Kulturë
Albert Habazaj: Ra dhe lisi i katërt e një fisi atdhetar
E diele, 22.12.2024, 07:46 PM
RA DHE LISI I KATËRT I NJË FISI ATDHETAR
Fjala
e përcjelljes së Kanan Karefil Canodemoj
Vranisht:
15.05.1952 - Tiranë: 16.12.2024 -Vranisht: 17.12.2024
Nga Albert Habazaj
Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore kaq të
ligsht!
Ra dhe lisi i katërt
i babë Karafil Mingos dhe nënë Selime Hysenes...
Dje, të hënën e 16
dhjetorit 2024 në spitalin e Tiranës, në moshën 72-vjeçare, ra, për të mos u
harruar kurrë, i paepuri i Vranishtit e na lëndoi zemrat, se mbylli sytë trimi
që qëndroi burrërisht ndaj sëmundjes së papritur, trimi që luftoi si hero ndaj
padrejtësive. Ra e la pas Feron - këtë amazonë aq të përkushtuar ndaj tij. Ra e
la dy motrat: Mexhite Canodemaj Ribaj dhe Dudë Canodemaj Ramadani, shumë të
lënduara në gjak në shpirt e në kockë për vëllain e vogël me merak të madh...
La pas nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, miq e shokë, dashamirës të shumtë,
që sot po e përcjellim me pikëllim, lot e keqardhje. Kishin kaq kohë që e
prisnin vëllezërit, pranë prindërve...
Kanan Karefil
Canodemoj ka lindur më 15 maj 1952, në periferi të Vranishtit, në Gryka. Dy
prindërit e tij, Karefil Mingo Canodemoj dhe nëna Selime Hysen Hibraj
(Canodemoj), ishin njerëz të thjeshtë, të rritur bonjakë, por shumë patriotë,
të drejtë, të ndershëm, humanë dhe të dashur, të cilët lindën, edukuan dhe
rritën 8 fëmijë shumë të mirë: Alushin, Sulejmanin, Mersinin, Selimin e pafat;
e pesta ishte vajza e madhe Mexhitja, fëmija i gjashtë Enveri tragjik;
fëmija tjetër, e shtata ishte vajzë - mësuese Duda dhe Kanani, që përcjellim
sot për në banesën e fundit qe fëmija i tetë e i fundit. Unë nuk do të bëj
biografinë e Kananit, se ju e njihni mirë e unë kam shkruar për të sa e sa herë,
pasi më ka pasur redaktorin e tij besnik në të 5 librat e botuar, por do të
ndalem në nja dy cilësi, vlera e virtyte të tij, ku spikati jo vetë si ushtarak
i talentuar në specialitetin e vështirë të Zbulimit, por, së pari, si njeri me
cilësi të larta shoqërore. Si oficer karriere, ai i ngjiti shkallët hierarkike
vetëm me ndershmëri profesionale e zotësi, deri në funksionin e Shefit të Zbulimit të Divizionit në Peqin
apo si Zëvendës Komisar i Brigadës së Ishullit të Sazanit.
Në vitin 1976 fejohet
me Feride Sabri Skëndomemoj dhe një vit më vonë, në vitin 1977 martohen dhe
formojnë familjen e tyre të pastër, të bukur, fisnike...
Akademisti Kanan
Canodemaj, në vitin 1997 emigron me familjen në Athinë - Greqi, ku punoi me
djersën e ballit dhe u kthye me familjen në Atdhe në vitin 2012, mbas 15
vjetësh emigracion. Në vitin 2017 doli në pension dhe, sa rrojti, qe një zotni
burrë, i mprehtë, i vërtetë, parimor, polemist, por po aq dashamirës.
Veprimtarinë e tij
krijuese e ka filluar herët me vjersha, që në shkollë në fshat, të cilat i
përmblodhi në vëllimin poetik “Gurrë Nostalgjie”, me 60 vjersha, që e botoi në
vitin 2012, me rastin e 60 vjetorit të lindjes. Emigracioni në dhè të huaj, por
veçanërisht humbja para kohe e vëllait të tij Mersinit, ja ngacmuan prirjet e
tij krijuese dhe atje filloi të shkruaj, si në poezi dhe në prozë. Krijimtaria
e tij e parë është libri monografik kushtuar vëllait të tij Mersinit me titull
“Meteori Vranishtit” në vitin 2009, libri dytë është botimi në vitin 2012 të
Historikut të fisit të tij me titull “Canodemojt (Mingajt), jeta dhe historia e
tyre në shekuj”, i treti libri me vjersha, që cituam; librin e katërt e botoi
në vitin 2021, me titull “Skëndomemojt në rrënjët e Vranishtit”, ndërsa
monografinë që i dha emër në rrethet intelektuale dhe të studiuesve “Vranishti
dhe Hora, bashkë që nga lashtësia”, që është dhe libri i tij i pestë, e botoi në
vitin 2022.
Por vepra e tij e
veçantë, ndërkohë unikale deri më sot, në njohjen time, është Piktura murale
apo Hartopiktura po me të njëjtin titull: “Vranishti dhe Hora, bashkë që nga
lashtësia”, vendosur në faqe të murit të shtëpisë së studiuesit ushtarak Kanan
Canodemaj në Ujë të Ftohtë, Vlorë. Ajo vjen si një superpikturë në 16 m² dhe
është prodhim i dobishëm i një pune sa të lavdërueshme, aq të mundimshme shumë
vjeçare e këtij autori të përkushtuar që, sa qe, s’njohu lodhje për të
shpalosur të vërtetat e historisë së ndodhur e të jetuar të të parëve në ato
troje të lashta, që rrënjët i kanë të thella në legjendat jashtëzakonisht
madhështore. Nga shtëpia e tij, atë hartopikturë me shpirtin bujar që e
karakterizonte e përjetësoi në faqen e murit në qendër të fshatit Vranisht, si
një dhuratë të çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të ngrihen në Vranisht,
po aq edhe në funksion të turizmit kulturor dhe historik të atyre trevave
magjike me bukurinë që u ka falur natyra dhe traditat më të mira të banorëve që
trashëgohen si stafetë nga brezi në brez.
Për Kananin mund të
flas shumë e prapë s’i them dot të gjitha, por pa u futur në hollësira, po
rikthehem pak tek libri i parë “Gurrë nostalgjie” me 60
vjershërime, ku vërtet vargjet e shpirtit ngjyhen me dashurinë për vendlindjen
dhe njerëzit e saj. Janë prekëse sidomos 16 faqet në fund të librit, që vijnë në
trajtën e një vjershe të gjatë apo poeme me titull “Rrëfim për njerëzit e drejtë”
(refleksione në 60 vjetorin e lindjes), thurur me duf, zemëratë e shqetësim
qytetar në Tiranë, në spital të martën e 31 janarit 2012, të
cilat ndryshe ishin formatuar për t’u reflektuar nga autori, por ngjarja e
befasishme që i ndodhi me shëndetin në
ato momente e detyruan t’i transformonte me atë përmbajtje realiste e tronditëse
se ishin të vërteta, të sinqerta, pa komplekse e drithëruese, ndërkaq, aty
gjejmë jetëshkrimin e tij të deriatëhershëm, pa emocione, por me njohjen racionale
të një njeriu të rrahur me vaj e me uthull për gjysmë shekulli e një dekadë
ngarkuar. Më shumë se vargje ato janë thirrje për jetën, alarm human për të
tërhequr vëmendjen qytetare ndaj atyre zanatçinjve që na shohin si shqerrat kur
u biem në dorë për probleme shëndetësore. Pësimi
im të bëhet mësim e përvojë për ju - ky është mesazhi që del nga leximi i
këtij materiali tronditës. Këto fjalë në vargje janë skaner për mjekët e
sotëm, konkretisht për ata doktorë që janë shndërruar në exhelë, në shtriga e
shtriganë. Apel për njerëzit më shumë se sa një material artistik është
ky poemth social i kohës së sotme.
Kanan Canodemaj, që
do të ngelet në kujtesën e fshatit, të miqësisë dhe shoqërisë së gjerë, si një
nga djemtë e mirë dhe intelektualë të Vranishtit, një atdhetar i devotshëm që bëri
shumë për vendlindjen, jo për t’u dukur, por sepse e ndiente së brendshmi, por
na iku para kohe si një meteor dhe na lëndoi. Kjo ikje fatale qe kaq e papritur
dhe e pamerituar, shumë e trishtueshme, që na hidhëron të gjithëve.
Fero, Mexho, teze
Duda, nipër e mbesa!
Forcë e kurajë!
I dritëroftë kujtimi
korrektit Kano!
Në kujtim të dajo
Kananit, ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje!
I pa harruar!
Vranisht, e martë, 17
dhjetor 2024