Kulturë
Albert Habazaj: Lot prilli për Margaritën
E enjte, 03.04.2025, 06:55 PM
Ing.
Meme Ribaj Habazaj, Artistja e Popullit, Nderi i Kombit Margarita Xhepa dhe
Albert Habazaj; Vlorë, e mërkurë, 28.12.2011
LOT PRILLI PËR MARGARITËN
Nga
Albert HABAZAJ
Ti, që më 2 prill na erdhe
Ti, që më 3 prill na ike,
Më trishtove, keq ma zverdhe
Një këngë të bukur lirike.
Të thura këngë me refren
Tok me Shqiponjat e këngës
Se vjersha për Ramizenë[1]
Të preku telat e zemrës.
Dhe si divë, zëdrithëruese
E këndove shpirtlënduar,
Në përmasa rrezatuese
Ramizenë yllzbukuruar.
Po sa herë ne biseduam
Ti me at’ zë si mjaltë i mallit,
S'mund ta fshij dot, jo, nuk dua
Numrin tënd të celularit...
Prilli i bukurisë tënde
Si Zonjë e Madhe, ikonë
Si Margaritar në mendje
Më vjen, po aq vesë e njomë...
Ti dje festove datëlindjen
“Nderi i kombit”, po thjesht fare,
Sot më shkasin lotët, s'binden
Për ty, Pishë e Bardhë krenare.
Lot me lule prilli janë
Që më dhembin, sa një plagë,
Rolet vijnë, më ulen pranë
I kam për shpirtin mëllagë.
Ti, që loze Ofelinë
Shpirtëmira engjëllore,
Je një tufë me trëndelinë
Qesh si rreze diellore...
[1]) Ndiq në YouTube: Margarita
Xhepa reciton poezinë e poetit Albert Habazaj Pafajshmëria më e pafaj për
Ramize Gjebrenë [Nuses së lirisë,
dëshmores Ramizè Gjebrea (20 prill 1923 - 6 Mars 1944)]
Ujë i Ftohtë,
Vlorë; e enjte: 3.04.2025