Mendime
''Kolegët'' e çkolegizojnë, Erion Veliaj në Burg - Njoftimi i SPAK
E hene, 10.02.2025, 07:59 PM
NJOFTIM PËR SHTYP
Datë 10.02.2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit
të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën
fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë
shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i
funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi
i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për
deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave
privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër
që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara
oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së
vërtetës”, parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301
i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të
Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë
për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 7 Akti/datë 09.02.2025
ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të
Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim E. V., me detyrë, Kryetar
i Bashkisë Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni
pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer
në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose
veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 260 e 25 dhe 287/2 i
Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të
Procedurës Penale, për shtetasen nën hetim A. X., si e dyshuar për
kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë
shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë),
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi
për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive,
interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo
personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga
neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të
Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale
të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i
subjektit tregtar “……..” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”,
parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën
hetim G. S., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni
aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar
nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “A. K.” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”,
parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën
hetim M. P., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni
aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”,
parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “P.”
shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”,
parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën
hetim F. B., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni
aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar
nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “K.” shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”,
parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën
hetim S. K., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni
aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”,
parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “G.-A”
shpk;
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”,
parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën
hetim SH. F., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni
aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”,
parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “F.”
shpk.
Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë
fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga
shtetasit nën hetim, specifikisht E.V. (me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë) si
edhe bashkëshortja e këtij të fundit, A. X., është ideuar, krijuar dhe vënë në
funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë,
marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që
administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin
personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara
dhe të kundërligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas,
nisur nga provat e administruara në fashikull, në të paktën 10 raste, krijohet
dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i
zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi E. V., përmes
veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në
çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa
subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë
përmendur më lart. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa
organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë
të kontrolluar de jure dhe de facto nga
bashkëshortja e tij, shtetësja A. X., si edhe individë të afërt me
këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar
transaksionesh.
Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat
krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme
korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike
që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë
kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek
vetë shtetasi nën hetim E. V.) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe
personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de
facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes
sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej
subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo
fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të
kontrolluar de jure dhe de facto nga
bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar
si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një
godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea
Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më
lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë
me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike
si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë
shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të
Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo
transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është
kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit E.V.
Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i
referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë
dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të
organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në
kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe
bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe
pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i
institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e
fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë
përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.
Organi procedues ka arritur në konkluzionin se,
përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën
regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes
shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF,
“E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme
se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë,
por edhe “…” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim, kanë
gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.
Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të
kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin
në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të
parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së
pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale
sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën hetim dyshohet se kanë
përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të
nenit 287 të Kodit Penal (“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose
veprimtarisë kriminale”).
Qëllimi kriminal i shtetasve nën hetim për integrimin
në sistemin bankar të shumave monetare të cilat janë rezultat i përfitimeve të
parregullta, do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të
subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF, të identifikuar deri tani në
regjistrin e njoftimit të veprave penale. OJF-të “H.”, “E.”, “M.” dhe
“B.-A”, të kontrolluara plotësisht nga shtetësja nën hetim A. X., deri në këtë
fazë të hetimit paraprak dyshohet të kenë kryer veprime konkrete të
kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale,
nëpërmjet transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës
së paligjshme të tyre, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale
sipas nenit 260 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka
regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrat tregëtarë të
këtyre OJF – ve.
Po kështu, ky qëllim kriminal për pastrimin e
produkteve të veprës penale, që i referohet rastit të kalimit të të hollave nga
shoqëritë e administruara nga shtetasi nën hetim …. dhe familjarë të tij, do të
ishte i pamundur të realizohej pa bashkëpunimin e këtij të fundit në kryerjen e
veprimeve të kundërligjshme, të cilat kanë kulmuar në pagesat e bëra për
shoqëritë tregtare si edhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de
facto nga shtetësja A. X.
Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e
Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të
mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave
të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë
blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175
lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga
Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të
lidhur me të.
Po kështu, kjo shtetase në asnjë rast nuk ka
përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje
me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse,
e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të shumta, por edhe
njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse
(shpk). Fshehja e këtyre fakteve nga shtetësja nën hetim A. X., ka pamundësuar
organet ligjzbatuese për të patur një panoramë të plotë dhe të qartë sa i
takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat
nga ana e tyre zotërojnë shpk, por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar
“konstatimin” dhe “gjurmimin” e një sasie të konsiderueshme të
hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara
faktikisht nga shtetësja nën hetim. Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj
transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të
organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve
dhe shpk-ve.
Në lidhje me shtetasit nën hetim, përfaqësues të
subjekteve tregtare cituar më lart, organi procedues ka grumbulluar prova të
cilat të çojnë në konkluzionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata, me
veprime aktive të kundërligjshme kanë konsumuar elementë të veprës penale“Korrupsioni
aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar
nga neni 245 i Kodit Penal.
Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të
parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti
ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë
të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme
(godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime
konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive
festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë
subjektet tregtare që shtetasit nën hetim G. S., F. B., S. K., SH. F. dhe M. P.
përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve
të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e
titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi.
Në lidhje me këto pasuri, me kërkesë të Prokurorisë
së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar ka vendosur me vendimin nr. 84 Akti datë 10.02.2025, caktimin e
masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, në lidhje me pasurinë e
paluajtshme:
Pasuria numër 1/647, Vol. 29, Faqe 103, ZK.
3101, sipas certifikatës për vërtetim pronësie nr. 1456523, ndodhur në Zonën e
Stimuluar “Ardian Çarçani”, Qerret, lloji “truall”, sipërfaqe trualli të
objektit 494 m2, sipërfaqe të bazës së njësisë 82 m2, leja e legalizimit nr.
705199, datë 31.01.2020, regjistruar në ASHK në emër të “Agi Kons” shpk.
Po kështu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me
vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit
pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank”
dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetasës A. X. dhe shoqërive të
lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar
pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja A. X., e cila është
njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar
në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica
prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000
Lekë.
Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e
Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë,
shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës
të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime
që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit
Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat
të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime
aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit
procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit
të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në fazën e
ekzekutimit të masave të sigurisë.