Mendime
Florim Zeqa: Depolitizimi i mërgatës!
E shtune, 30.11.2024, 07:52 PM
Depolitizimi i mërgatës!
Shkruan: Florim Zeqa
Partitë
politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por vetëm për tifozeri dhe
fansa partiak që i ndihmojnë me mjete financiare dhe më votë partitë e
dështuara politike.
Janë këto parti të dështuara politike që
e përçanë mergatën edhe në të kaluarën përmes shoqatave, por jo sikurse tani në
këto permasa me politizimin e skajshëm të mërgatës.
Një gjë duhet ta dijnë mirë mërgimtarët,
se këta kusarë politikë që e zbrazën Kosovën, asnjëherë nuk do të krijojnë
kushte për riatdhesim e mergimtarëve në vendlindje!
Fillim i ri me njerëz të
rinj
Andaj
duhet një fillim i ri, me njerëz të rinj për t'i dhën fund kësaj epoke të errët
të historisë sonë kombëtare, për t'i dhënë fund mashtrimeve dhe abuzimeve me
pushtetin, për t'i dhënë fund hajnisë dhe haraçit qeveritar, për t'i dhënë fund
korrupsionit dhe krimit të organizuar, për t'iu dhënë fund një herë mirë
padrejtësive dhe pabarazisë qytetare.
Për të arritur deri këtu duhet një klasë
e re politike dhe një lider i ri shtetërorë që e merrë përgjegjësinë morale
para qytetarëve për t'a kthyer vendin në binarë të shëndosh të qeverisjes dhe
shtetndërtimit, ku funksionon ligji dhe drejtësia sikurse në çdo shtet të lirë
dhe demokratik, ku pushtetarët e respektojnë dhe ia kanë frikën ligjit, kurse
qytetarët i kryejnë lirshëm dhe më dëshirë të gjitha obligimet ndaj shtetit.
Nga rishpallja e pavarësisë e deri më sot
nuk kemi pasur mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë, që i bie se nuk kemi
pasur drejtësi të pavarur dhe të njëjtë për të gjithë qytetarët e vendit. Por,
në vend të kësaj kemi pasur drejtësi selektive, ku gjithnjë të fortët e
politikës dhe oligarkët ekonomik kanë qëndruar mbi ligjin dhe drejtësinë.
Si rezultat i kësaj situate, asnjëherë
deri më sot "peshqit e mëdhenj" nuk ranë në grepin e drejtësisë, pasi
drejtësinë nuk e vendosi ligji por "maliqi"!
Si rezultat i mungesës së një lidershipi
shtetëror, shteti Kosovës është kthyer në 'Oazë' të krimit të organizuar, në
duart e grupeve kriminale dhe fajdegjinjëve që e kontrollojnë çdo institucion
dhe segment të jetës në Kosovë.
Mjafton ta marrim si shëmbull sistemin
shëndetësorë, i cili tërësisht ka rrëshqitur në duart e mjekve të fabrikuar dhe
të kriminlaizuar, të cilët bëjnë tregti me jetën e qytetarëve. Janë mjekët
abuziv ata që ndërmjetësojnë mes familjarëve të pacientëve dhe fajdegjinjëve
për dërgimin e të sëmuarve për mjekim jasht vendit, duke përfituar me
dhjetramijëra euro për një intervenim që mund të kryhet pa problem në QKUK dhe
klinikat tona private!
E gjithë kjo ndodh para syve të tanë dhe
të drejtuesve të lartë institucioneve shtetërore!
Në këtë rast, shtrohen pyetjet logjike,
cili është roli i prokurorisë dhe gjykatave, cili është roli i ministrit të
shëndetësisë, cili është roli i misnistrit të drejtësisë, cili është roli i
liderëve shtetëror para këtyre akteve të rënda kriminale që ushtrohen ndaj
qytetarëve të vendit tonë?!
Përgjigja është e thjeshtë, këta i shohin
të gjitha por nuk bëjnë zë, pasi janë pjesëmarrës në çdo aferë korrruptive dhe
kriminale që ndodhë në vendin tonë.
Sikur të ishte ndryshe, këta do duhej
mobilizoheshin të gjithë së bashku për luftimin e këtij fenomeni të krimit të
organizuar, i cili po i detyron njerëzit, i madh e i vogël të largohen sa më
parë nga vendi i tyre i lindjes në kërkim të shërimit në një shtet të rajonit
apo edhe më largë në shtetet evro-perëndimore!
Përgjegjësia në këtë rast bie në radhë të
parë mbi liderët shtetëror dhe ata partiak, që mbyllin sy e vesh para
fatkeqësisë së qytetarëve, për të cilët u bie ndërmend që ekzistojnë vetëm në
fushata zgjedhore derisa t'ua grabitin votën për t'i harruar menjëherë dhe për
katër vjet të tjera duke mos i trajtuar as si numra e lërë më si qytetarë të
këtij vendi!
Çfarë
duhet të bëjmë?
Ne
si mërgatë nëse duam ta ndihmojmë vendin tonë duhet të mobilizohemi si një
trupë e vetme për t'i bojkotuar këta kusarë politikë që na sollën shtetin në
këtë gjendje të mjerë. Pra, duhet të distancohemi nga të gjitha aktivitetet
partiake në mërgatë. Politikanëve që vijnë dhe e kërkojnë votën tonë duhet t'iu
themi; "Nuk keni vota nga ne që na larguat nga vendi, kthehuni dhe
kërkojuni votën atyre që ua bëtë jetën ferr në Kosovë"!
Vetëm kështu mërgata e jonë do të bënte
aktin heroik për shtetin e Kosovës. Për shkak se vetëm largimi i tërësishëm i
këtyre kusarve nga skena politike do të hapte rrugën për ndryshime të
mirëfillta dhe përmbajtësore për vendin tonë.
Florim Zeqa
24.11.2024