Kulturë
Zamira Hyseni Agalliu: Ninulla polifonike, Shqiponjat e Tërbaçit dhe Albert Habazaj
E enjte, 03.04.2025, 06:56 PM
Një
tufë me lule nga grupi hollandez i xhirimit të dokumentarit etnofolklorik në
shtëpinë e z. Albert Habazaj në gjendje jo të duhur shëndetsore
NINULLA
POLIFONIKE, SHQIPONJAT E TËRBAÇIT DHE ALBERT HABAZAJ
Nga
Zamira Hyseni AGALLIU - Specialiste
e Muzeut Muzeut Etnografik Vlorë
Shqiponjat e Tërbaçit në Odën e Grave të
Muzeun Etnografik
Shqiponjat e Tërbaçit u
mirëpritën me bujari në mjediset e Muzeut Etnografik Vlorë, të dielën e 30 Marsit
2025 (gjatë xhirimeve për një dokumentar folklorik dhe etnografik - nga
kuarteti i studiuesve të rinj e të pasionuar, idealistë të përkushtuar dhe të
devotshëm: holandezi Juri dhe 3 shqiptaro - holandezet Anisa, Enxhi dhe Eva). Shqiponjat
gjetën mbështetjen humane të stafit për realizimin e misionit të tyre fisnik e
qytetar me prurjen në kohë dhe të pasuruar brenda truallit e tabanit të
traditave më të mira të nënave, gjysheve dhe stërgjysheve tona,
patjetër dhe të tyren, se janë të gjitha gjyshe. Ato interpretuan, në fakt
rilindën Traditën e Madhe me Ninullën e Djalit, gëzuar e kënduar në grup aq
bukur, siç dinë gjyshet, aq më tepër gjyshe si Shqiponjat e Tërbaçit, këto
heroina të heshtura të jetës e dinjitetit familjar e kulturor. Ato përkundin
vërtet nipërit e tyre, domosdo, janë gjyshe të gjitha. Atyre nuk u shkojnë
vargjet patetike, nuk i ngrenë dot ato që s’i mban e s’i rrit vendi, se s’janë
për to. Shqiponjat e Tërbaçit, si çdo gjyshe, gurgugullojnë me vargje të
thjeshta, që u burojnë nga shpirti : “Qumësht
blete, mjaltë zgjoi”, thurur me aq ndjenjë e art origjinal nga vëllai dhe
drejtuesi i tyre, Alberti. Gjyshja tund djepin
e djalit, i nanurit e i këndon ninullë e në këtë gëzim të madh kanë
ardhur halla, tezja, kunatat, motrat… Dhe e vogla e shtëpisë. Halla vjen me yshmer,
që të rritet i shëndetshëm djali e të ketë bollëk dera. Tezja vjen me asude (ëmbëlsirë
tradicionale e Tërbaçit dhe e Labërisë së Vlorës) që nëna e djalit të ketë qumësht
e ta ketë jetën të ëmbël bashkë me bebushin që po rrit me aq dashuri. Ne u gëzuam
që na erdhën Shqiponjat e Tërbaçit, se ato nuk erdhën për vete por për të përmbushur
një detyrë shpirtërore të lartë, si fisnike nga dyer bujare që janë. Dhe ne me
përkushtim e dashuri, u përgatitëm Odën e Grave ku do të realizonin Ninullën
Polifonike të Djalit, ku gjyshe Shpresa tek tund djepin e tjerr shtëllungën, këndon
me zë shpirti aq ëmbël, me ato ngjyra të ngrohta zëri e shprehjesh të fytyrës e
trupit, me timbër të qartë e të kulluar, me atë zë të pastër e tingëllues, që
na emocionues, sikur tund djepin e nipit tonë… Po ato motrat aq të urta e
shembullore; Shqiponjat Lado, Mira, Mejo, Flutura, Bejushja e Neta (me to u
bashkova dhe unë nga kënaqësia dhe detyrimi moral) Po erineda e vogël 5 vjeçe,
mbesa e Shqiponjës Mira, që vinte rrotull si n jë flutur e bukur, si një ëmbëll
fatprurës me atë buzagazin e saj aq të freskët si gonxhe trëndafili. Edhe Liria
e Gjena, edhe Havaja, që mungonin për arsye objektive të forta ishin aty e Zoti
qoftë me to për t’i ndihmuar e t’i rikthehen “10 Shqiponave të Tërbaçit” - këtij
Grupi me Diell!
Suksese pafund 10 Shqiponjave të Tërbaçit!
Një kontribut i vyer i këtyre
Zonjave në Trashëgiminë Kulturore të këngëve e valleve të krahinës së tyre!
Ishte kënaqësi për mua të prisja këtë
grup të Grave të talentuara, të cilat mbajnë gjallë traditat, këngët, ninullat
dhe vallet e të parëve tanë.
Duke parë nga afër sakrificat e tyre,
si qepja e kostumeve popullore dhe stolitë deri në detaje, këpucët me xhufka,
shamitë me (uja), përparëset lino, xhoket, etj., kuptova sa të rrënjosura janë
traditat dhe zakonet e zonës së tyre.
Mesazhi që mora nga Shqiponjat e valles dhe këngës labe
U ndjeva në faj me veten, prandaj
mendova me zë të lartë "Pse nuk po organizoj edhe unë një grup grash
polifonik ku të shpalosen vlerat kulturore të fshatit tim, Kaninës?!
Pse nuk organizojnë secili fshat nga
një grup grash të mbajnë gjallë kulturën, zakonet, traditat e tyre përkatëse,
ku të dallojmë veçantinë dhe të përbashkëtat që kemi si fshatra, zona e
krahina?!
Ndërkohë që po shkruaj këto, që po
mendoj:
Që të realizohet kjo që sapo
shkrova, duhet të kemi pasionin dhe talendin e këtyre Zonjave.
Tërbaçi është shquar për Vlera
Kulturore Artistike!
Tërbaçi është shquar për Inteligjencë
dhe Trimëri!
Tërbaçi është shquar për Patriotizëm!
I palodhuri dhe i papërsëritshmi
Albert Habazaj, si një Drejtor i mirë mban gjallë këtë ansambël folklorik me
logon e tyre; Grupi i Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.
Bert e Memi, ndoshta Lartësia e
Maleve dhe uji i kristaltë ju bënë Juve kaq Artistë në shpirt. dhe arrini të
shpërndani këtë dritë Dielli në Art dhe Kulturë!
Thjesht, Ju adhuroj!
Në fakt ju kam edhe zili. Popo, zili
se nuk ka të dytë si grupi juaj.
Deri sa të ketë një grup të dytë si ju
Shqiponjat e Tërbaçit, e shoh larg ...
Ju këndoftë Zemra gjithë jetën Zonja
të nderuara!
Ju Adhuroj!
Duke parë e dëgjuar nga afër Ninullën, kupton sa thjeshtë Nëna
(Gjyshja) në të njëjtën kohë:
1) tund djepin!
2) këndon ninulla!
3) tjerr furkën!
Dhe këto bëhen kaq natyrshëm sa dashuria që depërton ëmbël nëpërmjet
zërit të saj, i cili mbush Odën në çdo qosh si të jetë fllad përkëdhelës.
Herë pas here, gjatë ninullës Nëna “vështron” foshnjën e saj, a
e ka zënë gjumi, duke i kaluar lehtë dorën e saj te balli i tij si për t'i
treguar praninë e saj...
Pastaj i kthehet boshtit duke mbledhur gjalmin e leshit, pastaj
rregullon furkën mirë në brez.
Këmba e saj luan djepin me ritmin e Ninullës së Djalit.
Kaq melodioz ky rit i përkundjes së djepit, sa të vjen natyrshëm
në vesh një ritëm troku, të cilin e sjell tundja e djepit dhe dyshemeja.
Të duket se je duke dëgjuar një kalorës, i cili është duke u
nisur apo ardhur, një ritëm i ëmbël malli dhe dashurie.
Të duket se Nëna po kërkon prej djalit që ai të rritet shpejt,
shpejt, se e pret Kali i Bardhë te niset të marri Nusen, apo të niset në Luftë
për të mbrojtur Trojet.
Nëna përkund djepin, ku bashkë me Ninullën Mëkon Dashuri. Mëkon
Trimëri.
Mëkon Atdhedashuri!
Bekuar qofshin Ninullat, këngët dhe vallet e popullit tonë!
Jetofshi si Shqiponjat e Tërbaçit Zonja të nderuara !
Gatimet
tradicionale kur lind djali
Yshmeri dhe Ëmbëlsira ishin një e
veçantë tjetër e traditës kulinare të Zonës së këtyre Zonjave të rralla!
(Me ujë bore larë Zëri)
Ninulla e kënduar prej tyre të
ngjallte ndjenjën e dashurisë dhe mirësisë me të cilën rriteshin foshnjat që në
djep.
Shqiponjat
e Tërbaçit me Ninullën e Djalit në Odën e Grave
Erineda,
Shqiponja e vogël e Tërbaçit me mëmëzonjat - Shqiponjat e Tërbaçit, Vlorë,
30.03.2025
Shqiponjat
e Tërbaçit me Erinedën 5 vjeçe, si simbolikë të vijimit të stafetës
etnofolklorike, 30.03.2025
Shqiponjat
e Tërbaçit me një valle gëzimtare, Muzeu Etnografik, Vlorë, 30.03.2025
Shqiponjat
e Tërbaçit për Ninullën e Djalit në Odën e Grave, Muzeu Etnografik Vlorë, 30
mars 2025
Shqiponjat e Tërbaçit në Gëzimin e lindjes së djalit ngrihen në valle.