Mendime
Llesh Ndoj: A jemi si na fotografojnë të tjerët?
E marte, 03.12.2024, 07:49 PM
A JEMI SI NA FOTOGRAFOJNË TË TJERËT…?
NGA
LLESH NDOJ*
Një “retro”e shkurtër.
Para disa muajsh, në
një reagim në facebook, Bashkia e Lezhës (respekt për punët e shumta të
realizuara!) hodhi një status, në esencë të të cilit kuptohej krenaria se që në
vitin e parë të mandatit të saj ishin realizuar shumë objektiva që i kishin
premtuar për katër vitet e mandatit e ku “mallkohej” hapur kushdo që i shihte
ato rezultate ndryshe, duke premtuar “zhgënjimin” e tyre në fund të kësaj
periudhe.
Si një qytetar që e
dua Lezhën, vendin e zgjedhur pa asnjë sforco e në moshë madhore për të jetuar
(jo dhuratë e fatit, apo ndonjë rastësi!) reagova ndaj atij statusi, në esencë,
duke shënuar se rezultatet ishin të dukshme, por edhe se secili prej nesh
kishte të drejtën t’i “lexonte” ato në përputhje me përmirësimin e kushteve të
jetesës e rritjen e mirëqënies aty ku jetonte ai, përjashtuar atyre “që
lakmonin” karrigen e humbur, e që në funksion të saj, “kishin të drejtë” të
ngrinin “stuhi në gotë” kundër çka thuhej në atë status, e atyre punëve që janë
realizuar e do të realizohshin në vijimësi. Solla si shembull, për të ilustruar
mendimin apo opinionin tim, lagjen ku jetoj, e ku prej 34 vitesh nuk hidhet
“një lopatë” beton, ku s’hyn zjarrfiksja as ambulanca, ku s’ka e s’mund të ketë
trotuare e ndriçim edhe pse është vetëm 50 metra larg nga rruga kryesore e
qytetit. Reagimi ishte i disbalancuar! U munduan t’a injorojnë opinionin tim me
plot 12 a 13 kundërreagime, ku thuhej se duhej pritur data 1 shtator dhe
pastaj: Gjithshka do të jetë ndryshe! Unë kam pritur plot 26 vjet këtu, e
lagjja për të cilën bëj fjalë ka pritur 34 vite demokraci, e si të mos kisha
durim të prisja unë dhe banorët e saj edhe 2 - 3 muaj. Por…!
Tjetër doja të
shprehja përmes reagimit tim atëherë, e tjetër dua të sjell në vemendje të
lexuesve sot, se lagjja ime e njëjta mbetet edhe me 1 dhjetor 2024, veç disa
shenjave “kuq e blu” në ato pak betone që gjenden, e që i lexojnë ata që i kanë
hedhur, si shenjë shprese se puna mund të nis jo larg në kohë.
Ne jemi ajo siç na “fotografojnë” të tjerët.
Lezha dhe e gjithë
Shqipëria në këto vitet e fundit ka ndryshuar shumë e pozitivisht. Të mohosh
këtë, ose duhet të jesh pa sy, ose duhet të jesh pa shpirt. Shpirti u takon
atyre që, ose përjetojnë projektet në 3D e ekzaltohen me to, ose janë mohues të
qëllimshëm të arritjeve për shkak të objektivave të tyre politike, ndërsa syri
është fotografuesi më real i realitetit, ndonëse edhe të zhgënjen ndonjëherë,
por jo për gjëra që dukshëm bëjnë diferencën. E kam mirëpritur projektin e
Rilindjes Urbane si njërin nga gjetjet më të bukura të qeverisjes së piktorit -
qytetar Edi Rama. Lezha, si shumica e qyteteve në Shqipëri, në saj të këtij
projekti, ka ndryshuar shumë, dhe pozitivisht. Qendra e qytetit ka rilindur dhe
është bërë këndshëm e vizitueshme dhe cilësisht e jetueshme. Shumë veta e kanë
konsideruar të ashtuquajturin “projekt i fasadave” si mashtrim piktori, por unë
e kam vlerësuar edhe atë shumë, në formë dhe në përmbajtje. Edhe në këtë
projekt Lezha ka bërë dukshëm ndryshime e kjo as që mund të mohohet. Unë as nuk
dua t’a bëj këtë! Gjithë qyteti të ofron jo vetëm një panoramë të këndshme për
syrin, por edhe kushte më komode jetese për banorët dhe rritje të vlerës së
tregut të banesave. Lagja e bregdrinit, pjesë e lagjes “Besëlidhja”, ka
rilindur totalisht, jo vetëm në saj të tyre. Por, thënë të gjitha këto, nuk
mund të “rehatohemi” e të duartrokasim gjithshka. Shumë gjëra bëhen “fasadë” pa
qenë të tilla, ndërkohë që fasadat reale shihen ndryshe. Pushteti lokal, pa ia
mohuar aspak vizionin, përgjegjshmërinë e përgjegjësinë për punët e përspektivës,
është administrator i përditshmërisë tonë, e aty ne edhe e matim suksesin, ose
jo të tyre. Duke qenë “i dënuar” të kemë një zyrë pune private prej 12 vitesh
në pjesën kryesore të qytetit, nuk mund të mos vërej disa gjëra të vogla që
reflektojnë shumë.
Mu në prezantim -
hyrjen e qytetit është ndërtesa hibride, gjysëm private e gjysëm shtetërore,
ajo që dikur ishte banka e kursimeve. Një mjedis në pamje e brendi që e
prezanton keq Lezhën. Sidomos tani, bën kontrast të dukshëm edhe me lagjen
bregdrinase, dikur me ndërtesat më të vjetra e të keqmirëmbajtura në qytet. Jo
vetëm fasada, por kryesisht brendia e totalisht funksioni i saj të bën të
mendosh, se minimalisht pushteti lokal është i papërgjegjshëm, e maksimalisht
pas tij qëndrojnë interesa korruptive për të sotmen e të ardhmen. Të sotmen,
duke marrë zyra me qira tek privatët në vend të ristrukturimit të këtyre që
janë pronë e saj dhe të perspektivës, duke lënë që objekti të zhvlerësohet e
pastaj të privatizohet me interes të lartë prej tyre, apo dashamirësve të tyre,
duke qenë në nyjen më të lakmuar tregtare të qytetit.
Ecim më tej…
Ndërsa unë “fiksoj” me
aparatin tim si amator, sa herë më jepet rasti, sheshin kryesorë, fasadat e
rilindura e sidomos shetitoren e bukur plot gjallëri e përspektivë bregdrinase,
apo lulishtet përreth, që më dhurojnë kënaqësi, të huajt e shumtë që vizitojnë
qytetin objektivin e aparatit të tyre e drejtojnë tek dy “këpucarët ambulantë pa
këpucëtari”, mu në hyrje të qytetit, sapo kalon urën, në pritje për të vizituar
qendrën historike të tij, apo për “të devijuar” majtas për tek kompleksi historiko
- arkeologjiko - turistik ku gjendet vendvarrimi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj
Kastrioti - Skënderbeu. E njëjta gjë ndodh edhe me bujtësit, fatmirësisht të
shumtë, tek hotel “Liss”, ku një këpucar “i pret” me rrahjet e çekiçit e një
lypsar i përcjell me lutje n’emër të Krishtit! Nuk besoj se e bëjnë këtë me
syrin e “dashakeqësit”, apo atyre që n’a kanë “halë në sy” për arritjet tona,
por për kontrastin e dukshëm që paraqesin këto pamje me çfarë i rrethon ato. Ata
janë njerëz e duhet të jetojnë, si të gjithë lezhjanët e shqiptarët, me mundin
e djersën e tyre, e këta rreshta s’kanë të bëjnë me ta, por me bashkinë tonë
sepse:
- Ky imazh i tyre
s’është përfaqësues i Lezhës, por një imponim për shkak të pozicionit të
papërshtatshëm;
- Ata duhet t’a
ushtrojnë profesionin e tyre në një vend, e në kushte më dinjitoze se këto, në
radhë të parë për dinjitetin e shëndetin e tyre, por edhe për imazhin e
qytetit. Poshtë urës, me investime thuajse të papërfillshme, mund të bëhej një
vend për ta, edhe duke i respektuar ata, edhe duke respektuar veten dhe qytetin
tonë të bukur.
Kryesorja, ambienti
rreth tyre, për shkak të punës, kulturës e mënyrës së sjelljes, reflekton
dukshëm diferenca pastërtie me pjesët e tjera. Mirë që nuk paguajnë asnjë lek
tarifë pastrimi, ndërkohë që unë paguaj si të tillë 35 mijë lekë në vit, për
maksimalisht një qese letra që e hedh në kosh çdo javë. Ok, për këtë, por që
gjithë puna për mbajtjen pastër të qytetit të barazohet me zero nga këta, kjo
nuk më duket normale.
Lezha është qytet
turistik. Të huajt vizitorë, janë prezentë jo vetëm në verë e në plazhet
Shëngjin e Tale, por në të gjitha vendet kulturore dhe historike të saj,
sidomos kohët e fundit, kur fatmirësisht janë shtuar shumë. Por, vërej se ata
kanë nevojë për më shumë “guida” turistike. E kuptoj këtë, se shumë prej tyre
më drejtohen mua për ndonjë informacion e unë me anglishten time, më pak se
gjysmake, mundohem t’i orientoj, por merreni me mend ç’ngjet kur ata u
drejtohen këtyre dy - tre këpucëtarëve që ndodhen në rrugë, apo ndonjë lypsari
që ua “urojnë mirëseardhjen”. Ja pra sa bukur informohen! Vetëm afganët,
refugjatë tashmë të vjetër, ua kanë mësuar gjuhën e profesionit e të pazarit! Jo
vetëm informacionin “turistik” apo atë topografik mbi vendndodhjen e
institucioneve lokale, të shpërndara si zogjtë e korbit, e kërkojnë dhe e
marrin prej tyre, por edhe informacionet politike kombëtare, aty gjejnë
zgjidhje…
Rruga kryesore e
qytetit, ajo “Gjergj Fishta” është edhe pjesa që rrihet më shumë nga të gjithë
kalimtarët, vendas e vizitorë. Ajo lidhet bukur me kompleksin memorial kushtuar
heroit tonë kombëtarë, Gjergj Kastrioti, vijon me sheshin administrativ para
bashkisë e ku spikat shtatorja e Atë Gjergj Fishtës, e instutucionet e
rilindura të Pallatit Kulturës e Bibliotekës së qytetit, pastaj me monumentin
kushtuar Besëlidhjes Shqiptare të 2 Marsit 1444 e me simbolin e Lahutës së Atë
Gjergj Fishtës, duke dhuruar kënaqësi për të gjithë. Është kjo pjesa që është
transformuar thuajse rrënjësisht me projektin e Rilindjes Urbane, por edhe me
lulishtet e përmirësuara në vijimësi. Por në realizimin e këtij projekti të
rendësishëm, tri gjëra stonojnë “suksesshëm” në krejt këtë bukuri: e para, një statujë që shoqëron atë të
kolosit Fishta, të cilës vendi ku është vendosur ia humb edhe vlerat artistike
që ka si vepër arti (asnjë lidhje me Fishtën e Madh!); e dyta, telat linjave të televizioneve kabllore e të internetit të
ngatërruara kudo mbi pemë e shtylla, a thue se këtu është “qendra botërore e
transmetimeve” gjithëfarëshe, dhe e treta,
mungesa e statujës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu në sheshin
administrativ, afër kompleksit memorial, në një kohë kur një statujë e tillë po
vihet në disa qytete e vende pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me heroin dhe aktivitetin
e Tij, përveçse janë teritore me banim nga shqiptarët. Shumë mënyra të tjera,
vërtetë përfaqësuese, mund e duhet të gjenden, për t’a paraqitur Lezhën në
dimensionin e saj real e për të ndihmuar që imazhi i paplotë e i pasaktë dhe
dezinformacioni të mos dominojnë realitetin, pa e lënë këtë çeshtje në dorë të
rastësisë.
Në vend të mbylljes.
Lezha nuk është kjo
sigurisht, por kjo është “pasqyra” ku çdo ditë e disa herë në ditë (fryjnë
shumë erëra në Lezhë!), “krihen” lezhjanë e jo lezhjanë…
Një miku im që e lexoi
në parapërgatitje këtë opinion, më tha:
- A s’ke friké?!
- Jo! - i them, s’kam
frikë se nuk them asgjë që nuk është reale, nuk fsheh asgjë pas fjalëve të
shkruara, nuk përfitoj asgjë e nuk pres asgjë!
- S’kam frikë se me
frikë s’mund të ndryshojë asgjë.
- Nuk kam frikë se e
vërteta dhe e drejta s’duhet të kenë kurrë frikë!
--------------------------------------------
)*
Intelektual, poet e studjues