Faleminderit
Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Remzi Konjuhi
E shtune, 29.11.2008, 01:39 AM
![]() |
Remzi Konjuhi |
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI
REMZI KONJUHI
Ta njohësh Remzi Konjuhin në vitin 1990, do të thoshte e kishe njohur një djalë të ndershëm, të guximshëm dhe të papërtueshëm për çfarëdo pune. Aso kohe ai shoqërohej me ish të burgosurit politikë, të cilët një dekadë më parë kishin kaluar nëpër kazamatet jugosllave. Remzi Konjuhin e takova dhe e njoha në studion e fotografit dhe atdhetarit të devotshëm Hamëz Morina në Lypjan. Ishte vjeshtë. Derisa po rrinim në një pijetore, veturat e blinduara sa shkonin e vinin rrugëve të Lypjanit. Aty mora vesh se Remzi Konjuhi ishte një djalë nga Lismiri, por që me Hamëz Morinën kishin mbetur shokë nga burgu. Ai që herët nuk ishte pajtuar me pushtetin antishqiptar dhe në mënyrën e vet, e sidomos në kohën kur vepronin shumë të rinj, inkuadrohet në punën ilegale grupore. Në vitin l989 bie në burg bashkë me Xhelal Sopin, Mahmut Tërnavën, Muharrem Selimin dhe Hasan Grajçevcin. Tetë muaj tortura, fizike e psikike rëndojnë mbi Remzi Konjuhin në burgun e Prishtinës derisa zgjasin hetimet e tmerrshme deri në gjykim. Fatmirësisht ndryshojnë rrethanat politike dhe ndryshohen disa ligje për lirinë e fjalës, kështu që Remziu lirohet i pafajshëm. Nga qëndrimi në burg i mbesin kujtime të mira me Hajrullah Hajrën, Hamëz Morinën, Bahri Oruqin dhe Kadrush Islamin. Në ndërkohë edhe kthehet në punë, ku edhe ishte më parë, teknik në Kosovën B, në Obiliq. Mirëpo punën e shijon vetëm edhe për disa muaj, pasi në vitin 1990, përjashtimi i punëtorëve shqiptarë bëhet me shpejtësi. Edhe Remziu ndër të parët përjashtohet. Në ndërkohë inkuadrohet edhe në politikë, tash në rrethana krejt të tjera, por që megjithatë, pushteti serb e vëzhgonte punën e tij. Ai bëhet pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të Forumit Rinor të kësaj partie për Fushë-Kosovë. Si veprimtar i zellshëm, ftohet në Kuvendin e parë të LDK-së në Prishtinë, që aso kohe ishte një ngjarje e madhe, jo vetëm për veprimtarët, por edhe për popullin. Por ky djalosh, nuk kishte vetëm shokë nga burgu, kishte shokë edhe jashtë burgut dhe kudo që shkonte, me dashurinë dhe sinqeritetin e tij ndaj njerëzve, bënte shokë. Me të u takuam edhe disa herë të tjera, duke e shënuar në kujtesë portretin e tij krenar. Erdhën kohë të vështira, nga viti në vit e nga dita në ditë. Dikush sërish u burgos, dikush mbeti rrugëve, dikush hyri në parti politike apo shoqata e dikush, mori botën në sy. Një pasdite vjeshte me diell, të vitit 1994, në njërin nga qytetet e mëdha të Gjermanisë, sërish e takova Remzi Konjuhin, djaloshin që e kishte ruajtur vitalitetin dhe krenarinë që nga Kosova.
Ai që në vitin 1992, i gjendur mes katër rrugëve, i paperspektivë, me hallet e familjes, pasi ishte djali më i madh, nuk gjen shteg tjetër pos t'ia mësyjë Gjermanisë. Fati e qet në Dortmund, në njërin nga qytetet më të mëdha të Gjermanisë, ku me vete kishte vetëm teshat e trupit dhe kujtimin e dhembshëm për Kosovën. Kërkimi i azilit për Remzi Konjuhin nuk ishte punë e lehtë. Pikërisht i ngjante si rekrutimit në ushtri. Pastaj vendosja në një hajm, ku pos shqiptarëve që po shtoheshin, kishte pjesëtarë të të gjithë popujve, nga Ballkani, Azia e nga Afrika. Në fillim duhej rregulluar dokumentacioni. Po qe se nuk pranohej e drejta a azilit, që zgjaste me muaj, nuk mund të gjeje punë. Remi, që si në Kosovë filloi të njihej me këtë emër edhe në Dortmund, nis hulumtimet për punë dhe për veprimtari në organizimet e shqiptarëve. Shqiptarët e Dortmundit, duke parë elanin e tij për punë, e zgjedhin nënkryetar të Klubit Kulturor Shqipar "Sharri". Kishte aty shqiptarë nga të gjitha trojet etnike dhe kalonin mirë. Bëheshin tubime të ndryshme, në rend të parë për t'u ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës, që nuk njihej nga bashkësia ndërkombëtare, e pastaj, bëhej grumbullimi i ndihmave për popullatën e rrezikuar. Në çdo rast aty ishte Remi. Pas një pritjeje, jo fort të shkurtër, Remit i rregullohet qëndrimi i përhershëm në Gjermani dhe, menjëherë inkuadrohet në punë. Gjen një punë në një firmë izolimesh të ndërtesave, ku i ndihmojnë fillimisht disa shqiptarë që i njihte. Menjëherë fillon ta sistemojë veten në Gjermani, por edhe ta ndihmojë më shumë familjen në Kosovë, atje në Lismir, kur veriu i dimrit i shpon edhe muret. Në ndërkohë, Remi bie në dashuri me Leuzën, vajzën që vinte me familje nga Gostivari, me të cilën martohet dhe fillon jetën e përbashkët, por edhe sukseset e mëdha. Ai punon kudo nëpër qytetet e Gjermanisë, madje shpeshherë edhe me orar të zgjatur. Punon shumë mirë, por edhe merr përvoja të çmueshme në këtë profesion të ri. “Por si thotë,
- puna më mësoi që edhe aty të mos isha vetëm një punëtor që zbaton këshilla. Madje, njerëzit që më udhëhiqnin, kënaqeshin me pak, kënaqeshin vetëm ta kenë një punë dhe nuk çanin kokën për më tutje. Kishte edhe nga tanët që me vite nuk e kishin bërë një hap tutje. Gjatë kohë u mendova çka të bëj. Frika nga dështimi ishte prezente. Dëshira për fitim po ashtu. Analizoja çdo rrethanë. Punën e njihja. Fuqinë për punë e kisha. Njerëzit që më udhëhiqnin jo që nuk dinin më shumë, por vetëm shfrytëzonin dijen dhe gjeturinë time në çdo rast. Një ditë vendosa: do të bëhem i pavarur. Dhe ashtu bëra. Formalitetet për regjistrimin e firmës, nuk ishin të vështira. E regjistrova të njëjtën veprimtari të firmës ku punoja më parë. Pra firmën për veprimtari termoizoluse dhe të izolimeve të përgjithshme. Kisha përvojë në izolimin e objekteve industriale, si të fabrikave, të termocentraleve e të shtëpive të mëdha të mallrave. Ishte pra ky viti 2000. Në fillim ia nisa me dy-tre vetë, normalisht duke shfrytëzuar lidhjet e punës së mëparshme për të siguruar punë dhe kualiteti i kësaj pune, bëri që të jem shumë i kërkuar. E vërteta ishte se në fillim nuk e kisha dertin e fitimeve të mëdha materiale. Duhej krijuar autoritetin e firmës. Për këtë i zgjodha punëtorët më të mirë nga firma paraprake, natyrisht, duke i paguar mirë. Por kualiteti i punës sonë, besnikëria në respektimin e afateve të punës, kolegialiteti dhe korrektësia në çdo aspekt, bënë që të shtohen kërkesat për ne. Normalisht që tash duhej zgjeruar edhe firma. Këtu duhet shtuar se njohja e punës bënte që vetë t'i zgjedh punëtorët. Në zgjedhjen e punëtorëve kisha sukses por edhe suksesi në punë shtohej. Punëtor pas punëtori e kontratë pas kontrate, tashmë firma ime ka 80 punëtorë, që nga udhëheqësit e projekteve e deri të kryerësit e shërbimeve të vogla. Kudo që janë objektet e mëdha në Këln, Dortmund, Bohum, Dyseldorf, Duisburg e gjetiu, në zonën industriale të Rurit, merr punë firma e Remit. Ai është i kërkuar sidomos nga firma “G&H” që është nga më të mëdhatë në Evropë. Që nga viti 2002, bashkëpunimi me këtë firmë, ka shënuar rezultate të mëdha. Firma e Remit është treguar nga më cilësorja kështu që gjetja e punës nuk është më çështje e vështirë. Cilësia e lartë dhe kapaciteti i fortë, bëjnë që firma e Remit të jetë krah i djathtë i firmës “G&H”.
Te Remzi Konjuhi shkojmë një ditë pranvere, tetë vite pas themelimit të firmës. Gjejmë një vikend ku sa ka nisë të vijë pranvera. E lëmë të takohemi në stacionin hekurudhor. Derisa zbres nga treni, në numrin e madh të udhëtarëve, ndjehem krejt i humbur. Sa drejtohem nga dalja e stacionit të madh, një zë më thërret nga prapa. Remi më pret me buzëqeshje. Me të njëjtën buzëqeshje si jemi njohur tash e 18 vjet më parë. Në parkun automobilistik hapet një veturë e bukur. Ky është “Jaguari” i Remit, i tipit më të ri. Që moti Remi e ka dashur vozitjen, lëvizjet e shpejta, zënien e caqeve të mira. Në “Jaguar” ndjehem shumë mirë. Rrugët e Dortmundit plot komunikacion. Ndezje semaforash. Hapje rrugësh, mbyllje kalimesh. Nuk e di nga më shpie Remi. Flasim duke u ngutur me njëri-tjetrin, pasi nuk jemi takuar moti. Pas disa minutash udhëtim, ndalemi para një shtëpie me rrethoja si në Kosovë. Kjo është shtëpia ime, thotë Remi. Derisa ngjitemi shkallëve, shkëlqimi arkitektonik i shtëpisë, na e krijon një ndjenjë të veçantë. Hymë brenda, ndërsa hapësirat me dritë, të bëjnë të ndjehesh si në natyrë. Në anën tjetër dalja në oborr. Tutje bëhet pishina në gjelbërim. Ka vend edhe për një shtëpi me oborr, por Remi i don hapësirat. “Do ta mbaj kështu këtë shtëpi, - thotë. - Me oborr të madh”. Kualiteti i ndërtimit është nga standardet më të larta. Enterieri dhe orenditë kanë krijuar një harmoni të bukur ngjyrash, ndërsa exterieri i bardhë, bën që shtëpia të më bie më së shumti në sy në lagjen e bukur. Tutje në garazh edhe një “Jaguar”. Krejt pak kilometra ka kaluar. Fare i ri është. E lëmë prapa shtëpinë dhe vazhdojmë rrugën. Sot jam mysafir i Remit. Kah më çon shkoj. Vazhdon lëvizja e “Jaguarit”. Edhe biseda jonë. Pas disa minutash ndodhemi para një kompleksi ndërtesash dhe një hapësire të gjelbëruar. “Këto tri ndërtesa janë ti miat”, - thotë Remi, duke shtuar edhe hapësirën e tokës që e përshkruan me dorën e ngritur. Ku përfundon toka e Remit, vazhdon të gërmohet një gropë e madhe. Aty qyteti bën një liqe të madh artificial. Shtëpitë e Remit, së shpejti do të jenë buzë liqenit. Pasi e vizitojmë këtë hapësirë nga jashtë, bashkëbiseduesi më fton të hymë brenda në njërën nga ndërtesat përskaj rrugës. Por jo për t'u ngjitur më lart. Në katin përdhes është restorani “Am Phönix See”, po ashtu pronë e Remit. Kjo është veprimtari përcjellëse e Remit. Edhe për ndeja me afaristët i shërben ky lokal. Është mbrëmje dhe lokali është i mbushur plot. Në restoran vijnë tingutjt e muzikës mesdhetare, por edhe menyja, është mesdhetare. Në ftohtësinë e viseve gjermane ky restoran sjell pak ngrohtësi mesdheu. Kujtim pas kujtimi, kthehemi sërish te fillimet e Remit në Dortmund. Kam dëgjuar se në një rast ky i ka provuar edhe grushtat e fortë, pasi në Kosovë ka ushtruar edhe boks edhe karate. “Lëre!, - më thotë, - atë punë. Por unë dua ta dëgjoj vetë personazhin e ngjarjes. Pas insistimeve të mia, derisa zbrazim disa gota birre, Remi nis rrëfimin:
“Kur erdhëm në fillim, të strukur nëpër hajme, pa para, pa rroba të mira, pa banesa personale e të tjera, vendësit na shikonin me mëshirë, ndërsa të tjerët paksa me përbuzje, madje edhe shumica nga tanët që kishin bërë vite të gjata mërgimi. Pa dashjen tonë na veçonin nga shoqëria. Ata bëheshin më të ditur, ndjeheshin më atdhetarë, çonin më lart zërin etj. Thënë më shkurt, neve azilantëve na linin si njerëz të rendit të dytë, atje në trapazan si thuhet me gjuhën e odave. Por ata harronin se ne ishim të shkolluar, se menjëherë mësonim gjuhën, mënyrën e sjelljes e gjeturinë në shoqëri etj. Çdo hap që zinim në integrimin tonë në shoqërinë gjermane, ata i pengonte, pasi me vite nuk kishin arritur të integrohen. Madje në raport me të tjerët, më vjen keq, por tanët njeheshin më inferiorë. Pos në klubin kulturor shqiptar, herë pas herë, mbrëmjen e kalonim edhe në një kafene që e mbante një shqiptar nga Gjakova. Por në atë kafene, pos nesh dhe gjermanëve, vinin edhe punëtorë nga viset e ish-Jugosllavisë. Flitej gjermanisht dhe serbisht, ndërsa shqip me zë të ulët. Kjo më pengonte. Pse ta rrudhim ne gojën. Aty vinte shpesh nje kapadai serb, i zhvilluar fizikisht dhe nja dy metra i gjatë. Më pengonte inferioriteti i pronarit shqiptar, por thosha me vete, bukë e ka dhe nuk bën ta përzë serbin nga kafeneja. Madje shumica e të ardhurve nga ish Jugosllavia kishin dikur halle të përbashkëta dhe kanë vazhduar shoqërinë, pavarësisht ndryshimit të rrethanave politike. Një natë ai serbi i tallte me zë të lartë të pranishmit dhe unë u nxeva, por nuk reagova. Iu thashë shqiptarëve të mi: Ku jeni ju që në klubin e shqiptarëve natë për natë "po preni shkie" dhe këtu po e duroni sundimin e qejfeve të tij!? Heshtën trimat. Një natë ai serbi erdhi i shoqëruar nga dy gjermanë. Si zakonisht fliste dhe tallte me zë të lartë. Shqiptarët e mi duronin. M`u drejtua edhe mua madje gjermanisht. Por si dihet, në fillim nuk e dija gjuhën si duhet dhe ai filloi të më tallë e të më bërtasë se duhet mësuar gjuhën, që më shumë e kishte për t'iu hy në qejf gjermanëve. Nuk bëra zë. Ai prpë vazhdonte me nënçmim. Njëri nga bashkëbiseduesit ma tërhoqi vërejtjen të ruhem se serbi është i fortë. Isha më i shkurtër me shtat dhe shumë i ri në pamje. Sigurisht serbi më kishtë hëngër në sy. Por kur e teproi, u çova t'ia tregoj vendin: si ta kam pritur boks, ka rënë për tokë thua se u rrëzua lokali. Ka dashur të ma kthejë por unë ia kam krisur goditje të njëpasnjëshme. Dyshemeja është përgjakur. Dikur na kanë ndarë njerëzit. Të nesërmen doli zëri nëpër Dortmund: Remi ua prishi vëllazërim-bashkimin punëtorëve të vjetër. Merre me mend, këtyre tanëve, ai serbi u kishte pas thënë se kam pasur përshtypjen se më ka ra me çekiq e jo me grusht! Kështu ishte kjo histori...”
Qesh Remi e qesh unë. Në ndërkohë atmosfera në restoran mbërrin kulmin. Nga altoparlanti vjen një muzikë relaksuese spanjolle. Në hapësirën e gjerë midis tavolinave shfaqet një valltare e veshur kuq e zi. “Po kjo” e pyes? “Spanjolle është”, - flet Remi. -Punon në kuzhinë dhe vallëzon bukur. Kur e don momenti, lë kuzhinën dhe vallëzon, si sonte. Veshjen kuq e zi ia kam propozuar unë pasi i dua këto dy ngjyra të flamurit kombëtar, ose si të them, jam rritur me to. Në frymën e Mesdheut, në atmosferën që sjell edhe kuzhina me përmbajtje të atjeshme, dua të duken edhe ngjyrat e këtij flamuri”.
Kapitull në vete për Remzi Konjuhin janë edhe ndihmat humanitare. Ai është mësuar me to qëkur ka shkelur në Dortmund dhe ka fituar paratë e para. Në klubin "Sharri" nuk ka ikur mbrëmjeve kur janë organizuar aksionet humanitare. Ka ndihmuar familjarët e më gjerë, ndërkaq në Shoqatën Humanitare "Nëna Tereze" me seli në Mynih është donator i rregullt. Remi shpesh shkon në Kosovë për t'u takuar me familjarët, me miqtë e shumtë, varg e vi Rrafshit të Kosovës. Atje ka nënën dhe katër vëllezërit. Tri shtëpi i ka blerë në Fushë-Kosovë, në atë qytezë ku e ka kaluar kohën e rinisë. “Kur shkoj atje, - thotë, - mezi po nisem të vij këndej. Por tash jam lidhur edhe me Dortmundin si me Kosovën”. Gjermanët e njohin qytetin e Dortmundit për prodhimin e birrës, ndërsa shqiptarët, me siguri, këtë qytet do ta njohin për sukseset e afaristit shqiptar Remzi Konjuhi.