Mendime
Llesh Ndoj: Ca gjëra vijnë për të mos ikur
E premte, 29.11.2024, 07:00 PM
CA GJËRA VIJNË PËR TË MOS IKUR…
Nga
Llesh Ndoj
Kisha
dal në shetitoren bregdrinase të Lezhës, siç bëj sa herë ndjej nevojë për të
davarit pak stresin e mërzinë, e pse jo, me u “arratis” nga vetja edhe me i
thënë pak pleqërisë, ik! Shkëmbehem në këto dalje me të njohur e të panjohur,
por me shumicën e të cilëve përshëndetemi vazhdimisht. Në njërën prej këtyre
xhirove, që më pëlqen t’i bëj i vetëm, e ku shpesh edhe marr diçka frymëzuese
nga natyra për ndonjë poezi apo temë shkrimi, u përshëndeta me të njohurin tim
tashmë prej shumë viteve, zotin Mhill Guga. Mhilli, tashmë afër të
tetëdhjetave, një burrë kurdoherë i kandshëm në komunikim, nuk kalon kurrë pa i
ndërruar 2 - 3 fjalë me ata që takohet, apo shkëmbehet edhe në se me ta nuk
njihet.
-
Mirëmëngjes, - i them, si ke njeh sot?
Më
pa drejt në sy me dashamirësi, siç duket edhe për t’më shquar plotësisht se
kush isha, se helbete, përgjigja s’është kurdoherë e për të gjithë e njëjta,
dhe ma ktheu me atë të folmen e tij të avashtë e karakteristike:
-
Si pjejtë! (pleqtë)
E
ndalova pak hapin, sepse kisha kënaqësi t’a “ngisja” edhe pak bisedën me
Mhillin e mirë.
-
Ani, - i them, e vazhdova:
-
Pleqnia ardhtë e bardhë!
Më
argumentoi se pleqëria ishte e lodhëshme dhe e vështirë në çdo aspekt, për të
konkluduar pak më vonë: - Ma mirë me ik!
Ndonëse
e kuptova saktë çfarë më tha miku i mirë Mhill, e “ngava” kastile bisedën në
tjetër krah.
-
Me ik do të ishte mirë, po pleqnia hyn në kategorinë e atyre gjërave, që kur
vijnë, nuk ikin më!
-
Thashë me ik unë, këmbënguli ai, se pleqnia e di se nuk ikën ma…
Bisedova
pak munuta me të, ashtu siç ishim, të dy në kémbë e në pritje për të vazhduar
shetitjen e zakonshme në kahje të kundërta të shetitores, aty ku gjethet e
zverdhura të vjeshtës, pak mbi pemë e shumica të rëna, se ç’më vinin në krye si
një persiatje e fjalëve të bashkëbiseduesit tim: Ma mirë me ik! Mhilli mbahet
mirë për moshën që ka, vjen nga një zonë e nga një derë me tradita e Pukës, ka
një familje të mrekullueshme dhe ekonomi normale për jetesë, dhe ajo përgjigja
e tij, e dija mirëfilli se nuk kishte të bënte me këto aspekte jetësore, por
thjesht me ato kufizimet që mosha i sjell në mënyrë të pashmangshëme për
secilin njeri, ndaj eca më tej me bisedën:
-
I zoti është ai, që e përzë të keqen, ndërsa me ik vetë tue i lanë asaj shtegun
e lirë, nuk ta njeh kush për trimni, - i thashë, pa e ditur tamam në ia thashë
atij, apo vetes! Apo ndoshta të dyve…
***
Gjuha
vete ku dhemb dhëmbi! - thotë populli.
Mua
natyrshëm kjo bisedë me mikun tim, ashtu në këmbë përgjatë shetitores, më barti
fort larg në mendimet e mija. Shqipëria ime, vendi ku jetesën e quaj bekim e jo
mallkim, e nga ku nuk do të largohesha për kohë të gjatë drejt asnjë vendi
tjetër, sado i zhvilluar të jetë ai, dukshëm po bën hapa të përshpejtuara drejt
plakjes. Edhe po të mos e them unë, këtë e thonë të gjitha statistikat, ato
qeveritare e opozitare (fatkeqësisht tek ne edhe statistikat njohin pozitë dhe
opozitë!), dhe e dëshmon çdo familje, çdo shesh, çdo takim, çdo tubim, çdo
shetitore e lulishte ku mund të gjenden 4 - 5 stola e ku ata (pleqtë) mund të
kalojnë orët e pakta të dimrit në kohën e mesditës për të marrë falas
ngrohtësinë e rrezeve të diellit, apo gjatë orëve të zhegut të verës për pak
fllad, nga se kondicionerët, ose nuk i kanë në banesa, ose i ndezin me
“rracion” sepse energjia elektrike sot kushton shumë e atë pension që marrin ua
kërkon, së pari farmacia, pastaj dyqani i bukës e në fund, “po teproi gjë” i
vjen radha kondicionerit.
Pleqëria
tek njerëzit mbërrin, e kjo nuk mund të konsiderohet një fatalitet.
Përkundrazi, të plakesh është dhurata më e bukur që vjen nga Zoti, se ka nga
ata, dhe të tillë nuk janë pak, që nuk e shijojnë dot këtë dhuratë. Kur shkruaj
këta rreshta, shikimin ma turbullon kujtimi i trishtë i ndarjes tragjike nga
jeta, vetëm pak ditë më parë, e të riut veçse 14 – vjeçarë, Martinit të vogël,
sytë e të cilit shkëndijonin si t’ishin dritë qiellore mbi tokë.
Le
të rikthehemi prapë aty ku e lamë: Pleqëria për njeriun nuk është pra një
fatkeqësi, për më tepër nuk mund të jetë fatalitet, kurse plakja e shoqërisë në
tërësi, po! Kjo është fatkeqësi…
E
para, plakja si moshë, si një fazë fiziologjike e jetës, hyn në ato fakte, që
kur vijnë, nuk ikin më, por secili prej nesh duhet të bëjë përpjekje për t’a
lehtësuar atë, për t’i “amortizuar” dhimbjet e saj, e kjo kurrësesi nuk bëhet
duke i ikur! Kur them ikje, nuk kam parasyshë vetëm ikjen nga kjo jetë, aq më
shumë si “zgjedhje”, as thjeshtë ikjen e rinisë larg vendit, ku pleqëria është
bërë sunduese, duke shkuar për të jetuar diku, atje ku ka më shumë rini, por
ikjen prej saj si qasje shoqërore e shtetërore. Është fenomeni, ndoshta ndër të
paktët, që “i iket” duke e pranuar dhe njohur atë në thelbin e vet.
Duke
i ikur asaj fizikisht apo përmes qasjes ndaj saj, ndodh të plaket shoqëria, e
kjo nëse nuk merret shpejt në konsideratë me politika serioze dhe afatgjata
(këtu nuk kam aspak parasyshë parashikimin e PL - s së Metës për Shqipërinë
katër milionëshe, brenda një mandati katërvjeçarë!), është fenomen shqetësues
për vendin, për të mos thënë më shumë se kaq. Në se i ikim pleqërisë si fenomen
real e aktual shoqërorë, ajo do të na mundë keqas, e pastaj zor se ka për t’u
gjetur më shërimi i këtij fenomeni. Në realitet, të gjithë po tentojmë t’i ikim
asaj, e askush pothuajse nuk po tenton të përpiqet për “t’a përzënë” këtë si
një e keqe e madhe, që na kërcënon seriozisht. Është normale kërkesa për të
rritur pensionet dhe presioni që ushtrohet ndaj qeverisë, por është alarmant
rreziku që në një të ardhme jo të largët, gjithë sistemi i pensioneve të
rezultojë një piramidë e re, shumë më shkatërruese se ato të ’96 - ‘97-s, dhe e
gjitha kjo nga fenomeni i plakjes, e “ikja” prej tij me mosreagime apo reagime
të gabuara e pjesore. Fëmijët tanë, rinia në tërësi, po ikin jashtë shtetit për
një jetë më të mirë. Shumica e tyre kujdesen t’u nisin prindërve të tyre ndonjë
kacidhe sa për të jetuar, disa të tjerë edhe kanë nisur t’i tërheqin pleqtë (kurrë
s’pajtohem me këtë term, kur e dëgjoj nga goja e fëmijëve për prindërit!) ata
në vendet ku jetojnë, por a mjaftojnë këto?
Jo…!
Të rinjtë sot po martohen përgjithësisht në moshë të vonë, atëherë kur dikurë
brezi ynë pothuajse kishte hequr dorë nga procesi fatlum i shtimit të familjes
me filiza të rinj, shumë prej tyre martohen me partnerë të huaj, lindin pak
fëmijë, sipas parimit: një pak e dy shumë(!) duke i kontribuar të sotmes e të
nesërmes kontigjentë përherë e më të plakur për këtë vend. Edhe paraja… për ata
që e kanë atë, “po plaket! Pasunarët ngurojnë t’a investojnë paranë nga
pasiguria e suksesit në biznes, e dyshimi se nesër s’kanë kujt t’ia
trashëgojnë. Të shumtit e ruajnë “për ditë më të vështira”, e jo pak po
mendojnë “t’ia falin” emigracionit edhe atë, ose duke e investuar, ose duke e
konsumuar jashtë vendit. Si pasojë e plakjes, fshatra e qytete të tëra
s’frymojnë më sot në ditët tona. Qeveria vetëlavdërohet me bonusin e shtuar të
pensionistëve, që për hir të së vërtetës është sa kartat e telefonit të një
zyrtari. Natyrisht që s’jam kundër tij, po a mjafton kjo?!
Pleqëria
pra ka mbërritur, e ajo nuk luftohet duke ikur e duke i ikur, siç po bëjnë
shumica, qoftë individë apo struktura shtetërore, por duke e pranuar atë, e
duke ndërtuar politika afatgjata për t’a frenuar sa nuk është vonë, në mos për
t’a korigjuar, qoftë edhe me kosto shoqërore, gjithnjë përmes një memorandumi
kombëtar që përjashton mundësinë që politika jetike si këto t’u nënshtrohen
interesave e orekseve elektorale të aktorëve politikë në qeverisje dhe në
opozitë.
***
Më
vjen në mendje një ngjarje e treguar, besoj shumë vite më parë: Dy barinj po
kullotnin delet në mal dhe qëndronin njëri në njërin skaj të kullotës e tjetri
në skajin tjetër, duke vrojtuar tufën e duke u kujdesur që egërsirat apo diçka
tjetër, të mos u bënte dëm. U trembën delet në një moment, e qentë lëshuan
alarmin me të lehura.
Bariu
nga skaji më i largët me ngjarjen e pyeti shoqin:
-
A mo ke uki, bre!
Tjetri
i përgjigjet:
-
Po, a mo keshë unë, a!
Vazhdon
shoku matanë:
-
A mo muer gja, valla?
-
A mos pat ardhë me pru, bre vlla!, - ia ktheu tjetri, thuajse i dorëzuar.
Ja…!
“Ujku” - pleqëri ka ardhë e ai s’vjen me pru gja, por veç me marrë! Ai
aktualisht na ka kafshue të gjithëve, e s’ban hiç me thanë: Bane Zot andërr!