E shtune, 27.04.2024, 09:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Ngjyrat emocionuese të Hajrush Fazliut

E hene, 05.01.2009, 07:17 PM


Ngjyrat emocionuese të Hajrush Fazliut  
 
Nga Ilir Muharremi

Piktori Hajrush Fazliu, edhe kësaj radhe u dëshmua si një artist i radhë me kuptime filozofike dhe me një lojë të mrekullueshme ngjyrash. Para disa ditëve në Galerinë e qytetit të Tetovës, Fazliu ka prezantuar një mori pikturash të cilat, madje kanë reflektuar thellë tek artdashësit tetovar.
Ai është prezantuar me një cikël të veprave: “Mbijetesa”, “Imazhi i vezës”, “Peshqit”, “Kullat” etj. Ndonëse, hapësira e Galerisë ishte shumë e vogël, andaj autori ishte i detyruar të bëjë një përzgjedhje të tillë të veprave për artëdashësit tetovar.

Ky autor ka përdorë tematika dhe motive antike duke u nisur prej kokave antike e deri tek ciklet e fundit, ai me përkushtim i qaset botës mitike, kokave femërore, figurave si personifikim në aktin dhe portretin e bukurisë dhe dashurisë – afërditave – hyjneshave, që ishin burim frymëzimi për shumë krijues antikë dhe të periudhave të mëvonshme, që posaçërisht shprehjen më të madhe e gjetën të skulptorët. Mirëpo, në disa punime, autori me një besim dhe përkushtim të madh ka paraqitur edhe botën ujore duke u nisur prej peshqve.

Bota ujore e Fazliut

Peshqit në punimet e Fazliut janë në lëvizje dhe duken sikurse kërcejnë njëri mbi tjetrin, mirëpo duke mos u humbur estetika dhe forma, disa të tjerë madje, krijojnë konflikt njëri me tjetrin si p.sh në ciklin “peshqit” dukshëm dy peshkaqen janë ngritur lartë dhe krijojnë një betejë të ashpër, ata janë pikturuar tejet mprehtë dhe preciz sa që në lëvizjet e tyre shihet një vullnet për të pushtuar, andaj edhe bota ujore dhe ajo në tokë ka këtë vullnet, e tërë jeta qenka një betejë për të fituar, një qëllim për të arritur ose një arsye për tu zhveshur. Këto arsye ne i gjejmë në veprat e Fazliut, të cilat esencën e kanë diku në lashtësi dhe thellësi.

Ngjyrat eksploduese

Ngjyrat nganjëherë janë shumë shqetësuese, transparente që ngërthejnë dhe ndërthuren me lojën e bukur të shkëlqimit të ngjyrave mbi sipërfaqet e dukshme të femrës dhe magjisë së paramenduar të figurës së prezantuar.
Veprat e Fazliut nuk janë të panjohura për kritikët tonë, në çdo ekspozitë sa herë që prezantohej, me ngjyrat dhe motivet e tij ai domosdo të detyronte të futesh në magjitë e tij. Ose nëse kalon pranë pikturave të tij, nuk mund të parakalosh pa u futur në një botë plotë ngjyra të pastërta, të cilat janë mjaft konfliktuoze dhe domethënëse.

Shpesh herë në punime vërehet një kontrast i ngjyrave duke filluar prej atyre të çelura e deri tek ato më të errëta. Si duket, ky autor qëllimisht e përdorë këtë lojë ngjyrash, lojë e cila na shpie në një konflikt të mrekullueshëm. Andaj, e gjithë kjo ekspozitë është një përjetim individual për çdo njeri, një përjetim nga i cili shumë vështirë mund të dalësh, një përjetim i cili në mendje krijon beteja e mbi beteja, ose një imagjinatë që kufijtë i ndodhen në lartësitë më të larta që rrallë kush mund të fluturojë.

Ideja universale kozmike

Idetë e këtij autori, lirshëm mund të them se janë origjinale, ka një botë krijuese të veçantë, të gjitha idetë mbështetën në simbolet universale kozmike, në metaforën e tyre dhe në vlerat e tyre shpirtërore të përhershme, por njëkohësisht edhe në përjetimin e theksuar të trupit të femrës dhe formave të tjera, të cilave autori u jep një intonacion lirik plotësisht individual.
Këtij autori i dëshiroj sukses edhe në ekspozitat e ardhshme të cilat gjithnjë do të jenë të mirëseardhura për opinionin tonë dhe më gjerë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora