Mendime
Albert Zholi: Flet Dr. Vladimir Mici - Fakti që leku forcohet në raport me to, është futja e monedhës euro dhe dollar më shumë se sa nevojat tona
E hene, 18.12.2023, 08:39 PM
Flet Dr. Vladimir Mici: Fakti që leku forcohet në raport me to, është futja e monedhës euro dhe dollar më shumë se sa nevojat tona
-
Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe se sa rritja e pagave nga
inflacioni.
-
Çdo emetim shtesë parash është i barabartë me shtesë inflacioni.
-Roli
i Bankës qëndrore është të ruajë stabilitetin e çmimeve nëpërmjet inflacionit
të shënjestruar.
-
Deri në mesin e vitit 2024 Banka qëndrore parashikon stabilizimin e inflacionit
në shifrat poshtë 4%. aktualisht ai është mbi këto shifra.
-
Një para e mbajtur në dorë sot, pas një viti vlen më pak për shkak të
inflacionit.
-
Nqs ke blerë një shtëpi para dy vitesh, e cila ka kushtuar 5 milion lekë sot po
e njëjta shtëpi kushton 6 milion lekë.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Inflacioni
dhe rritja e çmimeve janë problem që ndikojnë tek populli. Inflacioni - përqindja me të cilën rriten çmimet e mallrave dhe
shërbimeve. Po kështu, ajo gjithashtu punon si një përqindje me të cilën paratë
"fiat" humbasin vlerën e tyre. Për shembull, në vitet 1970 një
filxhan kafe ishte 20 cent, sot - është 1.50 euro. Për të njëjtën shumë parash
tani mund të blini më pak mallra sesa mund të kishit blerë 50 vjet më parë,
sepse kur çmimet rriten - dhe të gjithë e vërejmë këtë ndryshim - fuqia blerëse
e parave zvogëlohet. Inflacioni matet në indeksin e çmimeve të konsumit. Kjo
tregon se sa para do të shpenzonte dikush këtë vit për të blerë të njëjtat
produkte dhe shërbime si vitin e kaluar. Një treg i pjekur regjistron një
inflacion vjetor normal prej 1-3 përqind. Inflacioni i tregjeve në zhvillim
mund të jetë pak më i lartë dhe të arrijë 2-8 përqind. Për shkak të këtij
inflacioni të parashikuar dhe të kontrolluar, pagat tona, si dhe mirëqenia dhe
përfitimet e tjera, rriten çdo vit. Ndodh, sepse çdo vit për të njëjtën shumë
parash njerëzit mund të blejnë pak më pak mallra.
Për këto probleme jep përgjigje dr. Vladimir Mici
Mendoni
se Banka e Shqipërise ka emetuar ne mënyrë të pakontrolluar monedhë lek për të
thithur nga qarkullimi monedha të huaja, kryesisht euro dhe dollarë duke ulur
në mënyrë artificiale kursin e këmbimit me këto dy monedha?
Mendoj
se kjo nuk shkon në logjikën ekonomike. Arsyeja është mjaft e thjeshtë. Nqs do
të kishim më shumë euro dhe dollarë në treg sesa janë nevojat tona
për to çmimi i tyre (kursi i këmbimit) do të binte. Nëse sasia e parave në treg
( dmth lekut do të ishte hedhur për këtë qëllim) duke injoruar faktorë do të
zhvlerësohej në raport me valutat e huaja. Fakti që leku forcohet në raport me
to është futja e monedhës euro dhe dollarit më shumë sesa nevojat tona. Nëse
kjo tendencë vijon atëhere ne presim zhvlerësim të mëtejshëm të dy valutave
ndaj lekut. Por a mund të emetojë Banka qëndrore para? Jo Banka qëndrore
nuk emeton para, pa kërkesën dhe miratimin e qeverisë! Arsyeja është e
thjeshtë. Banka Qendrore merr atributin e agjentit të qeverisë dhe qeveria
siguron nëpërmjet emetimit të parasë burimin e tretë, ku burimi i parë mbeten
tatimet, burimi i dytë është huazimi nga publiku përmes obligacioneve dhe
bonove dhe mënyra e fundit është emetimi i parasë. Ky emetim quhet seinjorazh.
Pasojat e këtij emetimi i paguajnë individët. Në gjuhën ekonomike ajo quhet
taksë inflacioni e vendosur nga qeveria.
A
ka përgjegjës rritja e inflacionit? Po përdor shprehjen e Fridmanit. Inflacioni
është dhe mbetet vetëm problem i politikës monetare. Sipas teorisë sasiore çdo
emetim shtesë parash është i barabartë me shtesë inflacioni. Roli i Bankës
qëndrore është të ruajë stabilitetin e çmimeve nëpërmjet inflacionit të
shënjestruar. Deri në mesin e vitit 2024 Banka Qëndrore parashikon stabilizimin
e inflacionit në shifrat poshtë 4%. Aktualisht ai është mbi këto shifra. Problemi,
që lind me qytetarët se ajo nuk kompensohet në mënyrën e duhur; pra e thënë pak
më saktë rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e
pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse dhe papunësi për shkak
të rënies së kërkesës së brëndshme për mallra dhe shërbime. Rritja e
inflacionit mbi nivelin e kërkuar është tashmë e qartë, sepse ka filluar si
strategji që me pandeminë dhe shifrat e fryra të realizimeve të GDP, apo
indeksit të çmimeve të ulura artificialisht, përmes strukturës së shportës së
mallrave të inflacionit, strukturës së pambështetur të konsumit midis grup
moshave dhe gjinive dhe sistemit të pagave joadekuat. Realisht ka ulur pagën
reale. Efektet e inflacionit ndihen: Mbi koston e parasë. Një para e mbajtur në
dorë sot pas një viti vlen më pak për shkak të inflacionit. Kostoja e dytë
ndodh me firmat, që detyrohen më shpesh të ndryshojnë çmimet, për pasojë ato
kanë kosto shtesë që lidhen me marketingun e tyre. Kostoja e tretë lidhet me
kontratat e bëra, për të cilat firma nuk mund të ndryshojë çmimet. Kostoja e
katërt lidhet me efektet tatimore. Psh nqs ke blerë një shtëpi para dy vitesh,
e cila ka kushtuar 5 milion lekë sot, po e njëjta shtëpi kushton 6 milion lekë
nga inflacioni. Në momentin që e shet 6 milion duhet të paguash taksë mbi
taksën e inflacionit 15%.
Dhe
e fundit. Mospasja e një niveli çmimesh stabël apo të qëndrueshme, por sot ke
çmime të tjera dhe nesër të tjera me diferenca të ndjeshme kjo sjell
pasiguri jetese dhe komplikon shumë planifikimin financiar të çdo familje
sidomos ato që janë edhe me kredi apo borxhe. Në këto raste vendimi më i mirë
do të ishte kursimi dhe kufizimi në maksimal i konsumit duke ulur konsumin si
shoqëri dhe për pasojë produktin e përgjithshëm bruto dhe në një spirale aftësinë
e ekonomisë për të gjeneruar në potencialin e vet. Më të prekur nga inflacioni
janë punonjësit me paga fikse dhe pensionet, sepse edhe në rastin më të mirë
indeksimi i tyre ndodh një herë në vit, por gjatë vitit këto efekte rëndojnë
mbi kurrizin e tyre dhe barra e borxheve tashmë e ka lënë gjurmën e vet.
A i hedh në mënyrë të kontrolluar paratë në treg Banka e Shqipërisë?
Sigurisht që sasia e
parave ( letër) në treg në formën lek dihet në çdo moment nga ana e Bankës së
Shqipërisë. Ajo gjatë funksionimit të saj konsumohet apo humbet karakteristikat
që ka që të shërbejë si një mjet i gjithë pranuar i detyruar për t’u përdorur,
që do të thotë ajo mund të griset, vjetërohet, të humbë apo edhe prishet nga
faktorë të jashtëm ku humbasin disa cilësi që ajo ka si letër. Kjo sasi,
realisht llogaritet me përqindje vjetore dhe normalisht duhet të zëvëndësoj atë
në qarkullim. Një arsye e dytë pse shtohet është edhe fakti se rritja e çmimeve
kërkon një sasi më të madhe në treg për të këmbyer të njëjtat mallra, apo shërbime.
Një faktor i tretë, që ndikon është sasia që familjet, apo individët mbajnë, pa
i dorëzuar, sepse nuk u leverdis interesi, apo përfitimi që ato marrin apo
kultura e këtyre familjeve apo aktorëve. Në faktorët që minimizojnë sasinë e
parave në treg (bankënotave) janë normat e interest, apo siç njihet rëndom nga
financierët kostoja e parasë. Nëse interesat janë të ulta njerëzit nuk kanë
interes për t’i investuar ato. Një faktor tjetër për të minimizuar paratë janë
investimet në active (letra me vlerë apo pasuri të palujtshme). Fakti që
qeveria futet në tregun e parasë për të riblerë obligacionet e saj në euro,
tregon se ajo edhe mallin e ri ( sepse edhe euro apo dollari janë mall si të
tjerët) e ka bërë duke përfituar nga kurset e këmbimit. Një pjesë të mirë e ka
bërë edhe me emetimet, apo prerjen e monedhës së re. Ky nuk është sekret. Ajo
që është sekret është vetëm koha dhe sasia kur qeveria injekton këtë sasi. Për
të rregulluar sasinë e parasë në treg qeveria përmes Bankës së Shqipërisë
kryhen blerjen e parasë nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit dhe
obligacioneve. Ndërsa hedhja e saj përmes shpenzimeve të saj buxhetore,
që marrin formën e pagave, investimeve dhe transfertave të parave shton sasinë
e parave fizike në treg. Sasia e parave në treg kur është e tepërt shprehet me
inflacion të rritur dhe banka qëndrore ndërhyn për të ulur këtë sasi duke
emetuar bono thesari apo obligacione thesari. Në këtë rast ajo synon që ky
inflacion të jetë në kufijtë e projektuar, por jo çdo gjë varet nga ky transaksion.
Mungesa e prodhimit dhe shërbimeve herët apo vonë do t’i japin prirjet dhe
ekonomia nuk mund të kthehet në binarët normalë të saj.
A
janë në dëm të sigurisë kombëtare? Sigurisht një inflation dy shifror apo më
shumë është një rrezik i lartë i stabilitetit makroekonomik, sepse pasuria
kombëtare zvogëlohet me ritme të jashtëzakonshme. Qeveria në fund do të
ndërhyjë duke ulur shpenzimet qeveritare dhe duke shtuar barrën e taksave. Pra
pavarësisht se inflacioni është problem monetar ai përfundon si problem fiskal.
Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kemi fare inflacion, apo të kemi të
kundërtin e tij deflacion. Deflacioni është e kundërta e inflacionit, apo
inflacioni negativ. Dhe ai ka pasoja më të këqia se inflacioni. Prandaj pak
inflacion është një gjë e mirë. Në një ekonomi ku kemi inflacion 3% dhe rritje
pagash ta zemë 5% themi që kemi rritje pagash reale. Përgjithësisht pagat nuk
njohin zbritje, përgjithësisht ato rriten. Nuk do të ishte komode që për të
pasur inflacion zero të ulim pagën apo mos të rrisim pagën. Normalisht rritja e
pagave është një shtysë për të prodhuar më shumë, pavarësisht nga inflacioni.
Pra një ulje page reale bëhet kur nuk mund të ulësh pagën nominale, por rrit
inflacionin.
A
ka një komision shtetëror për prerjen e parave? Cilët janë ata në këtë
komision? Guvernatori i Shqipërisë propozohet nga Kuvendi dhe miratohet, apo
emërohet me dekret nga Presidenti me mandat 7 vjeçar. Ai Drejton Bankën
Qëndrore dhe politikën monetare. Këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë i
emëruar nga kuvendi i Shqipërisë përcakton edhe politikat monetare pra edhe
sasinë dhe llojet e prerjeve, që duhet të bëhen. Banka e Shqipërisë
bashkëpunon me organet legjislative dhe ekzekutive të Republikës së
Shqipërisë për të përmbushur objektivat e saj dhe, në bazë të ligjit, kur e
konsideron të nevojshme, ndërmerr veprime për të nxitur këtë bashkëpunim në
kryerjen e funksioneve të saj. Pra Banka Qendrore përcakton ofertën monetare,
prerjet në qarkullim të bankënotave, neni 33-40 i ligjit mban Bankën e Shqipërisë
Banka
e Shqipërisë përgatit analiza periodike ekonomike e monetare, Banka e
Shqipërisë jep informacionin e kërkuar nga ministritë dhe organet e tjera
qendrore të Qeverisë në lidhje me çështjet monetare e financiare dhe,
anasjelltas, këto organe japin informacionin e kërkuar nga Banka e Shqipërisë
në lidhje me çështjet makroekonomike, monetare dhe financiare.
Banka
e Shqipërisë përcakton llojin, mënyrën e dhënies, personat e ngarkuar për
dhënien e informacionit të kërkuar, si dhe sekretin zyrtar, që zbatohet
për dhënien e këtij informacioni.
Sa
para hidhen në treg në raport me zhvillimin e vendit?
Për
të matur sasinë e parasë në treg mënyra më e thjeshtë është teoria sasiore e
parasë. Sipas kësaj teorie sasia e parasë në treg përcaktohet nga vëllimi i përgjithshëm
i transaksioneve në mallra e shërbime të vlerësuara me çmimet e tyre në vit
pjestuar me numrin e herëve që një njësi paraje qarkullon në vit. Sa më i madh
ky herës aq më e vogël është sasia e parasë në treg dhe anasjelltas sa më i
vogël ky tregues aq më e madhe është kjo sasi. Por aktualisht një pjesë e
transaksioneve kryhen në mënyrë elektronike, apo me llogari bankare, duke
eleminuar paranë cash, dhe kjo përqindje vjen duke u shtuar në raport me paranë
cash kështu që banka e Shqipërisë llogarit edhe këtë sasi në pjesën e saj.
Kështu që lind treguesi i bazës monetare. Baza monetare është sasia e
përgjithshme e njësive të parasë, që mbahet nga publiku dhe rezervat që kanë
bankat. Me këtë tregues lidhet raporti rezervë/depositë dhe raporti para depozitë.
Oferta monetare = paraja cash + depozita, ndërsa baza monetare është paraja
cash + rezerva nga bankat. Kështu që nqs raporti cash depozitë është 1 dhe
raporti reservë depositë është 0.9 dhe baza monetare 200 miliardë lekë oferta e
parasë = 2B/1.1=
363,6
miliardë lekë. Pra egziston një kontroll i thjeshtë për të përcaktuar tepricën,
apo mungesën në treg të parasë. Por a ka vështirësi? Po, sepse në tregun
shqiptar kryhen transaksione të gjëra në euro dhe monedha të tjera duke
zvogëluar mjaft sferën dhe rolin e Bankës qëndrore në politikën monetare dhe të
na japë përshtypjen e një teprie monedhe në lekë
Si
realizohet prerja dhe transporti i parave?
Sigurisht
që prerja dhe transporti i parave janë të rregulluara me ligj. Prodhimi i tyre
ka një kosto të caktuar dhe lidhet me cilësinë e letrës dhe elementët e
sigurisë që përmban bankënota. Ajo lidhet edhe me vetë letrën që do të
ripërdoret mjaft herë dhe që në fund të fundit ajo duhet të jetë e qëndrueshme
ndaj lagështisë, mykut, palosjes e të tjera karakteristika që lidhen me
përdorimin e saj nga një masë e madhe dhe pa asnjë kusht ruajtje. Prodhimi i
monedhave kryesisht që kanë edhe vlera më të larta i nënshtrohen rregullave
strikte dhe prodhohen nga njësi ndërkombëtare të specializuara e çertifikuara
për prodhimin e bankënotave. Projektimi, vizatimi dhe elementët e sigurisë janë
të miratuara nga banka e Shqipërisë. Po kështu edhe, boca , zëmrat dhe
modelet e prerjeve janë pjesë e inventarit të Bankës së Shqipërisë. Transporti
i parave nga jashtë brënda dhe për brënda është i rregulluar me ligj dhe sipas
direktivave ndërkombëtare. Ky është një sektor i mirërregulluar me ligj. Por
kjo nuk mund të ndalojë vjedhjen, por thjesht përpiqet që me ligj të kufizojë
mundësitë e vjedhjes dhe abuzimit me to.