Mendime
Llesh Ndoj: Kush duhet t’i dalë zot flamurit tonë kombëtar?
E diele, 27.07.2025, 06:57 PM
Kush duhet t’i dalë zot flamurit tonë kombëtar?
Nga
Llesh NDOJ
Në
rrjetet sociale, po qarkullon një video e shkurtër ku shihen disa të rinj që e
shkelin me këmbë Flamurin e shtetit Shqiptar, e grisin atë me një urrejtje të
shfrenuar për t’ua patur zili edhe ata armiqtë historikë të kombit shqiptar
dhe, sikur të mos mjaftonte kaq, e shkelin dhunshëm edhe me gomat e makinës.
Thuhet se ata janë të rinj shqiptar të Kosovës! Kjo ka ngjallur reagime të
natyrshme në rrjetet sociale dhe në disa mediume. Them të natyrshme, duke marr
parasyshë faktin se edhe dhunuesit edhe simboli i dhunuar konsiderohen
shqipëtarë! Dhe jo vetëm konsiderohen, por ato ndër shekuj (Flamuri dhe Gjuha)
kanë ruajtur të paprekur ndjenjën kombëtare e bashkimi rreth tyre e ka ruajtur
kombin pa u shpërbërë totalisht. Për atë Flamur kanë dhënë jetën shqiptarët e
mëdhenj, patriotët e njohur andej e këndej kufirit shtetëror Shqipëri - Kosovë,
që nga koha e Gjergj Kastriotit e deri në luftën çlirimtare të Kosovës. Pjesa
dardane e shqiptarisë gjithnjë ka qenë patriote e zjarrtë, mbrojtëse dhe
adhuruese e Flamurit Kuq e Zi.
Për
më tepër se kaq, të rinjtë dhunues të simbolit tonë shtetërorë, janë lënë të
lirë nga ana e autoriteteve policore atje.
Pyetjet
që shtrohen janë:
A
meriton një vemendje kjo ngjarje nga mediat dhe shoqëria shqipfolëse në të dy
shtetet autonome, Kosova dhe Shqipëria? Po shtetet përkatëse, a duhet të
reagojnë zyrtarisht ndaj saj?
Në
këto dy shina modeste, shpresoj të përkohëshme, do të lëvizë edhe “treni” i
analizës sime.
Personalisht
nuk më gjen në kundrakohë veprimi i atyre të rinjëve shqipfolës kosovarë, pasi
më parë se të gjykojmë e analizojmë ata, na duhet të analizojmë shoqëritë tona
në stadin aktual të tyre. Nga mosha, ata duken fare të rinj. I përkasin
gjeneratës së postnëntëdhjetës ose të postluftës kosovare, kohë kur Flamuri Kuq
e Zi atje, nuk ka arritur të gjejë vend në zemrat e tyre. Ata flasin shqip,
sepse kjo u vjen natyrshëm prej prindërve, ndoshta edhe nga se akoma nuk kanë
mundur të zotërojnë gjuhë të tjera e të jetojnë atje ku as që kanë dëshirë të
identifikohen me gjuhën e tyre. Flamurin Kuq e Zi dhe simbolikën e tij jetësore
e kanë dëgjuar nga bisedat e gjyshërve, në se u kanë shpëtuar gjallë nga lufta,
si përrallë e të kaluarës, që s’ka për t’a asnjë peshë aktualisht. Gjyshër e
prindër ndoshta kanë qenë luftëtarë të Lirisë e nuk kanë mundur as t’i
shoqërojnë ata në Shqipëri, në se kishin lindur atëherë, gjatë luftës në
eksodin biblik e masiv të kosovarëve, apo natyrshëm kujtojnë se ata, prindërit
apo gjyshërit e tyre, kanë heq keq mjaft asokohe në Shqipëri, gjë që është e
vërtetë, por kjo jo nga mungesa e disponimit dhe e dashurisë së shqiptarëve
ndaj tyre, por sepse Shqipëria e kohës, mezi e mbante edhe veten. E megjithatë,
ajo ua hapi dyert, siç duhet të bënte vllau për vllezërit e gjendur në zjarrin
e luftës. Ndonjëri prej tyre ndoshta edhe ka krijuar urrejtje se ata nuk kanë
gjetur këtu asokohe hotele me pesë yje…
M’u
kujtua ajo periudhë, të cilën për shkak të detyrës që kryeja, e kam kaluar si
në një zbor ushtarak të kohës së komunizmit, në gadishmëri e gjendje alarmi
vijues. Një natë, ndoshta rreth orës një pas mesnatës, në sheshin para
prefekturës ku punoja, mbërritën pesë automjete ushtarake shqiptare plot me
vëllezër kosovarë, të cilët duhet të strehoheshin e sistemoheshin patjetër, si
mundeshim e ku mundeshim. Vumë në lëvizje listat e pritësve të regjistruar
vullnetarisht e bëmë aq sa mundëm, por ishin shumë për një qytet të vogël si
Lezha e atëhershme, për më tepër në atë orë të vonë të natës. Nga ata, të
vetmit njerëz të zemëruar e mosmirënjohës mes tyre ishin nja 4 - 5 të rinj me
moshë 20 - 30 vjeçare, që po bënin gjithë kohën gallatë në njërën nga makinat
ushtarake. Bile, ata edhe e shfaqën haptas pakënaqësinë e tyre ndaj meje, jo si
individ por si përfaqësues i shtetit shqiptar të kohës, kur po shoqëroja një
vendas që mund të merrte për strehim një familje të vogël prej tyre. - Edhe sa
do presim, o shefi, apo ne djemve nuk na qasni Ju këndej? Më ra gati si bombë
ky reagim i nxituar, por në respekt të detyrës e të vuajtjeve të kosovarëve, që
t’a këputnin shpirtin edhe me shprehjen e dhimbshme të fytyrës, u mundova t’a
moderoj reagimin tim, megjithëse ndoshta jo edhe aq sa duhej, jo se nuk desha,
por sepse nuk munda.
-
Asnjë keqardhje për Ju! - u them. Vendi juaj është në luftë, e po deshët armë
ju gjej unë! Keq më vjen për fëmijët, të moshuarit, nanat e motrat e pamundura…
Nejse!
Ishin vetë të moshuarat e të moshuarit kosovarë, që i vunë përpara ata djem me
kritikat e tyre, e unë, gjithnjë jo si individ por si përfaqësues i shtetit
shqiptarë, mora prej tyre me mijëra urime.
Po
në qoftë se ata, dhunuesit e Flamurit tonë kombëtar kanë lindur në Liri, a
duhen paragjykuar? Jo! Asnjë faj nuk e kanë. Qeveritë atje janë sjelljë si të
ishin bajraktarët mbajtës të atij flamurit verdhosh, dhuratë e ndërkombëtarëve
për t’a, ndërkohë që Flamuri ynë Kuq e Zi ka kohë që është zbritur nga froni në
zyra e sheshe, e ka mbetur i strukur akoma vetëm në ndonjë kullë, si ajo e
Jasharëve të Drenicës etj, e në “kalatë shpirtërore” të brezit të vjetër të
kosovarëve, të rritur me dashurinë e adhurimin ndaj tij. Asgjë nuk është bërë
atje, që të ruhet dashuria për Flamurin Kombëtar, në mos është parë ai edhe si
një pengesë për të sunduar në “çifligun”, që e konsiderojnë të tyrin. Kontaktet
qeveritare, janë si të dy shteteve që vetëm sa e njohin njëri - tjetrin.
Propoganda anti është fort e pranishme, sidomos tek brezi i ri.
Ndoshta
ata s’kanë faj…!
Edhe
qeveritë shqiptare të Shqipërisë zyrtare, asgjë nuk kanë bërë me përfaqësuesit
e tyre për t’a parandaluar këtë situatë. Sjellje bajraktareske në raport me
këtë çeshtje, janë vërejtur në mënyrë vijuese, nisur nga miti i vllaut të madh,
ndoshta. Edhe vetë shoqëritë tona pak janë unifikuar mes veti përmes vajtje -
ardhjeve e aktiviteteve të përbashkëta, kulturore, artistike e sportive. Edhe
një grup i strukturuar dhe i zjarrtë tifozësh kosovarë të kombëtares shqiptare
të futbollit, janë parë shpesh me syrin e njerkës dhe janë trajtuar si “të
huaj”, nga Federata Shqiptare e Futbollit, bizneset shqiptare, sidomos ato në
bregdet, dhe veçanërisht në fillimet e tyre, janë treguar abuzive me
patriotizmin e nevojën e kosovarëve - vllazën. Kultura, arsimi, arti, sporti e
gjithshka që do të duhej të afronte bashkimin tonë edhe kështu të ndarë, por
ato fatkeqësisht ecin në shina imagjinare paralele.
Nuk
e di, as nuk mund të them se ata të rinj i përkasin Kurtit të Vetvendosjes, apo
ndonjë grupimi tjetër politik atje, por gjasat janë të jenë admirues të tij,
pasi ai e ka shfaqur hapur parehatinë e tij duke drejtuar vetëm Kosovën.
“Kostumi” i saj, dukshëm i duket se i rri ngushtë, madje edhe Shqipëria i duket
pak për aftësitë që ia i atribuon vetes ai dhe që ja pompojnë edhe shumë
shqipfolës, jo vetëm andej e këndej kufirit shtetëror, por sidomos nga diaspora
shqiptare.
Nuk
duhen paragjykuar pra shqiptarisht ata të tinj, pasi parë kështu ata s’kanë
asnjë “faj”, por ligjërisht është një veprim i denueshëm, që duhet gjykuar
patjetër.Kjo ishte linja e parë e analizës sime modeste.
Po
e dyta, ç’rrugë logjike ndjek?
Pikërisht
atë që vetëm sa e ceka më lart, gjykimin ligjor të rastit të dhunimit të
Flamurit Kuq e Zi, si simbol i shtetit shqiptar të Shqipërisë zyrtare.
Shteti
i Kosovës tashmë i ka kaluar 25 vitet si shtet i lirë, e pavarësisht halleve e
vështirësive të rritjes, duhet të paraqitet në arenën ndërkombëtare si një
shtet i pjekur, i matur, si faktor stabiliteti në rajon, që di të respektoje
veten dhe të tjerët. Nuk e di në se legjislacioni penal atje e kriminalizon
dhunimin e simboleve kombëtare të një shteti tjetër apo jo, (me siguri po!) por
praktika ndërkombëtare e kërkon këtë si një detyrim minimal, për të ndërtuar
një klimë marrëdhëniesh e besimi reciprok. Në Kosovë, me të drejtë dhe me
detyrim ndërkombëtar, gjenden plot shkrime e simbole serbe kudo, në rrugë, në
sheshe, në institucione. Bile ka enklava të tilla ku shteti i Kosovës ka pak
akses, megjithë përpjekjen që ka bërë për shtrirjen e autoritetit të tij në të
gjithë teritorin shtetëror, sidomos qeveria aktuale dhe Kurti. Ato nuk
dhunohen, megjithë trashëgiminë e vështirë të marrëdhënieve pushtues - i
pushtuar, që e kanë të freskët, dhe mjaft mirë bëhet të mos dhunohen! Të
sillesh si i keqi, maksimumi ia lehtëson atij barrën e të keqes. Po pse pra nuk
reagon qeveria kosovare zyrtarisht, për rastin e dhunimit publik të Flamurit të
Shqipërisë? Po Ambasada jonë në Prishtinë, më i pakti institucion i shtetit
shqiptar, pse nuk reagon zyrtarisht? I takon z. Malaj të reagojë, ndoshta si
diplomat dhe si atdhetar.
Duke
biseduar me këtë shqetësim e logjikë me një shokun tim intelektual, ai mendonte
se reagimi i mundshëm institucional mund t’i përkeqësonte më tej marrëdhëniet,
ndaj më mirë mund të jetë kështu. Po në se marrëdhëniet tona kanë atë pjekuri
zhvillimi e ndërgjegje bashkëpunimi vllazëror, aq sa mund t’i përkeqësoje një
reagim institucional ndaj një akti dhune të pashembullt, ushtruar ndaj
ndërgjegjes kombëtare shqiptare, jo thjesht ndaj Flamurit të Shqipërisë,
heshtja ndaj tij a nuk është duartrokitje e stimulim për përsëritje e
përshkallëzim të mëtejshëm këtyre
veprimeve antikombëtare?!
E
sigurt është se ai akt nuk përfaqëson popullin vlla shqiptar të shtetit të
Kosovës, por aspak e sigurt nuk është se ai reagim turpi nuk vjen si
reminishencë e mendësive qeverisëse aktuale bajraktareske, sidomos në Kosovë,
pa përjashtuar edhe veprime e mosveprime të qeverisë shqiptare të Shqipërisë.
Bashkë e rreth atij Flamuri ne jemi pak përball sfidave, të ndarë e të copëtuar
jemi bash si na duan armiqtë tanë.
Lezhë, më 26 korrik 2025