Kulturë
Adil Fetahu: Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu
E shtune, 21.12.2024, 07:47 PM
EPISTOLARI I POETËVE SHEFQET DIBRANI E AGIM SPAHIU
Shefqet
Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”,
Prishtinë 2008, faqe 284. ISBN 978-9951-06-209-1.
Shkruan:
Adil FETAHU
Njerëzit që duhen mes vete takohen edhe
krejt rastësisht. Kjo mund të thuhet edhe për poetët Shefqet Dibrani nga
Gërdoci i Llapit (Kosovë), “i ramë” në St. Gallen të Zvicrës, dhe Agim
Spahiut nga Kolesjani i Kuksit.
“Takimi” dhe njohja e tyre nisi
nga një kartolinë që Shefqeti i kishte dërguar Agimit në prag të vitit të ri
1991 (saktësisht më 15 dhjetor 1990). Në atë kartolinë Shefqeti shkruan gati në
vargje poetike: “Poetit Agim Spahiu, Kukës, Shqipëri. Edhe pse s’jemi parë
kurrë, të njoh përmes vargut poetik”, pastaj vazhdon i prezantohet për
veten e tij: “U linda në Llap e po bredhi nepër Europë. Dëshiroj që në Vitin
e Ri 1991, të takohemi në Shqipëri apo në Kosovë! Me respekt, Sh. Dibrani”.
Kjo kartolinë ishte “kapsulla” që e ndezi epistolarin (letërshkëmbimin)
e dendur dhe kulitivimin e miqësisë së përzemërt midis dy poetëve dhe familjeve
të tyre.
Në 15-vjetorin e kalimit në amshim të
poetit Agim Spahiu, miku i tij i zemrës dhe shpirtit, poeti Shefqet Dibrani, e
botoi librin me titull simbolik: “LETRAT E AGIMIT”. Por, në këtë libër
monumental për poetin Agim Spahiu, janë botuar edhe letrat e Shefqetit të
dërguara Agimit. Letrat janë botuar sipas kronologjisë, krejtësisht në
origjinal, e të përcjella me faksimile të postës së dërguar njërit dhe tjetrit.
Letërshkëmbimi midis Shefqetit e Agimit ka zgjatur tri vjet, derisa Agimi i ka
dhënë fund jetës në këtë botë (14 dhjetor 1993). Por Shefqeti nuk e ka
ndërprerë letërshkëmbimin edhe me familjarët e Agimit, me bashkëshorten Zanen,
vajzën (poete) Idën dhe djalin Arbërin.
Janë botuar në këtë libër 19 letra të
cilat Shefqeti ia ka dërguar Agimi, dhe 7 letra që ua ka dërguar familjarëve të
Agimit. Nga ana tjetër, janë 23 letra të cilat Agimi ia ka dërguar Shefqetit. Përmbajtja
e letrave, përveç shprehjes së respektit reciprok dhe dashurisë vëllazërore,
trajtojnë çështje të lëvizjes kulturore, letrare po edhe politike si në
Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë. Në to vërehet brenga e poetëve për gjendjen
në fushat e përmendura, po edhe optimizmi se gjërat do vijnë duke u përmirësua.
Këta i ofrojnë ndihmë të pakursyeshme njeni-tjetrit në përpjekjet për të botuar
veprat e tyre poetike.
Të shkruara me stil elegant të poetit,
në letrat e shkëmbyera autorët shpërfaqin karakterin dhe pjekurinë e dy
poetëve, me mendje të mprehtë dhe intuitë të sigurtë; me një ton nderues ia
thonë njeni-tjetrit vërejtjet apo sugjerimet për veprat që po i bënin gati për
botim, me qëllimin më të mirë që vepra të del sa më e arrirë. Në këtë shkëmbim,
ata i dërgojnë libra njeni-tjetrit dhe botojnë poezitë, cikle poezishë apo
përmbledhje sosh në shtëpitë botuese në Kosovë e në Shqipëri,në Zvicër apo
gjetkë, përkundër vështirësive të mëdha të gjendjes politike e të sigurisë në
Kosovë dhe të gjendjes së varfërisë në vitet e para të demokracisë në Shqipëri,
aq sa shtëpitë botuese nuk kishin as letër për botimin e veprave.
Në letërshkëmbimin midis poetëve Shefqet
Dibrani e Agim Spahiu, përmendën emrat e shumë poetëve e shkrimtarëve të njenës
apo të palës tjetër, si recenzentë, redaktorë apo botues të mundshëm të veprave
që këta i kishin bërë gati për botim.
Nga përmbajtja e letrave të Agimit
vërehet zhgënjimi i poetit për situatën në vend. Ai në mënyrë poetike e thotë “Shqipëria
është në anën e errët të hënës”! Në letrën që i shkruan Shefqetit më 22 janar 1992,
Agimi shprehë zhgënjimin e tij me pushtetin e ri: “Miku im i shtrejtë, në
këtë midis kohe, pa qeveri të vërtetë, pa shtet, pa ligj e pa rend, rruga me
rrëmujë e rrëmet ka marrë frerët në dorë e po pi edhe pikën e fundit të gjakut
që ka mbetë në trupin e tharë të këtij populli të mjerë... Inelektualët janë
preja e parë e kësaj lukunie. Është bllokuar shkenca, kultura, arti, shtypi....
Ndaj shkruaj, shkruaj vazhdimisht, mbasi kjo është e vetmja detyrë imja që më
ka caktuar kjo tokë e shenjtë, ky Komb fisnik e fatkeq, ky Komb i lindur prej
Zotit e i mallkuar prej robit. Po fundja, Shefqet, ky është edhe misioni i çdo
njeriu: të bëjë atë që mundet, pa kursyer asgjë, në shërbim të Kombit...”.
Në letrën e tij dërguar Agimit, Shefqeti duke ditur situatën e përgjithshme në
Kosovë dhe në Shqipëri, ndër të tjera i shkruan: “Jetojmë në një moment
kritik, në një kohë që vendoset për fatin tonë, të ekzistojmë apo jo, në një
momnt kur nuk mund t’i qëndrojmë larg interesit kombëtar... intelektuali i
ndershëm nuk guxon të tërhiqet në një anë, mos të merret me politikën e ditës,
e as nuk guxon të mbyllet e të heshtë kundruall matrapazëve e bashibozukëve apo
liderëve të ashtuquajtur elitë...”
Përmbajtjet kryesore të letrave të tyre
kanë për objektiv botimet e njenit dhe të tjetrit, mundësitë për të botuar
nëpër gazeta e revista në Shqipëri, në Kosovë apo jashtë. Në këtë kuptim, nga
përmbajtja e letrave shihet se Shefqeti ka bërë më shumë dhe i ka ofruar
ndihmën më të madhe Agimit për botimin e librave të tij, madje i ka dërguar
edhe letër për t’i botuar ato, pasi shtëpitë botuese nuk kishin letër!
Shefqeti ishte angazhuar me mish e me
shpirtë për ta botuar librin e Agimit “NJERIU MBI PIKËLLIMË”, (Pikëllima është
mal në vendlindjen e Agimi). Por libri u botua pas vdekjes së autorit, veçse
miku i tij ia dërgoi familjes së Agimit më se 50 ekzemplarë, u premtoi se do
t’iu dërgojë edhe tjera sa t’iu nevojiten për t’ua dhuruar miqve e dashamirëve
të Agimit, dhe kërkoi listën me adresa të personaliteteve të cilëve do t’ua
dërgonte drejtpërdrejtë, në Shqipëri, Europë apo në Amerikë. Pas dërgimit të
librave, Shefqeti mori letra falënderimi nga disa prej atyre të cilëve ua
kishte dërguar librat e Agimit: Visar Zhiti, Ferhat Cakaj, Esati, Shpresa
Vreto, Islam Spahiu, Ylfi Selmani, Petrit Palushi, Tonin Çobani, Elmira Mujo,
Luan Qeneti, Teodor Laço.
Shefqeti ka vazhduar shkëmbimin e
letrave me familjarët e Agimit, e posaçërisht me vajzën e tij poete, Ida, së
cilës është shprehur i gatshëm t’i ofrojë gjithëfarë ndihme të nevojshme për
botimin e poezive të saj, duke e porositur dhe udhëzuar që ato të jenë sa më të
mira, për ta vazhduar traditën e babait të saj.
Vlerësimin e tij mbi shkëmbimin e
letrave midis poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu, poeti e shkrimtari Adem
Istrefi, e nisë më këto shprehje: “Ka letra e letra. Si këto letra kurrë
s’kam lexuar. Këso miqësie poetike ende s’kanë njohur letrat shqipe.... O ju të
shtrenjtit e mi, ju vëllezërit e mi më të vegjël! Se si vëlla më të madh desha
të më kishit. Se vëllezër janë ndërmjet veti gjithë fisi i poetëve. Dhe kur
flas për poetët, flas për poetët. Flas për ata që si ju që letrat i quanit
‘Pëllumba të bardhë’. Dhe përmes këtyre ‘pëllumbave’ u njohët, pa u njohur
kurrë më parë, u patë dhe pa u parë. Që të dy nga dy cepa të Dardanisë së sotme,
jo asaj të lashtës, shumë të lashtës e shumë të dëgjuarës gjurmëlënëse, se ajo
kishte shtrirje tjetër...”. dhe vazhdon me lavëdërime për njenin dhe
tjetrin, për miqësinë e tyre të sinqertë e të përzemërt, me shpirtin e tyre të
kulluar në shtatë kullojsa.
Në librin “LETRAT E AGIMIT”, autori ka
botuar intervistën e gjatë me Agim Spahiun, të zhvilluar më 13 qershor 1992.
Intervistën e kishte bërë për revistën “FJALA” (të Prishtinës), me
sugjerimin e Milazim Krasniqit, redaktor, por nuk u botua në atë gazetë. Më
vonë, një verzion të shkurtuar e botoi “ZËRI” në Prishtinë, dhe pak më të gjërë
e botoi revista “REPUBLIKA” në Lublanë, e botuesit Salih Kabashi. Në këtë libër
është botuar intervista e plotë, duke i ruajtur të gjitha tiparet shprehëse dhe
gjuhësore të poetit Agim Spahiu.
Libri epistolar i Shefqet Dibranit “LETRAT
E AGIMIT”, është një monument letrar për poetin Agim Spahiu, ndërsa në
përkushtimin e tij autori shkruan: “Këto letra le të mbeten testmanet i
gjallë dhe uratë e përhershme për shpirtin e poetit Agim Spahiu”.
Prishtinë,
22 nëntor 2024.