Mendime
Fadil Sahiti: Çfarë e bën një politikan populist tërheqës
E diele, 16.02.2025, 07:54 PM
ÇFARË E BËN NJË POLITIKAN POPULIST TËRHEQËS
Nga
Fadil Sahiti
Ideologjitë
populiste po gjejnë terren pjellor kudo në botë. Në të kaluarën, kur flisnim
për ideologji populiste dhe totalitare, i referoheshim vendeve si Venezuela,
Rusia apo Turqia. Sot kjo ideologji po lulëzon kudo, edhe në djepet e sistemeve
politike liberale dhe demokratike: sot në SHBA, Hungari; nesër, me shumë
mundësi, në Gjermani, Britani të Madhe, e gjetiu.
Politikanët
si Marine Le Pen, Viktor Orbán, Nigel Farage, djathtistja gjermane e AfD Alice
Weidel dhe gjithashtu majtistja gjermane e BSË Sahra Wagenknecht, dhe padyshim
Donald Trump në SHBA po kombinojnë populizmin me "nativizmin"
[anti-emigracionin) dhe autoritarizmin për të fituar votën e qytetarit. Ne në
Kosovë, ndonëse vend i vogël, mund të krenohemi që kemi kultivuar dhe rritur
një politikan të tillë, kemi Albinin tonë të madh.
Çfarë
e tipizon këtë ideologji? Siç thotë profesori i Universitetit të Gjeorgjisë,
Cas Mudde, populistët janë një soj politikanësh shumë heterogjenë, megjithëse
ata ndajnë një diskurs të përbashkët. Mund të jenë të majtë ose të djathtë,
konservatorë ose progresistë, religjioz ose sekularë/laikë. E përbashkëta e
tyre është se dinë të kombinojnë populizmin me elementë kombëtarë apo religjioz
'lokalë/vendor'. Betohen se janë të vetmit përfaqësues të “vullnetit të
popullit”. Thonë se vetëm ata e ndjejnë dhimbjen e vërtetë të njerëzve dhe si
rrjedhojë vetëm ata dinë ta shërojnë atë (ata dinë dhe mund të rivendosin
sovranitetin e vendit dhe të zhdukin korrupsionin). E dinë saktësisht se kush
është armiku i popullit, se janë të vetmit që janë në gjendje t'i bëjnë ballë
armikut (serbëve të pabindur dhe hajvanët e opozitës), i cili nëse nuk është i
jashtëm, atëherë e sajojnë një nga brenda.
Populistët
nuk i pëlqejnë "sistemet e ndërlikuara demokratike" të qeverisjes
moderne - preferojnë demokracinë e drejtpërdrejtë si referendumet (ne duam 500K
vota) - sepse e dinë që referendumet promovojnë liderë të pakontestueshëm. Kur
nuk dinë se cilat janë problemet akute të njerëzve dhe për më tepër, kur nuk
dinë të hartojnë teknologji politike për t'i trajtuar ato, nuk shqetësohen fare
të hartojnë programe politike. Mjafton fjala e tyre. Nuk e shohin veten si
individë, por siç thoshte dikur presidenti i krahut të majtë të Venezuelës Hugo
Chavez, "Unë jam populli", domethënë ata janë populli. Deklarata të
tilla e bëjnë votuesin e thjeshtë të besojë se këta njerëz janë të pagabueshëm.
Dhe nëse nuk je me populistin e pagabueshëm, je kundër popullit.
Me
një fjalë, e gjithë vlera kontabël e ideologjisë populiste (nëse duam të
përdorim një term ekonomik) rezulton në liderin e pagabueshëm. Dhe, e gjithë
lufta e ideologjisë populiste dhe populistëve është e përqendruar në
negativitet, luftojnë qoftë kundër politikës së moderuar dhe evolucionare,
qoftë kundër mendimit shkencor dhe racional, e veçanërisht kundër elitës
intelektuale. Këtu qëndron një nga “pikat e forta” të populizmit – ai është
kundër të gjithëve.