me vitin 2013 vlen vetëm për historinë,
ndërsa krahasimi si është në raport me atë që duhet të ishte, ze pak vend në
repertorin e politikës qeverisëse të tij. Edhe “pasaporta evropiane” tashmë
është bërë “bajate” pasi shqiptarët, ata që duhet të jenë forca aktive e
ndryshimit të vendit, tashmë janë evropianë, ndërsa aziatikët vijnë në Shqipëri
edhe pa qenë ne me atë pasaportë, bile shumë herë më lehtë se po të ishim
anëtarë të Bashkimit Europian. Si soziet e kryeministrit, të mahnitura nga
vizioni i pagabueshëm i liderit, veç sa e duartrokatën atë, sepse kaq dinë të
bëjnë, sepse për këtë janë përzgjedhur shumica e tyre në postet që mbajnë,
ndërkohë që populli, i mësuar të ushqehet edhe me bar veç udhëheqja të jetë
mirë, po ashtu e duartroket çdo gjë, qoftë edhe të zezën e vet, ndërsa bota bën
sikur nuk sheh e nuk dëgjon, e fokusuar në hallet e veta e nevojën për një
stabilitet fallco!
Opozita
nga ana tjetër, edhe ajo mbetet e njejta! Mblidhet si me komandë, dëgjon
liderin e pagabueshëm dhe vendos pro gjithshkaje që i vjen asaj përshtat, si
fjala vjen pjesmarrja në kuvend, aty ku i duhen pagat dhe financimet nga taksat
tona, por nuk e njeh kuvendin! Më hapur nuk ka: njohim grabitjen e popullit nga
pozita e opozita, por nuk e njohim popullin në verdiktin që ai ka dhënë në
zgjedhjet e 11 Majit 2025. Edhe këta njohin vetëm Saliun. Varjanti “edhe bar
hamë” është zëvendësuar për këtë kategori me “edhe gjithmonë rrimë në opozitë
vç Salu të na rrojë!”
I
njejti film përsërit veten zgjedhje pas zgjedhje, dekadë pas dekade. “Ne dhe
armiqtë tanë” është titulli i filmit bardh e zi që shqiptarët e kanë parë live
dhe si propogandë, të paktën që nga pushtimi otoman i këtij vendi e deri në
ditët tona, dhe ky film, përjashtuar ngjyrave të injektuara pa shije e stil,
ishte po i njëjti edhe tani. Asgjë e re, përveç asaj shpallje rrufe të Ramës,
pa asnjë parapërgatitje institucionale, apo qoftë edhe brendapartiake, për një
vullnet që e adreson mazhorancën drejt një kuvendi me maksimumi 101
përfaqësues, i vetmi vizion që duhet përshëndetur seriozisht, ndonëse dyshoj
fort se edhe ky vjen thjesht dhe vetëm në kuadrin e propogandës, stil i njohur
e i trashëguar në të gjitha qeverisjet, pasi ata, të dyja polet e politikës, e
dinë mirë pozicionin refraktar të shoqi – shoqit, sa herë që bëhet fjalë për
reforma që mund t’ia lehtësojnë barrën sadopak të qeverisurve prej tyre. Që
është propogandistike, pa pritur ta vërtetoje koha e vërtetoi vetë kryetari i
PS-s që me shpalljen e qeverisë Rama - 4. Asnjë masë për shkurtimin e barrës
qeverisëse nuk u shpallë prej tij, edhe pse “Diella” zbriti si rrufe në ditë të
kthjellët dhe u bë anëtare e qeverisë, duke mahnitur edhe botën me gjetjen e
tij “suis generis”.
Edhe
në parlament asnjë zhgënjim. E njejta situatë, e vetmja që i detyron të
mblidhen në skenë “armiqtë” e betuar kundër njëri - tjetrit, për t’na dhuruar
të njejtën shfaqje që na e kanë dhënë që prej 35 vitesh, një shfaqje me ndeshje
gladiatorësh gjasëm me na mbush mendjen neve se ata janë besnikë të elektoratit
e nuk e falin kundërshtarin, ndërkohë që në prapaskenë janë bashkëpunues të
hapur e të fshehur në favor të ruajtjes së status quosë e privilegjeve që u jep
pushteti, qoftë në qeveri qoftë edhe në opozitë. Shfaqja e shëmtuar e opozitës
me bllokim foltorje e tregim muskujsh, në mungesë të kokës, vazhdon ashtu siç
vazhdon edhe heshtja shurdhuese e pozitës me dirigjim qendror, që nuk ofron
asnjë perpektivë që ky kuvend të sjellë gjë të re për shoqërinë tonë e cila sa
bën një hap përpara, bën dy hapa prapa.
Të
njëjtat fytyra janë, edhe në se kanë ndryshuar emrat, të njëjtat sjellje
mbeten, edhe në se kanë ndryshuar fytyrat! Se është i njëjti film, veçse janë
futur pak ngjyra që mbeten artificiale në shiritin e vjetër e të konsumuar
dukshëm, jo vetëm si ofertë e sotshme por për fatin e keq edhe si
(pa)perspektivë e nesërme, e dëshmon gjithshka, edhe vetë fytyrat pa dritë të
deputetëve të emëruar nga kryetarët respektiv të pozitës dhe të opozitës. Bile
ata as që kanë nevojë për ngjyra! Shumë prej tyre, edhe pse janë të aftë,
mbeten njerëz të djallëzuar e të indoktrinuar dhe asgjë të re s’do të sjellin
dot edhe në këtë sesion në përmbajte, përveç ndonjë skenografie ndryshe që do
të tentoje t’na krijoje ne si zgjedhës imazhe fallso, kurse pjesa tjetër si ajo
e “60 mijë mandateve”, janë për të vënë duart në krye. As nivelin e zgjedhësit
mesatarë nuk e përfaqësojnë shumë prej atyre që u ulën në ulëset e kuvendit e
shumë shpejt, gjithnjë në se ua lëshojnë foltoren ndonjëherë gjelat e vjetër,
do t’u dalë boja në sytë e atyre që s’i njohin që më përpara.
Po
qeveria? I njëjti film, i njëjti spektakël edhe këtu: shumë ministra që as vetë
nuk e besojnë se u lexua emri i tyre për atë post dhe që as e kanë idenë se
ç’punë e sfida ka sektori të cilin i ka ngarkuar Rama për të ngroh kolltukun,
se ministër është ai dhe vetëm ai në të gjitha ministritë me e pa portofol,
ndërsa ata janë sozitë e tij, por pa frymën dhe intiligjencën që ai e zotëron,
të tjerët janë burra e gra ndoshta edhe të zotët, por aty janë si specialistë
thjesht për të orientuar fluksin e parasë aty ku u duhet atyre dhe jo aty ku
duhet për vendin. E vetmja e re është Diella, kjo gjetje propogandistke për
t’mos iu bë “mësyshë” qeveritarëve. E mbani mend besoj kohën kur nga nënat tona
në kopshte vihej ndonjë sukull i pavlerë mbi një shkop të shtrembër, sa për me
i tremb sorrat! Kështu është edhe kjo Diella qeveritare, veçse kjo është e
pashme, një bukuri që nuk vret, por që tret… Tret vëmendjen nga hallet reale
dhe përgjegjësinë nga njerëzit real!
Po
fundi cili do të jetë? - më pyet drejpërdrejt e seriozisht një mik intelektual,
socialist i thekur e kuadër i njohur gjithë jetën.
Fundi
është si përpara fillimit, si fillimi, si vazhdimi, si… Në fund të tunelit do
të jenë po këta, me të njëjtën mendësi, por politikanët shumë më të pasuruar e
më dominant se sa sot, edhe ne do të jemi po të njëjtët, veç edhe më të varfër
se sot, të plakur po e po, por gjithnjë të lumtur për udhëheqjen që “iu
shkurtoftë drita e pushtetit!”
Dmth
prapë “do të hamë edhe bar”, veç udhëheqja të na rrojë! - konkludoi
bashkëbiseduesi im rastësorë.
Lezhë, më 12 shtator
2024