E enjte, 01.05.2025, 01:34 AM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Xhemshir Dervishi

E diele, 30.11.2008, 03:19 AM


Xhemshir Dervishi
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

XHEMSHIR DERVISHI

 

Vitet tetëdhjetë në Kosovë ishin vite sfidash, vite shpresash e kthesash, por edhe vite të rënda, sidomos për një brez që u gjend nën shënjestrën serbe, si ishte rinia e kohës. Ajo po e rivitalizonte këtë tokë, që nuk kishte vite të largëta nga Lufta e Dytë, qyshse ishte djegur e persekutuar nga bandat çetniko-partizane. Por ky rivitalizim u bë shënjestër e pushtetit sa gjithë forcën e orientoi që ta shtypte këtë vitalitet, këtë rini shpresëdhënëse, jo vetëm duke e stopuar zhvillimin ekonomik, por duke i mbushur edhe burgjet. Në këtë atmosferë, shumë të rinj kërkonin shtigje për mbijetesë, që nga Fusha e Kosovës, e deri te portat e Evropës, pra në Slloveni. Duke marrë udhët për bukën e gojës, shumë të rinj u shpërndanë gjithandej, por kurrë nuk reshtën që të kthehen në gjirin e familjes, duke mërguar përkohësisht. Në mesin e tyre, ishte edhe djaloshi nga Drenica, pikërisht nga Çikatova, Xhemshir Dervishi. „Zejen“ e mërgimit në familje, ky djalosh e kishte përjetuar që nga ditët e fëmijërisë, kur mbrëmjeve baballarët e bashkëmoshatarëve të tij ktheheshin nga arat e bukës, nga tregu, apo nga ndonjë punë tjetër në qytet, ndërsa babai i tij, nuk vinte. Ai ishte larg, diku larg. Punonte dhe dukej rrallë. Peshën e mungesës së babait në familje po e ndjente edhe Xhemshiri, pa e ditur domosdoshmërinë e marrjes së udhës së mërgimit nga babai. Babai i tij për gjashtë vite kishte punuar në Gjermani, por nuk kishte mundur ta zgjasë më shumë, se kishte dashur të jetë pranë familjes. Por sërish, nga nevoja, kishte mërguar për ta ngritur ekonominë familjare, por më afër, në Zagreb. Por një ditë, gjatë viteve tetëdhjetë, edhe Xhemshiri shkon pas babait, në Zagreb. Nga dëshira për të prosperuar dhe për të zënë dije si i ri, regjistron Shkollën e Lartë të Komunikacionit në kryeqytetin kroat, duke vazhduar njëkohësisht të punojë për ta financuar veten, por edhe për t'iu bërë krah i djathtë babait. Por fati e do, që Xhemshiri ta japë provimin për shofer kamioni, i cili më vonë do t'i ndihmojë shumë praktikisht në jetë. I ndeshur me peshën e mërgimit, ai kthehet në Kosovë dhe, blen kamionin për të punuar vetë, pranë familjes, pranë të afërmve. Ky hap i ndihmon shumë që ai të pavarësohet dhe ta krijojë vetë punën, pa pritur kot enteve të punësimit, pa bërë lutje të kota në ndërmarrjet shoqërore të kohës që nuk zgjeroheshin fare. Me themelimin e Kooperativës së Zejtarëve në Drenas, inkuadrohet aty në vitin 1989 dhe fillon punën për së mbari, duke huazuar punë nga ndërmarrjet e ndryshme. Sidomos bashkëpunimi me Feronikelin, Xhemshir Dervishtit i sjell të ardhura solide, duke e radhitur atë ndër kooperantët më të suksesshëm të komunës. Dhe sapo mëkëmbet pak, si i kishte thënë babait  se unë do të të ndal nga mërgimi, këtë  punë e bën më 1991. Me punën e vet të suksesshme, babain e kthen në gjirin familjar, i bindur se do ta mbajë mbarë edhe timonin e familjes.Por  si dihet, fundi i viteve tetëdhjetë dhe fillimi i të nëntëdhjetave, ishte vit i ndryshimeve të mëdha dhe të papritshme në ish Jugosllavi. Në vorbullën e këtyre ndryshimeve të pashmangshme në fushën politike dhe të risistemimit të shtetit, Serbia po ngutej të shtrinte hegjemoninë e vet, sidomos duke shtrënguar shkeljen mbi shqiptarët. Administrimi me institucionet e Kosovës nga ana e Serbisë, bëri që mijëra punëtorë të përjashtohen nga puna, mijëra njerëz të ndiqen nga organet policore, me pretekstet nga më të ndryshmet. Nuk shpëton as Xhemshiri nga ato ndjekje. I kishte ardhur ftesa për mobilizim në përbërjen rezervë të ushtrisë jugosllave me seli në Leskovc të Serbisë, bashkë me disa bashkëfshatarë. Si të shkonte në kazermën serbe kur gjithçka e keqe po vinte prej andej. Edhe sot e kujton Xhemshiri atë kohë se si është dashur të vëzhgohet tërë natën që njerëzit me ftesa për mobilizim të jenë të gatshëm të ikin nga shtëpitë e tyre në Çikatovë. Sa binte mbrëmja, pas çdo lëvizjeje të veturave të panjohura, duhej mësyer në malin e afërt për t'u fshehur. Tashmë edhe lëvizjet në komunikacion të këtij të riu ishin ndërpre. Ai nga larg udhëhiqte me dy kamionët e tij, me të cilët punonin të tjerët, aq sa mundnin. Në këto rrethana të vështira, Xhemshiri kërkon shtigje të reja, duke ia mësy Gjermanisë. Kalon në Shkup, për të vazhduar drejt Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë e tutje për në Gjermani.

            “Ishte janar i vitit 1992. Pikërisht më 14 të këtij muaji u paraqita azil në Entin Federal për të Huajt në Këln. Prej aty më kanë dërguar në Vosenak, një qytezë afër Dyrenit. Dolëm me një bashkëvendës për të kërkuar punë dhe  për fat, gjetëm në një furrë buke. Një vit pa ndërpre punova në atë furrë. Pastaj e nostrifikova lejen e kamionit dhe menjëherë kërkova punë. E lashë furrën dhe kalova në një qytezë të afërt në Simerat në një firmë transportuese. Pronari i firmës ma lëshoi për banim shtëpinë e vet. Në vitin 1993 jam bashkuar me familje. Kur u bashkova me familjen, kisha një përjetim të veçantë, por jo edhe të lehtë. Djalin e kisha lënë trevjeçar. Nuk e njoha fare. Si të ishte një fëmijë i huaj. Ishte rritur paksa. Në ndërkohë më kishte lindur edhe vajza, katër muaj pasi kisha lënë Kosovën. Shtatëmbëdhjetë muaj pasi kishte lindur po e shihja për herë të parë. Tash u bashkova me familjen por duhej mësuar edhe fëmijët t’i kem  pranë. Ngadalë e krijuam afërsinë dhe u lidhëm fort duke krijuar një dashuri të madhe. Pastaj këtu më lindi edhe një djalë. Por vajzën e kam të veçantë. Në Simerat punova për 10 vite në të njëjtën firmë. Më vonë vendosa që të bëhem i pavarur. Kisha bërë përvoja të mjaftueshme në Gjermani, por të njëjtat i kisha bërë edhe në Kosovë. Mendoja të blej kamion, por kushtonte shtrenjtë dhe nuk e vlente ta bëja këtë. Mendova sa mendova dhe vendosa: më e lehtë më dukej hapja e një firme për shembjen dhe sanimin e objekteve të ndryshme. Natyrisht duke huazuar mjetet e punës nga firmat ndihmëse, që këtu ka mjaft. Kështu nga viti 2003 u bëra me firmë të pavarur. Në fillim e nisa me pak, ku nga 4 punëtorë, tash i kam 12. Po ashtu, për transportin e punëtorëve dhe mjeteve të punës, i kam dy minibusa”.

            Kur e pyesim Xhemshirin se si e bën ditën e punës, ai rrëfen: “Zgjohem në mëngjes në orën gjashtë. E pi një kafe dhe ndez makinën. Puna fillon në orën shtatë. Njërin minibus e ngas unë ndërsa tjetrin një punëtor. E kam një bager dhe një lugë ngarkuese. Unë i rrëzoj objektet, ndërsa punëtorët klasifikojnë materialin ndërtimor, pasi secila pjesë duhet të shkojë në vendin e vet. Puna përfundon në orën shtatëmbëdhjetë, por kjo vlen vetëm për punëtorët. Unë vazhdoj tutje. Vazhdoj të shikoj ndonjë ofertë, të takohem me ofertuesit, por edhe ta kërkoj punën. Mbas darke i shkruaj dhe i përpunoj të dhënat nga puna në kompjuter. Gjithë administratën përkitazi me firmën e mbaj vetë. Kjo  më merr kohë rreth një orë e gjysmë çdo ditë. Në firmë kam punëtorë gjermanë dhe shqiptarë.

            Më 1988 e kam blerë një banesë. Plus në pronësi kam edhe dy garazha dhe veturën familjare. Por mbi të gjitha, jam i interesuar për ngritjen dhe shkollimin e fëmijëve. Djalin e madh, Ramadanin, e kam nëntëmbëdhjetëvjeçar. Bën shkollën profesionale  për shërbim të jashtëm në fushën e tregtisë dhe menaxhimit. Ndërsa vajza, Qamilja, është në përfundim të maturës. Ajo pret të studiojë. Djali i vogël, Dardani, është ende shtatëvjeçar. Ndërkaq firma veç po ecën me ritmin e vet të suksesshëm.

Xhemshir Dervishi nuk ka të ndalur. Ai pret zgjerimin e firmës, por njëkohësisht, mendon si ta bëjë këtë edhe në Kosovë, sidomos për t’i punësuar disa nga të afërmit dhe familjarët atje. Por, ai është fare i qartë: në Kosovë duhet pasur një partner besnik, siguri institucionale dhe, duhet prodhuar diçka që shkon edhe në tregun e jashtëm. Në këto kontura do të investonte pa përtesë ky afarist. Ai me gjithë anagzhimet dhe zgjerimet financiare në Gjermani, ka bërë edhe shtëpi për familjen e vet në Kosovë, duke mos lënë anash edhe pjesë të familjes prindore. Kur jemi këtu, në jetën e familjes dhe në jetën personale të Xhemshirit, kanë ndodhur edhe thyerje të mëdha, sidomos gjatë luftës e këndej. Këto ngjarje të rënda kanë pasur ndikim edhe në punën e afaristit kosovar në Gjermani. Gjatë kohës së luftës, i kidnapohet babai, Bahtiri, i cili kishte vendosur të mos e lëshojë shtëpinë. Por jo vetëm kaq. Babai vritet nga dora barbare serbe. Po ashtu, edhe dhëndri i tij, Ali Aliu, nga Qirezi vritet. Vritet edhe nipi i ri 16-vjeçar, Burimi, djali i Aliut. Babai ishte 62 vjeçar kur është vrarë. Dhëndrin Aliun, si thuhet, e kanë torturuar fizikisht deri në vdekje. Tash motra ka mbetur me një vajzë e me një djalë. Edhe ajo është nën përkujdesjen e Xhemshirit dhe të vëllezërve të tij. Duhet ndihmuar edhe të tjerët. Drenica ka nevojë në çdo rast. Gjithë ajo luftë, gjithë ai shkatërrim, gjithë ato dhembje. Tash vetëm djemtë, si Xhemshir Dervishi, duhet t’i dalin zot asaj duke zgjeruar punën edhe në vendlindje. Dikujt duhet ndihmuar vetëm pak, sa të ngjitet. Pastaj shkon vetë. Këtë më së miri e ka provuar edhe ndërmarrësi shqiptar në Gjermani Xhemshir Dervishi që nuk ndalet së punuari. Një ditë dija dhe investimi për punën do t’i kthehen me sukses Kosovës. Ai edhe prej atje udhëheq me firmën, qoftë kur është në pushime, qoftë kur shkon në vizita të rastit. Nuk është edhe aq e lehtë puna e tij prej ndërmarrësi. Jetë me stres, me tensione thotë ai. Pushimet me familje verës i bën në Durrës në Hotelin “Hoti”, pronë e një shtetasi të Shqipërisë ,me prejardhje kosovare. Por jo rrallë, që nga atje i është dashur të koordinojë punën. Ka telefonata të mira, por ka edhe aso që ta prishin gjumin, thotë Xhema. Ato duhet përballuar me sukses. Njeriu duhet të mësohet edhe me dështimet, por pikën e suksesit nuk duhet harruar kurrë. Vetëm kur e ëndërron gjithnjë atë pikë, me siguri do të arrijë, por duhet vullnet, punë e sakrificë. Kjo edhe është motoja e këtij ndërmarrësi kosovar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx