Faleminderit
Albert Zholi: Filip Ndocaj mbeti profesori i rinisë
E enjte, 20.11.2008, 01:31 PM
Ish- nxënësit dhe studentët e kujtojnë pedagogun e tyre, të qeshur, të afrueshëm, plot humor të pashtershëm
Filip Ndocaj mbeti profesori i rinisë
Nga Albert ZHOLI
I paralizuar prej gjashtë vitesh, ai burrë i dalluar për energjinë e tij, jetonte në krevat mes vuajtjeve fizike dhe dhembjeve shpirtërore. Vetëm kur i vinte ndonjë shok, i ndryshonte çehrja. Një ditë, nga fundi i shtatorit 1983, i tha mikut të tij të vjetër, shkrimtarit Agim Cerga: “Më vjen keq o Gim, si nuk u shërova, të paktën vetëm për ca ditë, sa të shkoja edhe një herë në Pukë … të shihja atë vend e ata njerëz! … Më ka marrë malli!…”
Pas dy javësh, profesori, shkrimtari e poeti, gazetari, përkthyesi e kritiku letrar, do të mbyllte sytë në moshën 68-vjeçare, i pikëlluar se kish lënë pa realizuar, shumë punë e dëshira. Po, cili ishte Filip Ndocaj?
Fëmijëria
Ai lindi ne Gjakovë, më 2 tetor 1914, nga prindër shkodranë. I ati, Engjëlli, ishte mësues. Në vitin 1919, familja Ndocaj, transferohet në Shkup, qytet, ku Filipi kreu shkollën fillore deri në 1924, pikërisht aty, ku zotni Lushi, siç e thërrisnin të atin, i mësoi ABC-në Gonxhe Bojaxhiut, vajzës që me pas, do të trondiste botën me jetën dhe veprën e saj.
Arsimi
Më 1925, familja e mësuesit të gjuhës, koleg i njerës prej figurave më të ndritura të arsimit tonë, Mati Logorecit, është kthyer në Shkodër. Këtu Filipi mbaron gjimnazin. Dëshira e djaloshit është të shkojë në një universitet, por nuk i akordohet bursë studimi. Atë vit, nis profesionin e të jatit, si mësues filloreje në Krumë të Hasit. Më 1935, Filipit, i takon të hapë të parën shkollë, në fshatin Dardhë të Pukës. Për dy vjet, ka si kryemësues (drejtor), Gjergj Millosh Nikollën. Miku Migjen, la mbresa tek mësuesi i ri por dhe e orientoi në hapat e para drejt poezisë. Vite më vonë, kur fliste për poetin e shquar, ndërsa rrëmonte nëpër kujtime, vështrimi i përqendrohej diku dhe buzëqeshja e përhershme karakteristike, i tretej. E kish dashur shumë Migjenin, po kështu edhe poetin tjetër, Gaspër Pali, shokun e rinisë, që pati të njëjtin fat, ashtu si poeti i mjerimit. Universiteti, ëndrra e tij e përhershme, u bë realitet, vetëm në sajë të kursimeve të Bacës Lush dhe duarve të arta të nënës Domenikë qe ngrysej e gdhihej me gjergjef në dore duke qëndisur. Dy vjet me korrespondencë në Universitetin e Firences, sa qe në Pukë (ku mësimi bëhej në stinën e verës); më pas si student i rregullt. Shqiptarët Filip Ndocaj dhe Gaspër Pali, qenë shembulli i një rinie te etur për kulturë, (kush e njeh Firencen, e di se ç’përfaqëson ajo në historinë e kulturës dhe te artit europian), të miqësisë së pastër, por edhe të dëshirës për t’u kthyer sa më parë në atdhe. Shqipëria kishte nevojë për djem të tillë. Mbi ëndrrat e moshës dhe joshjet e realitetit që provuan në një shtet që trumbetonte lumturinë përmes kulmeve të fashizmit, ata nuk u thyen. Në festat e studenteve, Filipi parakalon duke mbajtur me krenari flamurin shqiptar dhe i tillë, kthehet në Shkodër më 1939, pasi përfundon studimet e larta, në fakultetin e letërsisë dhe të filozofisë.
Një jetë e re
Një jetë e re, e vënë tërësisht në shërbim të një brezi prej të cilit pritej shumë. Një pjesë e maturës së vitit 1940, rrëmbeu armët kundër robërisë fashiste. Më 1940-1941, profesori i ri jep lëndën e letërsisë në gjimnazin e Prishtinës. Çlirimi i Shqipërisë e gjen po në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër. Në dhjetor 1945, profesori dhe regjisori Filip Ndocaj krijon trupën e parë teatrale të qytetit me nxënësit e tij, duke zbuluar elementet më të talentuar, të cilët i hapën udhë krijimit të teatrit “Migjeni”. Ajo ishte bërthama e aktorëve që do të shkëlqenin më pas në skenë dhe ekran.
Berat 1947. Profesorit i duhet të vuajë një dënim për mendimet e tij që s’përputheshin me politikën e kohës. Dërgohet në pedagogjiken e Beratit. Pas tre vjetësh, fillon punë në shkollat e mesme të Tiranës. Kështu, deri sa doli në pension në 1971, kundra dëshirës së tij. Ish nxënësit dhe studentët e kujtojnë pedagogun e tyre, që u qëndronte gjithmonë pranë, i qeshur, i afrueshëm, plot humor të pashtershëm. Sot, ata janë pensionistë apo në prag të pensionit por ende mburren me mikun e rinisë së tyre, që i udhëhoqi në jetë, me ato që u dha brenda e jashtë mësimit. Dhe të gjithë provuan se profesor Filipi, nuk kishte gabuar në ato që u kish servirur, nganjëherë me guxim të tepruar. 50-vjetorin e lindjes ai nuk e bëri në shtëpi me familjen, po me nxënësit e shkollës 11-vjeçare “Çajupi” të Tiranës, një pjesë e të cilëve, sot janë ndër emrat më të shquar të kulturës, dhe arteve tona. Dhe
ia dinë për nder edhe profesorit të letërsisë.
Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve
Profesori, por dhe poeti e shkrimtari. Në vitin 1961, është ndër anëtarët e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këtë vit boton vëllimin poetik “Në sytë e rinisë” e në vazhdim monografinë e Hil Mosit “Zani i Atdheut” si dhe përmbledhjen e poezive të mikut të tij, Gaspër Pali, me titull “Hyjt mbi Greminë”. Ai përgatit për nxënësit tanë “Zemrën” e De Amiçi-it, “Makbethin” e Shekspirit, disa tekste letërsie për nxënësit e shkollave të mesme, përkthen romanin “Familja e Malavolajve” të Xh.Verges duke u bërë shumë aktiv si në arsim ashtu edhe në letërsi. Shkrimtari Filip Ndocaj bëhet i njohur me vëllimin e novelave “Dashuri dhe urrejtje”. Në vazhdim, romanet “Vlaga e Dheut” dhe “Diell nën Kreshta” që i kushtohen jetës dhe traditave të banorëve të Pukës. Profesori Ndocaj, gjatë kësaj periudhe, përgatiti edhe të parën metodë të mësimit të italishtes, që u përdor në masë në vitet ‘70-të. Ai është nga të paktët, që përkrahu talentet e reja në poezi si: M. Elezi e M. Zeqo, N. Lako e L. Pajo, N. Papleka e A. Shehu, V. Musta e S. Mato, Ll. Ruci, K. Petriti etj. Çdo libër të letrarëve të rinj, ai e lexonte me laps në dorë e pastaj fliste me pasion rreth tyre, kur e meritonin. Shokët e tij të vjetër i mbajnë ende mend diskutimet e Filipit, në të gjitha veprimtaritë që organizoheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve, jo vetëm për letërsinë, por edhe për muzikën, teatrin, filmin etj.. Kurajoja dhe guximi ne trajtimin e problemeve të kohës, ndonjëherë e vuri në pikëpyetje të ardhmen e tij.
Kapitull më vete
Një kapitull më vete është edhe Puka. Atje ai filloi të hedhë në vargje, mendimet e para për jetën, atje u bë mik me poetin Migjen, atje njohu malësinë dhe njerëzit e saj të mrekullueshëm. Edhe lejet krijuese atje i kalonte, edhe romanet kësaj zone ia kushtoi, edhe një pjesë e dorëshkrimeve që ka lënë, pikërisht për Pukën janë. Ç’është pra gjithë kjo dashuri për këtë vend të ashpër? Kjo shpjegohet vetëm me botën e madhe të artistit, ku futeshin edhe ata njerëz të thjeshtë malësorë: kooperativistë, minatorë, sharrëtarë, shoferë, mësues, nxënës, po edhe ata që kishin ardhur nga larg për të punuar këtu. Personazhet e romaneve të tij janë përshkruar në tërë kompleksitetin shpirtëror, me të mirat e anët e dobëta, të vendosur ne realitetin që i rrethon, karaktere të realizuar me vërtetësi jetësore, ndonëse autori i njihte mirë kufizimet që ia impononte ideologjia sunduese e asaj kohe.
Novela “Duke kërkuar lumturinë”
Në vitin 1975, pak kohë para se të zinte krevatin, ai botoi novelën “Duke kërkuar lumturinë”, e cila u prit shumë mirë. Në qendër të saj është përsëri malësori pukjan, por këtë herë një intelektual i ri, që ka nisur jetën në kryeqytet si mjek. Autori kishte gati për botim edhe vepra të tjera, midis të cilave një monografi të Bajram Currit. Kish punuar shumë për të, sepse ndjente një detyrim e përgjegjësi të veçantë. Plaku i maleve, kish qenë miku i ngushtë i të atit dhe, kur kish lindur Filipi, Baca Bajram kish pasur nderin të bëhej kumbara i djalit të parë të zotni Lushit. Por Filipi… nuk arriti ta përfundonte. Shumë dorëshkrime kanë mbetur në këndin e tij të punës. Një bibliotekë e pasur në shqip dhe në italisht, me disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, mijëra fletë të daktilografuara me atë makinën-relike që përbëjnë mbi 30 vepra në të gjithë gjinitë, studime folklorike, gjuhësore, përkthime, dhe disa ditare, dëshmi të tridhjetetetë viteve të tija si arsimtar dhe pedagog në universitet dhe në Institutin e Lartë të Arteve. Sot, i takon kudo ish-nxënësit dhe studentët e tij, që e kujtojnë me mall e nostalgji bashkë. Ata janë shumë, por të gjithë arritën të çajnë në jetë e të bëhen dikushi: që nga punonjësi i thjeshtë e deri në president të Republikës. Të gjithë ruajnë ende, të njëjtën mirënjohje për profesorin e mikun e rinisë së tyre. Djali i tij i madh, sot një prej figurave të njohura të gazetarisë televizive, po ta pyesësh për të atin, të përgjigjet: “Ai ishte shumë serioz me ne, dy djemtë. Kurrë, nuk na u afrua, kur bënim mësimet. Mësoni vetë siç kam bërë edhe unë, na thoshte. Ashtu bëmë, por ama fituam më shumë se një ndihmë e tija e çastit! Mësuam të çajmë në jetë vetë … Edhe diçka, kur e kuptoi se sëmundja e tij nuk kishte kthim, më tha një ditë: “Bir, kurrë mos e harro mirënjohjen! Ajo është një borxh moral, që njeriun e shoqëron gjatë gjithë jetës. Të gjithë kemi nevojë për pak mirënjohje, sidomos në shoqërinë tonë...”.
...i harruar?
Profesor Filipi u shua me 23 tetor 1983, gati i harruar, por jo për fajin e tij. I dekoruar vetëm një herë në vitin 1962, si mësues i dalluar, me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III, ende sot s’ka asnjë titull pas vdekjes, të paktën për 38 vitet pa ndërprerje si arsimtar në Krumë, Pukë, Shkodër, Prishtine, Berat e Tiranë. Ne 25-vjetorin e vdekjes, ai ka vlerësimin më të madh, që mund t’ia japë vetëm populli, për të cilin shkriu tërë energjitë e tij: emrin “Profesori i rinisë”.