Mendime
Basri Beka: Dua të shpreh zhgënjimin tim të thellë ndaj flirtimit të hapur të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Islamin Politik
E diele, 08.12.2024, 07:55 PM
Basri Beka:
Dua
të shpreh zhgënjimin tim të thellë ndaj flirtimit të hapur të Aleancës për
Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Islamin
Politik. Për një grusht votash, këto parti po rrezikojnë karakterin laik të
shtetit tonë dhe po hapin derën për ndërhyrjen e fesë në jetën publike, duke
shkelur rëndë parimet kushtetuese dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Historia
na ka mësuar se Islami Politik nuk sjell përparim, por shkatërrim:
• Në Iran, një shoqëri moderne u zëvendësua me
një regjim teokratik që shtyp liritë.
• Në Afganistan, populli është zhytur në
varfëri, dhunë dhe regres.
• Në Pakistan, rënia e Zulfikar Ali Bhutto-s
tregoi se si ekstremizmi fetar minon stabilitetin dhe drejtësinë.
• Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane solli ndasi
të thella dhe mungesë stabiliteti politik.
Kosova
është një shtet laik, dhe ky parim nuk është për t’u negociuar. Çdo përpjekje
për të promovuar agjenda fetare në politikë është një kërcënim i drejtpërdrejtë
ndaj lirisë, demokracisë dhe identitetit tonë kombëtar.
E
ashtuquajtura “Kauza për Familjen” është thjesht një fasadë për të imponuar
agjenda të huaja që cenojnë vlerat tona kombëtare. Familja shqiptare nuk ka
nevojë për manipulime ideologjike, por për politika konkrete që mbështesin
mirëqenien, progresin dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
I
bëj thirrje partive politike që po përdorin fenë si mjet për përfitime politike
të ndalin menjëherë këtë kurs të rrezikshëm. Kosova nuk ka nevojë për përçarje
fetare, por për kthim tek vlerat dhe traditat kombëtare që na kanë mbajtur
gjallë si popull në shekuj.
Feja
duhet të mbetet çështje personale, jo instrument politik për pushtet apo
përçarje. Kosova nuk do të bëhet viktimë e ideologjive të huaja që kanë
shkatërruar qytetërime të tëra. Detyra jonë është të mbrojmë laicitetin dhe të
garantojmë një të ardhme më të ndritur për gjeneratat që vijnë.
https://www.facebook.com/basri.beka.9