E diele, 28.04.2024, 12:06 PM (GMT+1)

Faleminderit

Në kujtim të një intelektuali

E shtune, 27.12.2008, 05:00 PM


Mustafa Merlika Kruja
Figura e Mustafa Krujës do të përkujtohet në një konferencë shkencore, e cila mbahet sot në ambientet e hotel "Tirana International". Konferenca do të përshëndetet nga Bashkim Merlika, ndërsa do të vazhdojë referimin Nevila Nikaj, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror. Ajo do të komentojë figurën e Krujës, në lidhje me institucionin që drejton. Studiuesi Kolec Topalli do të paraqesë një studim analitik për Fjalorin e Bardhit, i dalë në dritë pas një gjysmë shekulli. Ledi Shamku- Shkreli do të referojë "Mustafa Kruja si gjuhëtar", ndërsa Aleksandër Meksi do të sjellë për të pranishmit "Kontributi i Mustafa Merlika-Krujës në historiografinë shqiptare". "Një mendim politik i Mustafa Krujës", është fjala e Enriketa Papas. Pas kësaj konferenca do të vazhdojë më tej me fjalën e Ardian Ndrecës, docentit të filozofisë bashkëkohore në Universitetin Urbiniana të Romës. Ai hedh dritë për personalitetin dhe figurën e Mustafa Krujës, si dhe në rishkrimin e historisë sonë kombëtare. Evalda Paci do të sjellë për të pranishmit "Dy fjalë për ‘Qukrrimet‘ e Mustafa Krujës në revistën ‘Shpirti shqiptar‘ 1954 - 1955". Nuk do të mungojë në konferencë edhe një kumtesë e Mërgim Korçës me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Mustafa Merlika-Krujës (1887- 1958). "Dy fjalë për gjyshin", do të mbajë nipi i Krujës, Eugjen Merlika, ndërsa Genc Kortsha do ta mbylli konferencën shkencore përkujtimore me "Mustafa Kruja në kujtesën vetjake". Mustafa Merlika-Kruja ka qenë Kryeministër i Shqipërisë gjatë pushtimit italian, duke nisur nga 4 dhjetori i vitit 1941 e deri më 19 janar të vitit 1943. Kruja është njëri prej nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë në vitin 1912. Shpallja e pavarësisë e gjen në Vlorë në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, në cilësinë e delegatit të popullit të Krujës, i gatshëm për të nënshkruar pavarësinë e atdheut krahas atdhetarëve më të shquar të kombit tonë. Me formimin e qeverisë u emërua zëvendës-prefekt në Vlorë e më vonë sekretar i kryesisë së Këshillit të Ministrave. "Vetëm në dy gjana Mustafa do të mbesë gjithë jetën i patundun: nuk do të pranojë kurrë asgja qi âsht kundra interesave të kombit e nuk do të shklasë asnjiherë parimet e tija të nalta morale", shkruan në fjalën e tij Ardian Ndreca. Dom Lazri e ka cilësuar një luftëtar. "Ai asht luftari intelektual i nacionalizmës shqiptare marke ma të fjeshtë e ma të kulluet. Ai asht nji filiz i asaj dege nacionaliste qi rrâjtë e veta i ka thellë në shtrojet e ma të pastra e ma të paprishuna të racës. Mustafa Kruja - i stolísun me nji mendje të hollë, me nji kulturë të gjanë e të shëndoshtë evropjane, me nji vullndet çeliku, me nji ndienjë të spikatun për nderë e drejtësí, me nji dashuní të veçantë për brezet e reja, me nji shtërngesë spartane vërtytesh shtëpijake - asht fytyra politike ma typike e Shqipnís së ré, fytyrë e ngjeshun me at brumë me të cilin fati i Shqipnís desh të ngjeshi fytyrën e shpirtin e Luigj Gurakuqit e të shokvet të tij dëshmorë", shkruhet më tej në fjalën e Ndrecës. Përveçse i përfshirë në ngjarjet politike të kohës, Mustafa Kruja ishte edhe një studiues i gjuhës shqipe. Poliglot e shkencëtar, ai shkriu të gjitha forcat e veta, duke punuar për fjalorin e shqipes, i cili përbëhej prej 2400 faqesh formati të madh me 30.000 fjalë të shpjeguara në shqip. Shpend Bardhi ishte pseudonimi me të cilin Mustafa Kruja do të botonte studimet e tij gjuhësore në revistat "Hylli i Dritës" të etërve françeskanë e "Leka" të Etërve Jezuitë. Ndoshta ai më shumë se gjithçka tjetër ka qenë gjuhëtar, e filologjia është lëmi në të cilin ai ka bashkuar vullnetin e tij të çeliktë me inteligjencën e mprehtë e kujtesën e jashtëzakonshme. Ai ishte i bindur se trajtat e mesme të gjuhës shqipe, pra e folmja e Elbasanit, janë ato trajta që paraqesin në mënyrën më organike zhvillimin e dy dialekteve drejt një bashkimi të ardhshëm. Kruja u përpoq me kërkime skrupuloze për të kristalizuar në rregulla gramatikore palcën origjinale të shqipes dhe duke zbuluar ligjet e gjuhës ashtu siç jetojnë në të folmen e popullit. Burri i Krujës, njeriu i matur dhe i zgjuar që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, në Konferencën e Paqes në Paris, në lëvizjen fanoliane të 1924-shit e në ngjarjet e Luftës së dytë, ndërroi jetë në Niagara Falls (USA) më 27 dhjetor të vitit 1958, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës në mërgim. "Kur flitet për Mustafa Krujën nuk bâhet fjalë me rehabilitue figurën e tij, pse ai nuk ka aspak nevojë për nji operacion të tillë të mundimshëm, flitet vetëm me bâ të njohtun se kush ishte Mustafa e çka ka kenë jeta e tij. Tash qi prej ngjarjeve të turbullta të Luftës së Dytë Botnore, e cila për ne përfundoi mjerisht, ka kalue nji gjysë shekulli, mund t‘i shohim ngjarjet e njerzit në nji dritë mâ objektive, ashtu si u zhvilluen e si ishin me të vërtetë", thekson profesor doktor Ardian Ndreca, në referatin e tij "Mustafa Kruja dhe rishkrimi i historisë sonë kombëtare".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora