Kulturë
Ndue Dedaj: Akili
E merkure, 28.06.2023, 07:53 PM
A
K I L I
NGA
NDUE DEDAJ
Akilin,
tashmë 72-vjeçar, e takuam në Rrëshen, këtë fund qershori, në promivimin e një
libri monografik kushtuar ungjit të tij, akadimist Mark Doçit, diplomuar në
Itali, oficer karriere i ushtrisë kombëtare që nga fillimi i viteve ’30 të
shekullit të kaluar. Kishte ardhur t’i bashkohej nderimit që po i bëhej njeriut
të votrës së tij familjare, pa i shkuar ndërmend se dhe ai vetë është nga ata
njerëz të salvuar gjatë diktaturës, që meriton nderim nga bashkëkohësit.
Akili
i “Iliadës” ishte heroi ake i Luftës së Trojës, një mit i tokës, i gjithi i
mbuluar me lavdi, kurse Akili ynë nuk
kishte asgjë prej heroi mitik apo miti heroik, por goditja politike ndaj
familjes së tij atdhetare e ktheu dhe atë në një personazh të absurdit.
Mbas
mbarimit të teknikumit të minierave, Akili punon si teknik topograf në minierën
e vogël të bakrit Kaçinar, ku dhe e kemi njohur aty nga mesi i viteve ’70, një
djalosh me humor, që e donin punëtorët. Mirëpo në tetor të vitit 1977, bash kur
kishte moshën për t’u bërë dhëndër, Akili u arrestua dhe dënua nga Gjykata e
Mirditës, me 7 vjet burg, “për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe
pushtetit popullor”. Në atë kohë qe dënuar politikisht me bujë të madhe dhe
inxhinieri i kësaj miniere Devi Radhima nga Vlora. Minierë e vogël, por “gjueti”
politike e madhe brenda galerive të saj, pasi qe dënuar dhe minatori Bibë Gera,
me vjehrrin në Amerikë.
Sa
i përket familjes së mirënjohur Doçi, arrestimi i radhës nuk ishte ndonjë gjë e
“re”. Regjimi e kishte projektuar me kohë të gjithën për në burg. Si rrallë në
ndonjë familje tjetër shqiptare, do të hynin në burg politik njëri pas tjetrit,
katër - nga pesë djemtë e nacionalistit Pjetër Ndue Mardoçi, nga fshati Shebe i
Kthellës, vëllezërit: Marku, Gjini, Ndoi dhe Pali (ky i fundit historian i njohur
në Tiranë) dhe tre pasardhës të tyre, njëri ndër të cilët Akili. Jashtë burgut
kishin mbetur vetëm gratë e familjes, ku më e moshura e “nuseve” të shtëpisë
ishte e bija e Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjoni, që në muajt e fundit të
Luftës pati mërguar politikisht në Itali.
Saga
politike tronditëse e kësaj familje në zë është ende e pavlerësuar
institucionalisht, kjo skicë modeste është veçse një kushtim për Akilin, që
rininë ia mori nëntoka dhe të përspektivën burgu. U lirua me 1982, me amnisti
dhe dërgohet minator në Kulme - Derven.
“Askush
nuk më fliste, si të mos më njihnin, si të mos ekzistoja për ta, sa një ditë i
them ungjit Mark: bacë, më ka shkue mendja me dalë matanë kufirit, pasi këtu
s’kam asnjë shpresë... Ai, pasi më dëgjoi me vëmendje, ashtu i matur siç ishte,
më tha: ti e din vetë, por, e para, nuk i asht besa se mund të dalësh gjallë
përtej kufirit, mandej familja do të përfundojë dhe ma zi se sot, kështu që
hoqa dorë nga arratisja...”
-
Po nëntokë, kur ishe në turn, në galeri, a të flisnin? - e pyes Akilin.
-
Të gjithë, pa përjashtim, edhe përgjegjësit, brigadierët, jo vetëm më flisnin,
por më qëndronin afër, më ndihmonin, si të mos isha ai atje sipër tokës!…
Lexuesi
gjykon vetë dhe nga ky detaj i rrallë, se tjetër ishte regjimi dhe tjetër
njeriu, qoftë ai dhe i veshur me pak pushtet. Partia vërtetë kishte sy, por ja
që nganjëherë ata nuk e “shihnin” nëntokë atë armikun e mbitokës…
Them
se ai Akili i mitologjisë homerike do t’ia kishte lakmi qendresën morale këtij
Akilit këndej…