Editorial
Anton Marku: Të gjitha pikat e Albinit
E hene, 21.08.2023, 07:59 PM
Të
gjitha pikat e Albinit
Nga
Anton Marku
Si po tenton Albini që me anë të pikave të shkruajë
tregimin që të tjerët nuk e bënë. Ai ka gjithmonë diçka për të thënë dhe
vazhdon me kryeneçësi përpjekjet e tij që symbyllur të vizatojë vija të drejta.
Për fat të keq të tij, në të shumtën e rasteve, ato po i dalin të lakuara. Por,
ky është vetëm fillimi i kësaj historie. Ajo nuk mbaron këtu. Presidentja
Osmani ka marrë rolin e portierit të dytë: ajo është gjithmonë aty, por nuk
luan pothuajse asnjëherë.
Pika e parë
Vendimet e
Kryeministrit Kurti për sa i përket menaxhimit të krizës në veri kanë qenë jo
mirë të analizuara, të pamatura dhe të pakoordinuara me aleatët. Këtu bëjnë
pjesë veçanërisht ato për organizimin e
zgjedhjeve komunale në katër komunat në veri duke ditur se serbët do t‘i
bojkotojnë ato, instalimi, me përcjellje policore, të katër kryetarëve
shqiptarë në objektet e komunave të banuara me shumicë serbe, ndalimi i
importeve për mallrat nga Serbia, etj.
Aplikimi i dhunës
dhe manifestimi i forcës përmes policisë nuk do të sjellë stabilitet të
qëndrueshëm dhe afatgjatë në veri të vendit. Kosova dhe Serbia duhet t’i
rikthehen dialogut dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje politike për problemet
aktuale.
Në anën tjetër
është mjaft e qartë se as Kurti e as Vuçiçi nuk janë të interesuar që të
zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, por që të fitojnë në kohë dhe të zvarrisin
proceset. Është gabim të besohet se Kosova më së miri mbrohet duke e sulmuar
verbalisht fqinjin verior, ashtu siç bëjnë pothuajse përditë në deklaratat e
tyre Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës.
Pika e dytë
Militantët e
Vetvendosjes nga ‘‘radio-mulliri’’, sidomos ai grup që mendon vetëm me njërën
anë të trurit, sot janë vetëm konsumues të informatave, jo dhe prodhues të
tyre. Kjo ka sjellë automatizimin e punës së tyre mendore dhe ka ngulfatur aftësitë
kreative.
Nuk ndodhë rrallë,
sidomos në muajt dhe javët e fundit, që qeveritarët aktualë të tentojnë t’i
kompensojnë deficitet e tyre në dashuri për shtetin e Kosovës duke baltosur
bashkësinë ndërkombëtare, opozitën dhe mediat. Andaj nuk ka vend për shumë
entuziastë për të nesërmen, duke marrë në konsideratë faktin se ata ende, edhe
sot, vazhdojnë të bashkëjetojnë me të djeshmen.
Pika e tretë
Kryeministrit
Kurti nuk mund të ia mohojë askush talentin për të bërë armiq në çdo anë: nga
Uashingtoni në Bruksel, nga Tirana në Shkup. Ai nuk është as i ‘‘parakohshëm’’
as ‘‘i paskohshëm’’: ai është thjeshtë jashtë kohe.
Sa polarizues po
aq dhe dhe kontravers, ai është duke u shndërruar në një ‘‘vagabond’’ politik i
cili nuk i bie ziles as nuk troket me mirësjellje por e shtyen apo then derën.
Kundër egos se vet njeriu nuk mund të vaksinohet. Korona ka kaluar. Me këtë
edhe koha kur të jesh negativ ishte pozitiv.
Pika e pestë
Është fakt i
pamohueshëm se Kryeministri Kurti erdhi deri këtu nga poshtë, jo nga lartë.
Hobi i tij është fjala. Koha po e dëshmon se fjalët e tij janë më të mençura se
sa ai.
I përhumnbur në
flluskat e patriotizmit, sanksionet duket se e kanë shkundur pak, por jo dhe
këndellur. Ai duhet përfundimisht ta kuptoj se vendimet jopopullore nuk janë
gjithmonë edhe anti-popullore. Në këtë aspekt tash po ndodhë diçka, por për të
ardhur deri tek pika zero, e kjo është heqja e masave ndaj Kosovës, e të cilat
kanë mundur të mos vendoseshin fare sikur në Prishtinë të kishte pasur pak më shumë
ndjeshmëri politike, duhet të ndodhë edhe shumëçka.
Deri atëherë jeta
e qytetarëve të zakonshëm do të vazhdojë të fërkohet çdo ditë me të panjohurat
që sjell e nesërmja.
Pika e gjashtë
Shteti është
këmishë që po i bie ngushtë Kosovës. Menaxhimi i saj po tregohet jo i lehtë.
Diskrecioni dhe besimi janë alfa dhe omega e diplomacisë. Aktualisht, në
politikën e jashtme të Kosovës vlerësimi dhe falënderimi janë mall i mangët.
Pikat pas presjes
Pikat që
Kryeministri Kurti po i shkruan dhe bën publike kohë pas kohe, dhe atë sa herë
që nuk ka përgjigje për kërkesat shumë konkrete të bashkësisë ndërkombëtare,
nga vendimmarrësit në nivel global, po konsiderohen ‘‘anekdota’’ 24 karatëshe.
Aforizma me pak kalori.
Ai kësaj radhe ka
lozur ‘‘all-in’’. Në këtë ka shkuar aq larg saqë ka humbur veten nga sytë.
Vjenë, 20 gusht 2023