Kerko: a
Agron Tufa: Mbi ish kamp-burgun politik të Spaçit dhe kujtesën martire të diktaturës
E marte, 10.06.2025, 06:58 PM
Mbi ish kamp-burgun politik të Spaçit dhe kujtesën martire të diktaturës
Nga
Agron Tufa
Më shkruajnë disa dashamirë, përse
nuk reagoj këto ditë për mbrojtjen e kamp-burgut politik të Spaçit. Për fat të
mirë, po shoh se reagimi ka qenë i fuqishëm në vend nga personalitete e shoqata
që e kanë ndjeshmërinë dhe vetëdijen se çfarë është Spaçi në kujtesën e
martirizuar shqiptare të diktaturës. Çështja duket se u sqarua dhe garancitë u
dhanë se nuk do të cënohen rrënojat, ndonëse nuk u duhet zënë besë kurrë në
fjalë garancive qeveritare.
Por, duhet thënë Lavdi Zotit, që
Spaçi për grykësinë e pangopur të qeverisë Rama nuk paraqet ndonjë interes të
madh qindramijërash apo miliona eurosh, përndryshe, pavarësisht reagimeve e
protestave, historia do të shkonte njëlloj si me Teatrin Kombëtar. Të jeni të
sigurtë.
Ajo që më ka habitur dikur (tash prej
kohësh nuk më habit më) është se si ka mundësi, që gjithë trashëgimia e pistë,
e flligësht, gjakatare e kriminale e komunizmit në të gjitha sferat e kulturës
ruhet sot, edhe pas 35 vjetësh me një xhelozi e fanatizëm të skajshëm; se si
shumëfishohen e përhapen në transmetime pareshtur imazhet rozë të diktaturës:
video, këngë, tekste, filma dokumentarë - gjoja artistikë, teatro, piktura e
grafika që glorifikojnë realitetin historiko-social të komunizmit; se me çfarë
egërsie të vërsulen kur kërkon të vesh rregull me ligj mbi përhapjen e kasaj
murtaje popullore dhe, të gjitha këto vrunduj onanistë nostalgjie t'i krahasosh
pastaj me shpërfilljen cinike e vrastare të qeverive shqiptare të paskomunizmit
ndaj rrënimit, shkretimit dhe zhdukjes përfundimtare të vendeve të kujtesës, -
atë që unë e kam quajtur "topografia e terrorit" (Burgje,
Kamp-burgje, kampe internimi me tela me gjemba dhe kampe internime të punës
skllavëruese, vende ekzekutimi, ish-Degë të Punëve të Brendshme, që kishin dhe
ato qelitë e tyre, etj, etj.).
Mbajeni mend dhe ju lutem fiksojeni
mirë këtë: prej kohësh ideologjia e politika luftojnë egërsisht të shpërngulura
e të strukura në maskën e kulturës. Sepse përmes kulturës "shplahet"
apo "përftohet" një imazh i ri, personal qoftë, apo kolektiv.
Po, po, kam vënë re mirë një
solidaritet qeveritar e popullor për mbrojtjen fanatike të nostalgjisë ndaj
trashëgimisë së gjoja-artit dhe kujtesës komuniste, dhe një egërsi shtazore për
refuzimin e artiti, dëshmive dhe kujtesës së qëndresës dhe martirëve. Vetë
zhdukja, rrënimi i dalëngadaltë i monumenteve të dëshmive për 35 vjet me radhë
e konfirmon këtë që them.
Pse nuk po reagoj unë? Miqtë e mi,
kam bërë jo aq sa shtriheshin mundësitë e mia dhe ekipit me të cilin punoja në Instituti i
Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit - ISKK - por
shpesh edhe përtej kësaj, i përfshirë me mendje e me zemër. Edhe për Spaçin
gjithashtu. Përpos pelegrinazheve të përvitshme që organizonim herë vetëm, herë
me shoqatat e reja që dolën, kam ngritur vazhdimisht zërin për gjendjen e mjerë
të këtij monumenti aq të jashtëzakonshëm të kujtesës sonë martire e krenare,
siç është ish kamp-burgu politik i Spaçit. E kisha parë, për së pari, si
shumëkush që ka pasur familjarë aty brenda, me sytë e mi të një fëmije. Dhe
çfarë sheh syri i një fëmije, nuk harrohet kurrë!
Gjithsesi, që miqtë dhe të
interesuarit ta dinë, i kam kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Kulturës, -
Shpalljen Muze Kombëtar të kamp-burgut të Spaçit, me VKM sipas propozimit
nr.644, datë 7.9.2018 në emër të Institutit të Studimeve dhe Krimeve të
Komunizmit - ISKK.
Së fundmi, për t'i vënë kapakun kësaj
teme, - temës së rrënimit të burgjeve politike, kamp-burgjeve të punës së
detyruar, kampeve të internimit etj, kam bërë, me mjetet e lypura, një film
dokumentar "Dyert memece të ferrit", të karakterit njohës mbi këto burgje,
duke ngritur shqetësimin alarmues mbi shprishjen, rrënimin dhe zhdukjen e tyre
me mbivendosjen mbi ta të projekteve buqësore apo industriale (siç është
kamp-burgu i Ballshit). Dokumentari u shfaq në gjermani (Erfurt, Berlin) dhe u
çmua shumë. Por asnjë, asnjë nga televizionet shqiptare ku e patëm çuar, nuk
pranoi ta transmetonte. Dhe kjo flet shumë...
Për gjithkënd që ka qoftë dhe
interesin më të vogël informues mund ta ndjekë në kohë të ngeshme këtu poshtë
në video. Për Spaçin gjeni duke nisur nga minuta 5.43':
https://youtu.be/HQ5WG_bNc_s?si=x6j5Lbn8U5o-zFmX