Faleminderit
Gjon Frani Ivezaj: At Anton Luli, dëshmitar e mbijetues i torturave çnjerëzore
E merkure, 26.11.2008, 04:27 AM
At Anton Luli, dëshmitar e mbijetues i torturave çnjerëzore
Nga Gjon Frani Ivezaj
Të gjithë jashtë burgut ferr komunist të Shqipërisë e dinin të vdekur. Për më tepër revista "Albanian Bulletin Catholic", në një nga numërat e saj botoi foton e meshtarit, duke vendosur shënimin "Martir për fe", ndërsa një gazetë tjetër italiane "Avvenire" më 2 nëntor 1983, boton një shkrim me titull "Historitë e At Lulit". 10 vjet më vonë At Çesar Gjiraudo (Cesare Giraundo), në Tiranë për herë të parë mundi të zhvillonte një intervistë të gjatë mbi historitë e At Anton Lulit S.J., i mbijetuari i rregjimit komunist. Thjeshtësia në komunikim dhe zotërimi shkëlqyeshëm i gjuhës italiane, bënë që intervistuesi At Gjiraundo ti botoj kujtimet në librin: "Gia dato Per Martire… I Fioretti di un gesuita albanese" ("Atë Anton Luli S.J. Ne e dinim martir…"), shtypur në Shtëpinë Botuese "At Gjergj Fishta" në Lezhë. Libri është përkthyer nga Gjergj Laca. Kopertina e librit ka të fiksuar një foto të At Anton Lulit S.J. me Papa Gjon Pali II gjatë audiencës në rezidencën e Tij në Vatikan. Papa, po prekte më duart e Tij të shenjta plagën e gjallë të një martiri stoik të fesë së Krishtit dhe Shqipërisë.
Jeta e antarit të Shoqërisë Jezuite/Katundi Lohe ndodhet rrëzë Alpeve Shqiptare, mbi Koplik të Sipërm. Është një katund i vogël, që ndahet në dy pjesë: Lohja e Poshtme dhe e Sipërme. Gjatë shekujve shumë bij trima i janë bashkuar luftrave liridashëse kundërturke, duke treguar trimëri dhe dashuri të madhe për tokat e të parëve të tyre. Jo të pakët kanë qenë edhe klerikët katolik, që kanë dalë nga kjo pjesë e krahinës së Malësisë së Madhe, të cilët, kanë vijuar studimet në Kolegjen Saveriane dhe Kuvendin Françeskan në qytetin e lashtë të Shkodrës, qendër e hershme e krishtërimit dhe e kulturës kombëtare në Shqipëri. Në katundin e vogël malor Lohe u lind fëmija Anton. Ai kujton fjalët e nënës, që i thoshte miqve, se djali i vogël nuk kishte shëndet të mirë, se ishte shumë i dobët dhe gjithnjë e mbante frika se mund të largohej nga kjo jetë tokësore. Ishte fëmija i parë dhe mbas tij lindën edhe dy të tjerë. Pikërisht në ditën e Shën Antonit, foshnja, mori emrin e pagëzimit që gëzon. Në moshën 19 vjeçare, fillon studimet në Seminarin Dioçezan ose sikurse njihet nga të gjithë Shkolla Apostolike e Etërve Jezuitë. Pas klasës së pestë në gjimnaz e dërgojnë në Goricje, për të bërë dy vitet e rishtarisë, ku, kreu edhe liceun e filozofinë deri në vitin 1936. At Antonin, eprorët e dërgojnë sërisht në Seminarin e Shkodrës, ku filloi të jap mësim në gjuhën italiane, shqip, histori e gjeografi. Aty qëndroi për tre vjet, një prej të cilëve e kaloi në Tiranë si mësimdhënës. Eprorët e dërgojnë për të bërë teologji në Shtëpinë e Shën Antonit në Kievi (afër Torinos), dhe shugurohet meshtar më 13 maj 1942. Më 1943 kthehet përfundimisht në Shkodër.
Nëna, nuk donte që djali saj i madh të behet prift dhe çdo ditë përpiqej ta bindte, që të qëndronte në shtëpi dhe kështu mund ta ndihmonte më shumë atë në shtëpisë. Shumë vite më vonë, para se ajo të vdiste, u kishte thenë vëllezërve të At Antonit, se ishte e lumtur që djali i saj i shërben Krishtit.
Shërbesat fetare dhe udha e vështirë e kalvarit komunist/Situata në Shqipëri, në kohën e barbarëve komunistë ishte tepër e nderë. Komunistët me fjalë të bukura, kishin mundur të mashtronin pjesën e mirë të popullit, që ishte analfabet dhe nuk e dinte se çfarë ishte komunizmi dhe kështu u bënë viktimë e tij. Kleri katolik, gjithnjë ishte përpjekur ti hapte sytë popullit shqiptar, që të mos gënjehet nga ideologjia mashtruese e komunizmit. Për ketë në shumë revista dhe gazeta të kohës ishin sjellë shembuj negativ, të dhunës së tërbuar që komunizmi kishte ushtruar e vijonte me tërbim ndaj vendeve ku kjo ideologji e hurit dhe litarit ishte berë forcë shkatërruese. Ish-Bashkimi Sovjetik, që drejtohet nga tiranët Lenin-Stalin, ishte shembulli më i mirë i rrezikut që e kërcënonte botën demokratike dhe në veçanti Shqipërinë, që shumë shpejt u bë viktimë e demagogëve marksist të grupeve komuniste, që fillojnë të mbijnë si kërpudhat mbas shiut. Mbas pushtimit të Shqipërisë nga ideologjia dhe rendi komunist, filluan arrestimet në popull të kundërshtarëve politik të rregjimit. Rradha u erdhi tregtarëve të ndershëm, që me mund e sakrifica kishin arritur në bisnesin e tyre të vogël. Mbi bazën e orientimeve ruse, filloi sulmi frontal kundër institucioneve fetare, ku, në epiqendër të goditjeve staliniste u vu Kisha Katolike dhe hierarkia e lartë në Veri Perëndim të Shqipërisë.
Por nga ana e tjetër edhe rezistenca antikomuniste ishte e fuqishme. Kjo u duk në institucionet fetare dhe prelatët e Kishës. Qëndrimi burrëror i seminaristit Mark Çuni, gjatë gjyqit të zhvilluar kundër eprorëve të tij etërit jezuit At Gjon Fausti S.J. dhe At Daniel Dajani S.J.. Seminaristi i ri student Çuni, mbrojti me dinjitet profesorët e vet…
E njëjta panoramë e zymtë po zhvilloheje dhe tek Kuvendi Francekan, ku etërit At Gjon Shllaku e At Çiprian Nikaj, pushkatohen nga toga e zezë partizane. Këtë fat tragjik e patën pjesa dërmuese e zëvendësrektorëve, rektor e famullitar të thjeshtë në shkollat klerikale dhe famulli ose dioçeza si në qytet e katund.
Burgosja e zëvendësrektorit të Kolegjit Shën Françesk Saveri të Shkodrës/Gjatë kohës që komunistët kishin fillluar raplezarjet në institucionet klerikale katolike dhe qendrat fetare e kulturore të tyre, At Anton Luli S.J. askohe ishte me detyrën mësimdhënës dhe zv/rektor i Kolegjës Saveriane në Shkodër. Ai kujton: "Në janar të vitit 1946 i nisën për në atdhe të tyre të gjithë italianët, etër e fratela. Në Shkodër mbeta vetëm unë bashkë më Imzot Frano Gjinin, që ishte delegat Apostolik për Shqipërinë, në mungesë të Imzot Gjon Batista Nigris, të cilit, ia kishin ndaluar të hynte përsëri. Atëherë Imzot Gjini më emëroi rektor të Kolegjit Saverian e të Seminarit Papnor të Shkodrës, detyrë kjo që nuk m'u hoq deri në vitin 1991. Ndoshta kurrkush nuk ka pasur e grumbulluar detyra kaq të rëndësishme gati për 50 vjet rresht!… Kur u pushkatuan At Fausti e At Dajani, më 4 mars 1946, u mbyll seminari e kolegji. Në atë çast ndërhyri një ushtri e vërtetë, e përbërë prej plot 8000 partizanësh komunist. Këta, pasi na kishin ndyrë në sallën e ngrënies së seminarit, bënë një kontroll të imët qoftë në seminar, qoftë në kolegj. Pastaj, pa na lejuar të ngjiteshim në dhomat tona na nxorën jashtë, ne e seminaristët vetëm me tesha, që kishim veshur e kurrgjë tjetër. U sekuestruan gjithçka, duke përfshirë bibliotekën e seminarit me 40.000 vellimet e saja, më e madhja e më e pasura e të gjithë Shqipërisë. Ne pak shqiptarëve që kishim mbetur, na thanë: "Shkoni në shtëpitë tuaja, ose shkoni kah të doni" Ipeshkëvi atëherë më emëroi famullitar në famullinë e Shkrelit, tridhjetë kilometra në veri të Shkodrës".
Arrestimi dhe burgimi i parë (1947-1954)/Gjithnjë At Luli jetonte me ankthin se një ditë ai do të burgosej. Këtij fati të keq i ishin nënshtruar pjesa dërmuese e klerikëve në të gjithë Shqipërinë, por epiqendra e goditjeve antikatolike e antishqiptare ishte përqendruar në Shkodër e malësinë e saj. Për 18 muaj At Anton Luli S.J., ishte famullitar mes malësorëve besimtar dhe bujar, trima dhe përbuzës të rregjimit komunist ateist. Një javë para Krishtlindjeve të vitit 1947, meshtari i katundit arrestohet nga forcat partizane, me arsyen se ka zhvilluar "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Atë e dërguan në komunën e Koplikut dhe e ndrydhen për 8 muaj në një banjo, që kishte shumë kohë që nuk ishte pastruar. Asnjëherë nuk e pa dritën e diellit. Pastaj erdhi procesi gjyqësor. Në gjyq të Shkodrës u dënua me 7 vjet punë të detyrueshme, duke u larguar nga burgu i sigurimit në Koplik, që ishte qendër paraburgimit, për malësorët dhe klerikët katolik të atyre krahinave. Filluan torturat çnjerëzore mbi trupin e tij të brishtë.
Zv/rektori kujton: "Tashti po flasim për tortura. Nga nevojtorja ku isha, më thirrën, një ditë lart në katin e dytë, në zyrën e Sigurimit ose të Shërbimit të Fshehtë. Kishin hyrë katër e pesë policë të Sigurimit, të cilët filluan të luanin me trupin tim si me një top futbolli, dhe më lodhën e dërmuan, saqë u rrëzova për tokë. Atëherë një alamet burri me çizme të mëdha nisi të kërcejë mbi trupin tim deri sa ndjeva se m'u thye një brinjë. Pastaj shefi i policisë u vërsul mbi mua e më shtrengon aq fort në fyt saqë gati më mori frymën. Mbeta ashtu shakull, pa mundë të lëviz. Pastaj, me shqelma e me sharje, me mori një polic e më çoi përsëri në qelinë time plot erë të keqe. Kur më merrnin në pyetje, më duhej nganjëherë të rrija në zyrë me shefin e policisë nga mbrëmja e deri në mëngjez, vazhdimisht me këmbë e duar lidhur mbas shpine.