Editorial
Fran Gjoka: Deri kur kështu? Ku je Anton Çeta, shumë po na mungon?!
E hene, 29.05.2023, 07:58 PM
Deri kur kështu? Ku je Anton Çeta, shumë po na mungon?!
“
O njerëz !
Zgjidhni
rrugën e jetës ,zgjidhni rrugën e dashurisë njerëzore,të shpresës.
Zgjidhni
rrugën e besimit tek e nesërmja , zgjidhni rrugën e së mirës.
Ju
përket juve e vetëm juve ta zgjidhni “
Leo Bascagli
Shkruar
nga FRAN GJOKA
Gjakmarrja
në Shqipëri vijon si qëmoti
Gjakmarrja është një fenomen
mjaft i përhapur po aq sa edhe i përfolur, sidomos në zonën e veriut. Shumë
studime janë realizuar lidhur me këtë fenomen negativ, shumë analiza janë bërë
dhe shumë statistika janë hartuar megjithatë ende nuk janë ofruar alternativa
për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj plagë shumëvjeçare të shoqërisë
sonë. Gjakmarrja është një fenomen tipik i shoqërive njerëzore ku ligji nuk ka
forcë ose shteti nuk e quan përgjegjësi të vetën shuarjen e konflikteve të
tilla. Në jetëgjatësinë e këtij fenomeni nuk ka ndikuar vetëm pasiviteti i
organizmave shtetërore, por edhe mungesa e ndërgjegjësimit të shoqërisë
shqiptare e, mbi të gjitha, asaj të zonave veriore, ku rëndom zbatohet Kanuni,
por që këto ligje të vjetra kanunore janë vetëm mbetje të pavlefshme të një
mentaliteti shekullor. Kanuni është ai që i ka dhënë jetë dhe e ka ushqyer
gjakmarrjen ndër vite. Ky është një sllogan mbi të cilin njerëzit nuk duan të
thellohen shumë dhe shumica në thelb nuk e njohin dhe nuk e zbatojnë atë, por
flasin dhe veprojnë sipas ligjeve kanunore. Në pamje të parë, Kanuni aq i
përfolshëm, aq i egër dhe aktualisht aq i zhvlerësuar në hijeshinë e tij shekullore, ka nisur të funksionojë si
një meritë e një mendjemprehtësie të lashtë. Kanuni, fatkeqësisht, në vend që
të vlerësohet si trashëgimi kulturore, ai urrehet dhe zbatohet sipas interesave
personale. Në vend që të ruhet si një pasuri e kombit shqiptar, e cila ka pasur
një rol specifik dhe të rëndësishëm në funksionim e shoqërive të disa shekujve
më parë, ai përdoret akoma edhe sot në shekullin XXI. Ndërkohë me qindra të
ngujuar presin ditën e shpagimit dhe ditën e ekzekutimit, as shteti, as
shoqëria nuk kanë gjetur asnjë rrugëdalje për të kapërcyer këtë dramë që po
mban peng mijëra banorë të vendit tonë, qindra fëmijë jo vetëm nuk kanë mundësi
të ndjekin shkollat, por rrezikojnë të mbesin
me pasoja të rënda psikologjike për jetën.
Kanuni nuk
është film, por realitet i egër e dëshpërues
Gjakmarrja e sotme shqiptare
jo vetëm po shkatërron aktualisht mijëra jetë, por psikologjikisht ka
shkatërruar peizazhin e traditës, duke krijuar në mendjen e njerëzve humnera të
shumta tradicionale dhe kulturore. Si të gjithë edhe unë kam dëgjuar në
përgjithësi për këtë fenomen dhe ndjeshmëria ime nuk ka qenë aq e fortë sa
është dhe vazhdon të jetë tani. Vazhdimisht kam dëgjuar të flitet për fëmijë të
ngujuar, prindër të privuar nga të drejtat themelore të njeriut, nga e drejta
për të qenë të lirë, e megjithatë nuk kam mundur ta kuptoj realisht ndikimin
shumë të fuqishëm të këtij problemi aq të prekshëm në vendin tonë. Vetëm pasi
kam qenë pjesë aktive e shumë projekteve në favor të familjeve të ngujuara,
vetëm pasi kam qenë një njohës i drejtpërdrejtë i individëve, të cilët janë
pjesë e kësaj fatkeqësie, vetëm pasi kam parë dhimbjen e të mohuarit të të
drejtës për të jetuar, arrita të kuptoj se sa thellë qëndron problematika e
këtij fenomeni në jetën tonë.Kanuni nuk është film, por realitet i egër e
dëshpërues.
Kam parë mënyrën se si
jetojnë familje të ngujuara, kam dëgjuar rrëfimet e tyre të sinqerta, të
dëshpëruara, rrëfime nga prindërit, rrëfime nga fëmijët, të cilët me lotë në
sy, me pafajësinë e tyre dhe me shpresën që një ditë çdo gjë të jetë ndryshe,
duke besuar tek shteti dhe tek shoqëria të mund të gëzojnë të drejta të njëjta
me bashkëmoshatërt e tyre. Të dëgjosh të flitet për gjakmarrjen dhe të jesh
njohës aktiv, ndërhyrës i drejtëpërdrejtë në ketë plagë të shoqërisë janë dy
gjëra krejt të ndryshme. Fakti që kam marrë pjesë në shumë tryeza të
rrumbullakta, takime, diskutime dhe trajnime të ndryshme, në konferenca
kombëtare dhe ndërkombëtare, kam marrë pjesë në projekte të hartuara më ndihmën
e tyre, më ka bërë shumë më të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni. Shumë është
abuzuar me termin dhe përhapjen e fenomenit të gjakmarrjes, aq sa njerëzit
ndoshta janë lodhur së dëgjuari, por unë mendoj se asnjëherë nuk është e tepërt
të trajtohet dhe analizohet kjo problematike, po ashtu asnjëherë nuk është vonë
për të ndërmarrë hapa konkrete në zgjidhjen e këtij fenomeni shqetësues. Duke
iu referuar pasojave negative të këtij fenomeni, mbi të gjitha atyre
psikologjike, duhet të theksojmë rolin e rëndësishëm që ka punonjësi social në
mbështetjen morale dhe psikologjike ndaj tyre. Jam i mendimit se sa më shumë të
përflitet, të shqyrtohet dhe të diskutohet në median e shkruar dhe vizive, në
takime dhe në konferenca ky problem, aq më tepër shoqëria do të ndërgjegjësohet
dhe do të bëhet më e ndjeshme kundrejt kësaj plage të rëndë të shoqërisë dhe do
të jenë më të motivuar për të ndërmarrë hapa konkret.
Kanuni nuk është film, por realitet i egër dëshpërues
Ç`thotë
Edit Durham për kanunin shqiptar?
Gjakmarrja, në konceptin e
ngushtë, është trajtuar si një hakmarrje “gjak për gjak” midis dy familjesh,
apo dy personash, ku të afërmit e viktimës përpiqen te hakmerren për vrasjen e
tij, duke vrarë autorin apo dikë nga familja e tij. Një familje e tërë mban
përgjegjësi për veprimin e cilitdo anëtar të saj. Edhe studiuesja e njohur
Edith Durham, gjatë udhëtimit nëpër Shqipërinë e Veriut, e ka vënë re këtë
fenomen të tmerrshëm antinjerëzore, por që zbatohej nën trysninë e disa ligjeve
kanunore të hekurta, shpesh edhe krahinore. Madje ajo kishte takuar edhe dy
gjaksorë të cilët sapo kishin marrë gjakun. Ja si shkruan për njërin prej tyre:
“…Ishte një djalosh i gjatë, zeshkan, që dukej ende fëmijë. I heshtur dhe i
tronditur, dukej sikur e kishte vënë poshtë fati…”. E fati i tij tashmë dihej.
Por duhet ditur se në periudhën kur shkruan studiuesja e njohur vërtet kishte
hakmarrje, por të gjitha veprimet bazoheshin në Kanun, asgjë jashtë kodeve zakonore.
Për këtë mjafton të citojmë momente nga kujtimet e saj: “…në Kanunin e Lekë
Dukagjinit ka rregulla, të cilave u duhet bindur. Sipas tij, edhe burri, i cili
ka gjak borxh, në rrethana të caktuara, nuk mund të vritej.
Ai që ka gjak dhe ai që detyrohet
të pagujë gjak bëjnë një armëpushim, mund të betohen për paqe gjersa të
mblidhen të korrat ose në rast lufte. Ja pra, që në rrethana të caktuara
kuvendi është i detyruar. Ja një fakt tjetër nga e njëjta autore: “... Një natë
e kalova në shtëpinë e njërit që ishte në gjak. Vëllezërit, të cilët na pritën,
dolën dhe bërtitën në të katër anët: “Kemi miq!…pas kësaj u kthyen për të
festuar në siguri një mbrëmje të qetë”. Edhe pse shumë aspekte të hakmarrjes
ngjajnë me konceptin e drejtësisë, hakmarrja ka një fokus më të padrejtë dhe
ndëshkues në krahasim më të. Ndërsa drejtësia në përgjithësi nënkupton veprimet e ndërmarra dhe të
mbështetura nga një sistem i etikes, ose në emër të etikës së shumicës.
Hakmarrja në përgjithësi nënkupton veprimet të ndërmarra nga një individ ose
grup i ngushtë personash, jashtë kufijve të sjelljes gjyqësore ose etike
njerëzore. Fenomeni i të miturve “të ngujuar” dhënë ndryshe në gjuhën letrare
“të mbyllur në shtëpi”, është i gjerë dhe i ndryshëm dhe mbi të gjitha nuk mund
të analizohet i vetëm, sepse ai bën pjesë në një sistem shoqërorë të vjetër, që
akoma sot mbijeton në Shqipëri. Nuk mjafton që të hysh në realitetin e qindrave
fëmijëve të mbyllur brenda katër murëve pa ndjerë ndërgjegjën tënde të
rebelohet, siç ndodh shpesh me ne shqiptarët. Duhet të hysh brenda problemit,
ta përjetosh atë me të gjithë kompleksitetin që ai paraqet dhe të
ndërgjegjësohemi, duhet të nisemi nga kanuni për t’u orientuar në reflektimin
tonë, jo me një përçarje të tipit juridik, por duke u përpjekur të kuptojmë,
para se të gjithash, se çfarë është ajo që e bën këtë “kod” të vjetër me
shekuj, diçka aq të rëndësishme, nga e cila s’mund të heqin dorë shqiptarët.
Po gratë
dhe fëmijët ç` faj kanë?
Në se merr insiativën humane
të vizitosh një familje të ngujuar do të konstatosh se ajo jeton në kushte të
papërballueshme për jetën, duke u ballafaquar me mungesa të shumta të
karakterit ekonomik, shëndetësor, edukativ etj. Më të prekurit në këtë rast
padyshim janë gratë dhe fëmijët, si pjesa më e pambrojtur e shoqërisë sonë.
Gratë në familjet e ngujuara nga gjakmarrja janë viktimat e vërtëta të saj.
Ato, megjithëse janë “të lira”, pasi
zakoni dhe kanuni nuk lejon vrasjen e tyre për gjakmarrje, janë pjesë më e
përsekutuar dhe e dhunuar e familjes. Ato duhet të kryejnë të gjitha punët e
shtëpisë në mungesë të burrave, të cilët janë të detyruar të qëndrojnë të
mbyllur. Po ashtu edhe fëmijët sidomos ata meshkuj, janë një tjetër viktimë e dhimbshme e
gjakmarrjes. Ata duhet të jetojnë plotësisht të izoluar në shtëpitë e ngujuara,
gjë që do të thotë të mos shkojnë në shkollë, të mos luajnë me moshatarët e
tyre, të mos argëtohen. Të rriten me psikozën se ata duhet të mbrojnë familjen,
duhet ta mbrojnë nderin e saj, duhet të vrasin të tjerët për gjakmarrje dhe
duhet të vriten edhe vetë. Në këto kushte fëmijët rriten të varfër, të
pashkolluar të egër dhe hakmarrës. Një fëmijë 11-vjeçar, i quajtur Nikolin, i
intervistuar nga BBC, familja e të cilit ka qenë në grindje me një tjetër për 30
vitet e fundit, thotë se ai ka ëndërr që një ditë të shkoje në shkollë. “Unë e
imagjinoj se është një vend i bukur, me libra, karrige, dhe një derrasë të
zezë. E imagjinoj shkollën të mbushur me fëmijë të tjerë të moshës sime që
mësojnë, luajnë dhe këndojnë...”.Dhe pas këtyre meditimeve nga brenda qenies së
gjithkujt thërret protesta ? Po gratë dhe fëmijët ç ‘faje kanë? Po kjo shoqëria
jonë që traumatizohet dhe therorizohet nga lajmet e faqeve të para të gazetave dhe lajmet e
televizioneve, çfarë faji ka?
Spektri i problemeve sociale
shqetësuese për shoqërinë shqiptare sot është mjaft i gjerë, por ajo që është
bërë një plagë e rëndë, jo vetëm për veriun e Shqipërisë dhe po merr jetë
njerëzish të pafajshëm është gjakmarrja dhe ngujimi i fëmijëve nga krimi i saj.
Gjakmarrja, ky fenomen i ndaluar me dhunë nga regjimi komunist, por që arriti
të rishfaqej hapur në periudhën e tranzicionit kryesisht për rrjedhojë të
shpërthimit të depove të armatimit gjatë trazirave të vitit 1997, armatosjes së
popullatës dhe mangësive në legjislacionin shqiptar, solli për pasoja edhe
zgjidhjen e konflikteve në vetëgjygjësi. Pra, secili duhet të gjejë veten në
nenet e këtij kodi shoqëror në kushtet e mungesës së gjithë strukturave
qeveritare dhe shtetërore. Shqiptarët të përkulur vite me radhë nën thundrën e
sistemit diktatorial vërtetuan se kishin humbur nocionet “besë”, “fe” dhe
“zakon”. Ndryshe s’ka si të ndodhte që në një gazetë të fundvitit 1998 të
shkruhej me shkronja të mëdha: “...Në veri 764 familje janë në gjak dhe mbi
1120 janë të ngujuara në kulla”. Kjo është një dobësi e strukturave shtetërore,
sepse atje ku nuk vepron ligji, duhet të veprojë Kanuni e atje ku nuk vepron
Kanuni dhe as ligji, vepron anarkia. Deri kur kështu?
Shteti,
institucionet dhe shoqatat bëjnë vetëm statistika!?
Ku je
Anton Çeta, shumë pa na mungon?
Fenomene të tilla ndodhën
edhe në qarkun e Lezhës e më gjërë. Pati vrasje, hakamarrje të vjetra e të
reja, grindje, zënie e ngatërresa. Karakteri i tyre ishte i ndryshëm. Shumë
vrasje u bënë për hakmarrje, por pati edhe për çështje pronësie, çështje nderi
dhe zënie të rastit ose, siç thuhet sot, “motive të dobëta”. Kështu mjaft
individë nuk patën parasysh as rregullat më elementare të Knaunit. Shumica e
atyre që vrasin, Kanunin e konsiderojnë si kompleks rregullash, ku thuhet se
“po vrave, të vrasin”, pa marrë parasysh pasojat e tjera që vijnë më pas si
djegien e shtëpisë, dëbimin nga fshati, gjobat e ndryshme dhe në varësi të
aktit të kryer mund edhe të…falesh. Por në të vërtetë gjatë kësaj periudhe
Kanuni u përdor gabimisht si sfond nxitës për të marrë gjakun.
Ky krim i shëmtuar ka prekur
tashmë rrethin apo prefekturën e Shkodrës, zonën veriore të vendit dhe që nuk
ka masë gjykimi kur arrin të ndalet edhe tek fëmijët apo gratë, duke shkelur
rëndë parimet bazë të Kanunit. Çfarë janë këto doke dhe zakone mesjetare që po
qeverisin shoqërinë shqiptare sot, sidomos në veri, në mënyrë barbare, ku
ndihet zgjedha e tyre e rëndë antishoqërore mesjetare. Ato po pengojnë e
dëmtojnë rëndë shoqerinë tonë të eci në rrugën e demokracisë, prandaj puna për
parandalimin e krimit është një detyrë e mprehtë dhe aktuale e shoqërisë
civile, e ligjit dhe e shtetit. Familjet, kur përballen me problemin e
ngujimit, tentojnë të fshihen dhe të mos shfaqen përpara autoriteteve
shtetërore apo përfaqësuesëve të shoqatave të ndryshme humanitare. Ato
shpesh i ndërrojnë vendbanimet e tyre
dhe nuk e tregojnë vendodhjen e re, nuk i regjistrojnë fëmijët në shkolla etj.
Ky fakt e bën më të komplikuar evidentimin e tyre dhe shpesh të pamundur
nxjerrjen e të dhënave të sakta. Të dhënat dhe shifrat e nxjerra nga organet
shtetërore apo nga organizatat e interesuara për këtë problem shpesh mund të fryhen apo
zvogëlohen për qëllime të ndryshme.
Zgjidhja e konflikteve
kërkon një shqyrtim kritik të alternativave të ndryshme dhe të mundshme si dhe
një angazhim me veprime konkrete të njerëzve, shoqërisë apo dhe shtetit. Në se
përpjekjet dhe përkushtimi i atyre njerëzve që merren me pajtim dhe shuarjen e
konflikteve bazohen në njohuri dhe vlera, atëherë mund të themi se ata
përfshihen në një veprim shoqëror të dëshirueshëm dhe rezultatet mund të jenë
të prishtme. Në këtë mënyrë, e gjithë kjo shënon një rrugë të suksesshme drejt
rritjes së vlerave pozitive të personalitetit të këtyre njerëzve, e cila pastaj
do të përdoret për pajtim dhe ndërmjetësim. Sa nevojë kemi për Anton Çetën? Na
duhet shumë sot ai njeri me shpirt të madh dhe human. Ky popull ka nevojë për
shumë Anton Çeta. Ata na duhen në shtëpi, në fis, në rrugë, në fshat, në lagje,
në qytet, në krahinë...
Gjendja aktuale shoqërore në
veri dhe ne jug të Shqiperisë është sot shqetesuese dhe akoma nuk duket se po
gjendet një zgjidhje efikase, ose më mirë akoma nuk duket se po bëhen përpjekje
serioze dhe konkrete. Kantidatet per kryetar bashkie u vardallisen ne tere
Shqiperine dhe ne programin e tyre nuk u shkoi ndermend lufta ndaj gjakmarrjes.
E gjitha kjo situatë vjen si pasojë e pushtetit akoma të fuqishëm të Kanunit, i
cili në mënyrë të pakuptueshmë vazhdon të keqinterpretohet, duke i dhënë jetë
gjakmarrjes. Vleren dhe pushtetin e kanunit e kanë rritur dhe mbajtur gjallë
edhe disa faktorë të ndryshëm, sidomos roli indiferent i vetë shtetit shqiptar.
Mungesa e pushtetit të ligjit ka qenë një ndër arsyet kryesore që lejuan rikthimin e rregullave të
vjetra kanunore. Kanuni i risjellë në këto zona më tepër ndikon negativisht se
sa po rregullon marrdheniet shoqërore.
Shoqata të ndryshme janë
përpjekur që nëpërmjet veprimtarive sensibilizuese të bindin shqiptarët se
konfliktet zgjidhen nga shteti dhe se nuk është çështje vetëm e tyre, kështu që
duhet të besojnë në fuqinë e ligjit të shtetit dhe duhët të pranojnë format e
tij të zgjidhjes, të besojmë në drejtësinë e tij. Meqë shteti ka dështuar në të
shumtën e rasteve në zbatimin e kodit penal dhe shqiptarët e kanë të vështirë
të lejojnë padrejtsitë dhe hakmarrjen, e shohin si zgjidhjen me efikase
zbatimin e normave zakonore. Pavarësisht numrit të madh të pajtimeve nga
misionet e pajtimit që veprojnë në disa zona, numri i ngujimeve vjen gjithmonë
në rritje dhe akoma nuk shihet diçka konkrete. Pasojat e ngujimit nuk janë
vetëm ekonomike, por edhe psikologjike dhe populli shqiptar do të vuajë plaget
e saj ndoshta për shumë kohë. Sa fëmije mbesin analfabetë, sa jetë këputen në
mes e sa njerëz bëjnë sikur asgjë nuk ndodh? Fenomeni i të “Të ngujuarit”
përbën një nga problemet kyç të Shqipërisë, por që çuditërisht shteti ynë po
bën veshin e shurdhër dhe gjithçka mbetet në dorën e shoqatave dhe organizatave
joqeveritare humanitare. Lind pyetja: -A janë kontributet e tyre të
mjaftueshme? Njohja e gjendjes aktuale të vrasjeve të ndodhura, të familjeve të
ngujuara, problemeve psikosociale apo ekonomike të tyre e bën më të dobishëm
dhe të pazëvëndësueshëm rolin e punonjësit social. Megjithatë punonjësi social
nuk mund të punojë vetëm, prandaj duhet para së gjithash ndërhyrja e shtetit
shqiptar në zgjidhjen e kësaj çeshtje. Shoqatat dhe organizatat vazhdojnë të
bëjnë përpjekjet e tyre, por nuk mjaftojnë.
Statistikat tregojnë se
numri i familjeve të ngujuara, numri i vrasjeve të kryera në emër të
gjakmarrjes, numri i fëmijëve që nuk ndjekin shkollën po vjen gjithnjë duke u
rritur. Kjo është frikësuese, por në të njëjtën kohë dhe paralajmëruese për
masat imediate që duhet të merren në të ardhmen. Populli shqiptar duhet të
mobilizojë gjithë potencialin fizik e mendor dhe intelektual për ndalimin e
gjakderdhjes, kësaj epidemie që vjen nga thellësitë e shekujve për të sfiduar
kulturën dhe qytetërimin tonë të sotëm si shtet europian. Partitë, organizatat
e shoqatat duhet të udhëhiqen nga interesat kombëtare dhe bazamenti i këtyre
interesave, padyshim është forcimi i unitetit kombëtar. Vallë a mund të ketë
unitet dhe bashkim, kur ne shqiptarët nuk jemi tolerantë e për rrjedhojë vrasim
njëri-tjetrin? Rinia shqiptare, pjesa më vitale e kombit tonë, gjaku i së cilës
është tepër i çmuar, duhet mësuar që t’i ruajë armët për të mbrojtur trojet e
të parëve dhe jo për të mbjellë hakmarrjen. Kërkoni dashuri dhe do ta gjeni.
Arma më e fuqishme në shoqërinë tonë të sotme është dashuria. Ne shqiptarët nuk
kemi qenë e as nuk jemi barbarë. Bota i njohu paraardhësit tanë, si burra të
besës e bujarisë. Duhet të jemi trashëgimtarë të denjë të tyre. Kurse,
qeveritarët, parlamentarët, institucionet dhe njerëzit e ligjit “s`duhet të
lajnë duart si Pilati!” Sepse, duket se ata po mendojnë më shumë për rogat e
tyre, sesa për shqiptarët që po vriten rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë
apo që po marrin rrugën drejt
arratisë...!