Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Poezia “Në shpellën e Polifemit” e Niko Kacalidhës
E diele, 21.07.2024, 07:53 PM
POEZIA ‘NË SHPELLËN E POLIFEMIT’ E NIKO KACALIDHËS
Nga
Timo Mërkuri
Një kujtesë paraprake
Fillimisht për poezinë “Në shpellën e Polifemit” të Niko
Kacalidhës, më kishte folur Agim Mato në një nga ardhjet e mia nga Kukësi në
Sarandë rreth fillimeve të viteve ‘80, i cili kishte një miqësi dhe shkëmbim
mendimesh me poetin, në takimet e tyre. (dhe) pikërisht në një nga këto u njoha
dhe unë me Nikon. Agimi e vlerësoi atë krijim si një poezi të fuqishme gjer në
«çmenduri”, madje mbaj mend që ma recitoi të gjithën te Leningradi, klub në
bulevardin kryesor të Sarandës (sot Riviera), ku takoheshim dhe”shijonim”
poezinë më shumë se kafen. Ndaj mu duk si një e njohur e vjetër kur e lexova te
“Heraldikët e borës” dhe m’u kujtua cilësimi “poezi e çmendur” për kohën kur u
shkrua. Kështu e tregoj te libri im “Blatimet poetike të Niko Kacalidhës”
Onufri 2023. f.9 njohjen e parë me
poezinë “Në shpellën e Polifemit” të Kacalidhës, për të cilën, objekti i librit
nuk më lejonte një analizë të hollësishme të saj, peng që më detyroi ti
rikthehem përsëri.
I-Kjo poezi është shkruar në vitin 1973 dhe bën pjesë në
ciklin”Puhizat e barit” ku janë përmbledhur “poezitë e sirtarit” shkruar në
fazen e pare të krijimtarsë së tij, të botuara për herë të parë te: ”Heraldikët
e borës”, Onufri 2023, ku poezia “Në shpellën e Polifemit” është në f.37. Dihet lidhja e Niko Kacalidhës me botën e
mitologjisë greke dhe heronjtë homerikë dhe është e natyrëshme të mendohet se
kjo poezi ka një përqasje dhe elemente simbolike lindur në procesin krijues
edhe si shtysë frymëzimi nga miti i Odisesë në shpellën e Polifemit, por unë mendoj
se: subjekti është homerik ndërkohë që përmban një ide artistike dhe mesazh sa
aktual aq dhe replikues për faktin se brenda rrefimit poetik del qartë se heroi
lirik është vet poeti- mësues i mbyllur dhe izoluar që udhëtonte rreth pesë orë
ditën vajtje-ardhje në shkollën e provinces. Rikujtojmë se në shkrimin
redaksional të Revistës Nëntor nr 5 (Maj 1973) me temë : ”Kundër ndikimeve të
huaja në poezi” poeti Kacalidha kritikohej për poezinë “Shqetësim pranveror” të
botuar në Gazetën “Zëri i Rinisë” 16
Gusht 1972 për subjektivizëm në poezi[1]. Sigurisht qe te vargu” Një erë e
marrë që fryu mbrëmë” i poezisë metaforike “Në shpellën e Polifemit” era e
marrë ështe pikërisht ky artikull shkaku që e “..
struku në shpellën e Polifemit”. Realisht ky artikull është i vetmi shkrim
(Një erë) ku kritikohet Kacalidha për
ndikime të huaja dhe kjo na jep të drejtën të hamëndësojmë se fjala “struku”e jep më së miri qëndrimin fillestar
të poetit ndaj kësaj kritike zyrtare. Nuk kishte faj, një poet i ri i brezit të
viteve shtatëdhjetë, i vlerësuar me disa çmime në shtypin letrar të kohës,
madje me çmim kombëtar qysh në librin e parë “Fjalë të thëna në pranve-rë”
botuar në 1970 kur ende ishte student, i emëruar mësues në Shkollën e Mesme në
Theollogon e largët në vijën e kufirit, një trasformim i kësaj kritike në akt administrativ
i priste çdo prespektivë në jetë. Ai e ndjeu hungërimën e Polifemit te
mërmërrima që nisi të formohet rreth tij si një vorbull ere, ai e pa ftohtësinë
e shikimit të ciklopit te sytë e disa zyrtarëve partiakë lokalë, por e
ngushëllonte veten me mendimin se: “Më larg se çmë kanë hedhur nuk kanë ku të
më hedhin”. Në
këto kushte shkruajiti poezinë “Në shpellën e Polifemnit” nga fundi i vitit
1973. Ne mund ta kuptojmë se poeti kishte arsye të rëndësishme që vendosi ta shkruajë,
por jo ta publikojë, arsye që lidhen me kontekstin e tij personal të mbijetesës
dhe kushtet politike të kohës.
1.
Pas kritikës së rëndë në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, pasqyruar
kjo në kryeartikullin e revistës "Nëntori" për prirjet moderniste të
shfaqura në poezinë e botuar në "Zëri i Rinisë" në vitin 1972, Kacalidha
ndjeu një nevojë të brendshme për të shprehur frustrimet dhe ndjenjat e tij.
Kritika e mësipërme e ka bërë të ndiejë presionin e censurës, duke e detyruar
të kërkojë forma alternative të shprehjes letrare që mund të mos i ekspozonin
më shumë hapur ndjenjat dhe mendimet e tij. Por a nuk e bën gjithmonë në
historinë botërore poezia e vertetë?
2.Pas
emërimit mësues në një zonë të largët, Theollogo, Kacalidha u gjend në një
situatë izolimi, me mundësi të kufizuara për kontakte me qarqet letrare e
intele-ktuale të kryeqytetit, izolim ky që e shtyu drejt një introspeksioni dhe
reflektimi të ndjeshëm mbi situatën dhe rolin e tij si poet në një shoqëri
represive.
3.
Poezia "Në shpellën e Polifemit" lexohet si alegori për situatën e
izolimit. Shpella e Polifemit përfaqëson “burgun” e mendjes dhe censurën që
ndjente, ndërsa përpjekja e tij për të gërmuar dhe zhbiruar shpellën për t’i
shpëtuar Polifemit simbolizojnë përpjekjen për liri shpirtërore dhe krijimi në
një mjedis represiv. Polifemi, në këtë kontekst, përfaqëson fuqitë shtypëse dhe
mbikëqyrëse.
4.Poezia
shpreh një gjendje të rëndë psikologjike të poetit, një ndjenjë zymtësie dhe
lufte shpirtërore për të mbijetuar si artist në një botë e cila kërkon ta
shtypë frymëzimin dhe krijimtarinë e tij. Kacalidha përdor figura të tilla si
"ndez e fik"
dhe
"dendësova kafetë duke shqyer sytë"
për të ilustruar tensionin dhe ankthin e tij.
5.
Sigurisht që shkrimi i poezisë ishte një mënyrë për të mbrojtur integritetin e
tij artistik dhe për të mos iu nënshtruar diktateve të censurës, ndërkohë stili
që ai përdor dhe mospublikimi i poezisë, është i përllogaritur të mbrojë veten
nga ndonjë përndjekje më e ashpër dhe nga rreziku i dënimit publik dhe ligjor.
Gjthsesi
poezinë e shkroi në muajt e fundit të atij viti dhe e mbajti në “sirtar”, pa e
publikuar, përveç leximit dorë me dorë të dorëshkrimit me miqtë e tij poetë të
besueshëm. Kishte të drejtë Agim Mato që e cilësoi “poezi e çmendur”, lexojeni
dhe hamendësoni reagimin e shtetit monist: burgu do ishte parajsa për poetin.
Realisht po ta lexosh me vëmëndje poezinë gjen shtigje shpëtimi plot: psh poeti
mund të argumentonte se ka krijuar një variant poetik të Odisesë në shpellën e
Polifemit, ku me frazën “më hodhi”
flet vetë Odisea dhe jo poeti dhe Polifemi është vërtet ciklopi mitologjik dhe
jo shteti komunist dhe kurrësesi udhëheqësi (obobo, kush mendon kështu more?).
Rrezik përbënte vetëm dyvargëshi i fundit: “I
ngarkuar me shpirtrat e perëndive, /unë, poeti i provinces”, por do ti gjëndej
shtegu dhe këtij “lapsusi” poetik.
Puna është ta fshihte mirë, madje aq mirë e fshehu sa që me vështirësi e nxori në
vitin 2023, ndonëse jua kishte recituar shokëve shumë më herët.
II-Duhet
të pranojmë se shkrimi i poezisë "Polifemi" nga Niko Kacalidha në
kulmin e luftës kundër dukurive moderniste në letërsi, është një akt i
guximshëm i trimërisë intelektuale, një nevojë e brendshme e poetit spontan, pavarësisht
natyrës së tij të qetë dhe jo konfliktuale. Kjo dukuri mund të analizohen nga
disa këndvështrime kryesore:
1.
Niko Kacalidha, përmes kësaj poezie, shpreh një rezistencë të heshtur kundër
censurës dhe shtypjes. Ndërsa ai si njerë mund të ketë shmangur konfrontimet
direkte, akti i krijimit të një poezie ku përdor alegori homerike për të
reflektuar mbi censurën, është një mënyrë e fuqishme për të ruajtur
integritetin intelektual dhe artistik.
2.
Poezia tregon për një kurajo të madhe shpirtërore. Poeti përdor Polifemin për
të simbolizuar forcat shtypëse dhe izolimin që përjetonte, akt ky që tregon
vendosmërinë për të krijuar dhe shprehur mendimet, pavarësisht nga rreziqet e
mundshme.
3.
Vërtet që Niko Kacalidha është një natyrë e qetë dhe jo konfliktuale, por poezia
tregon për një konflikt shpirtëror dhe ndjeshmëri të madhe ndaj padrejtësisë.
Akti i shkrimit të poezisë është një mënyrë për të shprehur dhe përpunuar këto
konflikte shpirtërore, duke përdorur atë si mjet për vetë-shprehje dhe
reflektim.
4.Duke
përdorur simbole dhe referenca nga mitologjia greke dhe biblike, Niko Kacalidha ka gjetur një mënyrë të sigurt, për
tu shprehur aristikisht, pa i sfiduar hapur autoritetet. Shkrimi i një poezie
që lidhet me mitologjinë e lashtë dhe përdor simbole të njohura ka lejuar
poetin të maskojë mesazhet. Kjo strategji i ka mundësuar të shprehë ndjenjat e
trazuara në një mënyrë të tillë që nuk kuptohej lehtësisht si akt rebelimi
politik
5.
Së fundi në një kohë kur arti dhe letërsia ishin nën mbikëqyrje dhe goditje,
akti i shkrimit të një poezie që trajton temat e lirisë, izolimit dhe censurës
është një akt trimërie intelektuale. Kacalidha sfidon normat dhe kufizimet e
kohës. Akti i mospublikimit të saj në formën e shkruar, (ndonëse është bërë e
njohur në rreth të ngushtë krijuesish) është thjeshtë një formë e vetë
mbrojtjes së poetit.
Ajo
që ka rëndësi është fakti se Niko Kacalidha nuk e mohoi poezinë e tij, nuk e
grisi, madje me këtë rast duhet të themi se asnjë poet apo shkrimtar i dënuar
nga Pleniumi i IV, nuk i mohoi krijimet për të cilat u dënua, pavarësisht se
shumë prej tyre u hoqën nga qarkullimi paralelisht me dënimin e autorëve. Ky
qëndrim e nderon ajkën e krijuesve shqiptarë, ruajtja e kësaj poezie dhe prurja
gjer në ditët e sotme është vlerë e shtuar e Kacalidhës që flet po aq sa dhe
vetë krijimi.
III-Niko
Kacalidha e shkroi poezinë sipas parimeve të disa rrymave moderniste jo vetëm
që të mbrohej me shumëkuptimshmërinë e tyre, por realizimi në stilin modernist
tingëllon si një sfidë direkte ndaj soc.realizmit dhe kritikës së bërë te
revista Nëntori. Realisht poezia
"Në shpellën e Polifemit" e Kacalidhës pasqyron disa karakteristika
kryesore të rrymave moderniste dhe konkretisht.
1.
Ekspresionizmi karakterizohet nga shfaqja e ndjenjave shpirtërore dhe përdo-rimi
i imazheve të fuqishme për të shprehur emocione të thella e të ndërlikuara që shfaqen
në mënyrë të fuqishme dhe dramatike te vargjet:"Oshënar shpellash durova në zymtësinë
/e murgut duke tretur muzgjet."
2.
Simbolizmi është një tjetër rrymë moderniste e pranishme në poezinë e Niko
Kacalidhës, ku objektet dhe ngjarjet përdoren për të përfaqësuar ide dhe
konce-pte të thella. Psh:"Gërmova, gërmova,
gërmova trupin /e shpellës t’i dilja-Polifemit."ku, shpella dhe
Polifemi janë simbole që përfaqësojnë sfidat shpirtërore dhe përpje-kjen për të
gjetur dritën dhe kuptimin në jetën e errët dhe të vështirë.
3.Ekzistencializmi,
i cili përqendrohet në pyetjet mbi ekzistencën, vetminë dhe kërkimin e kuptimit
dhe poezia përmban elemente të forta të këtij lloj reflektimi filozofik
si:"Ndiz e fik, ndiz e fik, i
pllakosur nga hija /e ndjekjes së
përbindshme."varg që ilustron luftën ekzistenciale të poetit, pse
ndjen ndjekjen e përbindshme të vetmisë dhe pasigurisë, temë e zakonshme në
ekzistencializëm.
Pra,
poezia "Në shpellën e Polifemit" nga Niko Kacalidha ilustron qartë
ndikimet e rrymave moderniste përmes përdorimit të imazheve të fuqishme,
simboleve, temave ekzistenciale dhe strukturës eksperimentale, rryma moderniste që refle-ktojnë artin e tyre
mbi soc. realizmin ashtu si pasqyrat e mëdha të Arkimentit që përqendruan
dritën e diellit mbi anijet romake në Sirakuzë në vitin 212 p.e.s., duke i
djegur në det. Veprime të tilla dje kërkonin dijen e Arkimedit dhe sot talentin
poetik tëNiko Kacalidhës
IV-Poezia
"Në shpellën e Polifemit" mbart një aspekt të fuqishëm psikologjik që
si nerv përshkon vargjet e saj, duke shprehur tensionin, ankthin dhe përpjekjet shpirtërore në një mjedis të vështirë dhe
represiv. Ndër aspektet psikologjike më të dukëshme janë:
Tensioni shpirtëror dhe ankthi shfaqet te
vargjet: "Një erë e marrë që fryu
mbrëmë / më struku në shpellën e Polifemit." ku poeti shpreh ndjenjën
e tij të detyrimit për tu mbyllur në një vend të errët, imazh ky që reflekton
ndjenjën e izolimit dhe të frikës së vazhdueshme. “Erë e marrë” është forca që e detyron të hyjë në izolim të
padëshiruar dhe të frikshëm.
Përsëritja
e frazës:"Ndiz e fik, ndiz e fik, i
pllakosur nga hija e ndjekjes së përbindshme" simbolizon përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur dritë dhe shpresë në mes
të errësirës, ku gjendja e alternimit mes dritës dhe errësirës pasqyron ankthin
dhe tensionin shpirtëror, i cili ndiehet nën një ndjekje të vazhdueshme.
Vargjet:"Oshënar shpellash durova në zymtësinë e
murgut duke tretur muzgjet." shfaqin poetin si një oshënar, në izolim
të plotë, duke duruar një zymtësi të thellë dhe errësirë të vazhdueshme. Kjo
ndjenjë e vetmisë dhe izolimit është
temë qendrore në aspektin psikologjik, pasi tregon përjetimet në një situatë të
vështirë.
Të
vargjet:"Gërmova, gërmova, gërmova
trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit."përpjekjet për të dalë nga
shpella e Polifemit simbolizojnë përpjekjet psikologjike për të gjetur
rrugëdalje nga situata e vështirë, ku përpjekja për të kapërcyer pengesat dhe
për të gjetur liri është një aspekt thelbësor i përvojës psikologjike.
Kur
poeti shkruan:"Në çdo ndezje
dendësoheshin shpresat dhe karikohej pila e zemrës." parafytyrojmë se
si, për çdo herë që arrin të ndezë një dritë, shpresat rriten dhe zemra karikohet
me energji të re. Ky proces simbolizon përpjekjet për të mbajtur gjallë
shpresën dhe për të gjetur kuptim në një situatë të errët e të pasigurt.
Po
ashtu frika dhe ndjenja e përndjekjes që shprehen te vargjet:"Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga
lemeria, duke shqyer terrin." kanë një ngarkesë psikologjike se pasqyron
situatën shpirtërore, ku poeti ndien një presion të madh dhe ndjekje të
vazhdueshme.
Referencat
dhe detajet mitologjike dhe biblike te vargu: “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit."përforcojnë
ndjenjën e izolimit dhe përpjekjeve për të gjetur kuptim. Joani në shpellën e
Apokalipsit simbolizon përpjekjet për dritë dhe shpresë në mes të Apokalipsit,
duke pasqyruar përjetimin psikologjik të poetit.
Pra
shohim se aspekti psikologjik i poezisë është i pasur dhe kompleks, duke shfaqur
situatën dhe përpjeket për shpresë e shpëtim dhe ajo që ka rëndësi është fakti
se Kacalidha arrin të shprehë në mënyrë të fuqishme ndjenjat dhe përjetimet e
tij shpirtërore përmes simboleve, imazheve dhe metaforave, duke krijuar një
poezi thellësisht të ndjerë dhe mbresëlënëse.
V-Poezia
ndërtohet me simbolet, metaforat, imazhet dhe personifikimet nga mitologjia
homerike për të ndërtuar një lidhje të fuqishme midis të kaluarës legjendare
dhe realitetit bashkëkohor. Kacalidha arrin të krijojë një vepër që është
njëkohësisht një homazh për epikën homerike dhe një kritikë e subtilitetit të
shtypjes dhe censurës në Shqipërinë e viteve '70. Kjo ndërthurje e elementeve
homerike me realitetin modern e bën poezinë një krijim të epërm artistik që
flet për përjetësinë e sfidave njerëzore dhe fuqinë e artit për të shprehur të
vërtetën. Le të shohim disa figura që lidhen drejtpërdrejt me botën homerike
ose kanë qasje me të.
Simbolet nga bota
Homerike:
1.
Simboli “Shpella e Polifemit” përfaqëson vend izolimin, siç është përjetuar nga
Odiseu dhe shokët e tij kur u bllokuan nga Polifemi të cilën poeti e përdor për
të simbolizuar situatën e tij ndodhur nën regjimin komunist., shprehur te
vargu: “më struku në shpellën e
Polifemit.”
2.Polifemi
simbolizon forcën shtypëse të regjimit, i cili si Polifemi i Homerit mban të
burgosur Odiseun dhe shokët e tij, shteti monist mban poetin. Në poezinë e
Kacalidhës, Polifemi përfaqëson mbikqyrjen dhe kontrollin e vazhdue-shëm që
vihet në dukje te vargjet: “Gërmova,
gërmova, gërmova trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit.”
3.
Referenca ndaj perëndive të Olimpit, “Dendësova
udhët për në shtigjet malore të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer këpucët. ”dëshmon
lidhje me trashëgiminë homerike dhe kërkim për ndihmë ose inspirim nga fuqitë e
larta simbolike në kohë vështirësie.
4.Po
kështu te vargu: “Dhe me një dritë
qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit.” Ku dihet se drita është një
simbol i njohur në eposin homerik,që shpesh përfaqëson zbulimin, shpresën dhe
shpëtimin.
Imazhet nga bota Homerike
1.
Imazhi i labirintit që shfaqet te: “Zhbirova,
zhbirova, zhbirova labirintet dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën.”
përfaqëson kompleksitetin dhe sfidat shpirtërore, ashtu si heronjtë
homerikë që përballen me udhëtime dhe sprova të vështira.
2.
Imazhi i dritës së qiririt shfaqet si simbol
i shpresës dhe iluminimit në errësirë, duke kujtuar udhëtimet e heronjve
homerikë në kërkim të dritës dhe të vërtetës, ndonëse figura i përket Biblës,
Shen Joani i Teologut (i njohur si Shen Joan Apostulli, autori tradicional i
Librit të Zbulesës, Apokalipsi, i internuar në ishullin e Patmosit gjatë persekutimit
të të krishterëve nga perandori romak Domitiani. Këtu Shen Joani pati një seri
vizionesh apokaliptike, një nga pjeset më surealiste-simbolike, që përbëjnë përmbajtjen
e Librit të Zbulesës.) Qasja me këtë figurë të Krishtërimit te vargjet: “Dhe
me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit.”tregon vlerësimin
për figurën dhe misionin e poetit në shoqërinë modern?.
Personifikimet nga Bota
Homerike
1. Te vargu” “Dhe
në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën.” duke e bërë zemrën një burim
të energjisë elektrike, Kacalidha evokon idenë e forcës shpirtërore dhe
rezistencës së Odiseut gjatë udhëtimeve të tij të gjata dhe të rrezikshme.
2.Po
kështu te vargu: “I ngarkuar me shpirtrat
e perëndive, unë, poeti i provincës.” *Perënditë dhe fryma e tyre* përfaqësojnë
inspirimin dhe mbështetjen hyjnore që poeti ndjen, një lidhje kjo direkte me
mitologjinë homerike ku, perënditë luajnë një rol kyç në udhëheqjen dhe
mbrojtjen e heronjve. Referenca e Kacalidhës ndaj perëndive tregon përpjekjen e
tij për të gjetur inspirim dhe mbështetje në një kohë të vështirë.
Pra,
pamë se poezia "Në shpellën e Polifemit" e Kacalidhës është e mbushur
me simbole, imazhe dhe metafora që lidhen me eposin homerik, duke krijuar një
dialog të fuqishëm midis të kaluarës mitologjike dhe realitetit bashkëkohor.
Kjo ndërthurje e elementeve homerike me realitetin modern e bën poezinë një
krijim të thellë artistik që flet për përjetësinë e sfidave njerëzore dhe
fuqinë e artit për të shprehur të vërtetën dhe për të rezistuar ndaj shtypjes.
VI-
Në poezinë "Në shpellën e Polifemit," Niko Kacalidha shpreh ndjenjë
të fortë vetmie dhe kurajoje përmes
figurave që lidhen me mitet homerike. Kjo poezi përshkruan përvojën e poetit në
një mjedis represiv dhe sfidues, ku përballet me ndjenjat e izolimit dhe
përpiqet të mbajë gjallë shpirtin e tij krijues dhe rezistent. Në qoftë se
vetmia është e dukëshme te figurat si: Simboli: “shpella e Polifemit” me
vargun: “më struku në shpellën e
Polifemit.”, imazhi i errësirës së shpellës dhe përpjekja për ta ndriçuar
me dritën e qiririt te vargu: “Dhe me një
dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit.”, ndjekja nga hija e
ndjekjes së përbindshme te vargu: “ndiz e
fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija e ndjekjes së përbindshme.” Ku
metafora dëshmon presionin dhe vetminë që poeti ndjen, gjithsesi e dukëshme është
kurajoja e poetit e shfaqur artistikisht në poezi.
1.Kështu,
vargu: “Gërmova, gërmova, gërmova trupin
e shpellës t’i dilja-Polifemit.” tregojnë një kurajo të jashtëzakonshme për
të përballuar sfidat dhe për të kërkuar lirinë, veprimtari kjo që simbolizon
qëndresën për të mos u dorëzuar.
2.
Zemra e poetit që vepron si pilë energjie te vargu: “Dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën.” përfaqëson forcën
shpirtërore dhe kurajon për të vazhduar pavarësisht sfidave të mëdha, ku simboli i zemrës tregon se poeti ka një burim
të fuqishëm të energjisë dhe rezistencës së brendshme.
3.Referenca
ndaj dymbëdhjetë perëndive te vargu: “Dendësova
udhët për në shtigjet malore të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer këpucët.”shfaq
kërkimin e inspirimit dhe fuqisë nga perënditë e lashta duke treguar kurajon
për të kërkuar ndihmë nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e njerëzimit.
Niko
Kacalidha përmes një arsenali të pasur figurash dhe simbolesh me detaje që
lidhen me mitet homerike, (dhe ai si çdo poet i lindur, por edhe nga përvoja personale,
e di mirë se kur shfrytëzohen poetikisht edhe në bazë të poezisë më të mire
botërore, kthehen në poezi moderne), shpreh izolimin dhe ndjenjën e përndjekjes
pa klithma qaramane por me një kulturë fine, që i falet aktit krijues fisnik të
poezisë së vërtetë, tregon një vendosmëri dhe forcë shpirtërore për të vazhduar
luftën për liri. Ky kombinim i vetmisë dhe kurajos e bën poezinë një akt të
fuqishëm të qëndrueshmërisë dhe rezistencës intelektuale.
Sarandë, më korrik 2024
Në shpellën e Polifemit
Një
erë e marrë që fryu mbrëmë
më
struku në shpellën e Polifemit.
Oshënar
shpellash durova në zymtësinë
e
murgut duke tretur muzgjet.
Gërmova,
gërmova, gërmova trupin
e
shpellës t’i dilja-Polifemit.
Zhbirova,
zhbirova, zhbirova labirintet
dhe
në elektrikun e zemrës vura për pilë
zemrën.Dhe
me një dritë qiriri, si Joani
në
shpellën e Apokalipsit.
Ndiz
e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija
e
ndjekjes së përbindshme.
Dendësova
kafetë duke shqyer sytë nga
lemeria,
duke shqyer terrin.
Dendësova
udhët për në shtigjet malore
të
dymbëdhjetë perëndive duke shqyer
këpucët.
Në
çdo ndezje dendësoheshin shpresat
dhe
karikohej pila e zemrës.
I
ngarkuar me shpirtrat e perëndive,
unë,
poeti i provincës.
1973
Niko Kacalidha: “Heraldiket
e borës” Onufri 2023, f.37
[1] Në
shkrimin redaksional me temë :”Kundër ndikimeve të huaja në poezi” të Revistës
Nëntor nr 5 (Maj 1973) shkruhet: “Ose edhe në poezinë “Shqetësim pranveror” të
N. Kacalidhës (Gazeta “Zëri i Rinisë” 16 Gusht 1972) në të cilën kemi
ekzaltimet shpirtërore të një vajze, theksime të tepruara sentimentale, që të
hutojnë ndërgjegjen e saj dhe e largojnë nga realiteti i jetës, nga detyrat
reale të ditës, duke e mbyllur në një atmosferë hutimi, gati të
pandërgjegjshme. Këto janë shprehje të subjektivizmit në poezi. Po kështu
vërehet se subjektivizmi u jep këtyre poezive edhe një natyrë të përgjithshme,
jashtë kohës dhe konkretësisë reale. Në këto poezi mungon detaji,rrethanat,
situatat, veçoritë: ato kanë vetëm mendimin, ndjenjën në formë të përgjithshme,
pra edhe të papërcaktuar. Këto poezi të lënë shpesh përshtypjen e “dedikimeve
poetike”…” Kujtojmë se në datat 26-28 qershor 1973 u mbajt Plenumi i IV I PPSH
dhe ky material kishte ndikimin e tij në qëndrimin ndaj Niko Kacalidhës, por
“më larg se në Cerkovicë s’kishin ku më shpinin” thotë me një buzëqeshje të
hidhur poeti. Për të interesuarit mund të themi se poezia e kritikuar më sipër
është përfshirë në përmbledhjen “Heraldikët e borës” në f. 23,sigurisht e
ripunuar me pak ndryshime, për tju përshtatur kohës së botimit. Materialin
redaksional na e vuri në dispozicion Petro Mejdi. T.Mërkuri: “Blatimet poetike të Niko
Kacalidhës” Onufri 2023 f.5