Faleminderit
Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Mitat Ganiu e Fitim Musliu
E diele, 23.11.2008, 12:41 PM
FARUK TASHOLLI
Mitat Ganiu - Fitim Musliu
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI
MITAT GANIU E FITIM MUSLIU
Të dy autostradat që shkojnë nga Dyseldorfi e Këlni dhe që bashkohen në një, para se të hyhet në kufirin belg në drejtim të Brukselit, në daljen për në qytetin e Ahenit, të çojnë deri në servisin automobilistik “GM KFZ”. Vargu i veturave që pret në radhë për riparim është i gjatë. Brenda punëtorisë, përpos gjermanishtes, dendur flitet gjuha shqipe, pasi pronarët e servisit janë shqiptarë, ndërsa edhe klientela e shumtë po ashtu shqiptare. Dy mjeshtrit partnerë, Mitat Ganiu e Fitim Musliu, kanë bashkuar mjetet, dijen dhe punën në servisimin e motorëve dizelë dhe tash sa kohë punojnë bashkërisht. Tashmë në qytetin e Ahenit dhe më larg, servisi i tyre ka bërë emër, pasi si thuhet, te mjeshtrit e mirë, klientela shkon rrallë. Ata me një sjellje shembullore presin hallexhinjtë, makinat e të cilëve kanë ndonjë defekt, punojnë pa fjalë, shpejt e lirë dhe kështu, të dy palët mbesin të kënaqur. Këta dy burra të rinj, duke parë se varshmëria nga padroni është jo aq e vlefshme, tash sa muaj kanë vendosur të bëhen të pavarur dhe nuk janë penduar.
Mitat Ganiu vjen nga Kumanova, ndërsa Fitim Musliu, nga Vërbani i Vitisë. Por të parët e Mitatit janë nga fshati Otël, i njohur për dy gjëra jo vetëm në rrethinat e Kumanovës, por edhe më gjerë. Otla së pari njihej për prodhimin e duhanit, madje të një lloji të veçantë të duhanit me fletë të gjerë, që njihej si duhani Otlan dhe në anën tjetër, për trimëri dhe bujari. Për këtë dëshmon edhe veprimtaria luftarake e luftëtarit të këtij fshati, Sulë Otlës, që deri në vdekje nuk e ndali pushkën çlirimtare ndaj bandave sllave dhe instalimit të komunizmit përmes tyre në trojet shqiptare. Babai i Mitatit, Ganiu, vjen në Gjermani në vitet shtatëdhjetë për të punuar dhe për ta mëkëmbur familjen. Duke parë se ekonomia familjare nuk ngritet shpejt, më në fund ai vendos ta marrë familjen e tij të ngushtë me vete, po në Gjermani. Kështu në vitin 1982, në moshën dymbëdhjetëvjeçare vjen edhe Mitati, i cili ballafaqohet më një ambient krejt tjetër. Ai në Kumanovë i lën shokët, librat shqip dhe lojërat e fëmijërisë, për të gjetur këtu shkollë tjetër, shokë të tjerë dhe lojëra të reja. Djaloshi kumanovar, shpejt mëson gjuhën gjermane dhe fillojnë t’i interesojnë shtigjet e jetës, si dhe kah të nisej. Që me kohë i intereson elektronika, por vëmendja e tij përqendrohet në qarqet elektrike të veturave, ku edhe vendos të ndjekë mësimet në këtë fushë. Aftësimin profesional e mbaron për tri vjet e gjysmë, duke kaluar të punojë si autoelektricist për një vit, në fillim si praktikant. “Më vonë, - thotë Mitati, - më ka interesuar puna e makinave dizel, ku kam vazhduar ta ushtroj edhe këtë pjesë të veprimtarisë. Pra, njëkohësisht kam punuar si praktikant dhe gradualisht kam marrë zanatin për riparimin e pompave dizelë, në firmën ”Bosch-Klubert”. Pastaj për nja dy vite u largova nga kjo punë dhe u inkuadrova në fabrikën e gomës dhe kimike “Uniroyal” në Ahen, ku punova për dy vite, pikërisht aty ku prodhohen gomat e veturave të të gjitha llojeve e madhësive. Por megjithatë, dëshira për t’u marrë me makinat, nuk më la të qetë. Sërish e vazhdova punën te firma “Bosch-Klubert”, derisa nuk u mbyll kjo firmë në vitin 2002. Po ashtu, fahun tim të punës e vazhdova në një firmë tjetër, në “Bosch Greuel & Grosmacher” në Berghajm. Aty themeluam një servis të dizel pompave, që më parë kjo firmë nuk e kishte, çka do të thotë se filluam nga zeroja dhe vazhduam deri në specializimin e atij servisi. Pas tri viteve pune, duke parë se mund të bëj shumë më shumë i pavarur, fillova hulumtimet se çka mund të bëja vetë. Por puna në fillim kërkon edhe ekip të mirë, ndihmë, përkrahje etj. Kështu këtë dert e bëra me mikun tim, Fitim Musliun, i cili ndaras meje, kishte bërë përvojat e veta në fushën e servisimit të dizel pompave dhe makinave. Dhe shumë shpejt ramë në ujdi. E hapëm këtë servis, ku përpos punës në servisimin e dizel pompave, bëjmë edhe autoelektrikën, ndërsa klientela mbetet e kënaqur e po ashtu edhe ne. Hapja e kësaj firme ka qenë e vështirë për ne, pasi është dashur të kemi një përgatitje të fortë, sidomos materiale, ku është dashur të blejmë shumë vegla e shumë pjesë makinerike. Kemi filluar në të njëjtën firmë të përbashkët të bëjmë punë të veçanta dhe dëshira për ta arritur qëllimin nuk na ka dështuar. Sot kemi një klientelë të një rrethi tejet të gjerë, ku po ashtu, edhe serviset e tjera na i dërgojnë të interesuarit për riparime të dizelit, sidomos në disa punë të vështira në këtë fushë të makinerisë.
Mitat Ganiu, në Ahen, jeton me prindërit dhe me familjen e tij të ngushtë. E shoqja e tij punon po ashtu dhe është e integruar në sistemin gjerman. I kanë tre fëmijë, Burimin, Sarën dhe Besën, të cilët mundohen t’i ngrisin në të gjitha aspektet e jetës. Dy të parët shkojnë në shkollë, ndërsa i vogli ende në çerdhe. Mitati sidomos është falënderues në përkrahjen që i ka dhënë familja në ngritjen e servisit që tashmë është bërë i përmendur në këtë rreth. Me ato rroga që kanë fituar në punët e tjera është dashur që të investohet në fillimin dhe në mëkëmbjen e servisit, që nuk ka qenë punë e lehtë. Përkrahja e babës, nënës dhe e gruas, moralisht e financiarisht, kanë bërë që Mitati të jetë i fortë dhe i suksesshëm në realizimin e qëllimit të tij për punë të pavarur.
Partneri profesional i Mitat Ganiut, Fitim Musliu, vjen nga Vërbani i Vitisë. Ai në Gjermani vendoset në fund të viteve nëntëdhjetë, kur ky vend ishte mbushur me ardhacakë nga Kosova, sidomos pasi kishin kaluar vite nën shtypjen e pushtetit serb, ku të rinjtë shqiptarë kishin mbetur gati pa kurrfarë perspektive. Ai në këtë vend gjendet mes entuziazmit të madh për punë dhe pamundësisë për t’u gjendur shpejt si kishte menduar në Kosovë. Por vullneti i madh bën që ky i ri të integrohet në një vend të ri, në një sistem të ri të jetës e të punës. Fitimi, thotë se qysh fare i vogël është interesuar për makinat dhe dëshirë e tij ka qenë që një ditë të bëhet automekanik. Atje kryen shkollën e mesme por edhe zanatin për automekanik, por që nuk mund ta ushtrojë veprimtarinë në Kosovë. Këtë dëshirë djaloshi nga Vërbani i Vitisë fillon ta realizojë në Gjermani, pasi më ishte sistemuar me status, duke u inkuadruar te firma e njohur “Bosch Klubert”, që njëkohësisht bën përgatitjen profesionale për servisimin e pompave të dizelit. Aty bën një praktikë të dobishme në një periudhë dyvjeçare. Ndërkaq pas dy vitesh, kalon në industrinë elektronike dhe punon në firmën e njohur “Philips”, filiala në Ahen. Pas pak kohe filiala e Ahenit largon nga puna rreth një mijë punëtorë dhe, në mesin e tyre edhe Fitimi mbetet në asistencë pune për më se dy vjet. Mirëpo dëshira për dije dhe ngritje profesionale, e shpiejnë atë deri në Shtutgart, ku vazhdon ngritjen profesionale në studimin e bosch pompave me injektim. Fill pas përgatitjes profesionale në Stutgart, Fitim Musliu, për ta realizuar ëndrrën e vet aty ku është nisur, i kthehet Vitisë. Aty hap servisin personal, por afarizmi i tij nuk ndez në atë vend, kështu që sërish detyrohet të kthehet në Gjermani. Dhe sërish takohet me kolegun e vet Mitat Ganiun, i cili shpejt ia gjen një punë në Bon, ku punon për tri vite me radhë. Ndërsa më vonë sërish shkon në rikualifikim, po për Bosch pompat e gjeneracionit më të ri VP 44-33 dhe për injektorë Komon rail. Pas një vistër specializimesh, Fitim Musliu, bisedojnë gjatë dhe bëjnë plane me Mitat Ganiun që të hapin një servis të përbashkët, duke bashkuar dijet, punën dhe mjetet. Tash servisi i tyre rritet dhe afirmohet gradualisht dhe që nga shtatori i vitit 2007, ka bërë emër në rrethin e Ahenit. Që të dy këta bashkëthemelues të servisti “GM KFZ”, që mban inicialete e mbiemrave të tyre, bashkëpunojnë në një nivel të lartë kolegial e vëllazëror mes veti e ky bashkëpunim reflektohet edhe te klientela e gjerë që sa vjen e shtohet nga dita në ditë. Ata vijnë në punë në orën tetë të mëngjesit, ndërsa nuk e dinë kur dalin, pasi që pos makinave që presin në radhë për t’u servisuar, kthehen edhe ato që kërkojnë riparim urgjent, pasi afër tyre kalon autostrada që lidh Gjermaninë me Belgjikën.
Kolegët Mitat Ganiu dhe Fitim Musliu, tash presin së shpejti ta instalojnë edhe punëtorinë e injektorëve Komon rail, që për ta do të jetë një hap përpara brenda një kohe të shkurtër. Servisi i tyre i dizel motorëve, tash për tash i vetmi në këtë qytet të madh, është bërë pjesë e çdo njeriu të motorizuar që banon e punon këtu, madje me afirmim të vazhdueshëm në Holandë dhe në Belgjikë.