E merkure, 20.08.2025, 03:47 PM (GMT+1)

Kerko: a

Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (26)

E marte, 19.08.2025, 07:00 PM


GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (26)

GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË

HADIJE MUSTAFË SPAHIU

(27.5.1966 – 4.5.1999)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Me një përkushtim të veçantë dhe vëmendje të hollësishme, iu qasa studimit të historisë së grave shqiptare, duke lexuar me kujdes dhe duke shënuar çdo detaj domethënës. Për mua, këto nuk ishin thjesht fakte të thata apo ngjarje të shkuara, por dëshmi të gjalla të një trashëgimie të pasur dhe të ndërlikuar, ku gratë shqiptare kishin luajtur role thelbësore në periudha të ndryshme historike. Qëllimi im primar ishte të nxirrja në dritë figurën komplekse dhe shumëdimensionale të gruas shqiptare: jo vetëm si luftëtare e paepur që kishte dalë në ballë të betejave për lirinë e kombit, por edhe si shtyllë e familjes dhe e shoqërisë. Në këtë kuptim, e konsideroja të rëndësishme të dokumentoja dhe vlerësoja kontributin e grave që kishin mbajtur mbi supe barrën e rëndë të punëve të shtëpisë, duke e mbajtur gjallë jetën familjare edhe në kohë të vështira dhe të pasigurta.

Duke lexuar dhe shënuar me kujdes gjithçka që lidhej me këto tema, dëshiroja të ndërtoja një narrativë më të plotë dhe më të drejtë për historinë shqiptare—një histori që nuk do ta linte më në hije kontributin e grave, por do ta vendoste atë në qendër të vëmendjes si një komponent të domosdoshëm për të kuptuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen. Në këtë kontekst, synimi im ishte të ndërmerrja një analizë të kujdesshme që të shkruaja me një vlerësim të thellë mbi veprimtarinë e shquar dhe aktet e trimërisë së Hedije Mustafë Spahiut. Ajo përfaqëson një nga figurat e ndritura në radhën e gjatë dhe të lavdishme të grave shqiptare që morën pjesë aktivisht në luftën çlirimtare, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë e Kosovës—liri të cilën sot e jetojmë dhe e konsiderojmë si të mirë të paçmuar kolektive.

Hedije Mustafë Spahiu nuk ishte thjesht një pjesëmarrëse simbolike në përpjekjen kombëtare për çlirim, por një ndër ato gra që me vendosmëri dhe guxim të rrallë kapërcyen çdo kufizim tradicional dhe sfiduan kushtet e rënda të kohës për të qenë në vijën e parë të rezistencës. Kontributi i saj nuk mund të shihet i ndarë nga përpjekja e madhe kolektive të grave shqiptare, të cilat, nëpër periudha të ndryshme historike, kanë dhënë gjakun dhe mundin e tyre për çështjen e madhe të lirisë dhe pavarësisë. Ajo u bë pjesë e një tradite të lavdishme, ku figura e gruas shqiptare nuk ishte vetëm simbol i përkujdesjes dhe i sakrificës brenda familjes, por edhe i vendosmërisë dhe i guximit në mbrojtje të atdheut. Në këtë mënyrë, Hedije Spahiu mishëron atë përpjekje të përbashkët që u ndërtua mbi idealet e lirisë, barazisë dhe të drejtës për të jetuar në paqe e dinjitet në trojet e veta.

Në këtë frymë, shkrimi për të bëmat e saj nuk është vetëm akt kujtese, por edhe një obligim moral për ta ruajtur dhe transmetuar këtë trashëgimi të çmuar te brezat e ardhshëm, në mënyrë që të kuptojnë se liria që e gëzojmë sot është e mbështetur mbi themele të forta sakrifice dhe atdhedashurie të sinqertë. Duhet pranuar se literatura dhe shkrimet që i kushtohen figurës së Hedije Mustafë Spahiut janë ende të pakta dhe, për fat të keq, nuk pasqyrojnë plotësisht madhështinë e veprës dhe kontributit të saj. Kjo mungesë e dokumentimit të gjerë është një mangësi e dukshme në kujtesën tonë kolektive dhe në historiografinë e rezistencës sonë kombëtare, ku shumë gra trime mbeten në hije, edhe pse sakrifica e tyre ka qenë thelbësore për lirinë që gëzojmë sot.

Megjithatë, në këtë sfond të mungesës së burimeve të shumta, meriton një falënderim të veçantë dhe mirënjohje të thellë prof. dr. Sabaudin Cena, i cili ka bërë një përpjekje serioze dhe më gjithëpërfshirëse për të ndriçuar jetën dhe veprën e Hedijes. Përmes punës së tij kërkimore dhe shkrimeve të përkushtuara, ai ka mbledhur, sistemuar dhe paraqitur me kujdes të dhëna të çmuara, duke na mundësuar që të kemi një pasqyrë më të plotë dhe më të drejtë për këtë figurë të shquar të rezistencës shqiptare. Falë këtij angazhimi akademik dhe njerëzor, brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të njihen më mirë me rrugëtimin, bindjet dhe trimërinë e Hedijes, duke e kuptuar më qartë kontributin e saj në përpjekjet për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kontributi i prof. dr. Sabaudin Cenës është kësisoj më shumë sesa një punë studimore, është një akt kujtese dhe nderimi, një përpjekje për të mos lejuar që figurat e grave të rezistencës shqiptare të zbehen apo të harrohen në rrjedhën e kohës. Në këtë mënyrë, puna e tij bëhet shembull se si historia duhet shkruar me ndershmëri, përkushtim dhe ndjeshmëri ndaj atyre që, me jetën dhe sakrificën e tyre, kanë përcaktuar rrjedhën e fatit të kombit.

Hadije Spahiu ishte e lindur më 27 maj të vitit 1966 në qytetin e Rahovecit, bijë e një familjeje të nderuar dhe të rrënjosur thellë në traditat patriotike të kësaj treve. Babai i saj, Mustafa, dhe nëna, Fiqirija, e rritën në një vatër ku ndjenja kombëtare nuk ishte vetëm një koncept abstrakt, por një përkushtim i gjallë dhe i përditshëm ndaj çështjes shqiptare. Familja Spahiu njihej gjerësisht në Rahovec dhe më gjerë për kontributin e saj në rrjedhat e ndryshme të Lëvizjes Kombëtare, duke qenë pjesë e atij brezi njerëzish që e mbajtën gjallë shpirtin e rezistencës edhe në kohë të vështira. Hadija e nisi shkollimin fillor në vendlindje, në Rahovec, ku shfaqi zell dhe përkushtim, por rrethanat e ndërlikuara në Kosovë e penguan që ta vazhdonte shkollën e mesme. Megjithatë, ajo nuk qëndroi duarkryq përballë sfidave të jetës. Përmes punës së palodhur dhe vullnetit të hekurt, u bë një zejtare e aftë dhe e njohur, duke u dalluar veçanërisht si rrobaqepëse e përkryer. Ky talent dhe kjo punë e ndershme nuk ishin vetëm mjet mbijetese, por edhe një mënyrë për të ruajtur dinjitetin dhe pavarësinë personale në kohë të vështira.

Në fund të viteve ’80 të shekullit XX, kur Kosova po përjetonte një periudhë të errët me manifestime të dhunshme ndaj popullsisë shqiptare dhe ndryshime arbitrare kushtetuese që synonin të shuanin autonominë e saj, Hadije Spahiu nuk qëndroi e heshtur. Përkundrazi, ajo u aktivizua fuqishëm në të gjitha format e veprimtarisë kundër shtypjes, jo vetëm brenda lagjes së saj “Gurrat” në Rahovec, por edhe në fshatrat përreth të Rrafshit të Anadrinit. Veprimtaria e saj ishte e gjithanshme që nga organizimi i grave dhe familjeve për qëndresë e ndihmë reciproke, te shpërndarja e informacionit dhe mbajtja gjallë e shpirtit të rezistencës.

Në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq hapur dhe filloi të vepronte edhe në fshatin Drenaj, Hadije Spahiu nuk e pa veten si një spektatore të ngjarjeve, por u përfshi me gjithë qenien e saj. Përmes lidhjeve me Linda Mullabazin, bashkëshorten e dëshmorit të kombit Selajdin Mullabazi – Mici, ajo u aktivizua në sektorin e logjistikës pranë Batalionit të Rahovecit. Kontributi i saj logjistik ishte thelbësor nga furnizimi i luftëtarëve me veshmbathje dhe ushqime, te mbështetja morale dhe organizative, duke siguruar që fronti të mbahej i fortë dhe i lidhur ngushtë me popullin. Por kjo veprimtari e guximshme nuk kaloi pa u vënë re nga pushteti okupues. Për autoritetet, policinë dhe rrjetin gjithnjë më të dendur të spiunazhit lokal, Hadije Spahiu ishte një “halë në sy”, një figurë që sfidonte hapur politikën e terrorit dhe frikësimit. Ajo u përball shpesh me thirrje dhe intervistime të shpeshta në polici, ku përpiqeshin ta kërcënonin dhe ta frikësonin, gjë që i shkaktonte brengë të madhe nënës së saj, Fiqirijes. Megjithatë, Hadija nuk u tremb as nuk u tërhoq, duke dëshmuar një vendosmëri dhe trimëri të rrallë, që e vendos përjetësisht në radhën e grave të shquara të historisë sonë kombëtare.

Pas vendosjes strategjike të Batalionit të Rahovecit në zonën e njohur si “Kërshi i Keq”, organizimi i rezistencës lokale mori një formë më të strukturuar dhe të koordinuar. Komandantët e njohur të këtij batalioni, Xhelal Hajda – Toni dhe Selajdin Mullabazi – Mici, vendosën bazat e tyre në fshatrat e Anadrinit, duke shtrirë ndikimin dhe veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë rajon me rëndësi të madhe strategjike dhe morale për luftën. Në këtë konfigurim të ri të rezistencës së armatosur, Hadije Spahiu nuk mbeti jashtë, por e intensifikoi edhe më tej angazhimin e saj të palodhur dhe të përkushtuar. Si një luftëtare e devotshme e lirisë, ajo u kthye në Krushë të Madhe, një qendër e njohur e organizimit dhe sakrificës shqiptare, duke marrë përsipër një detyrë mjaft të ndjeshme dhe të rrezikshme.

Detyra e saj kryesore ishte të siguronte një qarkullim të pandërprerë informacioni në relacionin Rahavec–Prizren. Kjo nënkuptonte jo vetëm lëvizje të vazhdueshme në terren të vështirë dhe shpesh të kontrolluar nga forcat okupatore, por edhe aftësi të jashtëzakonshme vëzhgimi dhe diskrecioni. Ajo duhej të përcillte me vëmendje lëvizjet e armikut, të mblidhte të dhëna të sakta dhe të informonte pa vonesë komandantët e batalionit. Ky rol ishte vendimtar për mbajtjen e gatishmërisë së strukturave luftarake dhe për sigurimin e surprizës taktike në aksione. Përtej kësaj detyre specifike, Hadija nuk e humbi asnjëherë lidhjen e fortë shoqërore dhe emocionale me bashkëluftëtarët e saj më të afërt. Ajo qëndroi gjithmonë pranë Selajdin Mullabazit – Micit dhe bashkëshortes së tij, Lindës, duke ndarë me ta jo vetëm barrën e organizimit ushtarak, por edhe sfidat e përditshme të jetës në kushte lufte. Kjo lidhje e ngushtë nuk ishte vetëm taktike, por edhe njerëzore, një mbështetje morale e ndërsjellë në një kohë kur çdo ditë mund të sillte rrezik dhe humbje.

Madje, kjo afërsi dhe përkujdesje u shfaq me forcë të veçantë deri në momentin e lindjes së djalit të tyre, Ermalit, kur Hadija tregoi edhe një herë dimensionin e saj të plotë si njeri, si shoqe dhe si luftëtare. Në këtë mënyrë, veprimtaria e Hadije Spahiut nuk kufizohej thjesht në mbledhjen e informacionit apo ndihmën logjistike, por përfshinte ndërtimin dhe mbajtjen gjallë të lidhjeve të forta të solidaritetit dhe besimit, që ishin po aq të rëndësishme për suksesin e luftës sa edhe armët dhe aksionet luftarake. Pas rënies heroike të komandantëve të Batalionit të Rahovecit, Xhelal Hajda – Toni dhe Selajdin Mullabazi – Mici, që përbënin shtyllat udhëheqëse të rezistencës në këtë trevë, veprimtaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Anadrin nuk u shua. Përkundrazi, ndjenja e detyrës dhe amaneti i të rënëve frymëzoi një riorganizim edhe më të vendosur të strukturave luftarake dhe të rrjetit mbështetës.

Në këtë klimë të rënduar nga dhimbja për humbjen e udhëheqësve, por të mbushur edhe me vendosmëri për të mos u nënshtruar, Hadije Spahiu vazhdoi me përkushtim të palëkundur angazhimin e saj. Ajo nuk qëndroi asnjëherë jashtë skenës së veprimit, por u bashkua ngushtë me grupin e grave të Anadrinit, të cilat kishin marrë mbi supe jo vetëm përgjegjësitë tradicionale të jetës familjare në kohë lufte, por edhe barrën e rëndë të mbështetjes logjistike, organizative dhe morale të rezistencës së armatosur. Me riorganizimin e Batalionit të Rahovecit dhe konsolidimin e Brigadës 124 “Gani Paçarizi” brenda Zonës Operative të Pashtrikut, aktiviteti i Hadijes mori një dimension të ri edhe më intensiv. Ajo filloi të zhvillonte lëvizje të shpeshta dhe të kujdesshme ndërmjet një numri të madh fshatrash të kësaj zone strategjike: Reti, Qëndresë, Krushë e Madhe, Celinë, Samadraxhë, Dabërdolan, Pagarushë, Breshanc dhe Kasterc.

Këto fshatra nuk ishin thjesht pika në një hartë gjeografike, por nyje të rëndësishme të rezistencës, ku organizoheshin mbledhje, planifikoheshin veprime ushtarake dhe sigurohej furnizimi për njësitë e UÇK-së. Në veçanti, Kasterci kishte një rëndësi të madhe si vendqëndrim i Shtabit të Zonës Operative të Pashtrikut. Për të mbërritur atje, Hadija përshkonte me mjeshtëri dhe guxim rrugë të rrezikshme dhe të kontrolluara shpesh nga armiku, duke depërtuar nga drejtimet e Hoçës së Vogël dhe Retisë, por edhe nga Rahoveci përmes Dragobilit. Kudo që shkonte, ajo pritej me respekt dhe besim të madh, sepse nuk ishte thjesht një korriere apo një mbështetëse logjistike, por një lidhëse e fuqishme ndërmjet popullit dhe luftës. Përmes pranisë së saj, ajo përçonte siguri dhe moral të lartë te bashkëluftëtarët dhe popullsia vendase, duke dëshmuar se përkushtimi dhe solidariteti nuk mund të thyheshin as nga humbjet më të rënda e as nga terrori i armikut.

Veprimtaria e Hadije Spahiut në këtë fazë të luftës ishte një shembull i qartë i organizimit të qëndrueshëm dhe i mbështetjes popullore që i dha Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës forcën për të vazhduar betejën e saj të drejtë për liri dhe dinjitet kombëtar. Megjithë angazhimin e pandërprerë dhe përkushtimin e palëkundur në rrugën e rezistencës, Hadije Spahiu nuk reshti kurrë së menduari dhe së shqetësuari për fatin e vëllezërve dhe motrave të saj që ndodheshin në Rahovec. Ndjenja e përgjegjësisë familjare dhe dashuria e thellë për të afërmit e bënte të kërkonte vazhdimisht mënyra konkrete për t’i nxjerrë ata nga rreziku i drejtpërdrejtë dhe për t’i sistemuar në zonat më të sigurta të Llapushës. Për të, çlirimi nuk kishte kuptim të plotë nëse nuk përfshinte edhe mbrojtjen e atyre që i donte më shumë.

Në këtë periudhë kritike të luftës, më 22 shkurt të vitit 1999, Shtabi i Zonës Operative të Pashtrikut, me seli në Kasterc, nxori një urdhër strategjik për të gjithë rajonin që ishte në përgjegjësinë e tij. Në kushtet e intensifikimit të luftimeve dhe rrezikut të shtuar për civilët, u vendos që të gjitha gratë të largoheshin nga zonat e drejtpërdrejta të përballjes me armikun dhe të shpërndaheshin nëpër fshatrat e Anadrinit. Kjo lëvizje nuk ishte një tërheqje nga detyra, por një masë e domosdoshme sigurie dhe organizimi, për të mbrojtur jetën e grave dhe njëkohësisht për të ruajtur strukturat mbështetëse të luftës. Sipas këtij plani, gratë duhej të jetonin dhe të vepronin në këto fshatra derisa të krijoheshin kushte më të favorshme për t’u kthyer ose për të depërtuar më tej në drejtim të qyteteve strategjike si Rahoveci, Prizreni apo Malisheva. Gjatë kësaj kohe, ato nuk do të ishin thjesht të strehuara pasivisht, por do të vazhdonin veprimtarinë e tyre në sektorin civil, një segment po aq jetik për suksesin e përgjithshëm të luftës.

Për Hadije Spahiun, kjo fazë e re e organizimit ishte një tjetër provë e vendosmërisë dhe përkushtimit të saj. E ndërgjegjshme për rolin e madh që luanin gratë në mbajtjen gjallë të rezistencës, ajo punoi ngushtë me bashkëluftëtarët dhe me familjarët e saj. Në mënyrë të veçantë, veprimtaria e saj në sektorin civil do të ishte e koordinuar me vëllezërit e saj, Zekiun dhe Danjollin, si dhe me Mustafë Spahiun, të cilët do të siguronin bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë për të gjitha nevojat e organizimit, furnizimit dhe mbrojtjes së civilëve.

Ky angazhim i Hadijes dhe i grave të tjera të zonës nuk ishte më pak i rëndësishëm se ai i frontit të armatosur. Ato mbanin gjallë moralin, kujdeseshin për të shpërngulurit dhe për organizimin e jetës në kushte lufte, siguronin informacion dhe ndihmë logjistike, dhe garantonin që struktura e rezistencës të mos shpërbëhej, por të mbetej e lidhur fort me popullin që e ushqente dhe e mbështeste.

Në këtë mënyrë, vendosmëria e Hadije Spahiut për të mbrojtur dhe ndihmuar familjen dhe bashkëluftëtarët, ndërthurej natyrshëm me detyrën më të madhe kombëtare, ruajtjen e unitetit, forcimin e organizimit dhe sigurimin e mbijetesës dhe vazhdimësisë së luftës për liri dhe pavarësi. Në përputhje me ndryshimet strategjike dhe riorganizimin e rrjeteve të rezistencës, Hadije Spahiu vendosi të tërhiqej nga zonat e Kastercit dhe Retisë, duke u zhvendosur në fshatrat Krushë e Madhe dhe Hoçë e Vogël. Këto lokalitete, të njohura për ndihmën e tyre të palëkundur ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shërbyen si baza të rëndësishme të ndërmjetme për përgatitjen e mëtejshme të saj. Aty Hadija planifikoi me kujdes dhe përgatiti detajet për depërtimin e saj të rrezikshëm dhe vendimtar drejt Rahovecit.

Ky depërtim nuk ishte një veprim spontan, por një ndërmarrje e planifikuar dhe e mbështetur nga lidhje të besueshme dhe të forta shoqërore. Ndihmën dhe shoqërimin e përhershëm e siguronin vëllezërit Afrim dhe Gazmend Malësori, të cilët jo vetëm që e mbështesnin moralisht, por edhe e shoqëronin në mënyrë të organizuar dhe të kujdesshme deri në pikën e njohur si “Rrahjet e Rahavecit”, duke minimizuar rrezikun e përballjes me forcat e armikut dhe spiunazhin lokal.

Qëllimi i Hadijes për të depërtuar në Rahovec nuk ishte vetëm personal apo simbolik. Ajo kishte një mision të qartë dhe të rëndësishëm strategjik, të rindërtonte dhe të forconte lidhjet e ndërprera të rezistencës brenda qytetit. Një nga detyrat e para dhe më urgjente ishte të rivendoste komunikimin me Afërditë Ukshinin, një bashkëveprimtare e përkushtuar e cila më vonë do të binte dëshmore e kombit. Po ashtu, Hadija synonte të rikthente bashkëpunimin e ngushtë me Ajshe Sadën dhe Magbule Sylkën—figura të tjera të shquara të rezistencës lokale, ku e para ishte teze e dëshmorit Selajdin Mullabazi – Mici, ndërsa e dyta bashkëshorte e luftëtarit Albert Spahiu nga Apterrusha. Këto lidhje nuk ishin thjesht individuale, por pjesë e një rrjeti më të gjerë organizimi dhe rezistence që duhej të ringrihej dhe të forcohej përballë represionit të vazhdueshëm të forcave okupatore. Përmes angazhimit të saj të palodhur, Hadija filloi të zgjerojë gradualisht këtë rreth bashkëpunëtorësh të besuar, duke shtruar themelet për krijimin e një çerdheje të vërtetë të rezistencës.

Kjo çerdhe do të shërbente si një pikë e sigurt dhe strategjike për vendosjen dhe organizimin e luftëtarëve të lirisë që do të depërtonin në Rahovec. Ajo nuk ishte thjesht një strehë, por një qendër logjistike, informative dhe morale që do të mbante gjallë frymën e rezistencës brenda qytetit dhe do të siguronte vazhdimësinë e organizuar të përpjekjes çlirimtare. Në këtë mënyrë, Hadije Spahiu tregoi edhe një herë jo vetëm guximin e saj të pashoq, por edhe aftësinë organizative dhe largpamësinë strategjike që e bënë një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës në këtë rajon. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999, dinamika e luftës në terren ndryshoi ndjeshëm, duke ndikuar thellësisht edhe mbi mënyrën e veprimit të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arealin strategjik të Anadrinit. Këto zhvillime sollën një rikonceptim të objektivave ushtarake, ku theksi i veçantë u vendos mbi depërtimin në Rahavec – një qendër kyçe me rëndësi të madhe simbolike dhe logjistike për rezistencën shqiptare.

Më 1 prill 1999, luftëtarët e lirisë të Batalionit të Rahavecit, nën komandën e Ismet Tarës, morën vendimin e vështirë për të braktisur përkohësisht fshatrat e Anadrinit. Kjo lëvizje nuk ishte tërheqje e zakonshme, por pjesë e një plani të menduar mirë që parashikonte manovrim strategjik dhe ripërqendrim të forcave. Nën drejtimin e komandantit të njohur Tahir Sinani, batalioni kaloi në fshatin Kleçkë, i cili ofronte kushte më të favorshme për riorganizim dhe planifikim të mëtejshëm të operacioneve. Megjithatë, vetëm tri ditë më vonë, më 4 prill, njësitë e Batalionit të Rahavecit u kthyen sërish në zonat e tyre të njohura, duke u vendosur në fshatrat Karvasari, Breshanc dhe Kasterc. Ky rikthim nuk ishte një kthim rutinë, por një manovër taktike për të siguruar pozicionim më të favorshëm dhe për të mundësuar një lëvizshmëri më të madhe drejt qëllimeve strategjike. Plani i komandës parashihte që nga këto pozicione, nëpërmjet Pagarushës dhe madje edhe përmes fshatit Shkozë, batalioni të mund të rikthehej në thellësi të Anadrinit, duke forcuar bazën e vet kryesore në Hoçë të Vogël – një qendër e rëndësishme e organizimit dhe mbështetjes popullore.

Në këtë kuadër të ri të veprimtarisë ushtarake dhe logjistike, Hadije Spahiu mbeti vazhdimisht e pranishme dhe aktive. Ajo nuk e braktisi Hoçën e Vogël, por përkundrazi, qëndroi aty si një pikë kyçe e komunikimit, koordinimit dhe ndihmës. Përveç kësaj, Hadija vazhdoi aktivitetin e saj të dendur në fshatrat përreth: Celinë, Hoçë e Vogël, Nagac dhe Brestos. Me gjithë rreziqet e shumta dhe kontrollin e ashpër të forcave okupatore, Hadije Spahiu ndërmori edhe udhëtime të guximshme për të depërtuar në vetë Rahovec. Ajo nuk e bëri këtë vetëm për detyra operative, por edhe për të mbajtur gjallë lidhjen njerëzore dhe emocionale me familjen e saj, duke kaluar deri në lagjen e njohur “Gurrat” për të vizituar të afërmit dhe për të dhënë forcë dhe shpresë në ato ditë të vështira dhe të mbushura me pasiguri.

Në këtë mënyrë, Hadije Spahiu tregoi jo vetëm aftësi të rralla organizative dhe guxim personal, por edhe ndjenja të thella përgjegjësie shoqërore dhe familjare, duke u shndërruar në një figurë të spikatur të rezistencës që ndërthuri në mënyrë shembullore dimensionin luftarak me atë njerëzor. Megjithëse situata në terren po ndryshonte dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës po fitonte gjithnjë e më shumë mbështetje popullore, forcat paramilitare serbe nuk ishin aspak të papërgatitura apo të pavetëdijshme për këtë realitet. Përkundrazi, ato treguan një sofistikim të frikshëm në mënyrën e ushtrimit të dhunës dhe terrorit mbi popullsinë civile. Në vend të pushkatimeve të drejtpërdrejta masive dhe masakrave të hapura që karakterizuan fazat e hershme të konfliktit, strategjia e tyre evoluoi drejt një forme më të heshtur, por po aq mizore- eliminimit selektiv.

Ky ndryshim nuk ishte rastësor. Ishte rezultat i një informimi të mirëfilltë dhe sistematik mbi rrjetet e rezistencës dhe mbi rolin që luanin veçanërisht gratë në Rahovec dhe në fshatrat përreth. Përmes rrjeteve të spiunazhit dhe bashkëpunëtorëve vendas, forcat serbe kishin arritur të identifikonin me saktësi bazat e mundshme të Ushtrisë Çlirimtare dhe individët më të përkushtuar në aktivitetet mbështetëse dhe logjistike. Gratë shqiptare të Rahovecit, të cilat nuk kishin kursyer asgjë për të ndihmuar luftën çlirimtare – qoftë duke ofruar strehim, ushqime, informacione, apo duke mbajtur lidhjet mes njësive luftarake – u bënë objektiv i veçantë i kësaj strategjie të re të dhunës selektive. Ky terror i kalkuluar kishte për qëllim të shkatërronte strukturat e brendshme të rezistencës, të mbillte frikë dhe të demoralizonte popullsinë civile, duke i bërë njerëzit të hezitonin të ndihmonin më tej luftën.

Në këtë valë goditjesh të drejtuara me kujdes, forcat paramilitare serbe arritën të kapnin figura të njohura të rezistencës civile femërore. Ndër to ishte Magbule Spahiu, e lindur Sylka, e cila për shkak të angazhimit të saj të palëkundur ishte bërë një simbol i qëndresës lokale. Po ashtu, Afërditë Ukshini – një emër i njohur dhe i respektuar për aktivitetin e saj të pareshtur në ndihmë të Ushtrisë Çlirimtare, dhe vetë Hadije Spahiu, e njohur për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm, u kapën nga forcat serbe. Këto arrestime nuk ishin akte të rastësishme, por pjesë e një fushate të qëllimshme që synonte të godiste bërthamën morale dhe organizative të popullit shqiptar në këtë zonë. Duke synuar gratë – të cilat përveç rolit logjistik kishin edhe një ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e moralit dhe në mobilizimin e popullatës – forcat serbe synonin të prishnin kohezionin shoqëror dhe të çanin lidhjet e forta që mbanin gjallë frymën e rezistencës.

Ky kapitull i errët i historisë së luftës në Rahovec dhe Anadrin tregon jo vetëm mizorinë dhe cinizmin e forcave pushtuese, por edhe forcën dhe qëndresën e atyre grave që, të vetëdijshme për rrezikun, vazhduan të përmbushnin misionin e tyre deri në fund, duke e bërë të qartë se liria nuk do të vinte pa sakrifica të mëdha dhe pa qëndresë të palëkundur. Hadije Spahiu u arrestua në rrethana të veçanta dhe tragjike, pikërisht në momentin kur kishte arritur të depërtonte thellë brenda qytetit, më 27 prill 1999. Ky arrestim nuk ndodhi në një fazë të dobësisë apo tërheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por përkundrazi, në një periudhë kur lufta çlirimtare kishte arritur kulmin e saj të vrullshëm dhe avantazhet e saj ushtarake shfaqeshin kudo në terren.

Ishte koha kur frontet e luftës ndiznin shpresë dhe besim në zemrat e shqiptarëve të Kosovës. Në Gollak, komandantë dhe luftëtarë si Basri Canolli dhe Bekim Asllani shkatërruan një automjet ushtarak të tipit “Pinz” në Keçekollë, duke i dhënë një goditje të rëndë forcave armike. Ndërkohë, në Koshare, trimat e udhëhequr nga Agim Ramadani kishin arritur të përparonin deri te “Lugu i Koshares”, duke çarë kufirin dhe thyer një simbol të fortifikimeve serbe. Në Voksh, Edmond Dabiçaj theu pritën dhe ruante moralin e lartë të njësive luftarake, ndërsa në Bukosh të Therandës, Agron Behxhet Berisha luftonte me fuqinë dhe vrullin e një stuhie të vërtetë. Në Ratish, Agim Selmanaj shkatërronte pozicionet vrojtuese të çetnikëve serbë, duke i prishur mbikëqyrjen dhe kontrollin në terren. Në Budakovë, armët e Emrush Buzhalës këndonin si himn lirie, kurse në Shirokë, serbët e humbnin plotësisht ndjenjën e sigurisë përballë trimërisë legjendare të Fetah Gegës dhe Xhavit Bajraktarit – të cilët u ngjanin zanave të maleve.

Në Remnik, afër Rahovecit, Bajram Sallahu forconte gjithnjë e më shumë praninë dhe ndikimin e forcave çlirimtare, ndërkohë që në Panashec digjej Reka e Keqe, duke simbolizuar një tjetër vatër të fortë rezistence. Por përballë këtij vrulli të përgjithshëm të luftës dhe fitoreve të pjesshme të UÇK-së, forcat serbe përgjigjeshin me një egërsi edhe më të verbër dhe çnjerëzore. Kështu, në një përpjekje për të frenuar këtë valë çlirimtare dhe për të ndëshkuar popullsinë civile, serboçetnikët ndërmorën një akt makabër në Mejë, ku kryen një masakër të tmerrshme, duke vrarë dhe djegur 276 civilë të pafajshëm – pleq, gra e fëmijë.

Ndërkohë, në Rahovec, në mënyrë po aq çnjerëzore, ata ekzekutuan Afërditë Ukshinin dhe arrestuan Magbule Spahiun, ndërsa Hadije Spahiun e dërguan fillimisht në fshatin Fortesë. Edhe aty, ajo nuk e humbi guximin dhe nuk e tradhtoi kurrë kauzën për të cilën kishte rrezikuar gjithçka. Përballë kërkesave të pushtuesve për të zbuluar rrugët dhe vendndodhjet e luftëtarëve të lirisë që vepronin në Rrapishtë, Grykën e Bërnjakës dhe Tehe, Hadija qëndroi e palëkundur dhe refuzoi t’ua tregonte ato. Ky refuzim i saj heroik e vulosi edhe fatin e saj të hidhur, më 4 maj 1999, ajo u ekzekutua në një dhomë të shtëpisë së Kelmendëve në Fortesë. Ky akt nuk ishte thjesht një vrasje individuale, por një simbol tragjik i çmimit të lartë që paguanin ata që guxonin të mbronin idealin e lirisë me çdo kusht.

Hadije Spahiu u bë kështu jo vetëm një viktimë e terrorit shtetëror serb, por një dëshmore e vërtetë e kombit, që me jetën dhe flijimin e saj vulosi një kapitull të lavdishëm e të dhimbshëm në historinë e rezistencës shqiptare për liri dhe dinjitet. Megjithëse ekzekutimi i Hadije Spahiut ishte një akt i rëndë dhe mizor, qëllimi i armikut për ta zhdukur kujtimin dhe nderimin ndaj saj dështoi përballë vendosmërisë dhe besnikërisë së shokëve të saj të idealit. Ata nuk e lanë të humbiste as emri, as nderi, as amaneti. Në natën që pasoi ekzekutimin, një grup bashkëluftëtarësh të saj, të udhëhequr nga Bashkim Gashi, Ideal Gashi dhe Sahadete Doda – e njohur me emrin e luftës “Shota” – u nisën në kërkim të saj me guxim të pashoq dhe me ndjenja të thella detyrimi moral e shoqëror.

Ata depërtuan në fshatin Fortesë, duke rrezikuar jetën e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme, pasi vetëm pak metra larg ndodhej baza policore serbe, e mbushur me ushtarë të armatosur e vigjilentë. Ishte pikërisht në shtëpinë e Nuri Kelmendit ku ata e zbuluan trupin e pajetë të Hadijes. Skena ishte prekëse e tronditëse njëkohësisht: aty, pranë armikut, ata konstatuan me dhimbje të thellë se ajo kishte rënë, por nuk e harruan misionin – bënë çdo përpjekje që ta merrnin trupin e saj, për ta nderuar siç e meritonte dhe për ta mbrojtur nga përdhosja.

Ky akt i guximshëm ishte shenjë e qartë e lidhjes së pathyeshme mes luftëtarëve të lirisë dhe vlerave të tyre – se askush nuk do të harrohej, askush nuk do të braktisej. Ky ishte vetëm hapi i parë i një përkushtimi të madh e të shenjtë, që u bë edhe më i organizuar pas ardhjes së forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec. Me kthimin e tyre në qytet, ata bënë betimin solemn se të gjithë të rënët do të mblidheshin e do të preheshin bashkë në një vend të shenjtë, ku nderimi dhe kujtimi për ta do të ishte i përhershëm.

Kështu nisi një ekspeditë e përkushtuar dhe e dhimbshme për tërheqjen e trupave të pajetë nga të gjitha skajet ku ishin flijuar: nga Malisheva, Maja e Shkodranit, Ujësjellësi, Hamocet, Bllata dhe vetë Fortesa. Ishte një akt i madh njerëzor, por edhe kombëtar – një ringjallje e kujtesës dhe një rit i nderit për ata që dhanë jetën për lirinë. Sot, të gjithë ata prehen bashkë në “Kopshtin e Dëshmorëve”, një hapësirë e shenjtë që lulëzon me krenari në majë të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit. Ky vend nuk është thjesht një varrezë, por një monument i gjallë i sakrificës dhe i kujtesës kolektive, ku secila lule dhe secili brez i ri mëson për çmimin e lirisë. Lisat që qëndrojnë hijerëndë mbi këtë kopsht duken si roje të përjetshme të kujtesës, duke pëshpëritur historitë e dhimbshme të masakrave që ndodhën në qytetin e Tonit dhe të Micit – dy prej figurave emblematike të luftës.

Pranë këtyre lisave, në paqe të përjetshme, pushojnë krah për krah edhe motrat dëshmore Hadije Spahiu dhe Afërditë Ukshini, shembuj të pavdekshëm të guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun. Kujtimi i tyre nuk do të shuhet kurrë, sepse është gdhendur në ndërgjegjen dhe shpirtin e një kombi që e di se liria nuk dhurohet, por fitohet dhe mbahet gjallë me gjak dhe sakrificë.

Literatura:

1.       Ramadan Basha, Kosova ishte jeta e tij- (Hajdar Shala “Hajdari 1969-1999), Prizren, 2009, 205

2.       Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Prishtinë, 2015

3.       https://gazetapapirus.com/lulekuqet-e-majit-hadije-mustafe-spahiu-27-5-1966-4-5-1999/

4.       https://www.radiokosovaelire.com/hadije-mustafe-spahiu-27-5-1966-4-5-1999/

5.       https://www.facebook.com/JetaneRahovec/posts/lavdi-jet%C3%ABs-dhe-vepr%C3%ABs-s%C3%AB-d%C3%ABshmoreshadije-mustaf%C3%AB-spahiu-2751966-451999/299682479018332/?locale=ms_MY

6.       https://gazetapapirus.com/tag/hadije-spahiu/

7.       https://www.forumishqiptar.com/threads/20973-Kujtim-d%C3%ABshmor%C3%ABve-t%C3%AB-Kosov%C3%ABs%21/page4



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (25) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (24) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (23) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (22) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (21) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (20) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (19) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (18) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (17) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (16) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (15) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (14) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (13) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (12) Sabile Basha: Kërkesë për inicimin e ngritjes së obeliskut përkujtimor në nder të të burgosurve politikë në Kosovë Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (11) Sabile Basha: Obelisku i qëndresës për kujtesën e të burgosurve politikë shqiptarë Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (10) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (9) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (8)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx