Mendime
Florim Zeqa: Turneu i mashtrimit i LDK-së!
E shtune, 14.12.2024, 07:50 PM
Turneu i mashtrimit i LDK-së!
Shkruan:
Florim Zeqa
Të nderuar kryetar të Nëndegëve të LDK-së në:
Treviso, Montebelluna, Bassano del Grappa dhe Reggio Emilia, elektorat i
pakonfirmuar i LDK-së në Itali, siq e dini me dëshirë u jam bashkangjitur në
themelimin e tri nëndegëve të LDK-së pa llogaritur në asgjë dhe pa asnjë
ambicie personale, duke besuar në vlerat rugoviane dhe parimet bazike të
demokracisë, që janë vlerësimi dhe gjithpërfshirja në garën zgjedhore.
Gatishmërinë time për të
ndihmuar LDK-në e refuzoi kryetari Abdixhiku
U bëra bashkë me ju që të jepë
kontributin tim si qytetar i Republikës së Kosovës dhe si veprimtar i Lidhjes
Demokratike të Kosovës nga themelimi e deri më sot. Atë ditë në Treviso ua
thashë publikisht se mungesa e debatit do t'na kushtojë shumë në këtë proces
zgjedhor. Kemi për çka të flasim dhe diskutojmë. Jemi në situatë të vështirë,
dhe e kemi shumë të vështirë për t'a bërë kthesën e madhe. Ajo kthesë e madhe
bëhet nëse e hapim debatin dhe i nxjerrim në shesh të gjitha problemet, të cilat
janë të shumta e të shumllojshme dhe se e kemi të vështirë të ecim përpara pa
zgjidhjen e tyre!
Janë tre shkronjat e arta të LDK-së
Rugoviane që na e kanë trasuar rrugën e lirisë dhe të pavarësisë së vendit
tonë. Për fatin e keq, pas shkuarjes në amshim të liderit historik Ibrahim
Rugova, na çaloj vazhdimësia post-Rugoviane në LDK. Ndarje pas ndarje, thyerje
pas thyerje kemi ardhur në situatën më të palakmueshme nga themelimi i LDK-së.
Pas themelimit të katër nëndegëve në
Itali, i jam drejtuar kryetarit Lumir Abdixhiku, kryesisë qendrore në
Prishtinë, dhjetra delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë dhe degës
së LDK-së në Klinë, duke e shprehur gatishmërinë time për të ndihmuar LDK-në në
sfidën zgjedhore të 9 shkurtit 2025.
Përgjigja e tyre, përveqse premtuese
ishte edhe lavdëruese; "Ju e meritoni dhe është nder për ne t'ju kemi në
listën zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për kuadro të përgatitura dhe të merituara
siq jeni ju, etj, etj.
Por vendimi i tyre na
doli të jetë ndryshe!
Pra, të sipërpermendurve ju drejtova më
kërkesën për përfaqësimin e elektoratit të LDK-së në Itali në Listën Zgjedhore
për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por edhe kjo kërkesë u refuzua nga rrënuesit e
LDK-së nën arsyetimin se "ju nuk e keni të themeluar degën e partisë"!
Për këtë nuk jemi fajtorë ne, por fajtorë
janë ata që asnjëherë nuk u interesuan për elektoratin e LDK-së në Itali derisa
erdhi afati i fushatës zgjedhore!
Për freskimin e memories së elektoratit
të LDK-së, prej ardhjes në krye të LDK-së, Lumir Abdixhiku me paratë e tij, të
partisë apo të Sorosit, këtë nuk e di saktësisht, disa herë erdhi në Milano për
të përcjellur ndeshjet e ekipit të Milanos, por, për habi
"milanistit" asnjëherë nuk i ra ndërmend që LDK-ja ka elektorat të
madh në këtë shtet evropian!
Nuk i ra ndërmend kryetarit, sepse
mendonte që e ka të mjaftueshme votën e elektoratit në Kosovë. Mirëpo, kur e
kuptoj se ajo votë nuk gjendet më në Kosovë, tek atëherë i ra ndërmend për
mërgatën në Itali dhe shtetet tjera evro-perëndimore!
U dëshmua edhe një herë se këta yryshnik
të pushtetit nuk e duan konkurencën në listën zgjedhore të aktivistëve dhe
veprimtarëve më të suksesshëm në mërgatë, nuk kanë nevojë për idealistët dhe
themeltarët e LDK-së, por kanë nevojë për politikan të ricikluar nga partitë e
tjera, kanë nevojë për njerëz të shtëpisë së maskarallëkut njerëzor ("Big
Brother"), kanë nevojë për servilët dhe puthadorët që ju duartrokasin edhe
kur këta e gënjejnë dhe rrënojnë në themel filozofinë politike rugoviane!
Përfshirja në listën zgjedhore të LDK-së
i tre kandidatëve nga Gjermania dhe anashkalimi i shteteve me traditë dhe
struktura organizative nga themelimi i LDK-së, si: Belgjika, Suedia, Norvegjia,
Finlanda e shumë shtete tjera, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
përfshirë edhe Italinë me katër Nëndegë të themeluara dhe me një elektorat
numerikisht shumë më të madh sesa Zvicra, Austria, Sllovenia e shumë shtete
tjera evro-perëndimore, e paraqet diskriminimin më të paskrupullt të
strukturave qendrore të partisë ndaj mërgatës sonë, respektivisht elektoratit
të LDK-së në Itali!
Si ka mundësi që vetëm nga Prishtina të
përfshihen në listën zgjedhore hiq më pak se 24 kandidat, ndërsa nga e gjithë
mërgata vetëm 5, prej të cilëve 3 nga Gjermania!
Më çfarë fytyre vijnë e kërkojnë votën e
mërgimtarëve këta yryshnik të pushtetit, ku llogaritet se në Itali jetojnë
rreth ose mbi 500 mijë bashkatdhetarë nga Kosova, që i bie, se janë sa 1/3 e
banorëve që aktualisht jetojnë në Kosovë!
Na anashkaloni dhe pa
fije turpi vini e kërkoni votën tonë!
Pas
këtij diskriminimi sa absurd po aq edhe poshtërues ndaj nesh, nuk e ka më asnjë
lloj kuptimi "turneu i ndryshimit" i strukturave të LDK-së në shtetin
Italian!
Pasi këta, mërgatës në Itali po ja duan
vetëm votat, por jo edhe nderin dhe përfaqësimin në Kuvend!
Shihet qartë se këta yryshnik të
pushtetit, neve na konsiderojnë vetëm si numra dhe argat (shërbëtor) të
grumbullimit të votave për ta e jo si pjesë përbërëse e LDK-së në përfaqësimin
politik, duke na dhënë vetëm mundësinë për të zgjedhur të uriturit për pushtet,
duke na e mohuar të drejtën për të qenë të votuar nga elektorati për deputet të
Kuvend të Kosovës!
Unë nuk e pranova një diskriminim të
tillë, prandaj e kundërshtova fuqishëm duke i qëndruar besnik filozofisë
politike rugoviane për zgjedhje të lira dhe demokratike, me të drejtë për të
zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur me votën e lirë dhe demokratike me
kundërkandidat e jo me të kundërtën e demokracisë, me lista të mbyllura dhe me
aklamacion siq ka ndodhur me themelimin e Nëndegëve në Itali.
Këtë ua kam thënë publikisht dhe kam
kërkuar që të zhvillohet debat në Treviso dhe ia kam bërë më pas edhe si
vërejtje në katër sy deputetit Driton Selmanaj, për çka deputeti më përgëzojë
më këto fjalë, po citoj: "Vërtetë Florim paske shpirt demokratik"!
"Të tillë duhet të jemi të gjithë
nëse duam ta bëjmë LDK siq e kishim dikur, zonjë të parë të skenës politike
kosovare. Në të kundërtën, na pret zhgënjimi akoma më i madh duke e parë LDK-në
si patericë të partive të tjera, siq e patëm për 18 vjet rresht pas shkuarjes
në amshim të Presidentit Historik Ibrahim Rugova, pa asnjë fitore në zgjedhjet
nacionale", ia ktheva z. Selmani!
Në shërbim të qytetarëve
dhe mërgimtarëve
Zotohem publikisht, se kurdo që jeni të gatshëm
për zgjedhje të lira dhe demokratike aty do të më keni, por asnjëherë nuk do të
bëhem mbështetës i grupeve të interesit në parti!
Edhe përkundër vështirësive shëndetësore
jam aktiv çdo ditë dhe do të jemë edhe në të ardhmen në shërbim të shtetit të
Kosovës, qytetarëve dhe mërgimtarëve në veçanti.
Pra, nuk do të ndalem së vepruari për të
mirën e shtetit dhe qytetarëve derisa të më rrahë edhe një damarë i vetëm i
gjakut në trupin tim.
Jam i gatshëm që ta ndihmoj secilin që e
vë një gurë në themelin e ndërtimit të shtetit të Kosovës, si dhe jam i gatshëm
që ta mbajë mbi supet e mia secilin që punon për të mirën e shtetit të Kosovës,
por asnjëherë nuk do të vihem në shërbim të grupeve të ineresit qofshin ato
ndërpartiake apo brenda partisë.
Ata që dhanë gjithçka për LDK-në, nuk
morën gjë prej saj, përfituan antirugovistët, servilët dhe yryshnikët e
pushtetit që sot gjenden në listën zgjedhore të LDK-së, disa prej të cilëve i
kemi sot në kreun e partisë.
Ngritne zërin edhe ju bashkatdhetarë e
mos heshtni ndaj diskriminimit dhe mashtrimit që po u vjen me slloganin e
"Ndryshimit"!
Ka ikur koha e mashtrimit, po vjen koha e
ndërgjegësimit të mërgatës sonë!
Sinqerisht: I juaji
Florim Zeqa
Orsago
(TV-Itali), 13 dhjetor 2024