E enjte, 01.05.2025, 03:27 AM (GMT+1)

Faleminderit

Bajrush Morina: Engjujt ndërrojnë jetë duke fluturuar

E marte, 18.11.2008, 01:30 PM


Nje muaj pa Presidentin Rugova
 
Engjujt ndërrojnë jetë duke fluturuar

 
- Vdekja të gjithë i palos përtokë, vetëm engjëjt vdesin në qiell, ndërrojnë jetë duke fluturuar!
- Ata nuk bijnë përtokë, në fakt ata nuk vdesin kurrë, ata ngjiten më lart!
- Ata shkojnë në parajsë! Lum Engjëjt për vdekjen e tyre!
 
Shkruan: Bajrush MORINA  
 
“Oh Zoti im!”. Mbase kjo ka qenë ofshama e fundit para se Atij t’i binte shkopi prej dore (bambusi te Ghandi). Ka disa ditë që Ai mbahej me shkopin e tij ndihmës, saherë që ngrihej nga shtrati dhe bënte ndonjë hap nëpër dhomë. Ai nuk preferonte të ecte me shkop ndihmës por mjekët ia preferuan, mjekët amerikanë. Ai kishte besim të madh te Amerika, Ai kishte besim të madh te Zoti.
                                
                                                 *    *    *
Një foshnje trejavëshe po dëneste së qari, kur u dëgjuan do krisma. Vaji i foshnjes jehoi deri vonë në janarin e ftohtë të Dimrit të Madh, derisa krismat u tretën në male. Ky vaj nuk pushoi asnjëherë ne jetë nga përkëdhelja e babait. Ai u rrit jetim pa babë.
 
Si “djalë i nënës” shkoi në shkollë me “vonesë” por si bir i babës martir u përgatit si është më së miri në jetë. Pyetni jetimët pa prind sa e rëndë është jeta pa prind, përkëdhelni kokën e fëmijëve jetimë të Kosovës, sa të brishta i kanë flokët, fshijuani lotët në faqe sa të ngrohta i kanë fytyrat, merrni në përqafim sa të përmallshëm që janë ata, fëmijët jetimë të Kosovës që janë pa babë apo pa nënë, të vrarë në luftë!
 
Ai u rrit pa baba, pa përkëdheljen dhe përqafimin e babait, me vaj në buzë e me lot në faqe, pa babain që t’ia ndalë vajin e t’ia fshijë lotin. Ai kurrë në jetë nuk pati kë ta thërriste me emrin: baba!
 
Vëjeni dorën në zemër: paramendojeni veten pa njërin prind, që nuk e keni parë kurrë në jetë! Apo, aq më rëndë: merreni me mend jetën e fëmijëve tuaj pa njërin prind! Ah çfarë dhembje në shpirt! Mos mendoni më kështu se do të ju mbushen sytë me lot. Por dijeni, dijeni mirë se Ai u rrit me sy të përlotur sa herë që shihte ndonjë fotografi të babait apo sa herë që nëna i fliste për babain “...që një ditë do të kthehet në shtëpi”.
                                                   *   *   *
Derisa rrugët vlonin nga truma e masës, një mendje me një pendë në dorë po shkruante ligjin e të drejtës, të lirisë, të paqes, të pavarësisë.
 
“Ata po na gjuajnë me plumba vdekjeprurës, e ne do t’ua kthejmë me pëllumba të paqes.
Ne jemi kundër dhunës.
Ne duam që me paqe e me dialog t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona.
Ne e duam lirinë dhe Pavarësinë që na takon.
Pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje që do ta qetësonte rajonin dhe këtë pjesë të Evropës e të botës.
Unë insistoj që Pavarësia e Kosovës të njihet sa më parë drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”.
Kjo ishte filozofia më e thjeshtë politike që predikoi Ai për gati dy decenie.
 
Gjithçka tjetër përtej kësaj filozofie politike ishte ose aventurë e përgjakshme ose lojë e rrezikshme me zjarr, ose edhe prapaskenë jo e ndershme politike.
 
Atij ia kanë vrarë babain serbët kur ka qenë vetëm foshnje trejavëshe, të tjerët ose i kanë patur prindërit ambasadorë në Meksikë e Spanjë ose shefa të UDB-së serbe në Kosovë!
 
Ai ka guxuar i pari të flasë kundër okupimit serb. Madje edhe ka kërcënuar se “...Në qoftë se Serbia përpiqet që përsëri të shtyp identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël!”. Të tjetër në këtë kohë ose kanë studiuar e jetuar në Beograd, ose kanë formuar degë të UJD-it në Prishtinë.
 
Vetëm Ai ka organizuar referendumin, zgjedhjet paralele, formimin e Institucioneve paralele.... Të tjetër ose e ftonin popullin të dilnin e zgjedhje të Serbisë ose “varrosnin dhunë” me arkivole të zbrazura dhe bënin zhurmë nga ballkonet me çelësa të banesave e të veturave.
 
Ai dhe vetëm Ai pati guximin të kthehej dhe të qëndronte në Kosovë pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë në Parisë. Të tjerët ose u vendosën në hotelet luksoze të Tiranës, ose e ftonin popullin që mos të largohet nga Kosova ndërkaq vetë, rruanin mjekrrat, mbulonin fytyrat dhe si lepujt (pardon: si “komandantët e Ballacës”) kalonin kufirin për në Maqedoni.
 
Të vërtetën për dhunën e krimet serbe si dhe arrestimin e dhunshëm e dëshmoi vetëm Ai në Tribunalin e Hagës. Të tjetër ose dëshmuan për takimet e fshehta me Stanishiqin e bashkëpunëtorët e tyre nëpër banesat private duke u servuar atyre edhe mish derri, ose i hanin fjalët e tyre duke thënë se; “..nuk më kujtohet kur jam zgjedhur komandant apo nuk më kujtohet kur ka ndodhur kjo ose ajo betejë!”
 
Vetëm Ai i fitoi katër herë zgjedhjet e lira të pas luftës në Kosovë. Të tjetër shpresonin në “mëshirën” e tij ose në fitoret që do t’i korrin në zgjedhjet e vitit 2222.
 
Vetëm Ai fliste pa ndërprerë për Pavarësinë dhe kërkonte njohjen e drejtpërdrejtë të Pavarësisë së Kosovës. Të tjerët ose kërkonin konferenca e takime ose edhe Pavarësi të cunguar e të kushtëzuar.
 
Dhe në fund....
 
Në fund vetëm para Tij u përkul i gjithë populli i Kosovës dhe shprehën dhembje mbarë bota demokratike perëndimore. Për të tjerët do të marrim vesh herdokur vetëm përmes përkujtimeve në faqet e fundit të gazetave.
 
                                           ***
Vdekja të gjithë i palos përtokë, vetëm engjëjt vdesin në qiell, ndërrojnë jetë duke fluturuar! Ata nuk bijnë përtokë, në fakt ata nuk vdesin kurrë, ata ngjiten më lart! Ata shkojnë në parajsë! Lum Engjëjt për vdekjen e tyre! 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx