Mendime
Lekë Mrijaj: Mësimdhënësit shqiptarë të viteve ’90, heronj të heshtur
E premte, 13.12.2024, 08:21 PM
Mësimdhënësit shqiptarë të viteve ’90, heronj të heshtur që sakrifikuan gjithçka për arsimin dhe identitetin shqiptarë
Nga
Lekë Mrijaj
Në
mesin e vuajtjeve të shumta që populli shqiptar i Kosovës përjetoi gjatë
regjimit represiv serb, arsimi shqip mbeti një nga shtyllat kryesore të
qëndresës kombëtare. Gjatë viteve ’90, kur dhuna, diskriminimi dhe përjashtimi
ishin instrumente të përdorura nga regjimi i Milosheviqit për të shtypur
aspiratat për liri dhe demokraci, arsimi shqip u shndërrua në simbol të
mbijetesës kulturore dhe kombëtare.
Duke
shfletuar shtypin ditor të asaj kohe, hasa në një artikull të gazetës “Bujku”
të Kosovës, gazetë qe pasqyronte një nga shumë aktet e padrejtësisë ndaj
arsimit shqip. Në artikull rikujtohej se si drejtori i dhunshëm Rashid Alia,
përfaqësues i regjimit serb, urdhëroi largimin nga detyra të profesorit të
historisë, Sadri Rexhepi, vetëm sepse ishte shqiptarë.
Dhuna mbi arsimin shqip
në Kosovë
Pas
shfuqizimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, regjimi serb ndërmori masa
të rënda për të shkatërruar arsimin shqip. Mbyllja e shkollave, largimi i
mësimdhënësve shqiptarë dhe vendosja e strukturave të dhunshme në institucionet
arsimore ishin pjesë e planit për të asimiluar shqiptarët dhe për të zhdukur identitetin
e tyre kombëtar e kulturor. Në këtë periudhë, Kosova humbi të gjitha
kompetencat legjislative dhe ekzekutive, përfshirë edhe ato mbi arsimin, ndërsa
të gjitha vendimet për kurikulat dhe librat shkollorë merreshin në Beograd.
Shkollat
shqipe në mbarë Kosovën u përjashtuan nga infrastruktura publike dhe u detyruan
të operonin në kushte të jashtëligjshme. Mësimdhënësit përballeshin me
kërcënime të vazhdueshme, arrestime dhe dhunë nga policia serbe, ndërsa
nxënësit ndiqnin mësimet në shtëpi private, bodrume apo ambiente të tjera të
papërshtatshme. Arsimi shqip nuk ishte vetëm një proces mësimor, por një akt i
fuqishëm heroizmi dhe rezistence ndaj pushtuesve.
Rasti i Sadri Rexhepit,
pedagog në shkollën fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë
Ngjarja
e dokumentuar në gazetën “Bujku”, më 24 nëntor 1992, pasqyron një nga shumë
aktet e dhunshme të regjimit serb ndaj mësimdhënësve shqiptarë. Drejtori i
dhunshëm i atëhershëm Rashid Alia, duke zbatuar politikat fashiste të regjimit
serb, përjashtoi profesor Sadri Rexhepin nga shkolla fillore “Asim Vokshi” në
Prishtinë. Ky veprim ishte një shkelje flagrante e të drejtave të tij si
mësimdhënës dhe një sulm ndaj sistemit arsimor shqip. Ky incident nuk ishte
rast i izoluar. Drejtorët e emëruar nga regjimi serb vepronin si zbatues të
shtypjes, duke përdorur dhunë psikologjike dhe fizike për të frikësuar
mësimdhënësit dhe për të imponuar rregullat që synonin asimilimin dhe zhdukjen
e gjuhës shqipe.
Arsimi paralel i viteve
’90 – Simbol i qëndresës kombëtare
Në
këto rrethana të pamundura, shqiptarët krijuan një sistem paralel arsimor, duke
zhvilluar mësimin jashtë strukturave të kontrolluara nga pushteti serb. Ky
sistem përfshinte:
1.
Shkolla të improvizuara: Mësimet zhvilloheshin në shtëpi private, të hapura nga
familjet shqiptare.
2.
Përkushtim kolektiv: Mësimdhënësit shpesh punonin pa pagesë, me mbështetje
minimale nga komuniteti.
3.
Materiale të kufizuara: Tekstet dhe pajisjet mungonin, por improvizimi dhe
solidariteti bënin të mundur vazhdimësinë e mësimit.
Ky
sistem jo vetëm që siguroi mbijetesën e arsimit shqip, por shërbeu si një akt i
fuqishëm për ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar. Ai përgatiti
terrenin për lëvizjen çlirimtare, duke mbjellë shpresë për liri te brezi i ri.
Heroizmi i mësimdhënësve
shqiptarë
Mësimdhënësit
shqiptarë të viteve ’90 ishin më shumë se edukatorë; ata ishin heronj të
heshtur që sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur arsimin dhe identitetin
kombëtar. Siç u shpreh pedagogia dhe veteranja e arsimit shqip, zonja Marije
Nekaj, profesori Sadri Rexhepi ishte “një fanar drite në qëndresën kombëtare.”
Ky
mësimdhënës si dhe mësimdhënësit të tjerë nëpër shkollat e Kosovës, sfiduan
dhunën dhe frikën, duke qëndruar të palëkundur në misionin e tyre fisnik. Ata
mbetën të pathyeshëm, duke mbrojtur me çdo kusht të drejtën për mësim dhe
ruajtjen e gjuhës shqipe.
Mesazhi i trashëguar nga
sakrifica e viteve ’90
Ngjarjet
e viteve ’90-ta na kujtojnë se arsimi është një armë e fuqishme për mbrojtjen e
identitetit dhe kulturës së një populli. Sakrificat e mësimdhënësve dhe
nxënësve shqiptarë të asaj kohe na mësojnë rëndësinë e ruajtjes së arsimit
shqip si një thesar kombëtar që nuk duhet harruar ndër breza.
Në
një periudhë të terrorit dhe shtypjes, mësimdhënësit shqiptarë dhe nxënësit e
tyre mbetën të pathyeshëm, duke mbrojtur me heroizëm arsimin shqip dhe vlerat
kombëtare.
Lavdi
dhe mirënjohje për prof. Sadriun dhe për të gjithë ata që sakrifikuan,
përfshirë familjet shqiptare që hapën dyert e shtëpive të tyre për të mbrojtur
arsimin shqip nga terrori serb i Sllobodan Milosheviqit!