Speciale
Jusuf Buxhovi: 'Zakoniku' i Dushanit – Gurthemel i mashtrimeve të historiografisë serbe!
E hene, 20.11.2023, 08:57 PM
“ZAKONIKU” I DUSHANIT – GURTHEMEL I MASHTRIMEVE TË HISTORIOGRAFISË SERBE!
-Kohëve
të fundit, politika serbe e Beogradit, ka filluar të operojë me nocionin “tokat serbe”, duke iu
referuar të ashtuquajturin shtet mesjetar serb i Dushanit, me ç’rast ngritën
pretendimet hegjemoniste ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës. Historiografia
shqiptare nuk ia ka dalë që ta demistifikojë këtë mashtrim përkundër faktit që
në përputhje me argumentet meritore dinastia e Rashës trajtohet si formacion
feudal hegjemon i pavarur në kuadër të
formacioneve politike dhe shoqërore të Bizantit në shthurje.
Nga
Jusuf Buxhovi
Shthurja
e Bizantit me anën e formacioneve të tjera autonome shoqërore dhe politike
(feudeve, zhupanive dhe dinastive), siç ishin edhe “Despotati i Epirit”,
“Despotati i Artës”dhe “Regnum Albaniae” e vitit 1272-1296 dhe të tjerave deri në shekullin XV kur do të
marrë fund kjo perandori, në ato rrethana dramatike dhe fare të paqëndrueshme
për nga realitetet shoqërore dhe politike, nxori në pah në njërën anë faktorët
vendorë mbi të cilët perceptoheshin po edhe ndërtoheshin interesat e Lindjes
dhe të Perëndimit për ndikim sa më të madh, kryesisht me anën e faktorit kishë,
siç ishte rasti me Perandorinë Katolike të Kostandinopojës pas Kryqëzatës së
katërt më 1204-1264 dhe të “Despotatit të Epirit”, dhe në tjetrën anë,
pretenduesit për fronin e Bizantit, ndër të cilët duhet dalluar dinastinë
Nemanjane të Rashës, e cila gjatë kohë së Stefan Dushanit (1331-1355) ia doli
që të jetë forca kryesore e Bizantit, që u quajt edhe “Illyricum Magnum”.
Natyrisht
se faktori Rashë, i parë në përputhje me realitetet e kohës dhe jashtë
interpretimeve dhe përvetësimeve, nga
ana e historiografisë serbe, asaj ruse dhe shkollës së sllavistëve të
Vjenës në shekullin XIX, e nxjerr atë
nga pengu i këtij keqinterpretimi, pra i përvetësimit joshkencor, siç është
paraqitja e saj “themel të shtetit mesjetar serb” dhe, po ashtu, ia merr të drejtën Kishës Ortodokse
Serbe, që të përvetësojë krishterimin ortodoks me liturgji të sllavishtes së
vjetër kishtare. Jashtë këtyre përvetësimeve antihistorike, Rashës dhe dinastisë
Nemanjane, i kthehet pamja e saj historike me faktorët tjerë shoqërorë dhe
politik në hapësirën e Dardanisë, atë të
Maqedonisë dhe të Epirit si forcë
hegjemone në zhvillimet që e përcollën Bizantin nga shekulli XII – XV kur do të
shembet përfundimisht.
Vendosja
e shtetit mesjetar serb mbi dihominë e faktorëve joshkencorë: kishë-komb - duke
u injoruar bërthama sllave nga shfaqja e saj e deri te shtrirja, që më së paku
lidhet me gjeografinë historike të tyre
siç paraqitet nga serbët dhe, njëherësh duke u përvetësuar sllavizmi si
konglomerat etnik dhe, duke u konvertuar popujt antikë tribalët, dardanët,
keltët dhe të tjerët në serbë në përputhje me fantazinë e Priftit të Duklës nga
“Gesta Regnum Sclavorum” (Kralevstvo slovena) e Orbinit - paraqet spektrin
argumentues të rrëzimit të falsifikimeve, që për një kohë të gjatë, edhe janë
pranuar, nga shkaku se ka munguar qasja kritike
dhe objektive shkencore ndaj tyre.
Për
t’u argumentuar këto shtrembërime, mistifikime,
përvetësime dhe falsifikime ndër më të ndryshmet mbi bazat e një
platforme shtetmadhe dhe ideologjie
hegjemoniste sllavo-ortodokse, që u shfaqen nga “Naçertanja” e vitit 1844 e
deri te programet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve të viteve 1937,
1944 dhe së fundit të viti 1986, përqendrimi bie mbi pasqyrimin
e falsifikimit të dokumenteve
mesjetare nga ana e Kishës Ortodokse Serbe në përputhje me konceptet shtetmëdha
dhe ato hegjemoniste të projektuara në Rusi
nga mesi i shekullit XVIII, me
ç’rast pikënisje janë ato të autorëve bizantinë, pastaj literatura
hagjiografike me theks të veçantë te përpjekjet që dinastia e Nemanjajve dhe
Rasha të nxirret “themel i shtetit
mesjetar serb” jashtë konteksteve kohore dhe jashtë raporteve shoqërore dhe
politike të atyre rrethanave, ndërsa kisha e Rashës gjoja me autoqefali nga mesjeta. Ndonëse
ishte fjala për një shkëputje të përkohshme (autonomi) nga Peshkopata e Ohrit,
së cilës do t’i bashkëngjitet pas pak, së cilës madje i atribuohet liturgjia në gjuhën serbe, edhe
pse dihet se ajo ishte një gjuhë kishtare e vjetër ("Staro crkveni
jezik" - amalgam midis sllavishtes dhe bullgarishtes), ngaqë gjuhë
serbe do të ketë në gjysmën e dytë të shekullit XIX pasi që do ta formojë V. Karaxhiqi me ndihmën
e shkollës sllaviste të Vjenës. Të kësaj natyre janë edhe shumë nga
“monografitë” për jetën kishtare serbe si dhe jetëshkrimet rreth jetës dhe
veprës së dinastisë Nemanja, të rishkruara ose të falsifikuara, gjithnjë me
arsyetimet joshkencore “të përpunimit të tyre”, në përputhje me qëndrimet
hegjemoniste.
Ndër
këto rrëfime të mbështetura në hagjiografi (literaturë kishtare, bien në sy
botimet “Sveti Sava - Sabrana Dela” të botuara nga T. Jovanoviq, Beograd 1998,
“Stevan Prvoven?ani – Sabrana dela”, nga Georgievski-Jovanovi?, pastaj “Živopis
Svetog Save” nga Teodosije Hilandarski si dhe vepra e Konstantin Filozofit
“Povest slovina – Žitije despota Stefana Lararevi?a“, Beograd 1989, me ç’rast
pranohet që ato janë të sajuara në Odesë në shekullin XVIII sipas disa
rrëfimeve të priftërinjve të atjeshëm!
Ngjashëm
ndodh edhe me veprën “emblematike” të S. Novakoviqi “Zakonik Cara Dušana,cara
srpskog 1349-1354”, Beograd 1870, në parathënien e së cilës pranohet se „Kanuni
mesjetar nuk ekziston, por ai është arrnuar nga rrëfimet në shekullin XIX në
Prizren dhe rrethinë si dhe nga disa tekste nga kishat në Vllahi dhe Rusi
(Petergurg), të cilat i ka ndërlidhë Shafariku në Vjenë më 1859.
Mënyra
si është ngritur kjo vepër deri te shkalla e „testamentit“ shtetëror dhe
juridik të „Perandorisë“ së Stefan Dushanit në shërbim të krijimit të
platformës ideologjike dhe politike të shtetit mesjetar serb për nevoja
politike në shekullin XIX, që do t'i paraprijnë atij në hartën politike të
Evropës të pranuar në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, përkthimi në disa
gjuhë dhe shpërndarja nëpër qendrat kryesore evropiane, tregon më së miri për
ndërlidhjen e shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm në konstruktimin e
tij me anën e sajimit të dokumenteve gjoja të shkapërderdhura pa kredibilitet
shkencor. Kjo formë e arnimit të „dokumenteve“ të „strukur“ nëpër kisha dhe
biblioteka „të harruara“ pasqyrohet më së miri në veprën e Novakoviqit. Autori,
megjithatë, duke dëshiruar që të tregojë “për vjetërsinë” e kësaj vepre, që e
ka të qartë se mungon, mbështetet mbi disa shtresime të sajimeve dhe
përpunimeve të teksteve që kanë për qëllim „nxjerrjen në dritë“ të „dokumenteve
autentike“ me anën e ndërtimit „të pjesëve të humbura“! Siç është thënë edhe më
herët, bazë e kësaj pune kanë shërbyer punëtoritë e kishave të ndryshme, në
radhë të parë atyre në Hilandar, dhe të tjerave në Rusi për t'i distribuuar
dokumentet e përpunuara dhe të retushuara në Vjenë, te shkolla e njohur e
sllavistëve, prej nga pastaj „dokumentet meritore“ janë trajtuar nga studiuesit
e ndryshëm për t'u krijuar „dosjet“ si „Monumenta slavica“ e më vonë "Monumenta serbica" e të
tjera të amputuara në të gjitha "dokumentet mesjetare", me të cilat
janë ushqyer historitë e serbëve, të bullgarëve, të rusëve me „dokumente
autentike“. Autori i „Zakonikut“, në parathenie, zbulon teknologjinë dhe
infrastrukturën e përpunimit dhe të falsifikimit të dokumenteve kur merret me
„historikun“ e Zakonikut, që doemos lidhet me Vjenën dhe punën e studiuesve të
atjeshëm, në radhë të parë të atyre
sllavë ose serbë. Kështu, pikënisja e
„Zakonikut“ fillon te J. Rajiq, më 1859 te botimi „Istorie slovenskoh narodie“,
për t'u bartur pastaj te Mikloshiqi, i cili do ta paraqesë në gjuhën gjermane
„Lex Stepani Dušani“, Vjenë 1856, prej nga pastaj do t'i bjerë në dorë P.J.
Schafarikut, i cili do ta përfshijë në librin „Pomatky drevnioh pismenietvi
Jihostovanie“, në Pragë, 1860. Schafarik, tekstin nuk e dha në mënyrë
integrale, meqë ai nuk ekzistonte, por e parashtroi në 9 dorëshkrime të
ndryshme me pretendimin se ato „janë pjesëza të zbuluara në manastire të
ndryshme (Ravanicë, Rudnik, Kazan e të tjera) gjoja nga ato të viti 1350 e deri
në vitin 1700, e ku vend të rëndësishëm zë teksti nga Petërburgu i N.
Nadežnjev, që njihet nga manastiri Bistrica i Vllahisë. Këto tekste, as
gjuhësisht e as përmbajtësisht, nuk formojnë tërësinë e një kanuni, gjë që e
pranon edhe Shafariku. Por, Novakoviq, në botimin e tij, copëzat e Shafarikut i
ndërlidh me dy tekste „autentike“, nga shekulli XIX. Njëri nga Struga, i
mbledhur nga një prift rus. Dhe tjetri nga Prizreni, po ashtu i mbledhur nga
një prift i quajtur Sime. Tekstin nga Prizreni, gjoja nga shekulli XV, në Beograd e dërgoi mësuesi nga Smedereva,
Nikolla Maslin, prej nga ai i përpunuar në Vjenë, iu dorëzua Novakoviqi që ta
nxjerrë në dritë. Natyrisht se Novakoviqi u përpoq që „kredibilitetin“
dokumentues të veprës ta pasqyrojë me tekstet e Schafarikut në sllavishten e
vjetër kishtare me atë serbe. Në parathënie Novakoviq shpjegon origjinën e
teksteve dhe mbledhjen e tyre nga dora në dorë, që sipas tij, plotësojnë
Kanunin dhe frymën e tij. Kështu, 165 fletët (listina), vijnë nga 16 mbledhës
të ndryshëm, të cilëve nuk u dihen emrat, pos që thuhet se një pjesë e madhe e
tyre janë rishkruar nga 6 klerikë dhe dy xhakonë në Prizren.
Meqë
botimi i parë i vitit 1870, ishte me shumë shpërputhje dhe si i tillë nuk i
plotësonte sa duhet kriteret themelore për t’u marrë seriozisht, Novakoviqi,
pasi që të jetë emëruar kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në viti 1886,
paraqitet me versionin e dytë “të plotësuar” të “Kanunit” me disa copëza të
“rizbuluara” të versionit të “Kanunit” të Strugës nga shekulli XIV dhe të Prizrenit nga
shekulli XV. Aty përfshihen 106 nene, të cilat nuk paraqesin tjetër pos një bartje (kopjim) të
drejtpërdrejt të akteve ligjore kishtare të Bizantit (Homokanon), të cilat,
ishin në pjesë e të drejtës
romake-bizantine në përputhje me kodin e Justinianit, por që rregullonin
çështjet pronësor në raportet e kishës me Perandorinë, ku ajo ishte pjesëmarrëse
në administrimin e pronave kishtare dhe atyre vendore. Këtyre neneve nga kodi
bizantin do t’i shtohen edhe pjesët tjera, ku amputohen raportet me ritet
kishtare (me katolikët) e ku shfaqen edhe disa dekrete me të cilat përcaktohen
sjelljet e kishave, e ku nuk mungojnë edhe regjistrat rreth pasqyrës
demografike të popullatës ku, krahas popullatës shumicë “serbe”, si pakicë,
shfaqen “katunët arbanase” (arbanaski katuni) dhe “katunët vllehe” (vlaski
katuni).
Nuk
është për t’u habitur skenari i “pasqyrës demografike” të popullatë së “Perandorisë
së Dushanit”, ku asokohe nuk ka pasë përkatësi kombëtare pos kishtare: e ritit
ortodoks ( me gjuhën e liturgjisë kishtare sllaviste e vjetër dhe greqishte)
dhe e ritit latin (me gjuhën e liturgjisë kishtare latinishte)!
Por, është për t’u habitur, që ky konstrukt antihistorik dhe antishkencor, i
sajuar nga kisha ortodokse serbe dhe historiografia serbe e shekullit XIX për
qëllime hegjemoniste, është pranuar “si e vërtetë shkencore” dhe thuajse u ka
shërbye që të gjitha disajnimeve të raporteve gjoja kombëtare në shtetin e
imagjinuar mesjetar serb, ku ka pasë edhe disa “katune arbanase” (katolike) dhe
vllehe! Kështu, ky diktat i falsifikuar i të ashtuquajturit “shtet mesjetar
serb”, në saje të “verifikimit” nga
historianët, linguistët, etnografët e shkollës së sllavistëve të njohur të
Vjenës, është pranuar te një pjesë e
mirë e historiografisë botërore. Madje, edhe në veprën e historianit Noel
Malcolm "Kosova - një histori e shkurtër", në mesjetë, shqiptarët në Kosovë shfaqen "si
popullatë pakicë", ndërsa serbët shumicë - raport ky që do të ndryshojë
diku në shekullin XVIII pas shpërnguljes së madhe serbe! Ky diskurs antihistorik, i bartur edhe te historiografiaa ideologjike e ish Jugosllavisë, si i tillë,
vazhdon të kopjohet i plotë edhe nga historianët
shqiptarë (në të dy anët e kufirit).
Ndonëse
rënia e ish Jugosllavisë, me shfaqjen e
shteteve të pavarura: Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe
Hercegovinës, Malit të Zi dhe së fundit Kosovës, ndryshoi realitetet shtetërore, me çka te
shumë nga këta popuj filloi edhe dekonspirimi i “amzës së jugosllavizmit” të
mbështetur mbi platformën e “Naçërtanjes” së Garashaninit dhe epiqendrën e saj
“historike” – Mbretërinë Mesjetare të Dushanit, megjithatë, te shqiptarët, në
të dy anët e kufirit, në masë të madhe vazhdon diktati i historiografisë
serbomadhe, diktat ky që me
riaktivizimin e sintagmës së “botës serbe”, po mban peng politikisht dhe kulturalisht Kosovën,po edhe Shqipërinë.
Andaj, institucioneve shkencore akademike në të dy shtetet shqiptate, u bie barra që të
ndërmarrin hapa të organizuar hulumtues-shkencorë për t’u lirua nga diktati i
falsifikimeve të historiografisë hegjemoniste serbe. Ndonëse kjo, bazuar në
qindra vepra të kësaj natyre të krijuar nga Akademia Serbe e Shkencave gjatë
shekullit të fundit, nuk është punë e lehtë, megjithatë hartimi i një platforme
të qartë të rishikimit të historisë në përputhje me të vërtetën shkencore,
është e domosdoshme.
(Shkëputje nga “Dardania – antika, mesjeta”, botuar nga
“Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston 2020).