Kulturë
Lekë Mrijaj: 25-vjetori i vendosjes dhe bekimit të gurthemelit të Kishës Katolike "Zoja e Këshillit të Mirë" në Klinë
E shtune, 31.08.2024, 06:51 PM
Njëzet e pesë vite më parë, nga ana e famullitarit tonë historik, Don Fran Sopi, është vënë gurthemeli dhe është bekuar Kisha "Zoja e Këshillit të Mirë" në Klinë
Shkruan
Lekë Mrijaj
25-vjetori
i vendosjes dhe bekimit të gurthemelit të Kishës Katolike "Zoja e
Këshillit të Mirë" në Klinë shënon një moment të rëndësishëm për
komunitetin e besimtarëve të Klinës dhe për historinë e Kishës Katolike në
Kosovë. Kjo ngjarje nuk është thjesht një përvjetor historik, por më tepër edhe
një mundësi për të medituar e reflektuar mbi rrugëtimin e përbashkët të një
komuniteti të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj besimit të tij, si dhe për të
nderuar rolin e figurave kryesore që kontribuuan në këtë projekt madhor, siç
është don Fran Sopi, famullitari i parë historik i Kishës “Zoja e Këshillit të
Mirë” në Klinë, i cili ka luajtur rolin e një bariu të palodhur, të mirë dhe të
guximshëm. Ai, edhe përkundër sidave që kishte nga ideologjia komuniste dhe ajo
serbe e viteve 90-ta, qëndroi i palëkundur dhe i fortë në besimin e tij, duke
iu përgjigjur tamam thirrjes së tij meshtarake dhe të Zotit me vendosmëri,
ashtu sikurse Pjetrit, të cilit vetë Jezusi i tha: "Ti je Pjetër, dhe mbi
këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time" (Mat. 16:18).
Kjo
do të thotë se don Frani, menjëherë pas përfundimit të luftës, nga
administratori i UNMIK-ut për Komunën e Klinës, z. Castaneda, është pajisur me
lejen e ndërtimit të Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, i cili në
ditën e hënë, më 30 gusht të vitit 1999, mblodhi grigjën e kësaj famullie, të
rinj dhe të moshuar, për të marrë pjesë në aktin historik të ceremonisë së
vendosjes dhe të bekimit të gurthemelit të Kishës Katolike kushtuar Zojës së
Këshillit të Mirë, e cila është Kisha e Zojës së Bekuar, duke e mbajtur në
gjoks birin e saj – Krishtin.
Me
një përkushtim të pakompromis, ai e vendosi dhe bekoi gurthemelin e Kishës, të
cilin për për disa vite e e bëri ndërtimin e Kishën e Klinës, duke e kompletuar
dhe duke e bërë atë një simbol të qëndrueshmërisë dhe shpresës për besimtarët e
famullisë. Don Frani, që nga vëndosja dhe bekimi i gurthemelit, deri te
ndërtimi dhe inaugurimi i këtij tempulli, është kujdesur në tërësi për Kishën,
që ajo (e cila nuk lejohej të ndërtohej dhe ishte rrënuar nga komunistët
shqipfolës në vitin 1974 dhe më vonë i ishte ndaluar puna në ndërtim nga
pushtetarët serbë në qershor të vitit 1996) të mos ishte vetëm një strukturë
prej guri dhe betoni, por një Shtëpi e vërtetë shpirtërore e hyjnore me vlera
universale, ku besimi, shpresa dhe dashuria për Zotin dhe birin e Tij, të
ushqehen dhe ndahen me njëri-tjetrin. Me jetësimin e këtij projekti, ai ia
arriti të ngjallë dhe jetësojë një simbol të fuqishëm të shpresës dhe ndërtimit
të Kishës në Klinë.
Ajo
ditë festive e vendosjes dhe bekimit të gurthemelit kishte ecur sipas agjendës
protokollare të famullisë, që drejtohej nga projektideatori i Kishës dhe
ish-famullitari i Klinës, Don Fran Sopi, ish-dekan i Dekanatit të Pejës,
mbështetur nga motrat vinçenciane, m. Ana Gjergji, m. Zoje M. Krasniqi,
këshilltarët e Kishës, si dhe vetë besimtarët, të cilët ishin bashkuar duke
kontribuuar në përgatitjet me përkushtim të madh, duke siguruar që çdo detaj të
ishte i përsosur për këtë ngjarje të shenjtë. Në atë ditë festive, don Frani
ishte figura kryesore e asaj ceremonie madhështore, i cili mbërriti te themelet
e Kishës, ku u mirëprit me ngrohtësi nga grigja e tij, përshëndeti me
dashamirësi të pranishmit dhe iu shprehu mirënjohje për përkushtimin dhe
sakrificën e tyre në mbështetje të nismës së ndërtimit të kësaj kishe, duke
lutur Zotin dhe Zojën e Këshillit të Mirë dhe duke uruar punëkryesin,
Ndërmarrjen Ndërtimore “Vëllezërit Dodaj” nga Krusheva e Vogël, që t’i ecë
mbarë puna në ndërtimin e këtij tempulli të shenjtë.
Ceremonia
e asaj dite festive vazhdoi me një ritual liturgjik e solemn pranë bazamentit
të vendosur, bekuar, i cili ishte mbushur me lutje dhe këngë kishtare shqipe,
të cilat krijuan një atmosferë të thellë shpirtërore dhe kulturore. Pas lutjeve
dhe liturgjisë kishtare, don Fran Sopi vuri gurthemelin dhe bëri bekimin e gurit
themeltar të Kishës, duke i bekuar themelet e saj me ujë të shenjtë, lutje dhe
fjalë të veçanta, duke folur për të kaluarën e Kishës së Klinës dhe rolin e saj
si një vend adhurimi dhe bashkimi shpirtëror, ku besimtarët e famullisë së
Klinës do të gjejnë ngushëllim dhe forcë për të përballuar baticat dhe zbaticat
e jetës. Njëkohësisht, ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët
gjatë atyre kohërave të komunizmit dhe okupimit serb kontribuuan shpirtërisht
me lutje përkushtuese dhe në mënyra të tjera shumëdimensionale në nismat e tyre
për ndërtimin e Kishës (në vitin 1974 dhe në vitin 1996), duke e vlerësuar
jashtëzakonisht përkushtimin dhe sakrificën e tyre. Atmosfera e asaj dite ishte
e mbushur me gëzim dhe lumturi, ndërsa besimtarët e famullisë evokonin dhe
ndanin histori dhe kujtime të viteve të kaluara dhe shpresat e tyre për të
ardhmen.
Themelet
e Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, tashmë të bekuara nga Don Frani,
qëndrojnë si një bazament i monumentit të gjallë të besimit dhe qëndresës së
famullisë së Klinës. Gurthemeli përfaqëson fillimin e një ndërtese fizike mbi
të cilin, tashmë për afro dy dekada, është ndërtuar Kisha e që shërben si
shtëpi shpirtërore e liturgjike për grigjën e famullisë së Klinës, më konkret
vendi ku njerëzit e famullisë dhe të tjerë mblidhen përherë për të adhuruar
Zotin, për të kërkuar besim, dashuri e paqe, dhe për të gjetur mbështetje në
besimin e tyre në Jezusin. Bekimi i këtij gurthemeli i dha këtij akti një
dimension të thellë hyjnor e shpirtëror, duke siguruar që ky vend do të jetë
një hapësirë e shenjtë, ku dashuria hyjnore do të interpretohet, përjetohet dhe
shpërndahet.
Vlen
të potencohet se Kisha e Klinës tashmë është ndërtuar dhe shuguruar nga Imzot
Dodë Gjergji, ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, më 22 maj 2011. Në këtë kremtim
të meshës së bekimit të Kishës së Klinës ishin të pranishëm famullitari i
atëhershëm i Klinës, Don Lorenc Sopi, dhe famullitari i parë i famullisë së
Klinës, Don Fran Sopi, i cili bëri vendosjen e gurthemelit dhe ndërtoi Kishën.
Në atë rast shugurimi morën pjesë shumë meshtarë nga e gjithë dioqeza e
Kosovës, një numër i madh besimtarësh dhe qytetarësh, si dhe autoritete të
larta shtetërore të Kosovës, Klinës, përfaqësues të bashkësisë islame të vendit
dhe personalitete të larta ushtarake të larta ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Kisha
“Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë është bërë një pikë referimi e rëndësishme
për të gjithë besimtarët e saj dhe për të tjerët, duke qenë dëshmitare e
lutjeve, festave, sakramenteve kishtare dhe momenteve të përbashkëta për të
bashkuar grigjën e Tij “...gjithmonë deri në të sosur të botës!" (Mt
28,20). Është një vend ku njerëzit do të gjejnë përjetësisht ngushëllim dhe
qetësi shpirtërore e fizike në kohë vështirësish dhe do të festojnë gëzimet e
jetës së përditshme.
Nga
ky 25-vjetor i vendosjes së gurthemelit dhe bekimit të kësaj kishe, le të
marrim frymëzim dhe të angazhohemi për të ndjekur veprat e atyre që u angazhuan
në ndërtimin e Kishës, duke ruajtur dhe pasuruar veprat dhe trashëgiminë e tyre
që na kanë lënë si një testament për brezat. Ky përvjetor është një mundësi për
të riforcuar lidhjet tona me Zotin dhe me njëri-tjetrin, si dhe për të vazhduar
ndërtimin e një famullie të fortë dhe të bashkuar, e cila për mbi 2000 vite i
mbështet dhe i ruan vlerat e Besimit, Shpresës dhe Dashurisë. Njëkohësisht, le
të ndjekim një nga fjalimet e don Fran Sopit, i cili në predikimet e tij
meshtarake shpeshherë thotë: “Ajo ditë e shënuar festive, në vënien dhe bekimin
e gurthemelit të Kishës së Klinës, ishte një ditë e madhe, ditë kur
përfundimisht u rrënua bolshevizmi totalitar komunist në Kosovë dhe Shqipëri.
Në atë akt festiv të shënuar është parë dhe vërtetuar se Zoti dhe Zoja e
Këshillit të Mirë e duan popullin e tyre të dashur, pra, edhe popullin shqiptar.
Ajo ditë e shënuar le të mbetet një ditë e shenjtë dhe ta nderojmë me gëzimin
më të madh shpirtëror.”
Ky
përvjetor i 25-të është gjithashtu një kohë për të kujtuar dhe për të nderuar
të gjithë lugdrinasit e Klinës dhe të tjerët nga mërgata shqiptare, të cilët në
një mënyrë apo tjetër kanë kontribuar në dimensione të ndryshme në ndërtimin
dhe zhvillimin e kësaj kishe madhështore, e cila po e begaton qytetin e Klinës
dhe trevën e Lugut të Drinit e të Dukagjinit.
Krejt
në fund të këtij artikulli, në jubileun e vendosjes dhe bekimit të gurthemelit
të Kishës së Klinës, ne, të gjithë besimtarët e përkushtuar të famullisë sonë,
dëshirojmë të shprehim mirënjohjen më të thellë për don Fran Sopin, i cili ka
qenë një udhëheqës dhe ndihmës i jashtëzakonshëm në ndërtimin e Kishës “Zoja e
Këshillit të Mirë” në Klinë (dhe Kishës “Të Ngriturit e Zojës në Qiell” në
Dobërdol të Klinës), e cila mbetet Alfa dhe Omega e famullisë së Klinës.
Përpjekjet
dhe vizioni i don Fran Sopit kanë qenë thelbësore për realizimin e këtyre
projekteve të rëndësishme, duke kontribuar në forcimin e besimit dhe bashkimit
të komunitetit tonë. Me pasion dhe përkushtim, ai ka udhëhequr punën për
ndërtimin e këtyre dy kishave, duke u ofruar besimtarëve një vend të shenjtë
për adhurim dhe reflektim.
Sot,
pas 25 vitesh kur shikojmë këto ndërtime madhështore dhe të mrekullueshme, ne e
ndjejmë thellësisht kontributin e don Fran Sopit, i cili, përmes sakrificës dhe
angazhimit të tij të palodhur, i la famullisë së Klinës një trashëgimi të
qëndrueshme dhe të shenjtë për brezat që do të vijnë. Përkushtimi i tij ndaj
Kishës dhe besimtarëve është një frymëzim për të gjithë ne, dhe ne e
falënderojmë nga zemra për gjithçka që ka bërë për këtë kauzë të shenjtë.
Faleminderit,
don Fran Sopi, për tërë përkushtimin dhe sakrificën tuaj. Zoti ju bekoftë dhe
ju ruajtë gjithmonë!