E shtune, 27.04.2024, 07:05 PM (GMT+1)

Faleminderit

Nijazi Ramadani: Imazh për Arapin ose ''Rrëfimi për Azganin''

E hene, 15.12.2008, 03:13 PM


Nijazi Ramadani
Nijazi Ramadani
Imazh për Arapin ose ''Rrëfimi për Azganin''

Nga Nijazi Ramadani

Kërkoj Itakën time si një Homer i verbër, duke nisur nga Koka në Fushë djegur, dhe gjithkah me fluturon mendja atje kah më çojnë hieroglifët dhe, duke i parë analizat e ADN-së, nëpër ferr, dhe kënduar i kam këngët e djepit, epin për Topallen, atje të dala nga farat e pa shpupurishura. Rrezartë, aty përmes fushave dhe varg Majëmalit janë të ngjitura sixhim për te Karadaket, ishte konaku i fundit i fisit.

Po pikë e pesë i dal si bleta nga Hoja, dhe të përzënë prej plëngut e pragut të vet i qet në hënëz mizoria e një barbarie mesjetare.

Atje, kërkoj, nëpër ata damarë të brishtë, rrënjët e fisit tim të degdisur gjithandej Arbërisë.

-E ku janë, ku t’i gjej ata…?

-Oh, ku t`i gjej?

Gjurmët më çojnë në livadhet e Topalles së zhuritur nëpër ato tapi të grisura prej kohësh në arkivat e Stambollit.

Për të gjetur atje, ku ra asht e kafkë, xhaxhi ynë.

Në ato fushëbeteja të Jemenit në Lindjen e largët, të Jemenit të mallkuar.

Molla e Kuqe me atë copë tokë të zhuritur në gji, që kur ishte kryezot, dhe ai pastaj, i ndjekur nëpër histori, i ngushtuar toke, i rrudhur, krahësh e degësh, nëpër lumenj të gjatë, kurrë të tharë.

Sa e gjerë dhe e gjatë udha…

Po, pikë e pesë shqepur është Fisi im nëpër gjeografi të ndarë në pesë copë.

Vend mrizet që ka Halëzeza, i takojnë historisë së gjatë, një dhe-shkronjë që kur janë ato nëpër mes të Lugjeve të lumit të Zi janë mbetur në anën tjetër…

Këto toka të moçme janë mbushur dhe braktisur, sa herë që i kanë lëvizur akrepat e orës Bizantinët, Roma, Karpatet … dhe ulërima e ujqërisë së tyre. Shpeshherë ata ditën ta bëjnë atë maksimën e moçme: "Njeriu për njeriun është ujk!".

Në ato toka të ngjizur me brezin e kafshuar, kur iu është dashur për të shtyrë, jo me pëllëmbë dore, por me mile për të hyrë brenda hartës sime. Për aq sa kanë rënë gjylet e topit, e sa i ka mbrojtur pushka e gjatë, këto pasuri, shtëpi e kasolle, të ndara pikë e pesë gjithandej Arbërisë…

Te Lisi në Rup dhe te Guri i varreve që, sipas ceremonialit të gjithë mblidheshin për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, si dhe për të bërë pajtimin për t’u nisur në luftë te Livadhi i Shehut. Dhe, këto rituale dhe tubime tradicionale kanë humbur nëpër kohë, si edhe të ato të vjet për vjetme, të lindjeve, të pagëzimeve, që shtoheshin me një mashkull, lajmëronin, jo me bori të bërë nga briri i buallit, por me të shtëna të armëve, se i kishte lindur djalë, i pagëzuar, Azgan, bir i Majëmalit.

Një jetë e re, u kishte shndritur mbi ato kodra të shtrira në horizont, dhe një pushkë më shumë në ato kohë mynxyrash.

Se, Korbi i Zi, u rrinte mbi kokë, edhe në male edhe në Fushë-djegur.

Moti kohë kisha hipur mbi një shalë ati, Gjok i zi, jo harlisur kam kalëruar në të si me Arap të zi, kodër më kodër, shpat më shpat, flakërimë….

Me At të zi shaluar kam e shkelur gjurmëve të patkonjve të tij, përkujtuar nga një kronist shtegtar, shteg më shteg nëpër gjurmët e të cilëve kanë mbetur njolla gjaku dhe eshtrat e atyre; brinjë, kafka dhe medaljone të ushtarëve të mbetur në fushëbetejë.

Arapi i zi, ndonëse troku i tij ka thyer shpeshherë heshtjen tinëzare dhe ka vrarë syrin e keq, që ka bërë magji pas mortit të shartuar pranverë më pranverë.

Me Arapin e zi kanë shëtitur han më han me anxhik në shpinë.

Gjok i zi, duke nuhatur erën e tagjisë nëpër hambarët e zbrazura të drithnikut, që as për njëqind napolona nuk gjen me ble as tërshërë e elb të parvjetme.

Gjok në këmbë kotej dhe, kah shkelte këmba e tij prej Nis-Ulpianë-Skupë-Selanik, nuk lente maramë pa marrë në tokën e të cilit bukën e merrte tjetër kush.

Mbi Urë të Musketarit vërtitet vetinë ende pa u kënduar kënga e gjelave të mëngjesit të parë, pa u hetuar nga kordoni i xhandarmërisë që pat shkelur pas Zaptije së tërhequr përtej Grykës së Bosforit.

Këmba e tij me nallçe ka shkelur nëpër kalldrëme vringëllimë pranë Shatërvanit për të bërë pazarin te dyqanet dhe mulliri i Kokës.

Sonte, thonë është mbathur te nallbani dhe, ka humbur në errësirën e dendur ende pa aguar dita e maramës… s’ka kush ta marrë nesër në vrapimin e gjatë maramën, pos Arapit, thonë çarshisë së vjetër.

Gjoku për t’u ngarkuar me të rënë terri i parë te dyqani i Derë mëhallës, ngarkuar me zarzavatet e shtëpisë që e mban, për t`i quar atje ku i duhet zotëriut të tij.

Gjok i zi natën e fundit kishte nuhatur pusinë dhe, ndier erën e pritës përmes tymit të duhanit, ai ndjeu duke tymosur në shkurret e Majëmalit. Dhe, nuk i binte dot shtegut që të nxirrte përtej lumit.

Sa herë ka tërhequr kështu, kur e detyronte i zoti, t’i bie trup andej, thonë i ka marrë frenin në dhëmbë dhe, nuk ka pas njeri që mund ta ndalë, derisa e ka kaluar pusin.

Prandaj, i zoti i tij, vendosi të mos e ngiste më tepër. Ai, ndaloi për t’i dhënë ca kokrra sheqer, …dori, dori, gjok i .

Atë natë e përcillte për në shtëpi Azgani me një truproje me armë të fshehura që i shkonin përkrah tij për ta mbrojtur nga ndonjë sulm në pusi që i kishin marrë në nishan. Asaj nate malit të pa hanë nuk i besohej se si shkonin nëpër shtigje që truponte mes për mes të zaptuar nga pushtuesit përgjatë rrjedhës së lumit të Bindit.

Nuk kishte kaluar atypari asnjë njeri i gjallë, disa kalimtarë me halle kishin pritur deri vonë për të kaluar lumin me shpresë se mos po ktheheshin Azgani me Arapin e tij.

Kishin mendjen për t’iu bashkuar karvanit të prirë prej tyre. Por, kot. Asnjë udhëtar tjetër nuk kishte shkelur më pas tyre. Dhe, ende nuk ishin kthyer prej natës së kaluar, kur kishin trupuar me një karvan udhëtarësh që shkonin për pazar në çarshinë e vjetër të kazasë për të marrë kripë, vajguri dhe rrallë ndonjë zot shtëpie blinte edhe kokrra sheqeri për kafe.

Deri sapo ktheheshin udhës për në shtëpi nga divan hanet e tyre, për rreth çarshisë po i shikonin njerëzit me habi.

Mendja u thoshte atyre se ata kanë me pas një çetë të armatosur deri në dhëmbë, dhe i takonin ndonjë familje të madhe që po i siguronte me trupa andej nga po shkonin edhe kishin ardhur.

Para se të arrinin në Majëmalit kishin trokitur në një familje që ishte e ardhur nga andej dhe, e vendosur aty nga zullumi i madh i shkelësit që kishte marrë nëpër këmbë shkelur tokat e tyre përtej lumit.

Një njeriut iu duk hija që kishte trupuar…

Përshëndetje aty nuk kishte, vetëm një thirrje dhe kundërpërgjigje.

- Hej, Hej,…

- Dy veta sapo kapërcyen malit pa prek e prenë udhën kohë më parë, te dy si hije u zhdukën në një shteg mali, para se të vini ju, iu tërheq vërejtja, deri sa po kthehej nga Rraha i fshatit përkarshi, sa ishte te një i afërm i tyre për të marrë bredha dhe municion për armë, që ua kishte sjellë një natë më parë nga ana tjetër vet, Azgani me Arapin e zi, për një tog të bashkëluftëtarëve të tij.

- Ata më parë, në heshtje i janë afruar shtëpisë së një të afërmi që atë natë e kishte pasur për fat përplot me mysafirë dhe të braktisur nga ana tjetër e kufirit.

Atë çast pa hamendje kanë trokitur te porta e kësaj strehe për ta kërkuar zotin e shtëpisë, ndërsa dikush prej burrave të kësaj vatre nga trapazani, u kishte thënë:

Hala nuk ashtë kthye, i zoti i shtëpisë që kur ka shkuar te Rraha për të marrë do sende që ja keni sjell mbrëmë, prej matanë bregut.

Në konakun që kishin pirë kafe një natë më parë, edhe dy bashkudhëtarët me Arap të zi.

Shoqi, po ia përkujtonte të zotit:

- Kontrollo armët, se miku mbrëmë na i ka fshehur, prapa parmakëve të hamami, Imzot.

- Nuk i besohet asaj se moti ai, e ka përzier shtëpinë… ia kthen Azgani.

- Nuk ka ku shkon, pastaj po ndodhi ajo që po thua, veç nëse e përpin toka.

- Toka në këtë kohë dhe në këtë natë të pabesë mund t’i hanë njerëzit e vetë.

- Këtu jemi si në shtëpinë tonë, Imzot. Shtëpia e vëllait është përkrah.

- Kryezoti në heshtje pëshpëriti, deri sa e kishte tërhequr, dhe ua kishte marrë frenjat nën dhëmbë, Arapi i Zi.

- Mirëpo, ne nuk do të shkojmë për tej se më duket paksa është herët, …

Po e ndezim një zjarr përkarshi përroit që të kemi vend për një istikam.

Sa ora i ka mbledhur Kryezoti një krah shkurre që ende nuk iu kishte dalë sythi i pranverës së hershme, dhe i ka ndezur fije e fundit e shkrepje për të marrë hov flaka e zjarri.

- Një sy gjumë e kisha marrë për tre çerek sa na kanë ngelur pa u zbardhur dita, presim deri sa të këndojnë gjelat e parë,….

- Ti më bënë roje, unë po flejë pak. Kujtoi këtë, edhe pse nëna më ka bërë aman që mos të flejë, sonte se plumbi nëse të merr në prita ose në gjumë. Dhe, më lutur shumë pash Gjin që ta kam dhanë mos shko më matanë…

I kamë dhënë fjalë bese: "Nënë nuk po muaj me u bë si dikush, kush të mundet me ul dhe me iu ngrit, kur të duan", u kishte përgjigjur nënës Azgani, para se të dalë nga shtëpia. Pas pak kishte dal atë natë.

-Dhe, ia kam dhënë besën se kjo është udha e mbarmë, për ta çuar amanetin në vend dhe një fjalë bese që pata me qua në vend.

Azgani, porositi truprojën e tij ta ruante, së paku deri sa kryezoti mbështetej përbri zjarrit që përpiu gjithçka pati në të, çastin e mbrëmë.

Truproja largohet pak për të marrë ca shkurre tjera përtej, kurse pushka i kishte mbetur në mes dy zjarreve.

Prapa tij, pëlcasin armët një pas një, si në gropë të zjarrit edhe në kryezotin.

Sokëllinte dhe hingëllonte Arapi zi, mbërthyer ishte ushtimë thyer e përthyer Lugjeve të Llapushës. Dhe, është dëgjuar përtej shtatë kodrave e shtatë brigjeve, duke u vërtitur për rreth kryezotit që i kishte mbetur pushka e pa shkrepur ndër duar të përgjakura deri në bërryla.

Gjoku i është sjell kryezotit dy a tre herë, duke i marrë erë trupit që kishte marrë pesë a gjashtë pushkë në trupin e tij.

Jo, larg janë dëgjuar klithjet e fundit të kryezotit:

- Ik, xhokë se t’i duhet ta marrësh maramën, … për ta çuar i vetëm në shtëpi.

- Se prej sot je mbet vetë…

I thoshte ai, Arapit… kur ishin në vrap për ta marrë maramën, por kësaj here mezi i dolën fjalët e maramë nga goja.

Një palë hane që i kishte varur në shpinë, i ka hedhur Arapi vringëllimë nga shpina.

Dhe, pasi që ai ka marrë turr drejt lumit për të marrë lajmi-dhè, gjithandej etnisë, prej atij çasti kryezoti i kishte lënë...

Një kordon i asqerëve të karakollit nuk kishte mundur ta kapte atin, ta frenoj, ta lidh as ta mbajë. Si vetëtimë fluturoi lumit të bindit.

- O, na vranë, na vranë, pas shpine i kemi…. dha lajmin njeriu që ishte mbet roja pas tij.

- Dy pushkë i kam edhe unë në trup, por jam i gjallë, shkoni kah kryezoti,… Roja u bënte më dorë andej kah zjarri, duke thirri truproja që kishte marrë shtegun për të dal te shtëpia, jo fort larg, Majës së Sukës.

Të nesërmen Kryezoti sipas zakonit varroset në vendin e rënies me pesë - gjashta veta nga anasit përkarshi, me një batare të shtënash me armë.. zjarr, zjarr, zjarr,…

Para hundëve të zaptuesit.

Një tog i bashkëluftëtarëve të tij u nisen prapë në Halëzezë.

-Në gur të varrit te koka një epitaf:

-Vdekja sot është si me le për nesër.

Arapi, pa çelur sytë dita ka arritur në shtëpi që ta sjell kumtin e hidhur te Nënëlokja që e kishte rritur si dritat e syve. Dhe, priste në dritare me duar në gji. Kthimin e Azganit.

Hingëllima e sokëllima e Arapit me t’u kthyer nuk ka lënë këmishë në shtat, as njeri në shtrat pa e quar peshë. I është sjell shtatë a tetë herë shtëpisë për ti rënë derës ahurit me këmbën e djathtë,.. Ishte dita e fundit, dhe prej asaj dite ai nuk ka dalë nga ahuri, as në maramë… Ishte marama e fundit e tij. Dheu kishte vazhduar ta ruaj gjakun e atyre që rënë, gjithandej hartës sime.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora