Kerko: a
Idriz Zeqiraj: I shantazhuari Thaçi vuri në agjendë Asociacionin dhe ndarjen!
E hene, 28.07.2025, 06:42 PM
I SHANTAZHUARI THAÇI VURI NË AGJENDË ASOCIACIONIN DHE NDARJEN!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
"Qeni i keq ta sjellë ujkun në
torishtë", - thotë urtësia. Kështu i ndodhi edhe Kosovës. Demagogu Hashim
Thaçi, rrastë i shantazhuar, me dosje penalizuese, nga burgu i Hagës, bëri
rrëfimin gjithë hipokrizi, jo për shqiptarët, të cilin e njohin "si paren
e kuqe", për të "bëmat" e tij kriminale, deri në tradhti. Por
për Gjykatën Speciale dhe ndërkombëtarët, me demagogji, servilizëm dhe
hipokrizi klasike. Shfajësimet e tij, duke i reduktuar krimet e përgjakshme, në
"gabime" të rastit, të bandave të "komandantëve" të tij,
ndaj shqiptarëve të pafajshëm, përfshi vrasjen e gazetarit dhe zëdhënësit të
parë të UÇK-së, Ali Ukaj, në vitin 1997; vazhduar me atentatet gjatë luftës dhe
pas luftës. Në shënjestër ishin ushtarakët e FARK-ut dhe Ibrahim Rugovës,
kuadrot, veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së, si dhe veprimtarët e hershëm
-brenda llojit-, pra, të LPK-së, për ta garantuar pushtetin despotik enverist,
gjithnjë, me instruktimin dhe logjistikën e siguruar nga social-komunistët e
Tiranës zyrtare!
Në mandatin e parë të qeverisjes të
presidentit Trump, qenë shtuar zërat për ndarjen. Argati i Serbisë dhe
këshilltari i trefishtë: i Edvin Ramës i Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit,
filosllavi Baton Haxhiu, filloi përgatitjen e opinionit, për ndarjen e Kosovës,
me porosi të Hashimit, në të TV 7, te Leonard Kërçukut, shpalosi planin e
ndarjes:
Veriu i Kosovës t`i lihet Serbisë.
Thotë t`i lihet, sepse edhe Hashimi kështu ishte shprehur, madje më shumë se
një herë;
Gjykata Speciale me seli në Hagë, të
zhbëhet;
Të bëhet falja reciproke e krimeve ,
serbe dhe shqiptare;
Të bëhet pajtimi serbo-shqiptar.
Në të njëjtën kohë, trojka nam keqe:
Hashimi, Vuçiqi, Edvini, me hartën e Kosovës mbi tavolinë, i kërkuan Kancelares
Angela Merkel aprovimin për ndarjen e Kosovës. Përgjigjja e saj ishte e rreptë
dhe e prerë: "Lëvizja e kufijve në Ballkan, është "shpat i
rrëshqitshëm!" Refuzimi i prerë, prishi planin ogurzi të tyre.
Ndërkohë, një grup i madh
intelektualësh, nga bota akademike amerikane, në mes tyre edhe miq të Presidentit
Rugova, ish-senatorë e kongresmenë, demokratë dhe republikanë, ndër ta edhe
lobues të kandidatit për president, Donald Trump, i dërguan një letër qortuese,
tashmë, Trumpit president: "Ne, amerikanët e çliruam Kosovën, pse duhet ta
ndajmë tani, kur Serbia ishte pushtuese?!"
Presidenti Trump reflektoi dhe aukzoi
shefin e Sigurisë Kombëtare, Bolton, se "prapa shpinës time keni dashtë me
nda Kosovën" dhe e shkarkoi nga posti. Bolton i reagoi presidentit Trump
se "ndarja nuk është ide e imja, këtë ma kërkuan Hashim Thaçi, Aleksander
Vuçiq dhe Edvin Rama!" Për këtë tradhti të madhe, askush nuk i kërkoi
llogari presidentit Hashim Thaçi!?
Pas reagimeve të koordinuara, Merkel
dhe Trump, ndarja e Kosovës u konsiderua si ide e vdekur. Por, Serbia me Rusinë
dhe aleatët tjerë të saj, nuk u dorëzuan. Ajo shantazhoi Hashimin, me
komandantët mëkatarë të tij, me dosjet e krimeve faktike, duke kërkuar
legalizimin dhe ligjësimin e ndarjes së premtuar. Gjermanët ishin të parët që
sinjalizuan ecejaket në ethe të Hashimit, për ta përshpejtuar ndarjen e
Kosovës. Eksponentët e partisë së tij, PDK, përkatësisht, PAN, ishin rrast të
kriminalizuar dhe shpëtimin e prisnin nga Hashimi, i cili ishte bërë i
plotfuqishëm, me kompetenca tej mbretërore. Një takim me Putinin u përfol
mjaftueshëm. Kupa u mbush, SHBA dhe BE, u dakordësuan për akuzën e ndjekjes
penale, për Hashimin me komandantët e tij.
Profesori i Universitetit Johns
Hopkins, Daniel Server, shpreh shqetësimin se "Trump me këshilltarin e tij
Ric Grenell shihen si përkrahës të idesë së ndarjes!" Duke
njohur personalitetin e profesor Server, analiza e tij, vërtet, është e
frikshme. Këtë e përforcon edhe porosia rishtare e Trump-it, për ta vazhduar
dialogun me Serbinë.
Nisur nga fakti se presidenti Trump
kërkon zgjidhje të shpejta, siç kemi parë edhe në rastin e Ukrainës, kur në
takimin e parë i thotë presidentit Zelenski se "nuk duhet të pretendoni
kthimin në kufijtë e mëparshëm", mund të kemi edhe në rastin e Kosovës një
përgjigje të trishtme, qoftë edhe një zbutje të ndarjes, "si një shkëmbim
territori!"
Vendimi i Dejtonit për themelimin e
Asociacionit, për 14 komunat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, prodhoi
"Republika Serpska" atje. Edhe Krimea kishte pasur një farë
Autonomie. Rusia aktivizoi elementin rus atje, nxiti kundërshti ndaj regjimit
në Ukrainë dhe Rusia hyri me tanke, duke aneksua Krimenë, në vitin 2014. Andaj,
Kosova, duke ia sjellë në kujtesë SHBA dhe BE-së, këto dy makro-fakte tragjike,
të përgjakshme, duhet të refuzojë çfarëdo Asociacioni të komunave serbe, që
kalon kompetencat e Asociacionit aktual të komunave të Kosovës.
Pra, pavarësisht se çfarë është thënë e
nënshkruar, deri më tani, në Bruksel, Ohër dhe gjetkë, me dialogun
Kosovë-Serbi, Krimea dhe "Republika Srpska", janë dëshmi faktike se
të gjitha draft-statutet e Asociacionit të deri tashëm, të cilët kanë dështuar
meritueshëm, do të ishin hiç më pak se "kancer i Kosovës".
BE-ja me Borellët e Lajçakët e saj,
amniston Serbinë, por sanksionon Kosovën!?!
Dështimi dialogut Kosovë-Serbi, ishte i
parathënë që në nismë të tij. Serbia zotëronte dosjet voluminoze të Hashim
Thaçit, me "komandantët" e tij dhe me shantazh imponoi dialogun e
panevojshëm. Veglën e tij, Edita Tahiri, e vuri në krye të dialogut, duke e
përdorur, ekskluzivisht, për interesa vetjake të tij. Bënin dialog politik, por
mashtronin se "po bëjmë dialog teknik!" Më vonë pjesë intriguese u bë
edhe ish-kryeministri Isa Mustafa!
Përfaqësuesit e BE-së, secili që vinte
ishte "më i zi se tjetri", tërësisht, të njëanshëm në mbështetje të
Serbisë. Borrell e djallosi fare "muhabetin", duke kërkuar ndryshimin
e Kushtetutës të Kosovës, me arsyetimin cinik dhe kriminal se "Kushtetuta
nuk është Bibël", edhe pse e dinte se kishte të bënte me cenim të territorit
shtetëror!
Pritjet nga Presidenti Biden ishin të
mëdha, për avancimin e një dialogu të paanshëm. Në fillim u tha se dialogu ka
për qëllim njohjen juridike reciproke. Pastaj u devalvuar, duke u mjaftuar me
njohje teknike! Dhe, pazari degjeneroi "me normalizim të marrëdhënieve
Kosovë-Serbi"! Kjo është një hiç, sepse edhe një incident banal, e
ç'normalizon këtë "biçim normalizimi!" Nuk e paragjykojmë mikun tonë
Biden, por ata që mbulonin seksionin e dialogut, ishin dhëndurë dhe "miq
për kokë" të Serbisë. Edhe mosha e bënë të vetën.
Spanjollit Borrel dhe sllovakut Lajçak,
iu bënë krah edhe gjermani Scholz dhe francezi Makron, me një draft-statut të
Asociacionit, tërësisht të papranueshëm për Kosovën. "Të bëhet
draft-statuti i Asociacionit njëanshëm nga Kosova në mirëbesim",- thonin
ata! Kësaj ideje iu bashkua, forcërisht, edhe kryeministri shqiptar, Edvin
Rama, duke pasur edhe miratimin e opozitës PAN-iste, e cila bënte dy veprime të
njëkohshme: e spiunonte dhe akuzonte Kurtin, se "nuk po koordinohet me
ndërkombëtarët dhe se Albini është antiamerikan" dhe kërkonin ta shpallnin
"non grata", me qëllim të lehtësimit të rrëzimit të Qeverisë dhe të
rimarrjes të pushtetit në tavolinë!
Fajësia e Brukselit ka qenë me dozë të
shtuar. Ndodhi sulmi kriminal në Banjskë të Zveçanit. Vendorë e ndërkombëtarë
prisnin ndëshkimin e Serbisë, për sulmin terrorist serb dhe vrasjen e
rreshterit të Policisë të Kosovës, Afrim Bunjakun. Për çudë, ndodhi e kundërta,
u sanksionua Kosova "për veprime që askush nuk mbanë mend!" Tolerimi
i destruktivitetit të Serbisë me joshjen dhe përkëdheljen, për ta shkëputur nga
Rusia, po e pëson Kosova. Ishte një shok, një goditje cinike, që u sillte në
mendje shqiptarëve fabulën "Ujku dhe qengji". Ishte një sinjal
ogurzi, se BE-ja kishte gatishmëri për ta fovorizuar Serbinë në orekset e saj.
BE-ja, nga dita në ditë, shton zullumin
për Kosovën, duke kushtëzuar Kosovën me bërjen e Asociacionit, i cili
konsiderohet si "kancer i Kosovës". për sot dhe mot.
Të denoncohet Hashimi për pazaret e
pista me Serbinë;
të stopohet ndarja dhe Asociacioni;
Kosova të konsultohet vetëm me SHBA dhe
BE-në!
Pavarësisht dështimeve serike ndër
vite, në pritje që BE-ja dhe SHBA të lehtësojnë dialogun, duke bërë
zgjidhje të drejtë, të pranueshme për Kosovën, nuk është në pozicionin, për ta
braktisur ndërmjetësimin ndërkombëtar, duke provuar për zgjidhje teknike
bilaterale me Serbinë. Vërtet, analiza e profesorit Server është e frikshme,
sepse sipas tij presidenti Trump është i paparashikueshëm, Dhe, në vullnetin e
zgjidhjes së shpejt të kontestit artificial Kosovë-Serbi, mund t`i referohet
"këmbimit të territoreve", përkatësisht, të veriut të Mitrovicës me
komunat e Kosovës Lindore. Por, edhe atje përcaktohet vetëm një pjesë, ndërsa
përjashtohet pjesa që lidhë Serbinë me Maqedoninë.
Kosova është në hall të madh. Sepse
pushteti aktual, opozitën e ka pasur dhe vazhdon ta këtë palë me Serbinë. Vetëm
për t`u rikthyer në pushtet, ajo me "komandantët" e saj kriminelë,
për të shpëtuar nga dosjet penalizuese, njëherësh për t`u rikthyer në pushtet,
-rrafsh Kosova- e bëri Serbinë hisedare faktike për dy dekada radhazi. Pas
vetëzbulimit të Ric Grenell, si agjent i paguar i Serbisë, Kosova kishte
shansin ideal, për ta shkëputur çdo lidhje me atë, madje pa cenuar fare
marrëdhëniet me SHBA. Vardisja pas prapanicës së tij të kuadrove të PDK-së dhe
të tjerëve, të atij soji, është rrezik serioz i involvimit, ndërhyrjes së tij
në politikën e Kosovës. Tani është koha për vijën e kuqe ndaj tij, me
arsyetimin e gatshëm, si agjent i Serbisë.
Presidentja Vjosë Osmani hodhi idenë e
mençur se "Kosova duhet të dialogojë me SHBA-në dhe BE-në, sepse dialogu
me Serbinë ka dështuar pariparueshëm dhe nuk ka asnjë arsye të bisedohet, për
rregullimin e brendshëm të shtetit të pavarur të Kosovës, me Serbinë pushtuese
të deridjeshme. Dekadat e dialogimit kanë provuar kotësinë, xerrësinë e
këtij dialogu.
I vetmi dialog që mund të bëhej është
kthimi jo vetëm i të ashtuquajturës "Luginë e Preshevës", por i
Kosovës Lindore, tokat shqiptare në Iliridë - Maqedoni, në Mal të Zi, në
Çamëri. Pushtimi i trojeve shqiptare ka filluar nga Kongresi i Berlinit, për të
vazhduar në Konferencën e Londrës dhe të tjera pazare nga Fuqitë e Mëdha të kohës,
duke i përdorur tokat shqiptare si kusuritje në mes tyre.