Kulturë
Agron Tufa: 9 muajt e fundit
E diele, 01.09.2024, 06:20 PM
9
MUAJT E FUNDIT
Nga
Agron Tufa
9
muajt e fundit që i kishin mbetur, ai u dha si i marrosur, deri në frymën e
fundit pas mësimit të së parës gjuhë të huaj në jetën e tij. E bëri këtë me një
këmbëngulje e përdëllim të pabesueshëm për moshën e tij të shtyrë, e sidomos
për shëndetin tejet të brishtë që luhatej mes drejtpeshimit dhe rrokullimës së
pandalshme. Për aq sa e lejonin fuqitë, natyrisht. Për aq sa i bënin dritë
sytë. Për aq sa mendja nuk i terratisej, duke e këputur disa herë në bodrum
gjatë atyre ditënetëve torturuese.
Nuk
e di në ka pasur ndonjë prej të afërmve që mund ta ketë pyetur dhe, sigurisht,
nuk i di as përgjigjet që mund t'u ketë dhënë, por kur e pyeta unë, më dha një
përgjigje jo të drejtpërdrejtë:
“Po
mësoj më në fund dhe unë një gjuhë tjetër, me një fije shprese se mos me të do
të mund të flas lirshëm me Hyjin, meqenëse gjithë jetës, me këtë shqipen tonë,
kurrë s’arrita me u marrë vesh as me njerëzit e mi, e jo më me Të".
2020