Mendime
Llesh Ndoj: Me ‘kinezërira’, as kinez nuk bëhesh dot, jo më europian!
E enjte, 13.02.2025, 07:16 PM
ME “KINEZ?RIRA”, AS KINEZ NUK B?HESH DOT, JO M? EVROPIAN!
Nga
Llesh NDOJ
Akoma
më ka ngelur e fiksuar në mendje shprehja e ish - udhëheqësit komunist, Ramiz
Alia, “shkelim në rrugë të pashkelura”, që përdorej si mjet represiv i atij
regjimi, me qëllim që njerëzit të pranonin “shtrëngimin e rripit”, apo “të
hanin edhe bar” vetëm që ideali (në fakt ideologjia komuniste), të mbijetonte e
të triumfonte. Ndoshta Ramizi, ishte shprehësi më i drejtpërdrejtë i kësaj, por
e tillë ishte edhe mendësia e partisë sunduese dhe klasës së saj drejtuese, që
përfaqësonte vetëm veten, pasi pretendonin se vendin e kishin futur në të
ashtuquajturën fazë të ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste, ku mungonte
çdo përvojë e mëparshme, e ku kontributi jonë (i tyre) ishte origjinal. Nuk dua
të zgjatem më tej në këtë aspekt, pasi njerëzit e kanë akoma të freskët
kujtesën se sa “origjinal” ishte ky kontribut. Do të duhej të shfrytëzoheshe në
punë si kafshë edhe me pak bukë, të zëvendësoje makineritë e munguara e me zor
të nxirrje bukën e fëmijëve, do përfundoje në burg edhe për një fjalë ndryshe,
thjesht të menduar, apo të atribuar, se po e fole…, do të punoje tokën në vend
të traktorit e qeve, ndonëse nuk e prodhonte as farën, se ndryshe… ishe
sabotator. Le të ishe talent i rrallë, apo i shkelqyer në mësime, por do
studjoje aty “ku kishte nevojë atdheu”, e sa të tjera xhevahire që e shndërruan
një popull të tërë në kavie eksperimentale të modelit komunist. Të pa
përgatitur për vetvendosje e të pa pjekur aspak si shoqëri demokratike, të
njejtin slogan, por tash në shërbim të qëllimeve të tjera, gjasmë demokratike,
aplikuam e po aplikojmë edhe sot e kësaj dite, veçse tash i paraqesin si
“lëkurën e ujkut” varur mbi trinë, fantazma aspak reale, si ajo e rrezikut
komunist etj.
Forcat
politike kryesore që kanë alternuar pushtetin gjatë këtyre tridhjetë e pesë
viteve, më së shumti janë kujdesur që përmes mekanizmave të dyshimta, apo
“kinezërive” politiko - administrative, t’a ruajnë pushtetin për vete, duke
përjashtuar kategorikisht mundësinë e hyrjes në sistem të partive dhe
elementëve të rinj, që do të orientonin permes programit të tyre një gamë më të
gjërë pikëpamjesh e mundësishë konkuruese për alternimin e forcës, apo forcave
në pushtet. Kur kjo është dukur thuajse e pamundur, nuk kanë munguar xhonglimet
e marrëveshjet politike nën rrogoz, mes PD e PS. Kurrë këto forca nuk e
orientuan vendin drejt një kodi zgjedhor që t’a pasqyronte saktësisht vullnetin
e votuesit dhe për të patur një votë me të njejtën peshë, pavarësisht vendit ku
voton qytetari, madje u shpikën “Dushku” e “mega Dushku” e të tjera
“kinezërira” që i japin votës vlerë të dyfishtë, e jo të barabartë. Njejtë
vazhdon edhe sot, kodi zgjedhor nuk mundëson barazinë e votës, pasi në qarqe të
caktuara duhen 20 mijë vota për një mandat, e diku tjetër rreth 7 mijë, se një
parti merr një mandat plus me 3 - 5 mijë vota, e një tjetër nuk e fiton atë as
me 20 mijë! Prapë “ecim në rrugë të pashkelura”, ndonëse bota i ka gjetur dhe i
ka funksionale prej dekadash e shekujsh mekanizmat e duhura demokratike që
prodhojnë besueshmëri e stabilitet, duke mos angazhuar energji, para e mjete të
shumta për zgjidhjen e krizave shoqërore, por duke i parandaluar ato. Shpikje
apo “kinezërira” bëjmë (bëjnë, se ne s’kemi patur, as kemi gjë në dorë, veç
fjalës!) edhe me administrimin e votës. Sistemi politik dypartiak i
administrimit ka rezultuar dështimi më i madh deri më sot. Secili për hesap të
vet manipulon në kurriz të partive të përjashtuara ligjërisht nga administrimi,
rezultati i zgjedhjeve vonohet tmerrësisht, deformohet e bëhet shkak për
tensione shoqërore e konflikte permanente politike. S’duan t’ia dinë fare,
mjafton rezultati PD ose PS dhe kaq! Pse nuk ecet drejt administrimit “të
ftohtë” të rezultateve zgjedhore me anë të mjeteve teknologjike, apo përmes
numërimeve nga trupa apolitike, të cilat të mbajnë përgjegjësi të rëndë ligjore
për deformimin e mundshëm të procesit? Sa zor e kemi të veprojmë të paktën si
Kosova jonë, një shtet i ri e me njëmijë halle, që na jep falas leksione demokracie?!
Atje, pa kaluar as 24 orë nga mbyllja e votimeve, kemi një rezultat zgjedhor
pothuajse përfundimtar, partitë politike e pranojnë rezultatin dhe pretendojnë
mundësinë e qeverisjes vendit sipas ligjit, pa patur SPAK e “speciale”, e me
pak vite përvojë shtetformimi. Policia arreston një ministër në detyrë e askush
nuk i del në mbrojtje atij, as nuk turret kundër prokurorisë me fjalor
rrugaçëror, siç ndodh rëndom në vendin tone.
Pse
kjo gjendje tek ne dhe akoma askush nuk e ve gishtin aty ku dhemb plaga? Unë
mendoj se ky sistem duhet shkatërruar, sepse fjala reformim s’ka më kuptim për
të. Ç’na duhen 140 deputetë, shumica kukulla kriminale në kuvend, kur vendi po
shkretohet dita – ditës dhe ata nuk përfaqësojnë thuajse askënd? Gjysma janë
mjaftueshëm, e ata duhet të zgjidhen me sistem proporcional kombëtar me lista
100% të hapura, ku kryetarët e partive të kenë kompetenca në zgjedhje fare pak,
e ku vota të përkthehet proporcionalisht në mandate, duke marr praktikisht të
njejtën vlerë, pavarësisht nga kush jepet e ku ushtrohet e drejta e saj. Pse
akoma mbajmë një administratë shtetërore aq të fryrë, aq burokratike, totalisht
të korruptuar e në shumicën e rasteve të paaftë, që konsiderohet nga populli,
as më pak e as më shume, por si “mish i huaj”, parazitë që pinë gjakun e tij,
në vend që të mbajmë vetëm pak e sak? Sapo bëhet një shkurtim diku, hapet një
portë tjetër shkarpë që e shton “pa u ndie” numrin e tyre, kryesisht kjo në
prag zgjedhjesh. Edhe sot, në vitin 2025, kemi drejtorë rajonal që as arsimin e
mesëm nuk e kanë të përfunduar (të larta kanë nga dy e nga tri diploma!), që
nuk e kanë idenë se pse është, e për çfarë na duhet shteti, përveçse të vjedhin
para, të blejnë e vjedhin vota e të përçmojnë e nënçmojnë këdo që s’është si
ata. Pse administrata jonë, edhe kjo e niveleve të mesme e të ulta zbatuese, ka
kaq zor të zbresë nga makina shtetërore me xhama e perde të zeza, kur në botën
demokratike edhe presidenti mban radhën, udhëton me këmbë, diku edhe me mjetet
e transportit publik, e përdor makinën personale jashtë orarit të punës,
takojnë njerëzit e japin zgjidhje halleve të tyre duke ua lehtësuar ligjërisht
zgjidhjen, ndërsa në administratën tonë, një me nder drejtor alifmatrak të bën
varrin!
Prap
Kosova është shembull e kjo mua më gëzon për ata, por më bën helm për këta
“kapadaitë” tanë të çdo niveli. Bëj pjesë ndër ata që s’kam ndonjë konsideratë
kushedi se çfarë për Albin Kurtin, por i ndodhur rastësisht diku në Kosovë edhe
unë munda t’i jap dorën, pa patur asnjë njohje, ndërsa kur kalon Kryeminstri
ynë policët të shkatërrojnë nervat me bilbila, makina, këmbë e dorë, kurse
shoqëruesit e shumtë nuk të lënë as t’i hedhësh sytë, jo më t’a takosh, apo t’a
nderosh përfaqësuesin e shtetit tënd. Kur këto ditë po kalonte një ministër apo
edhe kryeministri në rrugë, polici rrugorë gati shkaktoi skandal e përplasje në
trafik, a thua bëhej nami të merrej më me qetësi situata, e secili të vazhdonte
në rrugën e tij. Po ashtu, as për Osmanin s’kam ndonjë konsideratë kushedi, por
t’a shohësh atë të shkojë në radhë me popullin për të votuar, apo kur në mes të
procesit bën thirrje për kujdes në administrimin e votës, apo kur mban qëndrime
të pjekura për zhvillimet në vend e ato ndërkombëtare, respekti të krijohet
vetvetiu. Po kryetarët e partive politike kosovare, që gjithë fushatën qenë
kundërshtarë të matur ndaj njëri - tjetrit në përpjekjet për të marrë sa më
shumë vota, a mund t’i krahasojmë me sharjet e këndejshme, sidomos ato të tipit
Berisha - Meta, e ku nuk ngelet pas as vetë z. Rama, bile as të ashtuquajturat
parti të reja, fjalimet e të cilëve konkurojnë fjalorin më rrugaçëror, e
tejkalojnë me akuza edhe fantazinë më të sëmurë. Po nuk janë këto të vetmet
kinezërira!
Një
ligj prodhohet për të normuar një marrëdhënie të rëndësishme shoqërore dhe si i
tillë, ai duhet të jetë i shprehur qartë, shkurt e pa mëdyshje, i kuptueshëm
për njerëz të nivelit mesatarë. Por ç’ndodh? Mund të them se jo vetëm ligjet,
por edhe aktet nënligjore, ngjajnë me romane të stërgjatura, shkruar në gjuhë
të huaj ose përkthyer keq, duke u bërë vërtetë “kinezërira”. Këtu pastaj, në
këtë xhungël, “vallëzon” polici që as emrin e vet s’di t’a shkruaj, lundron
pushtetari me autoritetin e prapanicës (karriges), luan prokurori e gjyqtari.
Kjo, jo se nuk dinë t’i bëjnë ligjet ashtu siç duhet, por se nuk duan! Nuk duan
se kështu ju pëlqen atyre, me synim që injorantët të sundojnë gjatë. Thuhet se
kapitalizmi është i thjeshtë dhe i kuptueshëm, por a jemi në kapitalizëm ne?
Nuk besoj! Akoma jemi duke ecur “në udhë të pashkelura” ku ata që duhet të na
prijnë duke na ndriçuar udhën, janë pikërisht ata që na fusin thellë e më
thellë në “xhunglën” që kanë ngritur vetë, me qëllim që sa të vërtitemi ne në
“vendnumëro”, ata të numërojnë mandate, para e pasuri, madje të sigurojnë edhe
ndonjë azil politik në Zvicërr apo gjetkë, e pastaj… rroftë Evropa! Ja pra një
tjetër kinezëri mashtruese tash tridhjetë e pesë vite. E them me bindje se këto
“kinezërira” allashqiptarçe, as kinezë të mirë s’na bëjnë, se evropianë jo e
jo! I ndodhur në Kinë këtu e 25 vite më parë, akoma ruaj përshtypjen se ne as
nuk mund t’u afrohemi atyre dhe pse xhonglojmë veten e njëri - tjetrin me
“kinezërira” të tilla pa fund.
Bota
duhet të jetë e thjeshtë. Pse e ndërlikojmë ne atë? Përvoja pozitive dhe
efektive gjenden kudo, qoftë edhe në traditën popullore vetqeverisëse, por ne
“shohim larg” se duam t’a bëjmë ushtrimin sa më të vështirë, me qëllim që të
mbretërojnë horrat e horllëku. Pa stabilizuar kollonat, ndërtesa s’mund të jetë
e qëndrueshme dhe e besueshme. Bëjeni deputetin të shihet si model ndershmërie,
qytetarie e zgjuarsie, jo objekt batutash popullore, që të kemi Kuvend të
respektueshëm, bëjeni pushtetarin e çdo rangu të shquhet si njeri i shërbimit,
jo kapadai e fodull kokëbosh, luftëtar i zgjidhjeve, jo i ndërlikimeve, njeri i
thjeshtë që detyrën e ka të shejtë, jo hajdut me trastë, që njerëzit të besojnë
në shtetin e tyre. Bëjeni atë të shihet si lehtësues i problemeve të njerëzve,
jo barrë mbi barrët e halleve të tyre. Fitoni autoritet duke shërbyer, jo duke
u hakërryer!
Një
ditë kjo “tufa e deleve” që e mashtroni tash tri dekada e gjysëm, do të
zgjohet… ndoshta deri atëherë do t’i kenë dalë “edhe brirët”, por turmës kur i
del jermi vepron dhunshëm. Mos e lejoni veten e vendin të shkojë deri në këtë
shkallë.
Sot
është vonë… nesër kot!