Kulturë
Haki Kasumi: Vepër e rëndësishme shkencore për veprimtarinë e errët të UDB-së
E premte, 07.02.2025, 07:55 PM
VEPËR E RËNDËSISHME SHKENCORE PËR VEPRIMTARINË E ERRËT TË UDB-ES
Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha “Top Sekret- Dëshmitë për keqtrajtimet dhe deformimet
e SHSHS të Jugosllavisë në Kosovë
(1945-1966)”, botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2024
Nga
Prof. Dr. Haki Kasumi
Disa
ditë më parë, kolegia ime, Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, mu lutë që të lexoja
dorëshkrimin e librit të saj me titullin intrigues, "Top Sekret - Dëshmi
për keqtrajtimet dhe deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të
Jugosllavisë në Kosovë 1945-1966". Me një ndjenjë kureshtjeje të thellë, e
mora librin dhe e lexova pa pushim. Që në fillim, titulli më tërhoqi vëmendjen
për natyrën provokuese të tij, dhe më tej, më shtyu të zbuloj se çfarë të
dhënash fshiheshin në brendësinë e këtij libri.
Mbeta
thellësisht i impresionuar nga struktura e librit dhe përmbajtja e tij, e cila
është punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me një seriozitet që
reflekton peshën e temës. Libri është i ndërtuar nga dokumentet e kohës, të
cilat, të cilësuara si "Top Sekret", zbulojnë periudhën kur UDB-ja
jugosllave, për çdo veprimtari të shqiptarëve në Kosovë, i kategorizonte si
aktivitete ilegale dhe antishtetërore. Për pasojë, masat represive që merreshin
ndaj popullatës shqiptare ishin antiligjore dhe plotësisht të padrejta, duke
synuar shtypjen dhe frikësimin e një kombi të tërë.
Libri
voluminoz i Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha përbëhet nga shtatë kapituj, ku
secili prej tyre sjell një sërë dokumentesh që zbulojnë me kujdes ngjarjet dhe
faktet deri në vitin 1966, apo siç njihet Plenumi i Brioneve. Autorja e ndan
periudhën e sundimit të Rankoviqit nga viti 1953-1966, por edhe në veprat e saj
të mëparshme sugjeron se edhe pas kësaj kohe, politika e tij nuk u zhduk
plotësisht nga Kosova. Dokumentet arkivore dëshmojnë se arrestimet, ndëshkimet
dhe burgosjet e shqiptarëve vazhduan edhe pas 1966-ës, por në forma më të
sofistikuara dhe më të maskuara.
Që
nga viti 1945, organet e ndjekjes dhe hetuesit jugosllavë ishin vazhdimisht të
pranishëm në Kosovë, duke torturuar, burgosur dhe dënuar me vite të gjata burgu
shqiptarët e pafajshëm. Qëllimi ishte i qartë: të shpërngulnin sa më shumë
shqiptarë nga Kosova dhe ata që mbeteshin, t’i detyronin të pranonin me
nënshtrim dorën e fortë të pushtetit.
Autorja
e librit Prof. Dr. Keçmezi- Basha, pas Plenumit të Brioneve, mbajtur më 1
korrik 1966, thekson se një valë hulumtimesh të thella zbardhin një të vërtetë
të hidhur: politika e emërimeve në organet e Sigurimit Shtetëror ishte
monopolizuar nga një grup individësh të fuqishëm. Dhe për dy dekada, Rankoviqi
dhe Stefanoviqi kishin pasur dorë në përzgjedhjen e udhëheqësve të këtij
institucioni. Me kontrollin absolut mbi Shërbimin e Sigurimit, ata kishin
shkelur në mënyrë flagrante kufijtë e autoritetit të tyre, duke ndërhyrë në
jetën personale dhe profesionale të funksionarëve dhe duke shfrytëzuar
pushtetin për përfitime personale.
Në
kapitujt e librit, ky keqpërdorim i UDB-e nxirr në pah tendencën e tyre për të
mbajtur një kontroll të hekurt e të rreptë mbi institucionet e shtetit, duke
deformuar strukturën politike dhe administrative. Në këtë kontekst, deformimet
në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror, si në nivel të Jugosllavisë, e më shumë në
ate të Kosovës, ishin të thella dhe të përhapura. Grupi i Rankoviqit përdori
taktika burokratike për të minuar marrëdhëniet ndëretnike në të gjithë
territorin jugosllav, duke krijuar tensione dhe ndasi. Veçanërisht në Kosovë,
këto deformime u përjetuan me intensitet të lartë, duke sjellë një shqetësim të
thellë ndër udhëheqësit politikë vendas.
Më
vonë autorja vazhdon duke theksuar se pasojat e këtyre deformimeve u ndien në
çdo aspekt të shoqërisë, përfshirë ideologjinë, kulturën, artin, shkencën dhe
letërsinë. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1953,
kishte një prani të konsiderueshme të kuadrove shqiptare në Shërbimin e
Sigurimit të Kosovës. Por me kalimin e kohës, ky përfaqësim u zbeh ndjeshëm, duke
u reduktuar në vetëm 13.33%. Shumë prej këtyre kuadrove u larguan për shkak të
dyshimeve mbi besueshmërinë e tyre, ndërsa të tjerë u transferuan në pozita të
tjera brenda strukturave të Sigurimit Shtetëror.
Dhe
me këto të dhëna, libri i autores na ofron një pasqyrë të qartë se si një grup udhëheqësish mund të deformojë
strukturat e një shteti dhe të cenojnë të drejtat e një kombi të tërë përmes
kontrollit të pakufizuar dhe abuzimit me pushtetin.
Profesoresha
e nderuar thekson se deri në Plenumin e IV të Komitetit Qendror të Lidhjes së
Komunistëve të Jugosllavisë, Sigurimi Shtetëror në Kosovë kishte hapur 22,038
dosje personale, ndër të cilat 240 ishin për figura politiko-shoqërore. Këto
dosje përfshinin katër anëtarë të Komitetit Qendror të LKJ-së të kombësisë
shqiptare dhe 16 anëtarë të Komitetit Krahinor, si dhe një numër të madh
punëtorësh politiko-shoqërorë, nga sekretarët e organizatave punuese deri te
deputetët e kuvendeve të ndryshme. Këto veprime, që ngjanin me një rrjet të
madh survejimi, kishin si qëllim kontrollin dhe nënshtrimin e elitës shqiptare.
Sigurimi
Shtetëror kishte adoptuar një strategji të qartë për të paraqitur Kosovën si
një rajon të turbullt, duke sugjeruar se çdo ditë ekzistonte rreziku i një
ngjarjeje që do të kërcënonte zhvillimin e Kosovës dhe Jugosllavisë. Kjo
narrativë e qëllimshme kishte për qëllim justifikimin e masave të ashpra dhe
represive që zbatohej në këtë krahinë. Raporti vjetor i Sekretariatit Krahinor
të Punëve të Brendshme i vitit 1965 përmendte se “dukuri të rrezikshme
irredentiste po manifestoheshin te shqiptarët, shpesh në forma legale, madje
edhe te punëtorët politiko-shoqërorë të shquar”. Sipas raportit, këto mendime
irredentiste depërtonin jo vetëm në sferat publike dhe politike, por edhe në
shkolla, në programet mësimore, dhe në prodhimet shkencore, duke ndikuar në
marrëdhëniet ndërmjet individëve.
Qëllimi
dihej se, këto veprime të Sigurimit ishin të orientuara për të diskredituar dhe
shkatërruar kuadrot shqiptare të afta, të cilët ishin të verifikuar dhe të angazhuar
për të përfaqësuar interesat e popullit të tyre. Një shembull i qartë i
deformimeve të rënda ishte aksioni i mbledhjes së armëve në Kosovë gjatë dimrit
të viteve 1955-1956, një operacion i planifikuar dhe miratuar nga qarqet e
Sigurimit Shtetëror të Krahinës, Republikës, dhe Federatës. Ky aksion nuk ishte
vetëm një akt represiv, por një përpjekje për të frenuar dhe kontrolluar më tej
popullin shqiptar, duke i dhënë mesazhin se çdo formë e qëndresës apo kërkese
për të drejta kombëtare do të shtypej me forcë.
Kështu,
në këtë periudhë, Sigurimi Shtetëror jo vetëm që përjetësoi një atmosferë frike
dhe shtypjeje, por edhe deformoi vetë bazën e marrëdhënieve ndërnacionale dhe
të drejtat e shqiptarëve, duke i paraqitur si armiq të shtetit dhe socializmit.
Aksioni
i mbledhjes së armëve, i cili u trajtua në Plenumin e VII të Lidhjes së
Komunistëve të Kosovës, u shfaq si një nga ndërhyrjet më të diskutueshme të
Sigurimit Shtetëror. Ndërsa zyrtarisht thuhej se aksioni ishte organizuar pa
dijen dhe pëlqimin e Komitetit Krahinor, ndërsa realiteti ishte shumë më i
ndërlikuar. Ky operacion, unikal në gjithë Jugosllavinë, gjeti mbështetje nga
Komiteti Krahinor dhe organizatat e Lidhjes së Komunistëve vetëm në kuadrin e
mbledhjes së armëve të paligjshme. Megjithatë, zbatimi i këtij aksioni kaloi të
gjitha kufijtë e pranueshëm dhe shkelte rëndë kompetencat e organeve të
Sigurimit Shtetëror. Metodat e përdorura ishin jashtëzakonisht të dhunshme,
duke përfshirë rrahjet brutale dhe format ekstreme të torturave.
Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha, në librin “Top Sekret- Dëshmitë për keqtrajtimet dhe
deformimet e ShSHS të Jugosllavisë në Kosovë
(1945-1966), tërë këtë periudhë të errët, e thekson se shumë individë të
pafajshëm u torturuan rëndë, me qëllim që të gjunjëzoheshin dhe të mbilleshin
frikë. Dhe si pasojë e krejt kësaj ishte se, një numër i madh shqiptarësh
humbën jetën nga këto trajtime çnjerëzore, disa të tjerë u detyruan të
vetëvriteshin, ndërsa të tjerët u detyruan të emigronin për të shpëtuar, duke
kaluar kufijtë e Kosovës e madje edhe të Jugosllavisë. Përmasat e këtij
operacioni ishin të mëdha, duke përfshirë 30,000 shqiptarë të maltretuar dhe
mbi 100 persona që humbën jetën si rezultat i torturave të ashpra.
Një
aspekt tjetër tragjik i kësaj periudhe ishte shpërngulja masive e shqiptarëve
drejt Turqisë. Ky fenomen, i lidhur ngushtë me politikat e Sigurimit Shtetëror,
kërkon një analizë të thellë për të zbuluar prapavijën e tij të vërtetë, thotë
autorja. Emigrimi i shqiptarëve nuk ishte thjesht një zhvillim spontan, por
rezultat i një strategjie të planifikuar dhe të manipuluar nga aparati i
Sigurimit, i cili në këtë rast veproi në përputhje me interesat dhe politikat e
Jugosllavisë borgjeze. Kjo dëshmon se aksioni i mbledhjes së armëve dhe
shpërngulja ishin pjesë e një plani më të gjerë për të dobësuar ndikimin
shqiptar dhe për të krijuar një situatë ku popullata shqiptare ishte e
kontrolluar dhe e nënshtruar politikisht.
Marrëveshja
e vitit 1938 midis Mbretërisë Jugosllave dhe Turqisë synonte një akt të thellë
transformues në Jugosllavi, duke parashikuar shpërnguljen masive të 250,000
shqiptarëve drejt Turqisë. Ky plan për të ndryshuar strukturën demografike të
popullsisë shqiptare kishte për qëllim dobësimin e ndikimit të tyre në Kosovë
dhe në rajonet përreth. Megjithatë, ky projekt ambicioz u ndërpre nga
zhvillimet dramatike të Luftës së Dytë Botërore dhe nga rezistenca e vendosur e
shqiptarëve, të cilët kundërshtonin forcërisht idenë e largimit nga vendlindja
e tyre.
Pas
përfundimit të luftës, marrëveshja mbeti e paprekur deri në vitin 1951, kur
palët nuk kërkuan më zbatimin e saj. Megjithatë, Sigurimi Shtetëror, një organ
i frikshëm dhe brutal në kohën e pasluftës, ndonëse nuk mund të përmbushte
direkt dispozitat e marrëveshjes, u përqendrua në taktika të tjera shtypëse. Në
përpjekjen për të kontrolluar individë të ndershëm dhe intelektualë të
spikatur, ata shpesh mbështeteshin në eliminime fizike ose, në raste të tjera,
në përpjekje për të njollosur dhe diskredituar individë me ndikim. Këto masa
ishin veçanërisht të përhapura ndaj rinisë shkollore dhe banorëve të zonave
kufitare, ku presioni dhe dhuna ishin më të lehta për t'u realizuar.
Pas
Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, që u
mbajt më 1 korrik 1966 në Brione, ndodhi një ndryshim i rëndësishëm politik.
Plenumi i dha jetë një procesi reflektimi dhe shqyrtimi të gabimeve të së
kaluarës. Si rezultat, Sekretariati Krahinor i Komitetit të Lidhjes Komuniste
të Kosovës formoi një komision special për të hulumtuar përgjegjësitë politike
dhe individuale të anëtarëve të Komitetit Krahinor që kishin punuar në
Shërbimin e Sigurimit Shtetëror. Ky komision duhej të hetonte dobësitë dhe
deformimet që kishin përshkuar këtë shërbim, duke e kthyer atë në një organ
represiv dhe të papërgjegjshëm.
Anëtarët
e komisionit përfshinin figura të shquara të asaj kohe si Ilija Vakiqi, Sait
Zatriqi dhe Blažo Ljutica, ndërsa herë pas here edhe politikanet si Ali
Shukrija, Blažo Radonjiqi, Asllan Fazlija, Sinan Hasani dhe Kadri Reufi të
cilët merrnin pjesë në punimet e tij. Komisioni filloi punën menjëherë pas
caktimit të anëtarëve, duke u mbledhur në seanca të shumta gjatë muajve korrik,
shtator dhe tetor të vitit 1966.
Në
këtë periudhë intensive pune, komisioni kishte zhvillua biseda të gjera me
personazhe të rëndësishme të UDB-es, si Mi?a Mijushkoviqi, Stanisllav
Gërkoviqi, Shaban Kajtazi dhe Rajko Vidaqiqi. Përveç intervistave gojore,
komisioni kërkonte edhe deklarata me shkrim nga këta individë, duke fiksuar
dëshmitë e tyre mbi veprimtarinë e tyre në Shërbimin e Sigurimit. Gjithashtu,
komisioni kërkonte deklarata nga figura të tjera, përfshirë Rrezak Shalën, një
anëtar i rëndësishëm i Komitetit Krahinor që kishte shërbyer në këtë shërbim
deri në vitin 1965.
Përmes
këtyre dëshmive dhe hetimeve të shumta, autorja zbërthen një gamë të qartë të
deformimeve të Sigurimit Shtetëror, duke treguar sesi ky organ ishte përdorur
për të shtypur dhe eliminuar çdo rezistencë intelektuale, rinore dhe patriotike
në Kosovë. Tregimet e këtyre dëshmive janë pjesë e një historie të dhimbshme
dhe dramatike që tregon përballjen e individëve të pafajshëm me një makineri
represive që kërkonte t'i thyejë ata fizikisht dhe moralisht.
Në
këtë peizazh të errët politik, rezistenca e popullit shqiptar dhe vendosmëria
për të mbijetuar përballë dhunës dhe shtypjes janë një testament i fuqishëm i
forcës së tyre shpirtërore dhe aspiratave për liri.
Pas
Plenumit të Brioneve të vitit 1966, ndonëse disa përpjekje u bënë për të zbutur
kujtesën kolektive apo për të deformuar vlerësimet historike të kësaj
ngjarjeje, rëndësia e këtij momenti mbetet e pamohueshme, sidomos për historinë
e Kosovës. Ky Plenum, i cili shkaktoi valë të reja zhvillimesh politike dhe
reformash në Jugosllavi, është i lidhur ngushtë me periudhat e dhunës, terrorit
dhe ndjekjeve sistematike ndaj shqiptarëve, të cilat nisën pas përfundimit të
Luftës së Dytë Botërore dhe u intensifikuan në dekadat që pasuan.
Në
periudhën mes viteve 1966 dhe 1981, shqiptarët përjetuan një ndjesi më të madhe
lirie dhe një frymëmarrje politike më të lirshme, krahasuar me periudhën e
ashpër dhe represive që parapriu Plenumin. Kjo periudhë u duk si një çast
lehtësimi në horizontin politik të shqiptarëve në Jugosllavi. Reformat e
ndërmarra pas Plenumit sollën një lloj hapjeje politike dhe rritje të autonomisë
krahinore, duke krijuar një mjedis ku shqiptarët, për herë të parë pas një kohe
të gjatë, mund të ndiheshin më të sigurt dhe të përfshiheshin në jetën
institucionale dhe kulturore të vendit.
Në
vazhdim, autorja thekson se kjo periudhë nuk duhet idealizuar. Ishte një gabim
i madh të mendohej se shqiptarët ishin të liruar plotësisht nga tirania e një
shteti që vazhdonte të ruante natyrën e tij policore dhe diktatoriale.
Jugosllavia, edhe pas Plenumit të Brioneve, mbeti një shtet i ndërtuar mbi
kontrollin e hekurt, dhe shqiptarët ishin ende objektivi kryesor i terrorit
shtetëror. Strukturat e fshehta të sigurisë vazhduan të ushtrojnë presion ndaj
shqiptarëve, duke përndjekur në mënyrë të pandërprerë intelektualë, aktivistë
dhe të rinj që guxonin të shprehnin aspiratat e tyre kombëtare dhe kulturore.
Në
këtë periudhë, ndonëse mund të thuhet se jeta u bë më e durueshme, nuk mund të
mohohet se shqiptarët vazhdonin të jetonin nën hijen e një shtypjeje të
pashmangshme. Dhuna nuk u zhduk, por mori forma më të sofistikuara dhe më të
fshehta. Shumë nga veprimet e shtetit jugosllav ishin të mbështjella me një
maskë reformash dhe modernizimi, por në thelb, ato nuk arritën të çlirojnë
popullin shqiptar nga zinxhirët e një shteti që i konsideronte ata si një
kërcënim të përhershëm për unitetin e tij. Në këtë kontekst, edhe pas një
periudhe që dukej më premtuese, padrejtësia dhe represioni ndaj shqiptarëve
vazhdoi të mbijetojë në format më të ndryshme.
Në
një mënyrë të heshtur, terrori shtetëror vijoi të përhapte rrënjët e tij në
shoqërinë shqiptare, duke kufizuar liritë dhe shpresat e një populli që,
megjithatë, nuk rreshti së kërkuari të drejtën për të qenë i lirë dhe për të
pasur një të ardhme më të ndritur. Plenumi i Brioneve shënoi një pikë kthese në
histori, por nuk arriti ta ndryshojë thellësisht natyrën represive të regjimit
jugosllav ndaj shqiptarëve, të cilët, edhe në këtë periudhë të
"lehtësimit", vazhduan të përballen me një shtet që nuk respektonte
liritë dhe të drejtat e tyre themelore.
Krejt
në fund, dua të shprehi përgëzimet dhe mirënjohjen tonë të thellë për Prof. Dr.
Sabile Keçmezi, për përkushtimin dhe punën e saj të palodhur në ndriçimin e
aspekteve të rëndësishme të historisë sonë. Përmes hulumtimeve të saj të
vlefshme dhe të dhënave që na sjell, ajo ka dhënë një kontribut të
jashtëzakonshëm në ruajtjen e kujtesës historike, duke bërë që e kaluara jonë
të mos harrohet, dhe, mbi të gjitha, të mos përsëritet më kurrë.
Shpresojmë
dhe urojmë që Prof. Dr. Keçmezi- Basha të gëzojë shëndet të plotë dhe energji
të pashtershme për të vazhduar rrugën e saj të jashtëzakonshme. Me përkushtimin
e saj të palodhur, jemi të sigurt se ajo do të na sjellë edhe shumë libra të
rinj që zbardhin të kaluarën tonë të dhimbshme, por njëkohësisht të lavdishme,
duke mbajtur të gjallë shpirtin dhe dinjitetin e kombit tonë.