Kerko: a
Vaso Papaj: Një rrugëtim mes vlerash në vëllimin poetit “Aromë gjethi” të Z. Meçan Hoxha
E shtune, 18.01.2025, 07:49 PM
Një rrugëtim mes vlerash në vëllimin poetit “Aromë gjethi” të Z. Meçan Hoxha
Nga
Vaso Papaj
Sapo arrita në
fund të librit dhe desha të sjell këtu përshtypjet e mia të një vëllimi poetik
shumëdimensional pa e lënë të ftohet e të zërë vend në ato shiritat celuloidë
të kujtesës stivosur në dhomat e kujtesës së mëndjes..
Nuk ka qenë e lehtë.
Të lexosh dhe të nënvizosh, të ndalesh dhe të mbash shënime. Të kthehesh të
rilexosh dhe të meditosh. Madje të dialogosh me vetem gjer edhe për titullin
“Aromë gjethi” që për mendimin tim do të ishte edhe më i bukur “Melhem gjethi”.
Pse e them
këtë?... Se më ndihmoi në shumë raste të njihesha me një botë që nuk e kisha
njohur ashtu, gjer në asht. Madje, ajo kohë leximi, pati edhe një efekt shërues
këto ditë që kalojmë, përballë dallgësh gri. E pra këtë efekt pak e kam gjetur
këto kohë në libra të tjerë. Me dashurinë që përçon, me mirësinë që shfaq në
çdo varg, me mendimet prej historiani dhe përvojën e një qytetari model në çdo
faqe, më shëroi ca lëkundje pësuar kohëve të fundit, ku s’po shkoja përpara me
librin që kam në dorë dhe në mendje. Ndaj, kur arrita në faqen e fundit, m’u
forcua idea se vëllimi i tij ishte shërues dhe qetësues me një impakt shumë më
të madh se një aromë.
Ç’rrugë të bukur
kam përshkruar. Një libër gjithëpërfshirës që prek shtatë nga problematikat më
të rëndësishme të kohës. Për këtë vlen dhe duhet poezia. Miku im e nis
rrugëtimin e tij me ciklin që i kushtohet familjes, “Buqetë për familjen”,
përgjigje kjo elegante globalistëve kudo që ndodhen, që po punojnë ta çojnë atë
në zgrip të ekzistencës. Në këtë cikël shquhen e lenë mbresa dhe emocione të
thella poezitë: Dita e parë e shkollës… Etyde fëmijërije… Ndarja… Shtatë vjet
pa tim bir, Arbenin… Loti dhe flutura… Pasuritë e mia… Në shoqëri me diellin…
Rrudhat e babait… Qeleshja e gjyshit…
Me këtë rast
desha të nënvizojë mjeshtërinë e vargut të vështirë gjashtërrokësh me të cilin
poeti shpreh trishtimin e ndarjes te poezia “Ndarja”. Vini re:
Buzëqeshe hidhur,
Atë çast që ike.
Me shikimin tënd,
Dritën time fike.
Dhe po aty i
mjaftojnë vetëm dy fjalë me një shprehje tabani, të kërkuar dhe të gjetur atje:
M’i thave gëzimet…
Të tjera vargje
të mrekullueshme gjejmë edhe te poezia: “Loti dhe flutura” ku në mënyrë
metaforike shprehet dhimbja e madhe për humbjen e djalit:
E sheh flutura
pikëllimin,
Me flatra, më bën
freski.
Më ter lotin e
largon trishtimin
Dhe ikën, më lë
në vetmi.
Apo trajtimi aq
bukur dhe aq prekës me figurën e qeleshes të dashurisë për të parin e familjes
dhe të traditës te poezia “Qeleshja e gjyshit”:
Vërtet gjyshi nuk
është më,
Por imazhi i
qeleshes së bardhë,
Mbeti tek unë për
gjithnjë,
Si mosndarje
ngarkuar me mall.
Më tej vazhdon me
ciklin “Bukuritë e vendlindjes” cikël që e rendit autorin tek poetët e shquar të rilindjes kombëtare, të cilët me
poezitë e tyre të këtij lloji ngritën në piedestal dashurinë për
atdheun, edhe pse
ato i përshkon trishtimi i braktisjes. Tek i lexoja këto poezi, më është dukur
se poeti me vargjet e tij i këshillon banorët e larguar mos t’i harrojnë kurrë
ato troje. Shquhen në këtë cikël poezitë:
Motive vendlindje… Mëngjesi në fshatin tim… Qyteti im…
S’rri dot pa
përmendur maksimën që sjell autori te poezia “Motive vendlindje”: Ngopem me
vendlindje.
Një stacion
tjetër që s’kish sesi t’i mungonte rrugëtimit tim dhe shijes fine të autorit
ishte dhe cikli, “Freski natyre”, ku poeti shfaqet si njohës i
mirë i krahinës së Gramshit dhe i fshatrave të saj. Na ushqen me
bukurinë e tokës dhe të pyllit,me freskinë e lumit dhe përroit, me ajërin e
pastër të shpateve të maleve dhe përsëri me trishtimin e braktisjes por edhe me
gëzimin që ndjen pranë detit, në Durrës dhe Golem. Spikatin në këtë cikël
poezitë: Rrugë e vjetër… Aromë gjethi… Mirënjohje nëne… Nderim për Durrësin…
Fund vjeshte…
Një tjetër cikël
që poeti e trajton me shume kujdes është “Motive lavdie” ku përmes vargjesh
sjell historin e lashtë po dhe të re të atdheut tonë nga ilirët me mbretin Gent
gjer në ditët tona me poezitë ku spikasin krenaria dhe vlera e lirisë. E gjykoj
këtë cikës si produkt i të qenin të autorit edhe studius i historisë, ku
veçanërisht vepra e tij kushtuar jetës dhe aktivitetit të Riza Kishtes i ka
shtuar atij kontribute dhe vlera maksimale. Shquhen këtu poezitë: Skënderbeu…
Takim me Naimin… Korabi i plagosur… Madhështia e Lirisë…
Poezia “Takim me
Naimin” merr vlera maksimale ideore, atdhetare po edhe artistike. Një
intelektual i vertetë në kohën e sotme s’ka sesi mos të takohet me Naimin dhe
të shtrëngojë fort dhe të bëjë përpjekje t’i zbatoj ato ide të rilindjes sonë
kombëtare. Përdorimi i gjuhës dhe i shprehjeve nga poema e Naimit, ia shton
vlerën poezisë. Pa mëdyshje, kjo poezi bashkëkohore duhet të përfsihet në
programet e shkollës dhe të mësohet përmendësh nga brezi i ri. Shikoni: “lisat
e gjatë”, “fushat me lule”, “gjuhën e ëmbël”,
“Shqipërinë, të bukur e zonjë”, “aspak të dlirë”, “nuk fik qirinë”.
Një pëllumb më
solli ftesë për në Përmet,
Nisur nga Naimi,
për te miqtë e vet.
U takuam rrugës,
atje, te “lisat e gjatë”
Në “fushat me
lule”, zgjuar që me natë.
Se, ç’shikoj me
sy, nuk e duroj dot,
Zemra më pëlcet,
syri pikon lot!
Nuk e shoh
gjëkundi, Shqipërinë tonë,
Siç e kam
shpresuar, të bukur e zonjë!
Dhe për gjuhën e
ëmbël, nuk ndihem mirë,
Kur e shoh
shtrënguar e aspak të dlirë.
Thuaja dhe
shokëve, ata le ta dinë,
Për atë rri
zgjuar unë e nuk fik qirinë.
Plot vlerë janë
dhe vargjet lapidare nga poezia kushtuar heroinës “Ylvete Mentor Humolli”:
Liria që u fitua
me kaq gjak,
Do të rrojë për
jetë bajrak më bajrak.
Dhe po e dhunuan,
edhe po e nganë,
Do ndrijë mbi
Kosovë, si diell dhe si hanë.
Dhe pas kësaj,
s’ka sesi të mos sjell këtu ca vargje të tjera nga poezia “Madhështia e lirisë”
Liria nuk matet
me asgjë,
Ajo peshohet
vetëm me Liri.
Edhe kur mos
mbetet asnjë,
Do lindin të
tjerë, përt’u bërë fli.
Nënloket trime
kosovare,
Dhuruan shumë
djem për lirinë.
Për jetë do të
ndihen krenare,
Se lirisë i dhanë
pavdekësinë.
Veçanërisht më ka
pëlqyer qëndrimi ideo-emocional i
poetit në ciklin bashkëkohor “Koha
jonë”. Përgëzimet e mia maksimale ka poeti për këtë cikël. I ndjeshëm ndaj çdo
historie që vëren rrotull, i kujdesshëm,
i ekuilibruar dhe mbi gjithçka, i vërtetë dhe me një vision shumëdimensional në
të gjitha krijimet. Jo vetëm konstatues, por edhe largpamës për zgjidhje. Kjo
është kryesorja. Nuk shlyhen lehtë mbresat tek lexon në këtë cikël poezi të
tilla si: Mirë e keq… Kafe që të ngec në fyt… S’ka faj pasqyra… Sorkadhja e
bukur… Të dua… Buzëqesh… Nënat tona…
Festë në Tomorr… Soleil!... Ngjarje me autokton…
E mira dhe e
keqja e një kohe, lere pastaj si kategori filozofike dhe edukuese në breza.
Shkurt, qartë dhe bukur vargjet e poetit nga poezia, “Mirë e keq”:
E, nëse nuk
dallojmë,
Ç’është mirë e
ç’është keq.
Kështu do të
shkojmë,
Dreq e më dreq.
Unë këmbëngul që
shumë nga poezitë e këtij vëllimi duhet të shihen me kujdes nga anëtarët e
komisionit të përgatitjes së programeve për shkollat e niveleve të
ndryshme. Vargjet e më poshtëme mendoj
se i kanë “të gjitha letrat kredenciale” (të besueshme) për t’u renditur në
librat e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ne s’duhet të harrojmë se si një vend i
vogël shumë leht mund të na mbulojë për të na shuar propaganda globaliste.
Ndaj, mendoj se vargje të tille që i kanë të gjitha brenda duhet të merren si
një yll polar. Të na tregojnë udhën nga duhet shkuar.
Më poshtë ju
sjell ca vargje nga poezia “Festë në Tommorr”:
Në Tomorr, më
njëzet gusht,
Zbresin gjithë
perënditë.
Takon atje,
Muhamet e Krisht,
Bisedon dhe me
pellazgjitë.
Mbajnë iso dete,
fusha e male,
Hedhin valle
lisa, kroje e sorkadhe.
Dhe si gjithmon,
me dollinë e parë,
Naimi me Çajupin,
na bëjnë krenarë
Një tjetër poezi
lapidare që duhet gdhendur nëpër muret e qyteteve tona, e gjej po në këtë
cikël: “Të dua!”
Togfjalëshi “Të
dua”
I ka të gjitha
mirësitë.
Aty është
Perëndia,
Aty janë
bukuritë.
Porse, për çudi,
Shumë nuk e
pëdorin.
Si pleq e fëmi,
Gojën pak e
lodhin.
S’ka sesi që një
poet si Meçani të botojë një vëllim poetik pa i bashkëngjitur atij temën e
ditës, dhimbjen e madhe, hemorragjinë që ka pësuar e po pëson çdo ditë vendi,
kurbetin. Ndaj edhe ky libër e ka si pjesë të tij ciklin që trajton këtë plagë
të madhe të shoqërisë tonë me titullin “Lotë kurbeti”. Gjithçka këtu është e dhimbëshme, e trishtë,
reflektuese. Emocion i vërtetë. Veçojmë poezitë: Mikes që s’u kthye… Braktisje… Dera e
komshiut… Dy miq të mirë në pallatin tim…
Po ju sjell këtu
dy poezi të shkurtëra pa koment. Komentin e
kanë brenda. Kjo
është aftësia e autorit.
“Mikes që s’u
kthye”
Duke pirë kafe,
Sytë atje më
rrinë.
Mendoj
refugjatët,
Që ikin e s’vinë.
Njëra nga
pulëbardhat
Më shoqëroi
filxhanë.
Shpirti i mikes
sime,
Që, më nuk u
pamë.
Me lot’ e
përcolla,
Kur iku trageti.
Qava dhe vajtova,
(Vini re: Edhe qave, edhe vajtove…)
S’mësova, ku
mbeti.
Dhe: ”Dera e
komshiut”
Iku komshiu,
Diku nëpër botë.
Kyçin i vu derës,
Në dritare lot.
Me fëmijë të
vegjël,
Të rritur, të
moshuar,
Dikush vdiq
rrugës,
Të gjithë të
harruar.
Dhe në fund cikli
“Zëri i poetit”, ku autori analizon bukur, me fjalë të zgjedhura, rolin e
poezisë dhe të poetit në edukimin e
brezave dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare të një shoqërie të tërë. Shquhen
këtu poezi të tilla si: Poezia… Sprovë moderne… Alienët, lexuesit tanë.
Sigurisht e para është e para. “Poezia zbret nga qielli”, thotë autori. “Është
ndjenjë që dhëmb, ritëm që fluturon, lind nga magjia, vetëm qiejve u
dorëzohet”… S’ka më bukur. Unë e falenderoj shumë për këtë veshje që i bën
asaj. Po s’mund të rri pa nënvizuar edhe guximin dhe sinqeritetin e tij sa i takon dy poezive të fundit. Po i
sjell ashtu si i ka sjell vetë autori, “lakuriq”, përmes një ironie e sarkazme
fine. T’a kuptojë secili përballjen dhe qëndrimin e tij ndaj “sprovës moderne”
dhe ndaj krizës së sotme, mungesës gjithnjë e më të shumtë të lexuesve që
tashmë janë kthyer në “alienët”.
Sprovë moderne
Po provoj dhe unë
të shkruaj si modern.
Të harlisem pa
mend, në tokë, qiell dhe dete.
Për të kalëruar,
një peshk fluturues do të kem
Dhe mbi shpinë
rruzullin, se do ta marrë me vete.
Mes yjesh të
dukshëm e të padukshëm,
Në hapësirën
qiellore do ta shëtisë,
Ku qëndrojnë yjet
e bukur e të frikshëm
E rruzulli ynë
s’bie në sy, në lëviz apo s’lëviz.
Pranë diellit,
t’i them rruzullit: mos ki frikë,
Afrohu, ngrohu e
puthu me të.
Po nuk të pëlqeu
këtu me perënditë,
Kthehemi përsëri,
atje ku rrimë gjithnjë.
Pastaj varur si
atlet, në cep të hënës,
Të kërcej valle
me ritmin e pogonishtes,
Të shtroj drekë
për të gëzuar yjet e natës,
Që vijnë krushq
nga fisi i Afërditës.
Se një vajzë e
bukur, stërmbesë e Lei Fenit,
Me pasardhësin e
Napoleonit do të martohet.
E unë do të ngre
dolli me stërnipin e Skënderbeut,
Në një botë të
përzier që mund të trashëgohet.
Alienët, lexuesit
tanë
Erdhën
Alienët!
Ju nuk i njihni,
Vetëm dëgjuar i
keni.
I kam pranë, ndaj
jam me fat,
Se i takoj, pi
kafe e flas me ta, përditë.
Kanë zbritur nga
qielli me detyrë, enkas për ne,
Të lexojnë
krijimtarinë tonë e t’na e thonë haptas,
Se, ata na
kuptojnë e dine t’i bëjnë si duhet këto lexime.
I kuptojnë
metaforat e rralla, krijuesit modernë e të vërtetë,
Si lahen duart me
rreze dielli e gjethet e rëna kanë jetë.
Si pihet verë nga
deti e, si prej qiellit hahet akullore,
Si izmat e së shkuarës
mbahen fort për dore.
Lexuesit e sotëm
këto nuk i kuptojnë,
Nivel i ulët,
mjeranë e të paditur,
Deri sa të kemi
lexuesit tanë,
Kështu do të
mbetemi,
Me alienë.
Në fund, shpreh
bindjen time se miku ynë Meçan Hoxha do të vazhdojë të shkruaj, në mos po
shkruan ende poezi dhe s’do të kalojë shumë kohë, kur do të kemi në dorë një
vëllim tjetër, “melhem”: zbukurues dhe shërues të shpirttrave tanë të trazuar
nga kjo kohë pa kohë.