E enjte, 01.05.2025, 06:42 AM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Nazmi Rrustemi

E enjte, 27.11.2008, 01:22 AM


Nazmi Rrustemi
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

 

NAZMI RRUSTEMI

 

Aty, ku ngreh krye katedralja e vjetër mbi shtatëqindvjeçare e Këlnit, ku rrjedh lumi i madh Rajna dhe ku gumëzhimat në stacionin e madh të trenit nuk kanë të ndalur as natën, aty ku njerëzit si nga zgjoi i bletëve dalin nga metrotë, në vargun e hoteleve dhe të lokaleve afariste, ka vite që  qëndron edhe një mbishkrim shqip me emrin “Arbëria”. Rreth këtij emri, qindra shqiptarë nga Këlni e rrethina, nga Boni e Dyseldorfi, nga  e Amsterdami e Brukseli, i kanë të lidhura kujtimet e një pjese të jetës në mërgim. Ky është emri i agjencisë së udhëtimeve, që pos fluturimeve e udhëtimeve për në Kosovë, ka shërbyer edhe si postë për të dërguar te të afërmit para e gjësende të tjera, madje edhe letra, pikërisht në kohët më të vështira, si ishin vitet nëntëdhjetë, kur Serbia e mbante nën okupim të egër Republikën e Kosovës. Madje, kjo ishte edhe një qendër kulturore, ku pos agjencisë funksiononte edhe klubi kulturor me të njëjtin emër, e ku kishte me bollëk audio e videoprograme. Pastaj libra të fushave të ndryshme etj. Gjithë këtë çerdhe shqiptare e kishte bërë kosovari korpulent, Nazmi Rrustemi, njeri i guximshëm për t’u ballafaquar me sfidat e jetës.

            Kur në vitet shtatëdhjetë, gradualisht po shtohej numri i gastarbeiterëve nga Kosova, të cilët me lehtësi po gjenin punë në Gjermani, duke u pavarësuar njëkohësisht nga familja, por edhe duke ndihmuar familjen në mesin e atyre gastarbeiterëve është edhe Nazmi Rrustemi nga Dobraja e Lypjanit, i cili si thotë, në Gjermani erdhi për të qëndruar e për të punuar vetëm nja gjashtë muaj. Aty, thotë ai, e kisha vëllain Aliun, i cili kishte ardhur prej kohësh. Kur erdha te ai, më punësoi në fabrikën e medikamenteve “BAYER” dhe gjashtë muaj shkuan shumë shpejt. Isha i ri dhe lakmoja në gjithçka, e pse jo edhe në paranë time. Kështu ngadalë filloi të më pëlqejë Gjermania dhe qëndrimin e vazhova, të them të drejtën me zemër, edhe për disa muaj, por mendjen e kisha të kthehem. Isha i martuar dhe kisha lënë në Kosovë gruan me dy fëmijët, Besimen dhe Osmanin. Por atë ditë e sot unë mbeta këtu, jo vetëm që mbeta, por punova gjatë, herë si punëtor e herë si ndërmarrës, madje duke inkuadruar në punë edhe të tjerë, por para së gjithash pjesëtarët e familjes sime, e sidomos djemtë që tash sa kohë janë pavarësuar në planin ekonomik. Gradualisht derisa rriteshin edhe fëmijët, të cilët i kisha lënë me vite në Kosovë, kur atje po shtrëngohej mundësia për të punuar e jetuar, edhe ata filluan të më bashkëngjiten. Në vitet e para kam punuar në fabrikën e medikamenteve, pastaj kam kaluar në hekurudhat gjermane, ndërsa më vonë në ndërtimtari, në izolimin e objekteve ndërtimore. Ndërkaq në vitin 1987, pas përvojave të fituara në punë, qoftë në realizimin e punimeve qoftë në komunikimin me partnerë, e hapa firmën time të pavarur po në fushën e izolimeve. Fillimisht punën e nisa me katër punëtorë. Për një kohë të shkurtër i bëra 18 punëtorë dhe me zgjerimin gradual të firmës, e mora në punë vëllain, mikun dhe disa shokë të tjerë. Ndërkaq në vitin 1995, krahas firmës për izolime, e hapa edhe agjencinë e udhëtimeve, ku paralelisht i udhëhiqja të dyjat. Por në punën e biznesit, si dihet, veprimtaritë afariste, herë shuhen e herë transformohen. Meqë puna me agjencinë filloi të më ecën mbarë, e në ndërkohë edhe njëri djalë që e kisha parapunëtor në firmën e izolimeve u kthye në Kosovë, veprimtarinë e parë e mbylla dhe atë, me sukses të plotë. Por në ndërkohë për të ma ngjitur krahun por edhe për ta realizuar vetveten, i kam marrë këtu dhe djetmë e tjerë si Muratin, Abdullahun e Rexhepin, e që ky Rexhepi, fatkeqësisht, ka vdekur në një fatkeqësi komunikacioni, afër Lypjanit në moshën 25 vjeçare. Tash jetoj me njërin nga djemtë, në shtëpinë time në periferi të Këlnit, ndërsa dy djem të tjerë punojnë dhe kanë banesat e tyre. Por ne jemi të pandashëm. Nuk mbetet ditë të mos takohemi, të mos komunikojmë për hallet, punët dhe sukseset tona. Ata punojnë secili punën e vet jashtë veprimtarisë sime. Në Kosovë e kam edhe djalin tjetër, Abdurrahmanin, i cili pas një qëndrimi trembëdhjetëvjecar, është kthyer dhe punon atje në ekonominë tonë familjare.

            Qyshse jam në Gjermani, përpos që kam mbajtur familjen time me harxhimet e përditshme, duke llogaritur këtu edhe familjen prindore, unë si njeri i fshatit që jam, në Dobrajë kam blerë 16 hektarë tokë. Kam ndërtuar edhe katër shtëpi për djemtë po në Kosovë dhe shtëpinë time në Gjermani prej 500 mijë markash, që i kam paguar tërësisht. Të gjitha këto i kam bërë brenda një periudhe shtatëvjecare, pra pas përfundimit të luftës, kur u hap mundësia edhe e investimit në Kosovë, kur u fitua ai guximi për ta zgjeruar ekonominë familjare”.

Kur e pyesim Nazmiun se si është në Gjermani më mirë, të jesh ndërmarrës apo punëtor i zakonshëm, nga përvojat e tij ai thotë: “Dikur në Gjermani në të dy anët ka qenë mirë, por kohët e fundit janë shfaqur vështirësi të ndryshme. Më mirë përpara ka qenë të kesh firmë, por tash kanë rënë çmimet e punës, është rritur kostoja e shpenzimeve etj. Por sido që të jetë, më mirë është të jesh i pavarur se argat. Prandaj  me gjithë vështirësitë, më mirë është të kesh firmë. Dua të shtoj me këtë rast, se gjithë suksesin e firmave që kam pasur, gjithë këtë pasuri që kam, nuk e kam arritur vetë. Kjo është edhe meritë e gruas sime të dytë Zhaklinës, pra gjermane, e cila ka punuar vazhdimisht me mua, më ka përmbajtur, më ka ndihmuar dhe mbi të gjitha ka qenë shtylla ime. Këtu mos të ngatërrohemi se fëmijët, të gjithë i kam më gruan e parë, shqiptare nga Smallusha e Lypjanit, e cila ka shumë vite që më ka vdekur, por kujtimin për të ende e mbaj të freskët. Ndërkaq Zhaklina, e din gjuhën shqipe, komunikon me klientelën shqip, plotëson librat e kontabilitetit, kryen hyrjedaljet në firmë dhe mbi të gjitha, në mënyrë të përpiktë kryen gjithë administratën. Dua të shtoj këtu se pa Zhaklinën, pak, ama fare pak do të kisha bërë në suksesin afarist. Se, të them të drejtën, unë kam vetëm katër vjet shkollë dhe shumë punë nuk i di. Por e di një punë tjetër: korrektësinë dhe   ndershmërinë. Në gjithe këtë punë, kur kam dërguar para me miliona për në Kosovë, pra në cilësinë e postës, kur mijëra udhëtarë kanë kaluar përmes agjencisë sime, nuk mund të dalë ndonjë shqiptar e të thotë më mashtroi Nazmi Rrustemi. Kjo ndoshta ka bërë që unë të jem i suksesshëm, pra korrektësia, angazhimi më i madh që klienti im të jetë gjithnjë i kënaqur me punën time. Sepse, unë jam ai njeriu që digjem e nuk koritem, si thotë një fjalë e popullit”.

            Prapë kthehemi te fillimi. Nazmi Rrustemi është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Ai rrëfen se deri në vitet shtatëdhjetë ka punuar punë bujqësie, por kur e sheh që vëllai vinte në shtëpi me rroba të reja, më i mbajtur etj., thotë, lakmova dhe u nisa edhe unë. Ma dërgoi vëllai garancionin e punës dhe u nisa me gëzim Ndërsa tash i kam bërë  38 vjet jetë e punë në Gjermani. Po edhe pjesën më të madhe të familjes e kam këtu. Kur e kam kaluar pjesën më të madhe të jetës këtu, kur e kam pjesën më të madhe të familjes këtu, kur shokët e jetës i kam këtu, pasi të dal në pension, prapë do të rri këtu. Pra, dimrit do të rri këtu e verës në Kosovë. Ky do të jetë ai qëllimi im. Këtu kam bërë shokë, sidomos gjatë punës. Kam miq e bashkëpunëtorë të shumtë afaristë. Me të gjithë kam marrëdhënie korrekte. Por mbi të gjitha, shoqëri të ngushtë kam me Mufail Demirin, koleg nga agjencia e udhëtimeve “Dituria” në Dyseldorf. Të shtoj se pos djemve i kam 15 nipa e katër mbesa, të cilët i dua shumë. Më shumë i dua nipërit dhe mbesat se fëmijët e mi. Ata më japin jetë e më bëjnë të ndihem i ri. Ata ma kthejnë gazin në buzë edhe kur jam i mërzitur”.

            Se çfarë punëtori ka qenë dikur Nazmi Rrustemi flasin edhe pjesët e biografisë së tij. Me fitimet e para në Gjermani ka blerë një autokombajnë, pastaj traktorin dhe mjetet e tjera për punë në bujqësi. Me ato mjete ka punuar babai i tij, pra para 30 vitesh, që ky e kujton si një punëtor të madh që nuk mund t’ia kalojë asnjëri nga pasardhësit. Por edhe Nazmiu, pushimin në Gjermani e ka marrë vazhdimisht në sezonin e korrjeshirjeve, vetëm e vetëm për t’i ndihmuar babait që të punojë me autokombajnë. Babai i Nazmiut ka vdekur në moshën 89 vjeçare.

            Ndër të tjera, Nazmi Rrustemi qe tetë vite e ka mbajtur vullnetarisht Klubin Kulturor Shqiptar “Arbëria” në Këln, ndërsa krahas obligimeve të tjera, ka dhënë edhe ndihma të konsiderueshme në Kosovë. Të shumta janë letrat falenderuese që i kanë dërguar familjet, qoftë nga rrethi i ngushtë qoftë më gjerë, por edhe institucionet e asociacionet e ndryshme kulturore e sportive. Ai ka financuar edhe Klubin Sportiv “Arbëria” nga Krojmiri i Lypjanit, Shkollën fillore “Rilindja” në Dobroshëvc të Drenasit edhe Klubin Futbollistik “Kosova” në Kënigsvinter. Por edhe bashkatdhetarë në klubin “Arbëria” iu kanë bashkangjitur aksioneve të tij humanitare.

            Nazmi Rrustemi vazhdon të punojë deri në pension, i rrethuar me djem, me nipër e mbesa, me miq personalë e miq afaristë, në njërin nga qytetet më të bukura e më të mëdha gjermane, në Këln, aty ku zhaurin Rajna e qiellin prek katedralja qindvjeçare.

Rrofsh Nazmi!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx