Kulturë
Albert Zholi: Llazar Angjeli, njeriu vetëm me një moshë, atë të punës
E premte, 07.07.2023, 06:45 PM
LLAZAR
ANGJELI, NJERIU VETËM ME NJË MOSHË, ATË
TË PUNËS
-Monografi-
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Libri
monografik i autorit Llazar Angjeli, në krye të vet ka një thënie të vjetër dhe
të urtë popullore: “Fatkeqësia më e madhe për një njeri është që të mos ketë
vuajtur kurrë!” Kjo shprehje, urtësia e saj, të kujton shprehje e citate të
vjetra që i gjen të gdhendura nëpër mure e porta të vjetra kështjellash, apo
objektesh kulti, e që shërbejnë si mësime jete, si mesazhe që vijnë nga larg e
shkojnë larg... Dhe jo më kot e ka zgjedhur autori këtë shprehje, sepse ajo
shërben në fakt si “çelës” që hap dyert e gjithë jetës dhe rrëfimit që shpalos
autori; është historia e vet djalit nga Jerma, dhe mësimet e mesazhet që ajo ia
ka gdhendur dhe jo thjesht ia ka përçuar...
Në
këtë mënyrë, e gjithë jeta e autorit, skenat e gjalla nga familja, fisi,
shoqëria, nga shkolla dhe puna, i ngjajnë rrjdhjes së një një burimi të vogël
me ujë të pastër, me gurgullimë të ëmbël, që duke vazhduar rrjedhën bashkohet
natyrshëm me rrjedha e gurgullima të tjera, derisa bëhet më pas shtrat i një
lumi të gjerë, plot kthesa, prangje e oshëtima, e herë-herë i gjerë e i qetë...
Në libra të tillë monografikë, sigurisht që pasqyrohet jeta e individit dhe e
familjes, shoqërisë, etj. Por autori nuk mbetet thjesht në rrëfime të thata
autobiografike, pra nuk ka shkruar thjesht një libër për konsum familjar. Ai,
me intuitë dhe ambicie e ka kapërcyer këtë, duke na dhënë një letërsi me pretendime,
të kompletuar dhe për të gjithë: me mesazhet, idetë, me moralin dhe filozofinë,
me shprehjet e goditura dhe figurat letrare, përshkrimet e ndjera të mjediseve,
apo dhe të shpirtit njerëzor. Pra, kësisoj, libri është një kontribut që
meriton përgëzime, ku shumëkush sheh veten, sheh dhe gjen pjesë të jetës
personale, të karaktereve njerëzore që e kanë shoqëruar në jetë. Kjo është pa
dyshim, merita e autorit, e djalit të bujkut nga Jerma, e inxhinierit të
talentuar të uzinave të armëve, e bashkëshortit dhe babait shembullor, e
biznesmenit që, mbas rënies së komunizmit, diti të jetojë e të mbijetojë nëpër
dallgët e lumit të jetës! Në libër shpalosen bukur dhe me realizëm vitet dhe
tensionet e mëdha, kur Shqipëria jetonte e punonte në sistemin socialist, i cili,
shquhej e dallohej për ideologjinë e fortë komuniste që e përshkonte, si dhe
për mostolerancën ndaj zbatimin e direktivave dhe detyrave që vinin nga Partia
dhe shteti! Pra, ky ishte mjedisi politik, partiak, shtetëror e shoqëror ku
jetoi e kontribuoi edhe Llazar Angjeli, por edhe ku u përplas e u rrezikua jo
pak nëpër vite ai dhe familja.
Por,
duhet vënë re diçka: ai shmanget nga qëndrimet e interpretimet e politizuara,
nga demonstrimi i frymës pasionante apo denigruese. Mundohet të tregohet sa më
objektiv e i vërtetë. Ai arrin bindshëm në përshkrimet e rrëfimet e gjata, të
gjejë “të mesmen e artë”. Kësisoj, i jep mundësi çdo lexuesi t’i gjykojë vetë e
sa më drejt “të mirat” dhe “të këqijat” e kohës, e sistemit, por dhe të natyrës
njerëzore... Kjo duket qartësisht, sidomos në momente mjaft të mprehta, siç
është për shembull rasti i ballafaqimit të tij në Sekretariatin e KQ të
Partisë, direkt me Enver Hoxhën, kur i raportonte këtij për ecurinë e punëve të
uzinës së armëve në Gramsh; apo edhe momente të tjera tensionimi e acarimi plot
rreziqe me eprorë të lartë, të cilët shpesh shikonin vetëm detyrën, realizimin
e saj me çdo kusht, gjallë, ose vdekur, përndryshe...të priste ndëshkimi! Këto momente që nuk ishin të pakta, por
përbënin karakteristikë të kohës, autori i trajton e i shkoqit me kujdes, duke
dhënë krahas tyre edhe kënaqësinë e punës, e sukseseve, e shkollimit, e
shoqërisë së pastër, krenarinë për brezat që punuan e kontribuan për të mirën e
vendit, edhe pse në kushte shpesh të rënda e mes privacionesh jo të pakta
ekonomike. Në fund të fundit, jeta i pleks të gjitha: të mirat dhe të këqijat;
e rëndësishme është të dish të orientohesh e të mbijetosh, t’i shmangesh së
keqes, të përfitosh nga e mira.
Duhet
theksuar një moment: autori ka punuar kryesisht në industrinë ushtarake që
merrej me prodhimin e armëve e municioneve, pra në frontin më të vështirë e më
me përgjegjësi në Shqipërinë e asaj kohe, por edhe më të rëndësishmin, se
kishte të bënte me mbrojtjen e Atdheut. Dhe dihet direktiva e madhe e Partisë
në atë kohë: “Mbrojtja e Atdheut – detyrë mbi detyrat!”, dhe ishe me “kokë në
torbë”... Kontributi i autorit si inxhinier i talentuar dhe drejtues po i tillë
në uzina ushtarake, nuk e ka ligshtuar atë që të ndiejë ndonjë “brerje” në
ndërgjegje, siç mund të mendojë sot ndokush mendjelehtësisht... Përkundrazi,
Llazi Angjeli, e shpreh qartë dhe hapur se është krenar që ka punuar në atë
sektor aq jetik e nevralgjik të kohës, mes punëtorëve duarartë e kolegëve
mendjeartë, që me punën e dijet e tyre e çuan industrinë shqiptare të kohës në
maja të larta, që arritën të prodhonin armë gjithfarëlloj, të riparonin tanke,
të riparonin avionë, nëndetëse... Autori sjell mjaft bukur rastin e
konstruktorit të shquar rus Kallashnikov, autor i ndërtimit të automatikut të
famshëm, me të njëjtin emër, edhe sot e kësaj dite. E pyetën pra konstruktorin
se “a je penduar për shpikjen e automatikut tënd, që ka marrë kaq e kaq jetë
njerëzish?” Dhe ai iu përgjigj: “Unë atë e armë e konstruktova për të mbrojtur
popullin tim...” Teksti dhe nënteksti është shumë i qartë dhe i goditur!
Në
libër trajtohet bukur, me një ndjenjë të spikatur respekti dashuria e autorit
për familjen, për nënën e dhembshur, për babain zotni burrë, për lidhjet e
forta me ta dhe gjithë motrat e vëllezërit e shumtë. Aq ngrohtësisht e
hollësisht flitet për ta, saqë edhe lexuesi familjarizohet me këtë familje. Në
këtë rast, autori na jep edhe një model të shëndoshë të familjes fshatare
shqiptare, të funksionimit e të rolit të saj në jetë. Në të gjejmë bujkun me
duar të mëdha që i vijnë erë plis, grurë e orizore, por edhe intelektualin,
mësuesin, doktorin, avokatin, inxhinierin, rektorin... Pikërisht me këtë lloj
familje të emancipuar, lidhet edhe ajo shprehja e pëlqyer e autorit, se “Lisi
mbetet lis, rigoni nuk bëhet kurrë lis...”
Ka
edhe dy kolona në libër që përbëjnë konstruksionin e gjithë lëndës monografike:
Mirënjohja dhe mosmirënjohja. Duke parë e njohur jetën, punën dhe luftën e
autorit, e kupton se ai nuk mund t’i anashkalonte këto dy dukuri: vlerën dhe
antivlerën njerëzore! Jeta në të dy sistemet, e ka mbushur autorin me ndjenjën
e respektit dhe të mirënjohjes së përjetshme për shumë e shumë shokë shkolle,
universiteti, kolegë pune, kuadro të ushtrisë e të shtetit, për mësues të
shkollës fillore e asaj shtatëvjeçare, me të cilët ka ndarë thuajse çdo gjë të
mirë e të keqe në jetë. Ai edhe sot, në moshë të thyer, i kujton emër për emër,
e u thotë “Faleminderit”! Ky është morali, kjo është vlera e njeriut! E
përballë saj, fatkeqësisht janë edhe mosmirënjohja, pabesia, që të ngjallin
dëshpërim e zhgënjim të thellë. Apeli i autorit është: Njeri, mos e humb
mirënjohjen ndaj atyre që të ndihmojnë, që të japin dorën e zemrën kur je i
rrëzuar, kur u thua “më ndihmo!”, dhe më pas i harron, i shkel me këmbë e i
shpërfill! Shoqëria dhe vendi kanë nevojë për bashkëpunim e solidaritet
vëllazëror, jo për veçim, konkurrencë e ndarje shtresore...
Autori
na dëshmon edhe karakterin dhe vullnetin e tij të paepur, që nuk u “dorëzua”
mbas rënies së komunizmit dhe nuk e humbi toruan edhe në ekonominë kaotike e të
egër të ekonomisë së tregut. Duket si e pabesueshme, por ai demonstroi forca e
vizione të tilla, që e bënë një biznesmen të suksesshëm, i cili mbijeton
bindshëm edhe sot e kësaj dite. Ai edhe pse sot është mbi 80 vjeç, nuk e njeh
dhe nuk di se ç’është mosha e pensionit, e pushimit. Se ai ka vetëm një moshë:
atë të punës!