Kerko: a
Lutfi Dervishi: Bashkëfajësia vrasëse ndaj Irsës!
E merkure, 12.02.2025, 07:54 PM
Bashkëfajësia vrasëse ndaj Irsës!
Nga Lutfi Dervishi
Në një ditë të tejmbushur me politikë dhe SPAK, me protesta
dhe zhurmë, zëri i një 17-vjeçare u shua në heshtje.
Letra e saj, e gjetur në kapakun e celularit, ishte një
thirrje që nuk e dëgjoi askush.
Tani, pas ikjes saj, mbeten pyetje:
A mund të ishte shpëtuar?
A mund të shpëtohet Irsa e radhës?
Ngjarja lidhet me shkollën, por jo gjithçka duhet të mbetet
aty. Shkolla nuk është thjesht një vend për të mësuar matematikë dhe histori;
është një mjedis ku formohet identiteti
i fëmijëve, ku ata kërkojnë të pranohen dhe ku shpesh përballen me paragjykime
dhe bullizëm.
Ersa e ndiente veten të izoluar, të tallur, të lënë në
harresë. A e kuptoi psikologia se fjalët e saj nuk ishin rrëfim, por një SOS?
“Nuk më vjen turp për veshjen time, kaq mundësi kanë
prindërit e mi.”
Me një fjali, Irsa na kujton realitetin: një shoqëri ku
vlera matet me rrobat që ke veshur, me celularin që përdor, me vendin ku jeton.
Kur statusi social kthehet në një armë që i poshtëron, "Irsat" ndihen
të pafuqishëm dhe dorëzohen.
“Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ja hap zemrën time?”
Problemet mendore jo vetëm stigmatizohen, por
neglizhohen. “Mos e vrit mendjen/mos çaj
kokë” është këshilla më e zakonshme që jepet. Nuk janë të pakët ata që ndihen vetëm: nuk flasin me familjen,
nuk besojnë psikologun, nuk janë të sigurte ne shoqëri dhe ndihen barrë për të
tjerët.
Por sa herë kemi dëgjuar pas një tragjedie: “dje e pashë mu
duk mirë”?
Kaq e vështirë është që prindërit, mësuesit dhe psikologët
të dallojnë shenjat e depresionit? Kaq shumë kushton një linjë e dedikuar për
të ndihmuar adoleshentët?
Çfarë duhet bërë që të mos e humbasim Ersën tjetër?
Nëse duam që askush tjetër të mos ndjejë dhimbjen e 17
vjeçares, nuk mjafton vetëm trishtimi.
Femijet/adoleshentët nuk duhen dëgjuar me me veshë, por me
zemër.
Duhen mësuar në shtëpi për peshën e fjalës, duhet mësuar se
fjalët lëndojnë më shumë se grushtat
Ka qenë një kohë kur të gjithë fëmijët kishin një uniformë.
A është e tepërt apo jashtë kohe kjo kërkesë?
Në fund, për kë bien kambanat? Për Irsën? Po. Por jo vetëm.
Kur një fëmijë ikën nga kjo botë ngaqë ndjehet i pashpresë,
ky është dështimi shoqërise. Irsa nuk duhet të jetë thjesht një lajm tragjik që
harrohet pas disa ditësh. Sepse edhe nëse mbyllim sytë dhe veshët këmbana bie.
Dhe ajo bie për të gjithë.
https://www.facebook.com/dervishi.lutfi