Mendime
Enver Bytyçi: Pse Edi Rama i zbut emërtimet kur Serbia kryen akte terroriste në Kosovë?!
E merkure, 04.12.2024, 07:58 PM
Pse Edi Rama i zbut emërtimet kur Serbia kryen akte terroriste në Kosovë?!
Nga
Enver Bytyçi
Edi
Rama e ka konsideruar aktin terrorist te grupeve kriminale serbe të mbrojtura
nga Serbia si „akte sabotazhi“! Sipas tij ky akt është i rëndë dhe cenon jetën
e qytetarëve, por edhe godet, thotë ai, procesin e marrëdhënieve në rajonin
tonë. Vini re: Ai dëshiron t’u bëjë me dije ndërkombëtarëve, se “kryeministri i
Shqipërisë ka shqetësim themelor marrëdhëniet e stabilitetin në rajon”!
Ndërkohë, në emër të këtij stabiliteti “duhet që Kosova ulë stekën e akuzave
ndaj Serbisë”. Si gjithmonë, Rama shkon në të njëjtën linjë me grupet pro-serbe
në Evropë dhe në SHBA. Edi ende nuk e ka vendosur ta lëshojë presidentin e
Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Atij i duhet kreu i shtetit serb, sepse pa të nuk e
luan dot tangon e pushtetit. Kryeministri i Shqipërisë vazhdon të besojë se
aleanca e ngushtë Tiranë-Beograd e mban atë edhe më tej në pushtet, pas
zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Por
Edi Ramës i është sosur karburanti. Ka konsumuar shumë kokainë dhe bashkë me të
edhe shumë lidhje të ngushta me bandat kriminale e mafioze. Është tashmë i
skicuar dhe i vlerësuar si Escobari i Evropës. Një kryemafioz, i cili lidhjet e
tij me mafien i mban përmes zyrës së koordinimit në selinë e tij. Kësaj i thonë
se “tamli” (qumështi) ka gaflluar e ka dalë jashtë tenxheres. Për pasojë ka bërë
pis jo vetëm politikën e rilindjes në Shqipëri, por edhe jo pak bashkëpunëtorë
të Ramës në kryeqytetet europiane e në Uashington ose Nju Jork.
Sa
më shumë që Ramës i ngushtohet laku në bashkëpunimin e tij me krimin e
organizuar dhe mafien familjare të tij, aq më shumë ai largohet nga e vërteta e
Kosovës. Për Edi Ramën gjithmonë kur ndodhin ngjarje me adresë fajësie
Beogradin, do të përpiqet ta zbutë akuzën. Në çdo vend të botës sulmi kamikaz
për të dëmtuar infrastrukturën e ujit të qytetarëve konsiderohet akt terrorist,
Edi Rama u lodh shumë për të gjetur diçka shumë më relative. E quajti “akt
sabotazhi”! Shkurt e kufizoi përgjegjësinë e Beogradit. Sepse dihet se aktet e
sabotazhit janë akte të një ose dy-tre njerëzve të “papërgjegjshëm” e “që
besojnë ndryshe nga pjesa e popullsisë së dëmtuar”! Ndërsa aktet terroriste
kanë një strukturë dhe infrastrukturë logjistike krejt tjetër. Në aktet
terroriste përfshihen së paku në rastin konkret, shërbimi sekret i Serbisë.
Edhe Banjskën e pati quajtur “tollovi ballkanike”, duke larguar përgjegjësinë
nga miku i tij, Vuçiq.
Nëse
në vendngjarje janë gjetur simbole ruse dhe veshje të tilla e të ushtrisë
serbe, kjo do të thotë se në aktin terrorist janë përfshirë edhe institucione
të shërbimit sekret të Serbisë. Dhe derisa kjo është vështirë të përjashtohet,
atëherë pjesë e aktit terrorist është edhe kreu i shtetit, përgjegjës për
sigurinë kombëtare, Aleksandër Vuçiq. Se shigjeta shkon në presidencën serbe,
këtë fakt e nënkuptojnë thuajse të gjitha deklaratat e kryeqyteteve evropiane.
Edi Rama do që të ndryshojë trajektorja e kësaj shigjete. Po ta shohësh
thellë-thellë, duket se kryeministri i Shqipërisë i ka orientuar në gjurmë të
gabuara edhe Ramush Hajradinajn, edhe Memli Krasniqin. Ata vazhdojnë t’i
besojnë “mençurisë së Edi Ramës”! Gjithë përpjekjet po bëhen që të dalë jashtë
përgjegjësisë Vuçiq. E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e aktit terrorist të
Banjskës, kur kërkoi që qeveria e Kosovës “të mos luftojë për tokën e askujt”!
Ishte fjala për veriun e vendit, ku ndodhi akti terrorist i Banjskës.
Në
të gjitha rastet, ndryshe nga shumica e politikanëve europianë dhe amerikanë,
Edi Rama e ka relativizuar përgjegjësinë e Beogradit dhe ka rënduar pozitën e
shtetit e të qeverisë së Kosovës. Madje duke vënë në dukje që “Serbinë nuk
duhet ta shtyjmë të marrë vendime kundër integrimeve europiane”! Rama është i
aftë që kur përgatit vekshin, t’ia ndreqë edhe vegzën. Pra kur mbron Vuçiqin ai
gjen edhe arsyen pa arsye për mbrojtjen e tij! Gjithçka sillet rreth zgjedhjeve
të vitit të ardhshëm, që kryeministri i Shqipërisë të hiqet si faktor
stabiliteti e të marrë mbështetjen e humbur të ndërkombëtarëve.