Vërtetësi
Telegrami 4 mars ‘46/ Spiro Pano: Pushkatuam 6 klerikë në Shkodër, por ata po mbajnë zi, s'duhen lejuar
E marte, 04.03.2025, 05:27 PM
“Sot
me rastin e pushkatimit të gjashtë kriminelëvet të klerit u mbyll Gjimnazi
jezuit... Mendimi ynë është se ata e mbyllnë në shënjë zije... të mirret një
masë e reptë duke u mbyllur fare ky gjimnaz...”
4
marsi i 1946 në Shkodër ishte një ditë zie. Atë ditë, në orën 5.00 të
mëngjesit, regjimi komunist kishte pushkatuar pranë varrezave të qytetit
atë Giovanni Fausti e Atë
Daniel Dajani, së bashku me nxënësin xhakon Mark
Çuni, Atë Gjon Shllakun, Qerim
Sadikun dhe Gjelosh
Lulashin. Gjashtë martirët e lartpërmendur, u akuzuan si sabotues e
armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të shoqatës Bashkimi Shqiptar.
Por
krerët e regjimit komunsit nuk ishin ende të kënaqur me krimin e tyre. Ata nuk
donin që të mbahej zi në Shkodër pas kësaj masakre. Në një telegram të shkurtër
dërguar Koçi Xoxes, po atë ditë, Spiro Pano shkruan me indinjatë se
në shenjë zie ata kishin mbyllur gjimnazin jezuit. Menjëherë pas kësaj
komunistët kishin thirrur për të dhënë llogari rektorin e gjimnazit jezuit dhe
sipas telegramit ai kishte thënë se ishte ditë karnavalesh dhe mbyllej çdo vit.
Por komunistët nuk e besonin këtë gjë dhe siç shkruan në telegram Spiro
Pano kjo ishte bërë me siguri në shenjë zie ç'ka synonte sipas tij, të ngjallte
e të forconte indinjatën e popullsisë shkodrane. Për t'u hakmarrë ndaj këtij
veprimi Spiro Pano propozonte që të merreshin masa ta mbyllnin fare këtë
gjimnaz.
Më
poshte “Kujto.al –Arkiva e Viktimave të Komunizmit” sjell tekstin e plotë të
telegramit dërguar Koçi Xoxes ditën e masakrës ndaj klerikëve katolikë si
dhe faksimilen e dokumentit.
Telegrami
Nr.
174
4.III.46
Koçi
Xoxe
Sot
me rastin e pushkatimit të gjashtë kriminelëvet të klerit u mbyll Gjimnazi
jezuit. Kur u thir nga Pushteti rektori tha se e kemi mbillur me rastin e
karnavalevet dhe se kjo bëhet çdo vit. Mendimi ynë është se ata e mbyllnë në
shënjë zije pse e tillë është dhe propaganta e tyre në popullsinë Katolike. Ne
vazhdojmë me demaskimin e këtyre parullave e veprimeve po është mirë të mirret
një masë e reptë duke u mbyllur fare ky gjimnaz.
Spiro
Pano
***
(Në
foto: Klerikët duke i çuar në sallën e gjyqit)
Kush
ishin 6 të pushkatuarit:
Atë
Daniel Dajani S.J.
Lindi
në Blinisht (Zadrimë), më 2 dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu
në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të
teologjisë. U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye
në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm
dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për
formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte
si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua bashkë me Atë Faustin, u
dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë
çnjerëzore.
Atë
Giovanni Fausti S.J.
Lindi
në Broco të Breshës (Itali), më 19 tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në
seminarin ipeshkvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes
në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe
përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit.
Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me
fjalët e psalmistit: “Të shkojmë në shtëpinë e Zotit”. U arrestua më 31 dhjetor
1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.
Atë
Gjon Shllaku ofm:
Lindi
në Shkodër, më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu te
françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në
Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Holandë dhe në Sorbone të
Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në
Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve
(Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të
vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga
aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!”.
Mark
Çuni, seminarist
Lindi
në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore,
kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe
tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe
themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda
seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua
nga qeveria, u arrestuan Atë
Fausti e Atë
Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Pastaj
seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U
pushkatua më 4 mars 1946.
Qerim
Sadiku e Gjelosh
Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë nga regjimi
komunist pse deshën Krishtin.